Ku e mbështetni sigurinë tuaj?
Ku e mbështetni sigurinë tuaj?
Në një fshat të vogël afrikan, Zhozueja i ri përshëndet familjen dhe miqtë. * Më pas niset drejt qytetit të madh në kërkim të sigurisë financiare. Por, sapo mbërrin, shpresa e tij venitet kur kupton se qyteti nuk i ka rrugët e shtruara me ar.
DUKE luftuar për t’u përshtatur me jetën e qytetit, Zhozueja zhgënjehet pa masë. Qyteti i madh s’është fare ashtu siç e kishte përfytyruar ai. Gjatë gjithë kohës, thellë në zemër Zhozueja digjet nga dëshira për t’u kthyer te familja dhe miqtë e tij, në atë fshat të thjeshtë që la pas. Por ka frikë se disa banorë të fshatit do ta vënë në lojë. Ai shqetësohet: ‘Do të më quajnë dështak, pasi nuk ia dola mbanë në qytet.’
Ajo që e vret më shumë është zhgënjimi që mund të ndiejnë prindërit e tij. Ata i kanë varur shpresat tek ai për ndihmë financiare. Ndërsa përpiqet të përballojë këtë barrë emocionale, Zhozueja punon me orare të zgjatura në një punë të rëndomtë dhe fiton vetëm një sasi shumë të vogël nga ajo që kishte ëndërruar. Është i rraskapitur nga puna e tepërt. Dhe koha e lënë mënjanë për veprimtaritë e krishtere, të cilat i çmon shumë, shkurtohet çdo javë që kalon. Kështu, larg nga ngrohtësia e familjes dhe e miqve të vjetër, ai ndihet i trishtuar dhe i vetmuar. E kupton se qyteti nuk i ka dhënë sigurinë që e kishte dëshiruar kaq shumë.
Edhe pse emrat dhe vendet ndryshojnë, historia e trishtuar e Zhozuesë përsëritet shpesh. Nuk është se Zhozueja po tregohej egoist me dëshirën për t’u larguar, por thjesht po kërkonte sigurinë. Ai ishte i sigurt se mundësitë në qytet ishin më të mira se ato në fshatin e tij të vogël. Natyrisht, ndonjëherë një person mund ta përmirësojë gjendjen e tij ekonomike, por kjo nuk nënkupton siguri e vërtetë. Nuk ndodhi kështu me Zhozuenë dhe ka të ngjarë që të mos ndodhë as me shumicën e të tjerëve që provojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo na bën të pyesim: ‘Çfarë është siguria?’
Siguria kuptohet në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Në një fjalor thuhet se siguria është «çlirim nga rreziku» ose «çlirim nga frika a nga ankthi». Shumica e njerëzve e kuptojnë se në ditët tona nuk ekziston «çlirim nga rreziku» në një masë të plotë. Ata janë të kënaqur për aq kohë sa ata ndihen të sigurt, me gjithë rrethanat kërcënuese që mund të kenë përreth.
Po ju? Ku e kërkoni sigurinë? A gjendet në ndonjë qytet dhe jo në fshat, siç mendonte Zhozueja? Apo gjendet te paratë, pavarësisht se ku ose si mund të fitohen ato? A gjendet ndoshta duke u ngritur në një pozitë më të lartë shoqërore? Pavarësisht se ku besoni që mund ta gjeni sigurinë, sa do të zgjatë ajo siguri, për ju dhe për familjen tuaj?
Le të shqyrtojmë tri drejtime në të cilat shumë individë e kërkojnë sigurinë—vendi gjeografik, paratë, pozita në shoqëri. Pastaj do të shqyrtojmë se ku ta gjejmë sigurinë e vërtetë dhe të qëndrueshme.
[Shënimi]
^ par. 2 Emri është ndryshuar.