Një vend për t’u fshehur nga era
Një vend për t’u fshehur nga era
LART në malet alpine të Evropës, rritet një shkurre e fortë e quajtur trëndafili i malit. Ky rododendër xhuxh shpesh rritet në shkorrete të dendur të ulët, të ngjeshur pas tokës, për t’u mbrojtur nga erërat e furishme malore. Era e fortë përbën një rrezik për bimët alpine, pasi ul temperaturën, than ajrin e dheun, si dhe i shkul ato nga rrënjët.
Shpesh, trëndafili i malit u shpëton shkretimeve të erës duke u rritur nëpër të çarat e shkëmbinjve. Ndonëse në këto vende dheu mund të mos jetë me bollëk, të çarat e shkëmbinjve sigurojnë mbrojtje nga era dhe u japin mundësi bimëve që të ruajnë ujin. Pothuajse të fshehur nga pamja për pjesën më të madhe të vitit, në verë këta rododendra e zbukurojnë strehimin e tyre malor me lule në ngjyrë të kuqe të ndezur.
Profeti Isaia shpjegoi se Perëndia do të caktonte ‘princa’ dhe secili prej tyre do të shërbente si «një vend për t’u fshehur nga era». (Isaia 32:1, 2, BR) Nën drejtimin e Mbretit, Jezu Krishtit, këta princa ose mbikëqyrës frymorë do të ishin si shkëmbinj të qëndrueshëm, të palëkundshëm në periudha stresi ose mundimesh. Ata do të siguronin strehim të besueshëm përballë vështirësive dhe do t’i ndihmonin nevojtarët që të ruanin rezervat e ujit frymor që do të merrnin nga Fjala e Perëndisë.
Erërat e përndjekjes, të shkurajimit ose të sëmundjeve mund ta godasin vazhdimisht me forcë një të krishterë dhe nëse e gjejnë të pambrojtur, mund të shkaktojnë që besimi i tij të vyshket. Pleqtë e krishterë mund të sigurojnë mbrojtje, duke e dëgjuar me vëmendje problemin e tij, duke dhënë këshilla të bazuara në Bibël dhe duke dhënë zemër ose duke dhënë ndihmë praktike. Ashtu si Mbreti i tyre i emëruar, Krishti Jezu, ata duan t’i ndihmojnë personat që janë ‘të hallakatur’. (Mateu 9:36) Gjithashtu, dëshirojnë t’i ndihmojnë ata që janë dëmtuar nga erërat e mësimit të rremë. (Efesianëve 4:14) Një ndihmë e tillë në kohën e duhur mund të provojë se është jetësore.
«Kalova një periudhë tronditëse në jetë kur disa miq të ngushtë e lanë të vërtetën dhe, në të njëjtën kohë, babai im pati hemorragji cerebrale,—shpjegon Miriami.—Duke u përpjekur të kapërceja depresionin, fillova të dilja me një djalë nga bota. Jo shumë kohë më pas, duke u ndier e padenjë, njoftova pleqtë e kongregacionit se kisha vendosur ta lija të vërtetën, pasi isha e sigurt se Jehovai nuk mund të më donte.
Në këtë çast kritik, një plak i dhembshur më rikujtoi vitet kur kisha shërbyer si pioniere e rregullt. Më tha se gjithnjë e kishte admiruar besnikërinë time dhe me dashamirësi më kërkoi t’i lejoja pleqtë që të më ndihmonin, të më siguronin për dashurinë e Jehovait. Interesi i dashur që treguan për mua në atë periudhë kritike ishte si ‘një vend për t’u fshehur’ gjatë stuhisë frymore që vazhdonte përreth meje. Brenda një muaji, e ndërpreva lidhjen me atë djalë dhe që nga ajo kohë kam vazhduar të eci në udhën e së vërtetës.»
Pleqtë ndihen të shpërblyer kur i shohin të bashkëkrishterët që lulëzojnë frymësisht, falë mbrojtjes që u jepet në kohën e duhur. Këto ‘vende për t’u fshehur’ na sigurojnë një shijim paraprak të ndihmës së bollshme frymore që do të kemi gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.