Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pagëzimi i Klodvigut: 1.500 vjet katolicizëm në Francë

Pagëzimi i Klodvigut: 1.500 vjet katolicizëm në Francë

Pagëzimi i Klodvigut: 1.500 vjet katolicizëm në Francë

«NË EMËR të Papës, bum»,​—shkruhej në mesazhin që shoqëronte një bombë të sajuar, e cila u zbulua në kishën franceze që duhej të vizitonte papa Gjon Pali II në shtator të vitit 1996. Ky ishte një rast ekstrem i kundërshtimit që karakterizoi vizitën e tij të pestë në Francën Kontinentale. Prapëseprapë, atë vit rreth 200.000 veta erdhën në qytetin francez të Rejmsit për të përkujtuar bashkë me papën përvjetorin e 1.500-të të kthimit në katolicizëm të mbretit frank Klodvig. Kush ishte ky mbret, pagëzimi i të cilit është quajtur pagëzimi i Francës? E përse përkujtimi i këtij pagëzimi shkaktoi polemika të tilla?

Perandoria në rënie

Klodvigu lindi rreth vitit 466 të e.s., biri i Kilderikut I, mbretit të frankëve salikë. Pasi u mund nga romakët në vitin 358 të e.s., ky fis gjerman u lejua të vendosej në atë që sot është Belgjika, me kusht që të mbronte kufirin dhe të furnizonte ushtrinë romake me ushtarë. Lidhja e ngushtë me popullsinë vendëse galo-romake që erdhi si pasojë, çoi në një romakëzim të ngadalshëm të këtyre frankëve. Kilderiku I ishte aleat i romakëve, duke luftuar kundër fiseve të tjera gjermane që sulmonin, siç ishin visigotët dhe saksonët. Kjo e bëri që të fitonte mirënjohjen e popullsisë galo-romake.

Provinca romake e Galisë shtrihej që nga lumi Ren në veri e deri te Pirenejtë, në jug. Mirëpo, pas vdekjes së gjeneralit romak Ecius, në vitin 454 të e.s., vendi kishte mbetur pa sundimtarë. Për më tepër, rënia e Romul Augustit, perandorit të fundit të Romës, në vitin 476 të e.s., dhe rënia e pjesës perëndimore të Perandorisë Romake i sollën trazira të mëdha politike rajonit. Për pasojë, Galia ishte si një frutë e pjekur, gati që të këputej nga një prej fiseve që ishin vendosur brenda kufijve të saj. Nuk na habit shumë fakti që duke pasuar babanë e tij, Klodvigu filloi përpjekjet për të zgjeruar kufijtë e mbretërisë së tij. Në vitin 486 të e.s., në një betejë afër qytetit të Suasonit mundi përfaqësuesin e fundit të Romës në Gali. Kjo fitore i dha kontrollin e gjithë territorit që gjendej midis lumit Som në veri dhe lumit Luarë në Galinë Qendrore e Perëndimore.

Njeriu që do të ishte mbret

Ndryshe nga fiset e tjera gjermane, frankët kishin mbetur paganë. Mirëpo, martesa e Klodvigut me Klotildën, një princeshë nga Burgonja, pati ndikim të thellë në jetën e tij. Duke qenë katolike e flaktë, Klotilda u përpoq pa u lodhur ta kthente në besim të shoqin. Sipas historisë së dokumentuar në shekullin e gjashtë të e.s. nga Gregori i Turit, gjatë betejës së Tolbiakut (Zulpik, Gjermani), në vitin 496 të e.s., kundër fisit të alemanëve, Klodvigu premtoi se do ta braktiste paganizmin nëse Perëndia i Klotildës do t’i jepte fitoren. Ndonëse trupat e Klodvigut ishin duke u mundur, mbreti i alemanëve u vra dhe ushtria e tij u dorëzua. Sipas Klodvigut, fitoren ia kishte dhënë Perëndia i Klotildës. Të dhënat gojore na thonë se Klodvigun e pagëzoi «shën» Remiu në katedralen e Rejmsit, më 25 dhjetor 496 të e.s. Gjithsesi, disa besojnë se më e saktë është një datë e mëvonshme në vitet 498-499 të e.s.

Përpjekjet e Klodvigut për të pushtuar mbretërinë e Burgonjës në juglindje dështuan. Por, fushata kundër visigotëve u kurorëzua me sukses kur, në vitin 507 të e.s., ai i mundi në Vuje, afër Puatjesë, një fitore që i dha kontrollin e shumicës së pjesës jugperëndimore të Galisë. Si shenjë merite për këtë fitore, Klodvigut iu dha titulli i nderit konsull nga perandori i Perandorisë Romake të Lindjes, Anastasi. Në këtë mënyrë, ai kishte një pozitë më të lartë se gjithë mbretërit e tjerë perëndimorë dhe sundimi i tij u bë i ligjshëm në sytë e popullsisë galo-romake.

Pasi kishte vënë nën sundimin e tij territorin e frankëve të Renit në lindje, Klodvigu e bëri Parisin kryeqytetin e tij. Në vitet e fundit të jetës, ai e forcoi mbretërinë duke i dhënë një kod të shkruar ligjor, Lex Salica (e drejta salike), si edhe duke mbledhur një këshill të kishës në Orlean, për të përcaktuar lidhjet ndërmjet kishës dhe shtetit. Kur vdiq, ka të ngjarë më 27 nëntor 511 të e.s., ishte sundimtari i vetëm i tre të katërtave të Galisë.

The New Encyclopædia Britannica e quan kthimin e Klodvigut në besimin katolik si «një çast vendimtar në historinë e Evropës Perëndimore». Përse ishte kaq i rëndësishëm kthimi në besim i këtij mbreti pagan? Rëndësia qëndron në faktin se Klodvigu zgjodhi katolicizmin në vend të arianizmit.

Polemika ariane

Rreth vitit 320 të e.s., Ariusi, një prift në Aleksandri, Egjipt, filloi të përhapte ide të reja për Trinitetin. Ariusi e mohonte se Biri kishte të njëjtën përbërje si Ati. Biri nuk mund të ishte Perëndia ose i barabartë me Atin, sepse kishte pasur një fillim. (Kolosianëve 1:15) Sa për frymën e shenjtë, Ariusi besonte që ishte një person, por më i ulët se Ati dhe se Biri. Ky mësim, i cili fitoi popullaritet të madh, shkaktoi kundërshtim të ashpër brenda kishës. Në vitin 325 të e.s., në Këshillin e Nicesë, për Ariusin u vendos internimi dhe mësimet e tij u dënuan. *

Megjithatë, kjo nuk i dha fund polemikës. Kriza doktrinale vazhdoi edhe për 60 vjet të tjerë dhe perandorët e mëvonshëm mbanin njërën anë ose tjetrën. Në fund, në vitin 392 të e.s., perandori Teodosi I e bëri katolicizmin tradicional, së bashku me doktrinën e Trinitetit, fenë shtetërore të Perandorisë Romake. Ndërkohë, gotët ishin kthyer në arianizëm nga Ulfilasi, një peshkop gjerman. Fise të tjera gjermane e pranuan menjëherë këtë formë «krishterimi». *

Në kohën e Klodvigut, kisha katolike në Gali ishte në krizë. Visigotët arianë përpiqeshin ta mposhtnin katolicizmin, duke mos lejuar zëvendësimin e peshkopëve që vdisnin. Për më tepër, kisha ishte nën kthetrat e dy klikave papnore dhe priftërinjtë e klikave kundërshtare vritnin njëri-tjetrin në Romë. Si për ta shtuar këtë pështjellim, disa shkrimtarë katolikë kishin hedhur idenë se viti 500 i e.s. do të shënonte fundin e botës. Kështu që kthimi në katolicizëm i pushtuesit frank u pa si një ngjarje e dobishme, e cila shënonte agimin e «mijëvjeçarit të ri të shenjtorëve».

Por, cilat ishin arsyet që u bë katolik Klodvigu? Ndonëse nuk mund të përjashtohen arsyet fetare, patjetër që ai kishte në mendje synime politike. Duke zgjedhur katolicizmin, Klodvigu fitoi miratimin e popullsisë mbizotëruese katolike galo-romake dhe mbështetjen e hierarkisë së fuqishme të kishës. Kjo i dha një përparësi të sigurt mbi rivalët e tij politikë. The New Encyclopædia Britannica komenton se «pushtimi i Galisë nga ana e tij u bë një luftë për çlirimin nga zgjedha e heretikëve të urryer arianë».

Cili ishte Klodvigu i vërtetë?

Në përgatitjet për përkujtimin e vitit 1996, kryepeshkopi i Rejmsit, Zherar Dyfua, e përshkroi Klodvigun si «simbolin e një kthimi në besim të menduar mirë e të përgjegjshëm». Mirëpo, historiani francez Ernest Lavis komentoi: «Kthimi në besim i Klodvigut nuk e ndryshoi aspak karakterin e tij; morali i butë dhe paqësor i Ungjillit nuk ia preku zemrën.» Një historian tjetër tha: «Në vend të Odinit [një perëndi skandinav] ai i lutej Krishtit, por si njeri mbeti ai që ishte.» Me një veprim që të kujton sjelljen e Kostandinit pas të ashtuquajturit kthim në krishterim, Klodvigu vendosi ta forconte sundimin e tij duke zhdukur sistematikisht të gjithë rivalët për fronin. Ai zhduku «gjithë të afërmit e tij deri në shkallën e gjashtë të lidhjeve farefisnore».

Pas vdekjes së Klodvigut, filloi një proces mitizimi, i cili e ktheu atë nga një luftëtar mizor në një shenjtor të nderuar. Tregimi i Gregorit të Turit, i shkruar pothuajse një shekull më vonë, shihet si një përpjekje e fuqishme për ta barazuar Klodvigun me Kostandinin, perandorin e parë romak që pranoi «krishterimin». Veç kësaj, duke e vënë moshën e pagëzimit të Klodvigut 30 vjeç, Gregori duket se përpiqet të bëjë një krahasim me Krishtin.​—Luka 3:23.

Ky proces u vazhdua në shekullin e nëntë nga Ankmari, peshkop i Rejmsit. Meqë ishte një kohë kur katedralet luftonin me njëra-tjetrën për të pasur sa më shumë besimtarë, biografia që shkroi ai për pararendësin e vet, «shën» Remiun, u bë ndoshta me qëllimin për të rritur famën e kishës së tij dhe për ta pasuruar atë. Në tregimin e këtij peshkopi, gjatë pagëzimit të Klodvigut një pëllumb i bardhë solli një enë me vaj për ta mirosur. Kjo i referohej qartësisht mirosjes së Jezuit me frymë të shenjtë. (Mateu 3:16) Kështu, Ankmari vendosi një lidhje ndërmjet Klodvigut, Rejmsit e monarkisë dhe i dha besueshmëri idesë se Klodvigu ishte i mirosuri i Zotërisë. *

Një përkujtim me polemika

Ish-presidenti francez Sharl de Gol, njëherë tha: «Për mua, historia e Francës fillon me Klodvigun, i zgjedhur si mbret i Francës nga fisi i frankëve, nga i cili ka marrë emrin Franca.» Por jo të gjithë mendojnë kështu. Përkujtimi i 1.500 vjetorit të pagëzimit të Klodvigut u bë objekt polemikash. Në një komb ku kisha dhe shteti kanë qenë të ndarë zyrtarisht që nga viti 1905, shumë e kritikuan pjesëmarrjen e shtetit në atë që e shihnin si një përkujtim fetar. Kur këshilli i qytetit të Rejmsit njoftoi se kishte në plan të paguante platformën që do të përdorej gjatë vizitës së papës, një shoqatë e çoi në gjyq këtë vendim, ku u përmbys si një vendim jokushtetues. Të tjerë mendonin se kisha po përpiqej të vendoste përsëri autoritetin e saj moral dhe civil në Francë. Këtë përkujtim e ndërlikoi më tej fakti që figurën e Klodvigut e përvetësoi si simbol Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe grupet katolike fondamentaliste.

Të tjerë e kritikuan përkujtimin nga pikëpamja historike. Ata thanë se nuk ishte pagëzimi i Klodvigut që e ktheu Francën në katolicizëm, pasi kjo fe ishte tashmë e rrënjosur thellë në popullsinë galo-romake. Veç kësaj, ata thanë se pagëzimi i tij nuk shënon as lindjen e Francës si komb. Mendonin se kjo dukuri i përkiste më shumë ndarjes së mbretërisë së Karlit të Madh në vitin 843 të e.s., duke bërë mbretin e parë të Francës Karl të Shogëtin e jo Klodvigun.

1.500 vjet katolicizëm

Si është sot gjendja e katolicizmit në Francë, pasi ka kaluar më shumë se 1.500 vjet si «bija e madhe e kishës»? Deri në vitin 1938, Franca kishte numrin më të madh në botë të katolikëve të pagëzuar. Tani është në vend të gjashtë, pas disa shteteve të tjera, si Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara. Veç kësaj, ndonëse në Francë ka 45 milionë katolikë, vetëm 6 milionë e ndjekin rregullisht meshën. Një anketë e kohëve të fundit ndër katolikët francezë zbuloi se 65 për qind e tyre «nuk i marrin parasysh mësimet e kishës për çështjet seksuale» dhe për 5 për qind të tyre, Jezui «nuk paraqet pothuajse asgjë». Këto prirje negative e shtynë papën të pyeste gjatë vizitës së tij në Francë në vitin 1980: «Francë, çfarë ke bërë me premtimet e tua që kur u pagëzove?»

[Shënimet]

^ par. 12 Shih Kullën e Rojës, 1 gusht 1984, faqja 24, anglisht.

^ par. 13 Shih Kullën e Rojës, 15 gusht 1994, faqet 8-9.

^ par. 19 Emri Luigji vjen nga emri Klodvig, me të cilin u quajtën 19 mbretër francezë (duke përfshirë Luigjin XVII dhe Luigj-Filipin).

[Harta në faqen 27]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

SAKSONËT

Lumi Ren

Lumi Som

Suason

Rejms

Paris

GALI

Lumi Luarë

Vuje

Puatje

PIRENEJTË

VISIGOTËT

Romë

[Figura në faqen 26]

Pagëzimi i Klodvigut i paraqitur në një dorëshkrim të shekullit të 14-të

[Burimi]

© Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris

[Figura në faqen 28]

Skulpturë e pagëzimit të Klodvigut (figura qendrore) në pjesën e jashtme të Katedrales së Rejmsit, Francë

[Figura në faqen 29]

Vizita e Gjon Palit II në Francë për të përkujtuar pagëzimin e Klodvigut shkaktoi polemika