Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund ta mposhtni vetminë!

Mund ta mposhtni vetminë!

Mund ta mposhtni vetminë!

KUSH mund të pretendojë se nuk e ka provuar asnjëherë dhembjen që shkakton vetmia? Ka shumë shkaqe që mund të na bëjnë të ndihemi të vetmuar. Megjithatë, veçanërisht therëse mund të jetë vetmia që ndiejnë gratë e pamartuara ose ato që kanë mbetur vejusha a që janë divorcuar.

Për shembull, një e re e krishterë, me emrin Frensis, tregon: «Në kohën kur mbusha 23 vjeçe, u duk se të gjithë miqtë e mi ishin martuar dhe unë mbeta vetëm.» * Ndjenja e veçimit mund të shtohet me kalimin e viteve, kur mundësitë për martesë bëhen më të kufizuara. «Nuk kisha pasur kurrë ndër mend të mbetesha beqare dhe ende do të më pëlqente të martohesha, po të lindë mundësia»,​—pranon Sandra, e cila tani është gati në të 50-tat. Anzhela, në të 50-tat, thekson: «Nuk është se mora një vendim me vetëdije të plotë për të mbetur beqare, por ja që kështu erdhën gjërat. Në zonën ku më caktuan si pioniere speciale kishte shumë pak vëllezër beqarë.»

Në mënyrë të lavdërueshme, shumë gra të krishtere zgjedhin të mos martohen, sepse me besnikëri ia vënë veshin këshillës së Jehovait për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Disa prej tyre përshtaten mirë me beqarinë, kurse për të tjerat, dëshira për t’u martuar e për të pasur fëmijë rritet me kalimin e viteve. «Ndiej gjithnjë një boshllëk emocional, të shkaktuar nga fakti që nuk kam bashkëshort»,​—pranon Sandra.

Faktorë të tjerë, si për shembull, kujdesi për prindërit e moshuar, mund ta shtojnë edhe më tepër ndjenjën e vetmisë. «Meqë nuk jam e martuar, familja priste që të kujdesesha unë për prindërit tanë të moshuar,​—thotë Sandra.​—Për 20 vjet, mbajta mbi shpatulla peshën më të madhe të kësaj përgjegjësie, ndonëse kam edhe pesë vëllezër e motra. Jeta do të kishte qenë shumë më e lehtë me një bashkëshort që do të mbështeste interesat e mia.»

Frensisi përmend edhe një faktor tjetër që ia rëndon vetminë. Ajo tregon: «Disa herë njerëzit më pyesin hapur: ‘Përse nuk je martuar?’ Një koment i tillë më bën të mendoj se është në ndonjë mënyrë faji im që kam mbetur beqare. Pothuajse në çdo dasmë që shkoj, dikush do të më bëjë pyetjen e frikshme: ‘Atëherë, kur do të martohesh?’ Kështu që unë filloj të mendoj: ‘Nëse vëllezërit me mendje frymore nuk tregojnë interes për mua, ndoshta nuk i kam cilësitë e nevojshme të krishtere ose mbase nuk jam tërheqëse.’»

Si mund të kapërcehen ndjenjat e veçimit dhe të vetmisë? Çfarë mund të bëjnë të tjerët për të ndihmuar, nëse mund të bëjnë ndonjë gjë?

Mbështetuni te Jehovai

Psalmisti këndoi: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Fjala «barrë» në tekstin hebraik fjalë për fjalë do të thotë «pjesë» e ka të bëjë me shqetësimet dhe ankthet që mund të kemi për shkak të pjesës që na ka rënë në jetë. Jehovai është në dijeni më shumë se kushdo tjetër për këto barrë dhe mund të na japë forcën për t’i përballuar. Mbështetja te Perëndia Jehova e ka ndihmuar Anzhelën që të përballojë ndjenjën e vetmisë. Duke folur për shërbimin e plotkohor, ajo kujton: «Kur fillova si pioniere, unë dhe shoqja ime e shërbimit jetonim shumë larg kongregacionit më të afërt. Mësuam të mbështeteshim plotësisht te Jehovai dhe kjo mbështetje më ka ndihmuar gjatë gjithë jetës. Kur kam mendime negative, flas me Jehovain dhe ai më ndihmon. Psalmi 23 gjithnjë më ka ngushëlluar shumë dhe e lexoj shpesh.»

Apostulli Pavël kishte një barrë mjaft të madhe për të mbajtur. Të paktën tri herë ai ‘iu përgjërua Zotërisë që t’ia hiqte gjembin në mish’. Pavli nuk u ndihmua me ndonjë mrekulli, por mori premtimin se dashamirësia e pamerituar e Perëndisë do ta mbështeste. (2 Korintasve 12:7-9) Gjithashtu, Pavli zbuloi sekretin se si të ishte i kënaqur. Më vonë, shkroi: «Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë. Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:12, 13.

Si mund të marrë një person forcë nga Perëndia, kur ndihet i shkurajuar ose i vetmuar? Pavli shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Sandra e vë në zbatim këtë këshillë. Ajo shpjegon: «Duke qenë beqare, kaloj shumë kohë vetëm. Kjo më jep mjaft mundësi për t’iu lutur Jehovait. Ndihem shumë afër tij dhe mund t’i flas lirshëm për problemet dhe gëzimet që kam.» Edhe Frensisi thotë: «T’i luftoj ndjenjat negative me forcat e mia është një betejë e vështirë. Por, marr shumë ndihmë kur ia shpreh hapur ndjenjat Jehovait. Jam e bindur se Jehovai interesohet për çdo gjë që mund të ndikojë në mirëqenien time frymore dhe emocionale.»​—1 Timoteut 5:5.

«Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit»

Brenda vëllazërisë së krishterë, s’ka përse barrët të mbahen vetëm. «Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit dhe të përmbushni kështu ligjin e Krishtit»,​—bëri thirrje apostulli Pavël. (Galatasve 6:2) Nëpërmjet shoqërimit me të bashkëkrishterët, mund të marrim ‘fjalën e mirë’ të inkurajimit, e cila mund të na e lehtësojë peshën e vetmisë.​—Fjalët e urta 12:25.

Shqyrtoni edhe se çfarë thonë Shkrimet për vajzën e Jefteut, një gjykatësi në Izrael. Para fitores së tij ndaj forcave armike të Amonit, Jefteu u zotua se do t’i jepte Jehovait të parin person të shtëpisë së tij që do të dilte për ta uruar. Ky person doli se ishte vajza e tij. (Gjyqtarët [Gjykatësit] 11:30, 31, 34-36) Ndonëse kjo nënkuptonte që të mbetej beqare dhe ta braktiste dëshirën normale për të pasur familje, vajza e Jefteut me gatishmëri iu nënshtrua këtij zotimi dhe shërbeu në shenjtëroren e Shilohut për pjesën tjetër të jetës së saj. A kaloi pa u vënë re sakrifica që bëri ajo? Përkundrazi: «Vit pas viti, bijat e Izraelit shkonin për t’i dhënë lavdërime bijës së Jefteut, galaditit, për katër ditë në vit.» (Gjykatësit 11:40, BR) Po, lavdërimi mund t’u japë zemër atyre që e marrin. Prandaj, të mos harrojmë t’i lavdërojmë ata që e meritojnë.

Bëjmë mirë të shqyrtojmë edhe shembullin e Jezuit. Edhe pse nuk ishte një zakon judaik që burrat të bisedonin me gratë, Jezui kaloi kohë me Marinë dhe Martën. Ka të ngjarë që ato të ishin ose vejusha, ose gra që nuk ishin të martuara. Jezui donte që të dyja ato të gëzonin dobitë frymore të miqësisë së tij. (Luka 10:38-42) Mund ta imitojmë shembullin e Jezuit duke përfshirë në raste shoqërore motrat tona frymore të pamartuara dhe duke marrë takime për të dalë në veprën e predikimit me to. (Romakëve 12:13) A e vlerësojnë ato këtë vëmendje? Një motër tha: «E di se vëllezërit më duan dhe më vlerësojnë, por jam mirënjohëse kur tregojnë një interes më personal ndaj meje.»

«Meqenëse nuk kemi dikë që të na përkasë,​—shpjegon Sandra,​—kemi më shumë nevojë të ndiejmë se na duan, të ndihemi pjesë e familjes së vëllezërve frymorë dhe të motrave frymore.» Sigurisht, Jehovai kujdeset për këto gra dhe ne bashkëpunojmë me të kur i bëjmë ato të ndiejnë se i duam dhe kemi nevojë për to. (1 Pjetrit 5:6, 7) Një interesim i tillë nuk do të kalojë pa u vënë re, sepse «kush i tregon hir të përvuajturit i jep hua Jehovait dhe Ai [Perëndia Jehova] do t’ia shpërblejë trajtimin e tij».​—Proverbat (Fjalët e urta) 19:17, BR.

«Secili do të mbajë ngarkesën e vet»

Ndonëse të tjerët mund të ndihmojnë dhe mbështetja e tyre mund të jetë shumë inkurajuese, «secili do të mbajë ngarkesën e vet». (Galatasve 6:5) Megjithatë, duke mbajtur peshën e vetmisë, duhet të ruhemi nga disa rreziqe. Për shembull, vetmia mund të na mposhtë, nëse mbyllemi në një guaskë emocionale. Nga ana tjetër, mund ta mposhtim vetminë me anë të dashurisë. (1 Korintasve 13:7, 8) Të japim dhe të ndajmë me të tjerët është mënyra më e mirë për të gjetur lumturi, cilatdo qofshin rrethanat tona. (Veprat 20:35) «S’kam shumë kohë që të rri të mendoj për faktin që jam vetëm,​—thotë një motër e palodhur pioniere.​—Kur ndihem e dobishme dhe kam punë plot, nuk ndihem e vetmuar.»

Duhet të jemi të kujdesshëm edhe që vetmia të mos na shtyjë të hyjmë në ndonjë lidhje romantike jo të mençur. Për shembull, sa e trishtueshme do të ishte të linim që dëshira për t’u martuar të na verbonte e të mos i shihnim problemet e shumta që vijnë duke u martuar me një jobesimtar, e sidomos të na verbonte ndaj këshillës biblike për të shmangur një zgjedhë të tillë! (2 Korintasve 6:14) Një e krishterë e divorcuar tha: «Ka një gjë që është shumë më e keqe se të jesh beqare. Është të jesh e martuar me personin e gabuar.»

Kur një problem nuk e zgjidhim dot, mund të na duhet ta durojmë, të paktën për kohën e tanishme. Me ndihmën e Perëndisë, ndjenja e vetmisë mund të durohet. Ndërsa vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait, le të jemi të sigurt se një ditë, të gjitha nevojat tona do të plotësohen në mënyrën më të mirë që është e mundur.​—Psalmi 145:16.

[Shënimi]

^ par. 3 Emrat e grave të cituara janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 28]

Vetmia mund të mposhtet duke dhënë e duke ndarë me të tjerët