Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Balsamimi: A është për të krishterët?

Balsamimi: A është për të krishterët?

Balsamimi: A është për të krishterët?

Ndërsa jeta e tij po i afrohej fundit, patriarku besnik Jakob bëri këtë kërkesë të fundit: «Më varrosni pranë etërve të mi në shpellën që ndodhet në arën e Efron Hiteut, në shpellën që është në fushën e Makpelahut përballë Mamres, në vendin e Kanaanit.»​—Zanafilla 49:29-31.

JOZEFI ia plotësoi kërkesën babait të tij, duke përfituar nga një zakon shumë i përhapur në Egjipt në atë kohë. Ai i urdhëroi «mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin». Sipas tregimit që gjejmë në kapitullin 50 të Zanafillës, mjekët përdorën si zakonisht 40 ditë për të përgatitur kufomën. Balsamimi i Jakobit i dha mundësi karvanit të madh që lëvizte ngadalë​—të përbërë nga familjarët dhe nga funksionarë egjiptianë​—të udhëtonte për 400 kilometra, me qëllim që ta varrosnin kufomën e Jakobit në Hebron.​—Zanafilla 50:1-14.

A ka ndonjë mundësi që një ditë të gjendet trupi i balsamosur i Jakobit? Shumë-shumë, mundësitë janë të rralla. Izraeli ishte një rajon i ujitur mjaft mirë, dhe kjo i kufizon llojet e gjetjeve arkeologjike të zbuluara atje. (Eksodi 3:8) Metalet e lashta dhe objektet prej guri janë me shumicë, por pjesa më e madhe e objekteve më të brishta, si pëlhurat, lëkurët dhe trupat e balsamuar, nuk i kanë qëndruar lagështisë dhe ndryshimeve normale të kohës.

Por, çfarë është balsamimi? Përse është praktikuar? A bën për të krishterët?

Ku filloi ky zakon?

Balsamimi mund të përshkruhet më mirë si ruajtja e kufomës së njeriut ose të kafshëve. Historianët anojnë nga mendimi se balsamimi filloi në Egjipt, por praktikohej edhe nga asirianët, persët dhe skithasit e lashtë. Ndoshta në fillim interesi dhe eksperimentimi me balsamimin erdhën si pasojë e zbulimit të trupave që ishin varrosur në rërën e shkretëtirës dhe që natyra vetë i kishte ruajtur. Varrosja në një vend të tillë e kishte penguar lagështinë dhe ajrin që të arrinte te kufoma, duke e kufizuar, në këtë mënyrë, kalbjen e saj. Disa japin teorinë se balsamimi filloi kur u gjetën trupa që ishin ruajtur në natron (karbonat natriumi), një alkal që gjendet me bollëk në Egjipt dhe përreth tij.

Synimi i balsamuesit është thjesht të ndërpresë veprimin natyror bakteriologjik që fillon disa orë pas vdekjes dhe që e bën kufomën të kalbet. Nëse arrihet të pengohet ky proces, kalbja do të ndalet ose, të paktën, do të ngadalësohet mjaft. Tri gjëra duhen arritur: të ruhet kufoma në një gjendje si të ishte gjallë, të pengohet kalbëzimi i kufomës dhe që kufoma t’u qëndrojë dëmtimeve të insekteve.

Egjiptianët e lashtë kryesisht i balsamosnin të vdekurit për arsye fetare. Koncepti i tyre për jetën e përtejme ishte i lidhur me dëshirën për të pasur ende lidhje me botën fizike. Ata besonin se trupat e tyre do të përdoreshin në përjetësi dhe do të rigjallëroheshin me jetë. Sado që balsamimi ishte shumë i zakonshëm, deri më sot nuk është gjetur asnjë tregim egjiptian se si bëhej kjo. Dokumentimi më i mirë është ai i historianit grek Herodotit, në shekullin e pestë p.e.s. Megjithatë, është raportuar se përpjekjet e bëra për të dalë përsëri në po ato përfundime, duke përdorur drejtimet që siguron Herodoti, nuk kanë pasur shumë sukses.

A bën për të krishterët?

Jakobi u balsamos nga persona që nuk kishin të njëjtat bindje fetare me të. Gjithsesi, është e vështirë të mendojmë se, kur Jozefi u la mjekëve trupin e babait të tij, u kërkoi që të bëheshin lutjet dhe ritet që mund të kenë shoqëruar fare mirë balsamimin që bëhej në Egjipt në atë kohë. Edhe Jakobi, edhe Jozefi ishin njerëz me besim. (Hebrenjve 11:21, 22) Ndonëse, nga sa duket, nuk ishte urdhëruar nga Jehovai, ruajtja e kufomës së Jakobit nuk përmendet me mosmiratim në Shkrime. Balsamimi i Jakobit nuk u bë si një precedent për kombin e Izraelit ose për kongregacionin e krishterë. Për këtë arsye, në fjalën e Perëndisë nuk ka udhëzime specifike për këtë temë. Pas tregimit për vetë Jozefin që e balsamosën në Egjipt, në Shkrime nuk përmendet më kjo praktikë.​—Zanafilla 50:26.

Gjendja e keqe në të cilën ndodhen kufomat njerëzore të gjetura në varret në Palestinë tregon se hebrenjtë nuk e kishin zakon t’i balsamosnin të vdekurit, të paktën jo për t’i ruajtur për një kohë të gjatë. Për shembull, Lazarin nuk e balsamosën. Ndonëse ishte i mbështjellë me pëlhurë, të pranishmit u shqetësuan kur do të hiqej guri që mbyllte hyrjen e varrit të tij. Duke qenë se Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur, motra e tij ishte e sigurt se kur të hapej varri, do të mbante erë.​—Gjoni 11:38-44.

A u balsamos Jezu Krishti? Tregimet e Ungjijve nuk e mbështetin këtë përfundim. Në atë kohë, zakoni i judenjve ishte që ta përgatitnin trupin me erëza dhe me vajra të parfumuara, para se ta varrosnin. Për shembull, për të përgatitur trupin e Jezuit, Nikodemi solli një sasi të madhe erëzash për këtë qëllim. (Gjoni 19:38-42) Përse kaq shumë erëza? Dashuria dhe respekti i vërtetë që kishte për Jezuin mund ta ketë shtyrë në një bujari të tillë. Nuk ka pse të nxjerrim përfundimin se ky përdorim i erëzave kishte për qëllim të ruante trupin.

A duhet ta kundërshtojë një i krishterë zakonin e balsamimit? Nga një këndvështrim realist, balsamimi thjesht vonon atë që është e pashmangshme. Kemi ardhur nga pluhuri dhe në pluhur rikthehemi kur vdesim. (Zanafilla 3:19) Por, sa kohë duhet të kalojë nga koha e vdekjes e derisa të bëhet funerali? Nëse familjarët dhe miqtë do të vijnë nga vende të largëta dhe kanë dëshirë të shohin trupin, pa dyshim, kufoma do të duhet të balsamoset në njëfarë mase.

Prandaj, nga ana biblike nuk ka pse të shqetësohemi nëse kërkesat e vendit janë që trupi të balsamoset ose nëse pjesëtarët e familjes dëshirojnë që të bëhet një gjë e tillë. Të vdekurit «nuk dinë asgjë». (Predikuesi 9:5) Nëse janë në kujtesën e Perëndisë, do të rikthehen në jetë në botën e tij të re të premtuar.​—Jobi 14:13-15; Veprat 24:15; 2 Pjetrit 3:13.

[Kutia dhe figura në faqen 31]

BALSAMIMI: NË TË KALUARËN DHE TANI

Në Egjiptin e lashtë, lloji i balsamimit që mund t’i bëhej një kufome varej nga gjendja shoqërore e familjes. Një familje e pasur ndoshta do të kishte zgjedhur procedurën e mëposhtme:

Truri nxirrej jashtë nëpërmjet vrimave të hundës, me anë të një vegle metalike. Pastaj, kafka trajtohej me barnat e duhura. Hapi tjetër kishte të bënte me heqjen e të gjitha organeve të brendshme, përveç zemrës dhe veshkave. Për të bërë këtë, duhej bërë një çarje në trup, por kjo gjë quhej mëkat. Për ta zgjidhur këtë çështje delikate, balsamuesit egjiptianë caktonin një person, të quajtur prerësi, për të bërë këtë çarje. Sapo bënte këtë, ai ikte me vrap, pasi ndëshkimi për këtë të ashtuquajtur krim ishin mallkimet dhe gjuajtja me gurë.

Pasi boshatisej hapësira e barkut, lahej mirë e mirë. Historiani Herodot shkroi: «E mbushin hapësirën me mirrën më të pastër të shtypur, me kasi dhe me çdo lloj tjetër arome, përveç temjanit të bardhë, pastaj e qepin të çarën.»

Më pas, i hiqnin ujin trupit, duke e zhytur për 70 ditë në natron. Pas kësaj, kufoma lahej dhe me mjeshtëri mbështillej në pëlhura. Pëlhurat pastaj lyheshin me një rrëshirë ose ndonjë lloj substance rrëshinore që shërbente si ngjitës dhe mumjen e vendosnin në një kuti druri të zbukuruar me luks, e cila kishte formën e njeriut.

Sot, balsamimi mund të kryhet vetëm për disa orë. Zakonisht bëhet duke futur në vena dhe arterie, si edhe në hapësirat e barkut dhe të kraharorit, një sasi të duhur lëngu për balsamim. Gjatë viteve, janë zhvilluar dhe janë përdorur shumë solucione. Megjithatë, për shkak të kostos dhe të sigurisë, formaldehidi është solucioni i balsamimit që përdoret më shpesh.

[Figura]

Arkivoli i artë i mbretit Tutankhamen