Drejtojini hapat sipas parimeve hyjnore
Drejtojini hapat sipas parimeve hyjnore
«[Jehovai po] të mëson për dobinë tënde.»—ISAIA 48:17, BR.
1. Si i udhëheq Krijuesi njerëzit?
NDËRSA përpiqen të zbulojnë të fshehtat e universit, shkencëtarët mahniten nga sasia e jashtëzakonshme e energjisë që gjendet e depozituar në gjithësinë që na rrethon. Dielli ynë, një yll me madhësi mesatare, prodhon të njëjtën energji sa «100 miliardë bomba me hidrogjen që shpërthejnë çdo sekondë». Me fuqinë e tij të pakufizuar, Krijuesi mund t’i kontrollojë e t’i drejtojë këta trupa qiellorë shumë të mëdhenj. (Jobi 38:32; Isaia 40:26) Ç’të themi për ne njerëzit, të pajisur me vullnet të lirë, me kapacitet moral, me arsye dhe me mundësinë për të pasur karakter frymor? Në cilën mënyrë e ka parë të përshtatshme Bërësi ynë që të na udhëheqë? Me dashuri ai na udhëheq me ligjet e tij të përsosura dhe me parimet e larta, krahas ndërgjegjes sonë të stërvitur mirë.—2 Samuelit 22:31; Romakëve 2:14, 15.
2, 3. Me cilën lloj bindjeje kënaqet Perëndia?
2 Perëndia kënaqet me krijesat inteligjente që zgjedhin t’i binden atij. (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Në vend që të na programonte të nënshtroheshim verbërisht si robotë pa aftësi për të arsyetuar, Jehovai na pajisi me vullnetin e lirë. Në këtë mënyrë mund të marrim vendime të bazuara në njohuri, për të bërë atë që është e drejtë.—Hebrenjve 5:14.
3 Jezui, i cili pasqyroi në mënyrë të përsosur Atin e tij, u tha dishepujve: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më skllevër.» (Gjoni 15:14, 15) Në kohët e lashta një skllav s’kishte zgjedhje tjetër përveçse t’u bindej urdhrave të zotërisë së tij. Nga ana tjetër, miqësia formohet kur personat shfaqin cilësi që janë tërheqëse për zemrën. Ne mund të bëhemi miq të Jehovait. (Jakovit 2:23) Kjo miqësi forcohet nga dashuria reciproke. Jezui e lidhi bindjen ndaj Perëndisë me dashurinë, kur tha: «Nëse dikush më do, ai do ta zbatojë fjalën time dhe Ati im do ta dojë.» (Gjoni 14:23) Për këtë qëllim, si edhe për të na udhëhequr më së miri, Jehovai na fton që të jetojmë sipas parimeve të tij.
Parimet hyjnore
4. Si do t’i përshkruanit parimet?
4 Çfarë janë parimet? Një parim përkufizohet si «një e vërtetë e përgjithshme ose themelore: një ligj, doktrinë a pohim i gjithanshëm dhe themelor, tek i cili bazohen ligjet dhe doktrinat e tjera ose nga i cili rrjedhin të tjera». (Webster’s Third New International Dictionary) Një studim i kujdesshëm i Biblës zbulon se Ati ynë qiellor siguron udhëzime themelore që përfshijnë shumë rrethana dhe fusha të ndryshme të jetës. Këtë e bën duke pasur parasysh dobinë tonë të përjetshme. Kjo është në harmoni me atë që shkroi mbreti i mençur Solomon: «Dëgjo, biri im, dhe pranoji fjalët e mia. Atëherë, për ty vitet e jetës do të bëhen të shumta. Do të të mësoj edhe në udhën e mençurisë; do të bëj që të shkelësh në shtigjet e drejtësisë.» (Proverbat 4:10, 11, BR) Parimet themelore që ka siguruar Jehovai ndikojnë në marrëdhënien që kemi me të dhe me njerëzit e tjerë, në adhurimin që bëjmë, si edhe në jetën tonë të përditshme. (Psalmi 1:1) Le të shqyrtojmë disa nga këto parime themelore.
5. Jepni shembuj të disa parimeve themelore.
5 Për sa i përket marrëdhënies sonë me Jehovain, Jezui tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Përveç kësaj, Perëndia siguron parime që kanë të bëjnë me mënyrën se si sillemi me njerëzit e tjerë, siç është Rregulla e Artë: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12; Galatasve 6:10; Titit 3:2) Lidhur me adhurimin këshillohemi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku.» (Hebrenjve 10:24, 25) Kurse për gjërat e përditshme të jetës, apostulli Pavël thotë: «Nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Korintasve 10:31) Në Fjalën e Perëndisë ka edhe parime të tjera të panumërta.
6. Si dallohen parimet nga ligjet?
6 Parimet janë të vërteta thelbësore e të gjalla dhe të krishterët e mençur mësojnë t’i duan ato. Jehovai e frymëzoi Solomonin të shkruante: «Trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.» (Fjalët e urta 4:20-22) Si ndryshojnë parimet nga ligjet? Parimet sigurojnë bazën për ligjet. Rregullat, të cilat kanë prirjen të jenë specifike, mund t’i përkasin një kohe ose një gjendjeje të veçantë, kurse parimet vlejnë për çdo kohë. (Psalmi 119:111) Parimet hyjnore nuk dalin jashtë mode e as nuk zhvlerësohen. Vërtetohen fjalët e frymëzuara të profetit Isaia: «Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.»—Isaia 40:8.
Mendoni dhe veproni në bazë të parimeve
7. Në ç’mënyrë Fjala e Perëndisë na inkurajon që të mendojmë e të veprojmë në bazë të parimeve?
7 «Fjala e Perëndisë tonë» na nxit vazhdimisht që të mendojmë e të veprojmë në bazë të parimeve. Kur i kërkuan që të bënte një përmbledhje të Ligjit, Jezui bëri dy pohime të shkurtra: njëri që theksonte dashurinë për Jehovain, tjetri që theksonte dashurinë për të afërmin. (Mateu 22:37-40) Në këtë rast, Jezui citoi pjesërisht nga një përmbledhje e mëparshme e shkurtër e normave themelore të Ligjit të Moisiut. Këtë përmbledhje e gjejmë te Ligji i përtërirë 6:4, 5, ku thuhet: «Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» Me sa duket, Jezui kishte ndër mend edhe udhëzimin e Perëndisë që e gjejmë te Levitiku 19:18. Në përmbylljen e qartë, të shkurtër dhe të fuqishme të librit të Predikuesit, fjalët e mbretit Solomon përmbledhin shumë ligje hyjnore: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’ Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.»—Predikuesi (Eklisiastiu) 12:13, 14; Mikea 6:8.
8. Përse është një mbrojtje të kemi një kuptueshmëri të plotë të parimeve themelore të Biblës?
8 Duke pasur një kuptueshmëri të plotë të këtyre parimeve themelore, mund të ndihmohemi që të kuptojmë e të zbatojmë udhëzimet që janë më specifike. Për më tepër, nëse nuk i kuptojmë e nuk i pranojmë plotësisht parimet themelore, mund të mos jemi në gjendje të marrim vendime të shëndosha dhe besimi mund të na tronditet me lehtësi. (Efesianëve 4:14) Nëse i ngulitim në mendje e në zemër këto parime, do të jemi gati t’i përdorim kur marrim vendime. Kur i zbatojmë në bazë të kuptueshmërisë, këto parime na sjellin sukses.—Jozueu (Josiu) 1:8; Fjalët e urta 4:1-9.
9. Përse nuk është gjithnjë e lehtë t’i dallojmë e t’i zbatojmë parimet biblike?
9 T’i dallojmë e t’i zbatojmë parimet biblike nuk është aq e lehtë, sa edhe të ndjekim një sërë ligjesh. Si njerëz të papërsosur, ne mund t’i shmangemi punës që kërkohet për të arsyetuar rreth parimeve. Kur jemi përpara ndonjë vendimi ose ndonjë dileme, mund të pëlqejmë më shumë të kemi një rregull, gjë që është më e rehatshme. Ndonjëherë mund të kërkojmë drejtim nga një i krishterë i pjekur, ndoshta nga një plak kongregacioni, duke pritur që të na japë ndonjë rregull të veçantë që zbatohet për rrethanën në të cilën jemi. Mirëpo Bibla ose botimet e bazuara në Bibël mund të mos tregojnë ndonjë rregull të veçantë e, edhe sikur të na jepet një rregull i tillë, mund të mos jetë një udhëheqje që zbatohet në çdo kohë e në çdo rrethanë. Ndoshta ju kujtohet që një burrë i kërkoi Jezuit: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Në vend që të jepte menjëherë një rregull për zgjidhjen e mospajtimeve mes dy vëllezërve të një gjaku, Jezui i dha një parim më të përgjithshëm: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie.» Në këtë mënyrë Jezui siguroi një parim që ishte i dobishëm në atë kohë, por mbetet i tillë edhe tani.—Luka 12:13-15.
10. Në ç’mënyrë sjellja jonë në harmoni me parimet zbulon motivet e zemrës sonë?
10 Ndoshta keni parë njerëz që janë të prirur t’u binden pa dëshirë ligjeve, vetëm nga frika e ndëshkimit. Respekti për parimet e përjashton këtë qëndrim. Vetë natyra e parimeve i shtyn personat që udhëhiqen prej tyre të reagojnë nga zemra. Në të vërtetë shumica e parimeve nuk përfshijnë një ndëshkim të menjëhershëm për ata që nuk veprojnë sipas tyre. Kjo na jep mundësinë të zbulojmë përse i bindemi Jehovait, pra, cili është motivi i zemrës sonë. Një shembull e gjejmë në rastin e Jozefit që hodhi poshtë propozimet imorale të gruas së Potifarit. Jehovai ende nuk kishte dhënë ndonjë ligj të shkruar kundër kurorëshkeljes dhe nuk kishte asnjë ndëshkim hyjnor për pasjen e marrëdhënieve me gruan e një burri tjetër. Por Jozefi ishte në dijeni të parimeve që Perëndia kishte Zanafilla 2:24; 12:18-20) Nga mënyra se si reagoi mund të kuptojmë se ndikohej fuqimisht nga këto parime: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?»—Zanafilla 39:9.
vendosur për besnikërinë martesore. (11. Në cilat fusha të krishterët dëshirojnë të udhëhiqen nga parimet e Jehovait?
11 Sot të krishterët dëshirojnë të udhëhiqen nga parimet e Jehovait kur bëhet fjalë për çështje personale, si: zgjedhja e shokëve, zbavitja, muzika dhe materialet për të lexuar. (1 Korintasve 15:33; Filipianëve 4:8) Ndërkohë që rritemi në njohuri, kuptueshmëri e çmueshmëri për Jehovain dhe për normat e tij, ndërgjegjja jonë, pra ndjenja e përgjegjësisë morale, do të na ndihmojë t’i zbatojmë parimet hyjnore në çfarëdo rrethane që hasim, madje edhe në çështjet shumë personale. Të udhëhequr nga parimet biblike, nuk do të kërkojmë të çara në ligjet e Perëndisë. As nuk do të imitojmë ata që përpiqen të provojnë se sa larg mund të shkojnë pa e thyer realisht ndonjë ligj të caktuar. E kuptojmë se një mënyrë e tillë të menduari është vetëshkatërruese dhe e dëmshme.—Jakovit 1:22-25.
12. Cili është një çelës për t’u udhëhequr nga parimet hyjnore?
12 Të krishterët e pjekur e kuptojnë se një çelës për të ndjekur parimet hyjnore është dëshira për të ditur se si ndihet Jehovai për një çështje. «Ju që e doni Zotin,—bën thirrje psalmisti,—urreni të keqen.» (Psalmi 97:10) Duke radhitur disa nga gjërat që Perëndia do t’i klasifikonte si të këqija, te Fjalët e urta 6:16-19 thuhet: «Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: sytë krenarë, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.» Kur në jetën tonë udhëhiqemi nga dëshira për të pasqyruar se si ndihet Jehovai për këto gjëra themelore, të jetuarit në përputhje me parimet bëhet një praktikë e ngulitur.—Jeremia 22:16.
Nevojitet motivi i mirë
13. Cilën mënyrë të menduari theksoi Jezui në Predikimin në Mal?
13 Duke i ditur dhe duke i zbatuar parimet, mbrohemi edhe nga laku i një adhurimi bosh e formal. Një gjë është të ndjekësh parimet dhe një gjë tjetër t’u bindesh me një rreptësi fanatike rregullave. Jezui e tregoi qartë këtë në Predikimin në Mal. (Mateu 5:17-48) Mos harroni se dëgjuesit e Jezuit ishin judenj, kështu që sjelljen e tyre duhej ta drejtonte Ligji i Moisiut. Por në të vërtetë ata kishin një pikëpamje të shtrembëruar për Ligjin. Ishin të përqendruar që të mos linin t’u shpëtonte asnjë shkronjë e Ligjit, në vend që të kapnin frymën e tij. Gjithashtu theksonin traditat e tyre, duke i vënë ato mbi mësimin e Perëndisë. (Mateu 12:9-12; 15:1-9) Si pasojë, populli në përgjithësi nuk ishte mësuar të mendonte sipas parimeve.
14. Si i ndihmoi Jezui dëgjuesit e tij që të mendonin në bazë të parimeve?
14 Në dallim me këtë, në Predikimin në Mal Jezui përfshiu parime për pesë aspekte të moralit: Mateu 5:28.
zemërimi, martesa dhe divorci, premtimet, hakmarrja dhe dashuria e urrejtja. Në secilin rast, Jezui tregoi se cila ishte dobia e ndjekjes së një parimi. Në këtë mënyrë, Jezui e ngriti më lart normën morale për ithtarët e tij. Në çështjen e kurorëshkeljes, për shembull, ai na dha një parim që na ndihmon të ruajmë jo vetëm veprimet tona, por edhe mendimet e dëshirat: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.»—15. Si mund të shmangim çfarëdo prirjeje për të qenë tepër të rreptë?
15 Ky shembull ilustron se nuk duhet ta humbim kurrë nga sytë qëllimin dhe frymën e parimeve të Jehovait. Është e qartë se nuk duhet të përpiqemi të fitojmë miratimin e Perëndisë me anë të një shfaqjeje sa për t’u dukur të sjelljes së moralshme. Jezui e tregoi qartë se sa mashtrues është një qëndrim i tillë, duke theksuar mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë. (Mateu 12:7; Luka 6:1-11) Duke ndjekur parimet biblike, nuk do të përpiqemi të jetojmë (ose t’u kërkojmë të tjerëve të jetojnë) sipas një liste të gjatë e të ngurtë me ‘bëje’ dhe ‘mos e bëj’, të cilat shkojnë përtej mësimeve të Biblës. Do të jemi më të interesuar për parimet e dashurisë dhe të bindjes ndaj Perëndisë, sesa për dukjen e jashtme të adhurimit.—Luka 11:42.
Përfundime të lumtura
16. Jepni shembuj të parimeve që qëndrojnë pas disa ligjeve biblike.
16 Ndërsa përpiqemi t’i bindemi Jehovait, është e rëndësishme të kuptojmë se ligjet e tij bazohen në parime themelore. Për shembull, të krishterët duhet të shmangin idhujtarinë, imoralitetin seksual dhe keqpërdorimin e gjakut. (Veprat 15:28, 29) Cila është baza për qëndrimin e krishterë lidhur me këto çështje? Perëndia meriton devocionin tonë ekskluziv; duhet të jemi besnikë ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes dhe Jehovai është Jetëdhënësi. (Zanafilla 2:24; Eksodi [Dalja] 20:5; Psalmi 36:9) Duke i kuptuar këto parime bazë do ta kemi më të lehtë që të pranojmë e të ndjekim ligjet që lidhen me to.
17. Cilat përfundime të mira mund të vijnë kur dallojmë dhe zbatojmë parimet biblike?
17 Ndërkohë që arrijmë t’i dallojmë e t’i zbatojmë parimet bazë, e kuptojmë se janë për të mirën tonë. Bekimet frymore që gëzon populli i Perëndisë shpesh shoqërohen me dobi konkrete. Për shembull, ata që nuk pinë duhan, që bëjnë një jetë të moralshme dhe që respektojnë shenjtërinë e gjakut, nuk bëhen viktima të disa sëmundjeve. Në mënyrë të ngjashme, jetesa në harmoni me të vërtetën hyjnore mund të na sjellë dobi nga ana ekonomike, shoqërore ose familjare. Secila nga këto dobi konkrete është një provë e vlerës së normave të Jehovait, pra, që janë vërtet praktike. Megjithatë, arsyeja kryesore për të cilën i zbatojmë parimet e Perëndisë nuk është në vetvete që t’i kemi këto dobi praktike. Të krishterët e vërtetë i binden Jehovait sepse e duan, sepse ai e meriton adhurimin e tyre dhe sepse kjo është gjëja e drejtë për t’u bërë.—Zbulesa 4:11.
18. Nëse duam të jemi të krishterë të suksesshëm, çfarë duhet ta udhëheqë jetën tonë?
18 Duke lejuar që jeta jonë të udhëhiqet nga parimet biblike, kjo çon në një mënyrë jetese më cilësore, e cila në vetvete mund t’i tërheqë të tjerët drejt udhës së Perëndisë. Ç’është më e rëndësishmja, mënyra jonë e jetesës nderon Jehovain. E kuptojmë se Jehovai është vërtet një Perëndi i dashur, i cili dëshiron më të mirën për ne. Kur i marrim vendimet në përputhje me parimet biblike dhe shohim se si na bekon Jehovai, ndihemi edhe më afër tij. Pikërisht zhvillojmë më tej marrëdhënien e dashur që kemi me Atin tonë qiellor.
A ju kujtohet?
• Çfarë është një parim?
• Si dallohen parimet nga ligjet?
• Përse është dobiprurëse të mendojmë e të veprojmë në bazë të parimeve?
[Pyetjet]
[Kutia në faqen 20]
Uillsonin, një të krishterë nga Gana, e njoftuan se pas disa ditësh, do ta pushonin nga puna. Ditën e fundit të punës, e caktuan të lante makinën personale të drejtorit të përgjithshëm të firmës. Kur Uillsoni gjeti në makinë një shumë parash, eprori i tij i tha se Perëndia ia kishte dërguar paratë meqë do ta pushonin nga puna atë ditë. Mirëpo, duke zbatuar parimet biblike për ndershmërinë, Uillsoni ia ktheu paratë drejtorit. I habitur dhe i prekur nga kjo, drejtori jo vetëm që i propozoi menjëherë Uillsonit një punë të përhershme, por edhe e ngriti në përgjegjësi si anëtar me vjetërsi pune në personelin e firmës.—Efesianëve 4:28.
[Kutia në faqen 21]
Rukia është një grua shqiptare në të 60-tat. Për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare, kishte më shumë se 17 vjet që nuk fliste me të vëllanë. Ajo filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe mësoi se të krishterët e vërtetë duhet të jenë në paqe me të tjerët, duke mos mbajtur mëri. U lut gjithë natën dhe, me zemrën që i rrihte fort, shkoi në shtëpinë e të vëllait. Derën ia hapi e mbesa. E habitur, ajo e pyeti Rukien: «Kush ka vdekur? Çne ti këtu?» Rukia kërkoi të takonte vëllanë e saj. Me qetësi, i shpjegoi se duke mësuar për parimet biblike dhe për Jehovain, ajo ishte motivuar që të bënte paqe me të vëllanë. Pasi u përqafuan e derdhën lot, ata e festuan këtë ribashkim të veçantë.—Romakëve 12:17, 18.
[Figura në faqen 23]
[Figura në faqen 23]
[Figura në faqen 23]
[Figura në faqen 23]
«Kur pa turmat, ai u ngjit në mal; dhe pasi u ul dishepujt e tij i erdhën pranë; dhe ai hapi gojën e nisi t’i mësonte.»—MATEU 5:1, 2