Mbledhje që nxitin për dashuri dhe për vepra të shkëlqyera
«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
Mbledhje që nxitin për dashuri dhe për vepra të shkëlqyera
QË NGA Torontoja deri në Tokio, që nga Moska deri në Montevideo, disa herë në javë, miliona Dëshmitarë të Jehovait dhe miq të tyre vërshojnë në vendet e tyre të adhurimit. Mes këtyre individëve përfshihen familjarë që punojnë fort dhe janë të rraskapitur pas një dite të gjatë pune; gra dhe nëna të palodhura, të shoqëruara nga fëmijët e tyre të vegjël; të rinj energjikë që kanë kaluar një ditë në shkollë; të moshuar të dobët fizikisht, të cilët duhet të ecin ngadalë për shkak të dhembjeve të trupit; vejusha dhe jetimë të guximshëm; si edhe shpirtra të dëshpëruar që kanë nevojë për ngushëllim.
Këta Dëshmitarë të Jehovait përdorin shumë mjete transporti: që nga trenat ekspres e deri te gomarët, që nga metrotë e mbushura plot me njerëz e deri te kamionët. Disave u duhet të kapërcejnë lumenj të mbushur me krokodilë, kurse të tjerëve u duhet të durojnë trafikun nervozues të qyteteve të mëdha. Përse bëjnë kaq shumë përpjekje gjithë këta njerëz?
Në radhë të parë i bëjnë sepse ndjekja e mbledhjeve të krishtere dhe pjesëmarrja në to është një mënyrë e rëndësishme për të adhuruar Perëndinë Jehova. (Hebrenjve 13:15) Apostulli Pavël përmendi edhe një arsye tjetër, kur shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, . . . por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Këtu, Pavli shprehu ndjenja të njëjta me psalmistin David, i cili këndoi: «U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në shtëpinë e Zotit.’»—Psalmi 122:1.
Përse i gëzon të krishterët fakti që janë të pranishëm në mbledhjet e tyre? Sepse të pranishmit nuk janë thjesht vëzhgues. Përkundrazi, mbledhjet u japin atyre mundësi që të njohin njëri-tjetrin. Në mënyrë të veçantë, këto grumbullime na sigurojnë mundësi që jo vetëm të marrim, por edhe të japim. Gjithashtu, atje nxitim njëri-tjetrin që të tregojmë dashuri e të bëjmë vepra të shkëlqyera. Kjo ndihmon që mbledhjet të bëhen raste ndërtuese. Për më tepër, mbledhjet e krishtere përbëjnë një nga mënyrat se si e përmbush Jezui premtimin e tij: Mateu 11:28.
«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.»—Një oaz ngushëllimi dhe interesimi
Dëshmitarët e Jehovait kanë arsye të vlefshme për t’i parë mbledhjet e tyre si freskuese. Pikësëpari, në mbledhje shërbehet ushqim frymor në kohën e duhur, nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Mbledhjet luajnë një rol të rëndësishëm edhe për t’i bërë shërbëtorët e Jehovait mësues të aftë e të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. Veç kësaj, në Sallën e Mbretërisë, një person gjen një grup ku të gjithë janë miq të dashur që interesohen e kujdesen për të, të cilët janë të gatshëm dhe dëshirojnë të ndihmojnë e të ngushëllojnë të tjerët në kohë dëshpërimi.—2 Korintasve 7:5-7.
Këtë e provoi vetë Filisi, një e ve, së cilës i vdiq i shoqi kur fëmijët ishin 5 dhe 8 vjeç. Duke përshkruar efektin freskues që patën tek ajo dhe te fëmijët mbledhjet e krishtere, ajo tha: «Ishte ngushëlluese të shkonim në Sallën e Mbretërisë, sepse bashkëbesimtarët e tregonin gjithnjë dashurinë dhe interesimin e tyre me një përqafim, me një mendim nga Bibla ose me një shtrëngim dore. Ishte një vend ku doja të isha gjithnjë.»—1 Selanikasve 5:14.
Pasi Maria kishte bërë një operacion të rëndë, mjeku i tha se do t’i duheshin të paktën gjashtë javë që të shërohej. Gjatë javëve të para të shërimit, Maria nuk mundi t’i ndiqte mbledhjet. Mjeku vuri re se ajo nuk ishte më aq e qeshur si më parë. Kur e kuptoi se ajo nuk po i ndiqte mbledhjet, e këshilloi që ta bënte këtë. Maria iu përgjigj se i shoqi, i cili nuk kishte të njëjtin besim, nuk do ta linte të shkonte në mbledhje, nga meraku i shëndetit. Atëherë, mjeku i shkroi një recetë mjekësore, ku e «porosiste» Marinë të shkonte në Sallën e Mbretërisë për inkurajim e për shoqëri ndërtuese. Maria nxjerr përfundimin: «Pasi ndoqa një mbledhje, u ndjeva shumë më mirë. Fillova të haja, flija tërë natën, nuk m’u desh të merrja shumë shpesh mjekim për dhembjen dhe isha përsëri e qeshur!»—Fjalët e urta 16:24.
Atmosfera e dashur e mbledhjeve të krishtere nuk kalon pa u vënë re nga vëzhguesit e jashtëm. Një studente universiteti zgjodhi të vëzhgonte Dëshmitarët e Jehovait për të shkruar një detyrë me shkrim për lëndën e etnologjisë. Lidhur me atmosferën e mbledhjeve, ajo shkroi në raportin e saj: «Mikpritja e përzemërt që m’u bë . . . [ishte] shumë mbresëlënëse. . . . Fryma miqësore e Dëshmitarëve të Jehovait ishte një cilësi shumë e dukshme dhe mendoj se ajo përbën pjesën më domethënëse të kësaj atmosfere.»—1 Korintasve 14:25.
Në këtë botë të trazuar, kongregacioni i krishterë është një oaz frymor. Është një liman paqeje dhe dashurie. Duke qenë të pranishëm në mbledhje, mund ta provoni vetë vërtetësinë e fjalëve të psalmistit: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!»—Psalmi 133:1.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
PLOTËSOHET NJË NEVOJË E VEÇANTË
Si mund të nxjerrin dobi nga mbledhjet e krishtere njerëzit e shurdhër? Përreth botës, Dëshmitarët e Jehovait po formojnë kongregacione në gjuhën e shenjave. Gjatë 13 viteve të fundit, në Shtetet e Bashkuara janë formuar 27 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe 43 grupe po të gjuhës së shenjave. Të paktën në 40 vende të tjera, tashmë ka rreth 140 kongregacione të tilla. Botimet e krishtere janë përgatitur në formë videokasete në 13 gjuhë të shenjave.
Kongregacioni i krishterë u jep njerëzve të shurdhër mundësinë për të lavdëruar Jehovain. Odila, një ish-katolike nga Franca, e cila kishte pasur periudha të rënda depresioni dhe kishte menduar edhe për vetëvrasje, është shumë mirënjohëse për arsimimin biblik që ka marrë në mbledhjet e krishtere. «Rifitova shëndetin dhe gëzimin e jetës,—thotë ajo.—Por, mbi të gjitha, gjeta të vërtetën. Tani, jeta për mua ka një qëllim.»