Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbim me një frymë vetëmohimi

Shërbim me një frymë vetëmohimi

Jetëshkrim

Shërbim me një frymë vetëmohimi

TREGUAR NGA DON RENDELLI

Isha vetëm 5 vjeç kur më vdiq mamaja, në vitin 1927. Megjithatë, besimi i saj ndikoi shumë në jetën time. Si u bë e mundur kjo?

NË KOHËN kur u martua me babanë tim, i cili ishte një ushtarak, mamaja ishte anëtare e vendosur e Kishës Anglikane. Ende s’kishte filluar Lufta I Botërore. Kjo luftë shpërtheu në vitin 1914 dhe mamaja pati një debat me famullitarin e saj, sepse ai e përdorte katedrën e predikimit si podium për rekrutim në ushtri. Cila ishte përgjigjja e klerikut? «Shko në shtëpi dhe mos u shqetëso më për këto çështje!» Kjo përgjigje nuk e kënaqi.

Në vitin 1917, në kulmin e luftës, mamaja shkoi të shihte «Foto-Dramën e Krijimit». E bindur se kishte gjetur të vërtetën, e la menjëherë kishën për t’u shoqëruar me Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. I ndiqte mbledhjet në një kongregacion në Jouvil, qyteti më i afërt me fshatin tonë Uest-Koukër, në krahinën e Somersetit, në Angli.

Menjëherë mamaja u foli për besimin e sapogjetur tri motrave të saj më të vogla. Pjesëtarët e moshuar të kongregacionit të Jouvilit më kanë treguar për zellin e mamasë sime dhe të motrës së saj më të vogël, Milit. Ato i binin rreth e qark me biçikletë territorit tonë të gjerë fshatar, duke shpërndarë librat ndihmës për studimin e Biblës, Studime mbi Shkrimet. Por, mjerisht, për 18 muajt e fundit të jetës së saj, mamaja kishte qenë e ngujuar në shtrat me tuberkuloz, për të cilin në atë kohë nuk kishte asnjë kurë.

Vetëmohimi në praktikë

Teze Mili, e cila jetonte me ne në atë kohë, i shërbeu mamasë kur u sëmur dhe u kujdes për mua e për motrën time shtatëvjeçare, Xhoanën. Kur vdiq mamaja, teze Mili u tregua menjëherë e gatshme që të kujdesej për ne fëmijët. Babai, i kënaqur që po lirohej nga kjo përgjegjësi, pranoi menjëherë që teze Mili të jetonte gjithnjë me ne.

E donim tezen dhe ishim të lumtur që do të rrinte me ne. Por, përse ajo mori një vendim të tillë? Shumë vjet më vonë, teze Mili na e shpjegoi. Na tha se e kishte ndier për detyrë të ndërtonte mbi themelin që kishte lënë mamaja, domethënë të na mësonte të vërtetën biblike mua dhe Xhoanës. E kishte kuptuar që babai ynë nuk do ta bënte kurrë këtë, sepse nuk kishte interes për fenë.

Më vonë, mësuam se teze Mili kishte marrë edhe një vendim tjetër shumë personal. Që të kujdesej siç duhej për ne, ajo vendosi të mos martohej. Çfarë vetëmohimi! Unë dhe Xhoana kemi çdo arsye për t’i qenë thellësisht mirënjohës asaj. E kujtojmë ende gjithçka që na ka mësuar teze Mili, si edhe shembullin e shkëlqyer që la.

Një kohë vendimi

Unë dhe Xhoana shkonim në shkollën e fshatit, e cila i përkiste Kishës Anglikane, por teze Mili nguli këmbë me vendosmëri te drejtoresha lidhur me arsimimin tonë fetar. Kur fëmijët e tjerë shkonin në kishë, ne shkonim në shtëpi dhe kur famullitari vinte në shkollë për të dhënë mësim feje, ne uleshim veç dhe na jepnin shkrime biblike që t’i mësonim përmendësh. Kjo më vlejti, pasi këto shkrime më janë ngulitur në mënyrë të pashlyeshme në mendje.

E lashë shkollën në moshën 14-vjeçare dhe punova katër vjet në një fabrikë vendëse për prodhimin e djathit, për të marrë zanatin. Mësova, gjithashtu, t’i bie pianos dhe muzika e vallëzimi në lokalet e vallëzimit u bënë gjërat e mia më të pëlqyera. E vërteta biblike, ndonëse kishte zënë rrënjë në zemër, ende nuk më kishte motivuar. Pastaj, një ditë marsi në vitin 1940, një Dëshmitare e moshuar më ftoi ta shoqëroja në një asamble në Suindon, rreth 110 kilometra larg. Fjalimin publik e mbajti Albert D. Shrëderi, shërbëtori drejtues i Dëshmitarëve të Jehovait në Britani. Ajo asamble shënoi pikën e kthesës për mua.

Lufta II Botërore ishte në zhvillim e sipër. Çfarë po bëja me jetën time? Vendosa të shkoja përsëri në Sallën e Mbretërisë në Jouvil. Në mbledhjen e parë që ndoqa, u paraqit për herë të parë dëshmia rrugore. Ndonëse kisha njohuri të kufizuar, dola vullnetar që të merrja pjesë në këtë vepër. Kjo i habiti shumë të ashtuquajturit miq të mi, të cilët më tallnin kur kalonin rrugës.

Në qershor të vitit 1940 u pagëzova në qytetin e Bristolit. Brenda një muaji fillova si pionier i rregullt, domethënë ungjillëzues në kohë të plotë. Sa i lumtur isha kur, pak më vonë, edhe motra ime e simbolizoi dedikimin e saj me pagëzimin në ujë!

Shërbimi i pionierit në kohë lufte

Një vit pasi kishte filluar lufta më erdhi fletëthirrja për në ushtri. Duke qenë se në Jouvil isha regjistruar si kundërshtar për arsye të ndërgjegjes, m’u desh të dilja para një gjykate në Bristol. Në atë kohë, isha bashkë me Xhon Uinin duke shërbyer si pionier në Sinderford, Glastershir, dhe më pas në Haverforduest e në Kermarthen, në Uells. * Më vonë, në një gjyq në Kermarthen, më dënuan me tre muaj në burgun e Suansias dhe me një gjobë prej 25 sterlinash që ishte një shumë mjaft e madhe në ato kohë. Pastaj, më dhanë një dënim të dytë prej tre muajsh, për mospagim të gjobës.

Në një gjyq të tretë, më bënë pyetjen: «A nuk e di se Bibla thotë ‘paguajini Cezarit gjërat e Cezarit’?» «Po,​—u përgjigja,​—e di këtë, por do të doja ta mbaroja vargun, ‘kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë’. Këtë po bëj unë.» (Mateu 22:21) Disa javë më vonë, mora një letër ku më thuhej se isha i lirë nga detyrimet për shërbimin ushtarak.

Në fillim të vitit 1945, më ftuan të merrja pjesë në familjen Bethel të Londrës. Dimrin që pasoi, në Londër erdhi për vizitë Nejthën H. Nori, i cili merrte drejtimin në organizimin e veprës mbarëbotërore të predikimit, si edhe sekretari i tij, Milton G. Hensheli. Tetë vëllezër në moshë të re nga Britania u regjistruan në klasën e tetë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e cila stërvit misionarë. Unë isha një ndër ta.

Caktime misionare

Më 23 maj 1946, nisëm lundrimin nga porti i vogël Faui i Kornuellit, me një anije mallrash të kohës së luftës. Drejtori i portit, kapiteni Kollins, ishte Dëshmitar i Jehovait dhe, kur anija po largohej nga skela, i ra sirenës. Natyrisht, të gjithë ishim të mallëngjyer duke parë bregdetin e Anglisë ndërsa zhdukej dalëngadalë. Kalimi i Atlantikut ishte jashtëzakonisht i vështirë, por 13 ditë më vonë arritëm shëndoshë e mirë në Shtetet e Bashkuara.

Të ndiqnim Asamblenë Ndërkombëtare Teokratike tetëditore «Kombet e Gëzuara» në Klivlend, Ohajo, në datat 4 deri më 11 gusht 1946, ishte një përvojë e paharrueshme. Të pranishëm ishin tetëdhjetë mijë delegatë, duke përfshirë 302 delegatë nga 32 vende të tjera. Në atë kongres, të pranishmëve entuziastë iu prezantua revista Zgjohuni! * dhe libri ndihmës për studimin e Biblës «Le të dalë Perëndia i vërtetë».

U diplomuam në Galaad në vitin 1947 dhe unë e Bill Kopsoni u caktuam në Egjipt. Por, para se të largoheshim, pata privilegjin të stërvitesha shumë për punën në zyrë nga Riçard Abrahamsoni, në Bethelin e Bruklinit. Zbritëm në Aleksandri. U mësova shpejt me mënyrën e jetesës së Lindjes së Mesme. Megjithatë, të mësoja gjuhën arabe ishte një sfidë dhe më duhej të përdorja karta dëshmie në katër gjuhë.

Bill Kopsoni qëndroi shtatë vjet atje, kurse unë nuk arrita ta përtërija vizën pas vitit të parë të qëndrimit, kështu që m’u desh të ikja nga vendi. Atë vit shërbimi misionar e kujtoj si më frytdhënësin në jetën time. Kisha privilegjin të drejtoja më shumë se 20 studime biblike çdo javë dhe disa prej atyre që mësuan të vërtetën atëherë, janë ende duke e lavdëruar në mënyrë aktive Jehovain. Që nga Egjipti, më caktuan në Qipro.

Qipro dhe Izrael

Fillova të studioja një gjuhë të re, greqishten, si edhe të familjarizohesha me dialektin vendës. Pak më vonë, kur Entoni Siderisit i kërkuan të transferohej në Greqi, më caktuan të mbikëqyrja veprën në Qipro. Në atë kohë, zyra e degës së Qipros kujdesej edhe për Izraelin, kështu që, bashkë me vëllezër të tjerë, pata privilegjin të vizitoja herë pas here ata pak Dëshmitarë që ndodheshin atje.

Në udhëtimin e parë që bëra në Izrael, mbajtëm një asamble të vogël në një restorant në Hajfa, ku ishin të pranishëm 50 a 60 veta. Duke i ndarë grupet sipas kombësive, e paraqitëm programin e asamblesë në gjashtë gjuhë. Një herë tjetër, pata mundësi të shfaqja në Jerusalem një film të prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe mbajta një fjalim publik, për të cilin u shkruajt në mënyrë pozitive në gazetën e atjeshme në gjuhën angleze.

Në atë kohë, në Qipro kishte rreth 100 Dëshmitarë, të cilëve u duhej të luftonin me të gjitha forcat për besimin e tyre. Turma të udhëhequra nga priftërinj të kishës ortodokse na ndërpritnin asambletë dhe për mua ishte një përvojë e re të më gjuanin me gurë kur jepja dëshmi në zonat fshatare. M’u desh të mësoja të ikja me të shpejtë. Mes këtij kundërshtimi të ashpër, na forcoi besimin fakti që në ishull u caktuan misionarë të tjerë. Denis dhe Mejvis Methjusi, së bashku me Xhoan Hullejin dhe Beril Hejudin, erdhën tek unë në Famagusta, kurse Tom e Meri Guldeni dhe Nina Konstanti, një qipriote e lindur në Londër, shkuan në Limasol. Ndërkohë, edhe Bill Kopsoni u transferua në Qipro, i pasuar më vonë nga Bert dhe Beril Vaiseji.

Përshtatja me ndryshimin e rrethanave

Aty nga fundi i vitit 1957 u sëmura dhe nuk pata mundësi të vazhdoja në caktimin tim misionar. Me keqardhje, vendosa që, për të rifituar shëndetin, të kthehesha në Angli, ku vazhdova të shërbeja si pionier deri në vitin 1960. Motra ime, bashkë me të shoqin, me dashamirësi më morën të jetoja me ta, por rrethanat kishin ndryshuar. Për Xhoanën gjërat po vështirësoheshin gjithnjë e më shumë. Përveç kujdesit për të shoqin dhe për vajzën e saj të vogël, gjatë 17 vjetëve që unë kisha munguar, me dashuri ajo ishte kujdesur për babanë dhe për teze Milin, të cilët në këtë kohë ishin të moshuar dhe jo mirë me shëndet. U bë e qartë nevoja për të ndjekur shembullin e vetëmohimit që na kishte lënë tezja, prandaj, qëndrova me motrën derisa edhe tezja, edhe babai, vdiqën.

Do të kishte qenë shumë e lehtë të rehatohesha në Angli, por pas një pushimi të shkurtër, ndjeva detyrimin për t’u kthyer në caktimin tim. Në fund të fundit, a nuk kishte harxhuar organizata e Jehovait shumë para për të më stërvitur? Kështu, në vitin 1972, u ktheva përsëri në Qipro, për të shërbyer edhe një herë si pionier atje.

Nejthën H. Nori erdhi atje për të bërë përgatitjet për një kongres që do të mbahej një vit më pas. Kur e mori vesh se isha kthyer, rekomandoi që të caktohesha si mbikëqyrës qarkor për tërë ishullin, një privilegj që e pata për katër vjet. Gjithsesi, ishte një caktim mjaft sfidues, sepse nënkuptonte të flitja greqisht në pjesën më të madhe të kohës.

Kohë trazirash

Banoja në një shtëpi në fshatin Karakumi, në lindje të Kirenesë, në bregun verior, bashkë me Paul Andreun, një Dëshmitar qipriot që fliste greqisht. Zyra e degës së Qipros ndodhej në Nikozia, në jug të maleve të Kirenesë. Në fillim të korrikut të vitit 1974, gjendesha në Nikozia, kur u bë një grusht shteti për të rrëzuar presidentin Makarios dhe e pashë pallatin e tij mes flakëve. Kur ishte i sigurt udhëtimi, u ktheva me të shpejtë në Kirene, ku po përgatiteshim për një asamble qarkore. Dy ditë më vonë dëgjova bombën e parë që u hodh në port dhe pashë qiellin plot me helikopterë që sillnin trupat pushtuese nga Turqia.

Meqë isha shtetas britanik, ushtarët turq më çuan në rrethinat e Nikozias, ku më mori në pyetje personeli i Kombeve të Bashkuara, i cili u lidh me zyrën e degës. Më pas, m’u desh të përballoja sfidën që të kaloja përmes një grumbulli të ngatërruar kabllosh telefoni dhe kabllosh elektrike, për të shkuar në shtëpitë e braktisura në anën tjetër të tokës asnjanëse. Sa i gëzuar isha që linja e komunikimit me Perëndinë Jehova nuk mund të shkëputej kurrë! Lutjet më mbështetën gjatë kësaj përvoje, që ishte nga më të mundimshmet në jetën time.

Kisha humbur të gjitha zotërimet materiale, por isha i kënaqur që gjendesha i sigurt në zyrën e degës. Megjithatë, kjo gjendje nuk zgjati shumë. Brenda disa ditësh, trupat pushtuese kishin marrë nën kontroll pjesën veriore, pra një të tretën e ishullit. Na u desh të largoheshim nga Betheli dhe u transferuam në Limasol. Isha i kënaqur të punoja me një komitet që u formua për t’u kujdesur për 300 vëllezërit që ishin prekur nga këto trazira, shumë prej të cilëve kishin humbur shtëpitë.

Ndryshime të tjera caktimi

Në janar të vitit 1981, Trupi Udhëheqës më kërkoi të transferohesha në Greqi, në familjen Bethel të Athinës, por në fund të vitit, u ktheva përsëri në Qipro dhe më caktuan koordinator të Komitetit të Degës. Andrea Kontojorgisi, bashkë me gruan e tij, Maron, qipriotë që ishin dërguar nga Londra, ishin vërtet një «ndihmë fuqizuese» për mua.​—Kolosianëve 4:11.

Në përfundim të një vizite nga Teodor Xharazi si mbikëqyrës zone në vitin 1984, mora një letër nga Trupi Udhëheqës, ku thuhej vetëm: «Kur vëllai Xharaz të mbarojë vizitën, do të donim që ta shoqëroje në Greqi.» Nuk jepej asnjë arsye, por kur arritëm në Greqi, Komitetit të Degës iu lexua një letër tjetër nga Trupi Udhëheqës, ku më caktonin koordinator të Komitetit të Degës në atë vend.

Në atë kohë, Greqia po ballafaqohej me raste të shpeshta apostazie. Gjithashtu, kishte shumë akuza për prozelitizëm të paligjshëm. Çdo ditë shërbëtorë të Jehovait arrestoheshin dhe dilnin para gjykatave. Çfarë privilegji ishte të njihja vëllezër e motra, integriteti i të cilëve u kishte qëndruar kohërave! Disa nga këto raste gjyqësore më vonë u paraqitën para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe patën përfundime të mrekullueshme që kanë pasur efekt të mirë në veprën e predikimit në Greqi. *

Në kohën kur shërbeja në Greqi, pata mundësi të ndiqja disa kongrese historike në Athinë, në Selanik dhe në ishujt e Rodit e të Kretës. Ishin katër vjet të lumtur e të frytshëm, por, më priste edhe një ndryshim tjetër, një kthim përsëri në Qipro, në vitin 1988.

Në Qipro e përsëri në Greqi

Kur unë nuk isha në Qipro, vëllezërit kishin blerë prona të reja për degën në Nisu, disa kilometra larg Nikozias dhe Keri Barberi, nga qendra botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, mbajti fjalimin e dedikimit. Tani kishte më shumë qetësi në ishull dhe isha i lumtur që isha kthyer përsëri, por nuk do të rrija i qetë për shumë kohë.

Trupi Udhëheqës kishte miratuar planet për të ndërtuar një shtëpi të re Bethel në Greqi, disa kilometra në veri të Athinës. Meqë flitja edhe anglisht, edhe greqisht, në vitin 1990 më ftuan të kthehesha për të punuar në kantierin e ndërtimit, si përkthyes për familjen e shërbëtorëve ndërkombëtarë që punonin atje. E kujtoj ende gëzimin që ndieja kur isha në kantier që në orën gjashtë të mëngjesit, në verë, duke u uruar mirëseardhjen vëllezërve grekë e motrave greke, të cilët kishin dalë vullnetarë për të punuar bashkë me familjen e ndërtimit. Kujtimet për lumturinë dhe zellin e tyre do t’i kem gjithnjë në mendje!

Priftërinjtë ortodoksë dhe përkrahësit e tyre u përpoqën të hynin në kantierin e ndërtimit dhe të na ndërpritnin punën, por Jehovai na i dëgjoi lutjet dhe na mbrojti. Qëndrova derisa mbaroi ndërtimi dhe pashë dedikimin e Bethelit të ri më 13 prill 1991.

Ndihmoj motrën time të dashur

Vitin që pasoi, u ktheva në Angli për pushime, që të qëndroja me motrën dhe burrin e saj. Mjerisht, kur isha atje, kunati pati dy infarkte dhe vdiq. Xhoana më kishte mbështetur me bujari gjatë shërbimit tim misionar. Nuk kalonte java që të mos më shkruante një letër inkurajimi. Çfarë bekimi është një komunikim i tillë për një misionar! Tani ajo kishte mbetur e ve, shëndeti po i keqësohej dhe kishte nevojë për përkrahje. Çfarë duhej të bëja?

Vajza e Xhoanës, Telma, së bashku me të shoqin, tashmë po kujdeseshin për një vejushë tjetër besnike në kongregacion, një kushërirën tonë që ishte e sëmurë rëndë. Prandaj, pas shumë lutjesh, vendosa të qëndroja për t’u kujdesur për Xhoanën. Përshtatja me këto rrethana nuk ka qenë e lehtë, por kam privilegjin të shërbej si plak në Pen-Mill, një nga dy kongregacionet e Jouvilit.

Vëllezërit me të cilët kam shërbyer në caktimet e mia jashtë shtetit i mbajnë lidhjet me mua, duke më telefonuar e duke më shkruar rregullisht dhe për këtë jam shumë mirënjohës. Sikur të shprehja dëshirën për t’u rikthyer në Greqi ose në Qipro, e di se biletat e udhëtimit do të më vinin menjëherë. Por, tashmë jam 80 vjeç dhe shikimi e shëndeti nuk janë më si më parë. Mërzitem që nuk jam më aq aktiv si dikur, por vitet në shërbimin në Bethel më kanë ndihmuar të zhvilloj shumë zakone që më shërbejnë edhe sot. Për shembull, gjithnjë e lexoj shkrimin e ditës para buke në mëngjes. Gjithashtu, kam mësuar të shkoj mirë me njerëzit dhe t’i dua, sepse ky është çelësi për një shërbim të suksesshëm misionar.

Kur mendoj për rreth 60 vitet e mrekullueshme që kam kaluar duke lavdëruar Jehovain, e di se shërbimi i plotkohor është mbrojtja më e madhe dhe siguron arsimimin më të mirë. U bëj jehonë me gjithë zemër fjalëve që i tha Davidi Jehovait: «Ti ke provuar se je një lartësi e sigurt për mua dhe një vend ku të iki ditën e vuajtjeve të mia.»​—Psalmi 59:16, BR.

[Shënimet]

^ par. 18 Jetëshkrimi i Xhon Uinit, «Zemra ime gufon nga mirënjohja», doli në Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1997, faqet 25-28.

^ par. 23 E njohur më parë me emrin Ngushëllim.

^ par. 41 Shih Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1998, faqet 20, 21, si edhe të 1 shtatorit 1993, faqet 27-31, anglisht; Zgjohuni! të 8 janarit 1998, faqet 21, 22, anglisht, si edhe të 22 marsit 1997, faqet 14, 15, anglisht.

[Hartat në faqen 24]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

GREQI

Athinë

QIPRO

Nikozia

Kirene

Famagusta

Limasol

[Figura në faqen 21]

Mamaja në vitin 1915

[Figura në faqen 22]

Në vitin 1946, në tarracën e Bethelit të Bruklinit, unë (i katërti nga e majta) me vëllezër të tjerë nga klasa e tetë e Galaadit

[Figura në faqen 23]

Me teze Milin, pas kthimit të parë në Angli