Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u tregojmë dashamirësi atyre që janë në nevojë

T’u tregojmë dashamirësi atyre që janë në nevojë

T’u tregojmë dashamirësi atyre që janë në nevojë

«Tregojini njëri-tjetrit dashamirësi.»​—ZAKARIA 7:9, BR.

1, 2. (a) Përse duhet të shfaqim dashamirësi? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

FJALA e Perëndisë Jehova na bën thirrje që të duam «dashamirësinë». (Mikea 6:8, shënimi, BR) Na jep edhe arsyet përse duhet të veprojmë kështu. Pikësëpari, ‘një njeri me dashamirësi vepron në mënyrë shpërblyese me shpirtin e tij’. (Proverbat 11:17, BR) Sa e vërtetë që është kjo! Duke treguar dashamirësi ose dashuri besnike krijojmë lidhje të përzemërta e të qëndrueshme me të tjerët. Si pasojë do të kemi miq besnikë, të cilët janë vërtet një shpërblim i çmuar!​—Fjalët e urta 18:24.

2 Shkrimet për më tepër na thonë: «Ai që ndjek drejtësinë dhe dashamirësinë do të gjejë jetë.» (Proverbat 21:21, BR) Po, duke ndjekur dashamirësinë do të bëhemi të përzemërt për Perëndinë dhe do të kemi shpresën që të marrim bekime në të ardhmen, ndër të cilat përfshihet edhe jeta e përhershme. Por, si mund të tregojmë dashamirësi? Ndaj kujt duhet ta shfaqim atë? Veç kësaj, a ndryshon dashamirësia nga sjellja e njerëzishme që vjen natyrshëm ose nga mirëdashja në përgjithësi?

Sjellja e njerëzishme dhe dashamirësia

3. Si ndryshon dashamirësia nga sjellja e njerëzishme?

3 Sjellja e njerëzishme që vjen natyrshëm ndryshon nga dashamirësia në disa mënyra. Për shembull, ata që tregohen të njerëzishëm shpesh e bëjnë këtë pa pasur ndonjë marrëdhënie a lidhje të ngushtë personale me personat që trajtojnë me njerëzi. Por nëse i tregojmë dashamirësi dikujt, do të thotë që kemi një lidhje të dashur me atë person. Në Bibël shprehjet e dashamirësisë midis njerëzve mund të bazohen në marrëdhënie që tashmë ekzistonin. (Zanafilla 20:13; 2 Samuelit 3:8; 16:17) Ose mund të bazohen në marrëdhënie që krijohen si pasojë e veprave të mëparshme të mirëdashjes. (Josiu 2:1, 12-14; 1 Samuelit 15:6; 2 Samuelit 10:1, 2) Për ta ilustruar këtë dallim, le të krahasojmë dy shembuj biblikë: një shembull të sjelljes së njerëzishme dhe një të dashamirësisë që shprehet mes njerëzve.

4, 5. Si e ilustrojnë dy shembujt biblikë të cituar këtu dallimin ndërmjet sjelljes së njerëzishme dhe dashamirësisë?

4 Një shembull i sjelljes së njerëzishme lidhet me një grup njerëzish të cilëve u ishte shkatërruar anija. Në këtë grup bënte pjesë edhe apostulli Pavël. Deti i nxori në brigjet e ishullit të Maltës. (Veprat 27:37–28:1) Maltezët nuk kishin pasur as ndonjë detyrim të mëparshëm ndaj udhëtarëve e as nuk kishin ndonjë lidhje me ta. Megjithatë i mikpritën të huajt, duke u treguar «jashtëzakonisht të njerëzishëm» me ta. (Veprat 28:2, 7) Mikpritja e tyre ishte e përzemërt, por ishte e rastësishme dhe iu tregua të huajve. Prandaj ishte një sjellje e njerëzishme.

5 Në krahasim me këtë, shqyrtoni mikpritjen që mbreti David i tregoi Mefiboshetit, birit të Jonatanit, mikut të tij. Davidi i tha Mefiboshetit: «Do të hash gjithnjë në tryezën time.» Duke shpjeguar për ç’arsye po e merrte këtë masë, Davidi i tha: «Kam ndër mend të sillem mirë me ty [të ushtroj dashamirësi ndaj teje, BR] për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd.» (2 Samuelit 9:6, 7, 13) Mikpritja e vazhdueshme e Davidit quhet me të drejtë një shfaqje e dashamirësisë, jo thjesht e sjelljes së njerëzishme, pasi ishte dëshmi e besnikërisë së tij ndaj një marrëdhënieje të vendosur më parë. (1 Samuelit 18:3; 20:15, 42) Në mënyrë të ngjashme sot, shërbëtorët e Perëndisë tregohen të njerëzishëm ndaj të gjithëve në përgjithësi. Megjithatë shprehin dashamirësi ose dashuri besnike të vazhdueshme ndaj atyre me të cilët kanë një marrëdhënie të miratuar nga Perëndia.​—Mateu 5:45; Galatasve 6:10.

6. Cilat veçori të dashamirësisë së shprehur ndërmjet njerëzve spikatin në Fjalën e Perëndisë?

6 Për të zbuluar disa veçori të mëtejshme të dashamirësisë, do të shqyrtojmë shkurtimisht tri tregime biblike ku del në pah kjo cilësi. Nga këto tregime do të vërejmë se dashamirësia që tregojnë njerëzit (1) tregohet me veprime specifike, (2) shfaqet vullnetarisht dhe (3) u tregohet veçanërisht atyre që janë në nevojë. Për më tepër, këto tregime ilustrojnë se si mund ta shfaqim sot dashamirësinë.

Një baba tregon dashamirësi

7. Çfarë i tha Betuelit dhe Labanit shërbëtori i Abrahamit dhe cilën çështje ngriti?

7 Te Zanafilla 24:28-67 gjejmë vazhdimin e tregimit për shërbëtorin e Abrahamit, të përmendur në artikullin e mëparshëm. Pas takimit me Rebekën atë e ftuan në shtëpinë e babait të saj, Betuelit. (Vargjet 28-32) Atje, shërbëtori tregoi fill e për pe përpjekjet e tij për t’i gjetur grua birit të Abrahamit. (Vargjet 33-47) Theksoi se suksesin që kishte arritur deri në atë kohë e shihte si një shenjë nga Jehovai, ‘që e kishte çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e zotërisë së tij bijën e vëllait të zotërisë së tij’. (Vargu 48) S’ka dyshim se shërbëtori shpresonte që tregimi i tij i sinqertë për këtë takim do ta bindte Betuelin dhe birin e tij, Labanin, se pas kësaj detyre qëndronte Jehovai. Në fund, shërbëtori tha: «Në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas.»​—Vargu 49.

8. Cili ishte reagimi i Betuelit në çështjen që kishte të bënte me Rebekën?

8 Jehovai kishte treguar tashmë dashamirësi ndaj Abrahamit. (Zanafilla 24:12, 14, 27) A do të ishte i gatshëm Betueli të bënte të njëjtën gjë, duke e lejuar Rebekën të shkonte me shërbëtorin e Abrahamit? A do t’i shtohej dashamirësisë hyjnore edhe dashamirësia njerëzore? Apo udhëtimi i gjatë i shërbëtorit do të kishte qenë i kotë? Për shërbëtorin e Abrahamit duhet të ketë qenë shumë lehtësuese të dëgjonte Labanin dhe Betuelin që thoshin: «Nga Jehovai ka dalë kjo gjë.» (Vargu 50, BR) E dalluan dorën e Jehovait në këtë çështje dhe pa ngurruar e pranuan vendimin e tij. Më tej, Betueli e shprehu dashamirësinë e tij duke shtuar: «Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti.» (Vargu 51) Me gatishmëri Rebeka e shoqëroi shërbëtorin e Abrahamit dhe shpejt u bë gruaja e dashur e Isakut.​—Vargjet 49, 52-58, 67.

Dashamirësi e treguar nga një bir

9, 10. (a) Çfarë i kërkoi Jakobi Jozefit që të bënte për të? (b) Si tregoi Jozefi dashamirësi për babanë e tij?

9 Edhe nipit të Abrahamit, Jakobit, iu tregua dashamirësi. Siç tregohet në kapitullin 47 të Zanafillës, në atë kohë Jakobi jetonte në Egjipt dhe ‘po i afrohej koha e vdekjes’. (Vargjet 27-29) Ishte në merak se do të vdiste jashtë vendit që Perëndia ia kishte premtuar Abrahamit. (Zanafilla 15:18; 35:10, 12; 49:29-32) Gjithsesi, Jakobi nuk donte që ta varrosnin në Egjipt, prandaj mori masa që trupin e tij ta çonin në vendin e Kanaanit. E kush më mirë se Jozefi, biri i tij me pozitë, do ta çonte në vend dëshirën e Jakobit?

10 Tregimi thotë: «Prandaj, [Jakobi] thirri birin e tij, Jozefin, dhe i tha: ‘Tani, nëse kam gjetur hir në sytë e tu, . . . duhet të tregosh dashamirësi dhe besueshmëri ndaj meje. (Të lutem, mos më varros në Egjipt.) Unë duhet të prehem me etërit e mi dhe ti duhet të më nxjerrësh nga Egjipti e të më varrosësh në varrin e tyre.’» (Zanafilla 47:29, 30, BR) Jozefi premtoi se do t’ia plotësonte këtë kërkesë dhe pak kohë më pas Jakobi vdiq. Jozefi dhe bijtë e tjerë të Jakobit e çuan trupin e tij «në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Makpelahut . . . që Abrahami e kishte blerë». (Zanafilla 50:5-8, 12-14) Pra, Jozefi tregoi dashamirësi ndaj babait të tij.

Dashamirësi nga nusja e djalit

11, 12. (a) Si i tregoi Rutha dashamirësi Naomit? (b) Në ç’mënyrë ‘rasti i fundit’ kur Rutha tregoi dashamirësi ishte më i mirë se ‘i pari’?

11 Libri i Ruthës tregon se si vejusha Naomi u trajtua me dashamirësi nga Rutha, nusja moabite e djalit të saj, e cila ishte po ashtu vejushë. Kur Naomi vendosi të kthehej në Betlehem të Judës, Rutha tregoi dashamirësi dhe vendosmëri, duke thënë: «Kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) Më vonë, Rutha e shfaqi dashamirësinë e saj kur u tregua e gatshme të martohej me Boazin, të afërmin e moshuar të Naomit. * (Ligji i përtërirë 25:5, 6; Rutha 3:6-9) Ky i tha Ruthës: «Dashamirësinë tënde e ke shprehur më mirë në rastin e fundit sesa në rastin e parë, duke mos shkuar pas të rinjve, të varfër a të pasur qofshin ata.»​—Rutha 3:10, BR.

12 ‘Rasti i parë’ kur Rutha tregoi dashamirësi kishte të bënte me kohën kur ajo la popullin e saj dhe i qëndroi afër Naomit. (Rutha 1:14; 2:11) Mirëpo, ‘rasti i fundit’ i dashamirësisë, domethënë gatishmëria e Ruthës për t’u martuar me Boazin, ia kaloi rastit të parë. Me këtë, Rutha do të ishte në gjendje t’i siguronte një trashëgimtar Naomit, e cila e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë. Martesa u bë dhe, kur më vonë Rutha lindi një fëmijë, gratë e Bethlehemit thanë: «I lindi një djalë Naomit!» (Rutha 4:14, 17) Rutha ishte vërtet «një grua e virtytshme» e prandaj u shpërblye nga Jehovai me privilegjin e mrekullueshëm për t’u bërë paraardhëse e Jezu Krishtit.​—Rutha 2:12; 3:11; 4:18-22; Mateu 1:1, 5, 6.

E shprehur me veprime

13. Si e treguan dashamirësinë e tyre Betueli, Jozefi dhe Rutha?

13 A e vutë re se si treguan dashamirësi Betueli, Jozefi dhe Rutha? Nuk e bënë këtë vetëm me fjalë mirëdashëse, por edhe me veprime specifike. Betueli jo vetëm që tha «ja tek është Rebeka», por me të vërtetë ‘e nisi Rebekën’. (Zanafilla 24:51, 59, BR) Jozefi jo vetëm që tha «do të bëj si thua ti», por ai dhe vëllezërit e tij bënë për Jakobin «atë që ai i kishte urdhëruar». (Zanafilla 47:30; 50:12, 13) Rutha jo vetëm që tha «kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë», por e la popullin e saj dhe e shoqëroi Naomin, kështu që «e bënë rrugën bashkë deri sa arritën në Betlem». (Rutha 1:16, 19) Në Judë, edhe një herë Rutha bëri «të gjitha ato që i kishte porositur e vjehrra». (Rutha 3:6) Po, Rutha bashkë me të tjerët e shprehën dashamirësinë me veprime.

14. (a) Si e tregojnë me veprime dashamirësinë sot shërbëtorët e Perëndisë? (b) Çfarë veprash dashamirësie bëjnë të krishterët në zonën tuaj?

14 Na ngrohet zemra kur shohim se si shërbëtorët e Perëndisë vazhdojnë të tregojnë sot dashamirësi me veprime. Për shembull, mendoni për ata që u sigurojnë vazhdimisht mbështetje emocionale bashkëbesimtarëve të sëmurë, të dëshpëruar ose të pikëlluar. (Fjalët e urta 12:25) Ose mendoni për shumë Dëshmitarë të Jehovait që me përkushtim i çojnë me makinë të moshuarit në Sallën e Mbretërisë për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit çdo javë. Ana 82-vjeçare që vuan nga artriti shpreh atë që mendojnë edhe shumë të tjerë, kur thotë: «Është një bekim nga Jehovai që më shoqërojnë me makinë në të gjitha mbledhjet. E falënderoj nga thellësia e zemrës që më ka dhënë vëllezër e motra të tillë të dashur.» A po merrni pjesë në vepra të tilla në kongregacionin tuaj? (1 Gjonit 3:17, 18) Nëse po, të jini të sigurt se dashamirësia juaj çmohet thellësisht.

Shfaqet vullnetarisht

15. Cila veçori e dashamirësisë theksohet më tej nga tri tregimet biblike që kemi shqyrtuar?

15 Tregimet biblike që kemi shqyrtuar nxjerrin në pah edhe se dashamirësia shfaqet lirshëm e vullnetarisht, jo me detyrim. Betueli bashkëpunoi vullnetarisht me shërbëtorin e Abrahamit e po kështu edhe Rebeka. (Zanafilla 24:51, 58) Jozefi e tregoi dashamirësinë e tij pa qenë i shtyrë nga të tjerët. (Zanafilla 50:4, 5) Rutha «ishte e vendosur ta ndiqte [Naomin]». (Rutha 1:18) Kur Naomi e këshilloi Ruthën që t’i afrohej Boazit, dashamirësia e shtyu moabiten të thoshte: «Do të bëj të gjitha ato që më the.»​—Rutha 3:1-5.

16, 17. Çfarë e bën veçanërisht domethënëse dashamirësinë e Betuelit, të Jozefit dhe të Ruthës dhe çfarë i nxiti ata që të shfaqnin këtë cilësi?

16 Dashamirësia që treguan Betueli, Jozefi dhe Rutha është veçanërisht domethënëse. Kjo sepse Abrahami, Jakobi dhe Naomi nuk kishin mundësi që të ushtronin tek ata presion nga jashtë. Në fund të fundit, Betueli nuk kishte ndonjë detyrim ligjor që ta linte të bijën të ikte. Fare lehtë ai mund t’i kishte thënë shërbëtorit të Abrahamit: ‘Jo, dua ta mbaj afër meje bijën time punëtore.’ (Zanafilla 24:18-20) Po ashtu, Jozefi ishte i lirë të vendoste nëse do ta plotësonte ose jo kërkesën e të atit, pasi Jakobi tashmë do të kishte vdekur e nuk mund ta detyronte që të mbante fjalën. Vetë Naomi e bëri të qartë se Rutha ishte e lirë që të qëndronte në Moab. (Rutha 1:8) Gjithashtu, Rutha ishte e lirë që të martohej me ndonjë prej «të rinjve» në vend të Boazit të moshuar.

17 Betueli, Jozefi dhe Rutha treguan vullnetarisht dashamirësi; u ndien të nxitur nga zemra që ta bënin këtë. Ndien një përgjegjësi morale për ta shfaqur këtë cilësi ndaj atyre me të cilët kishin një lidhje, sikurse mbreti David më vonë u ndie i detyruar që ta shfaqte këtë cilësi ndaj Mefiboshetit.

18. (a) Me cilin qëndrim e ‘kullotin kopenë’ pleqtë e krishterë? (b) Si i shprehu ndjenjat një plak lidhur me ndihmën që u jepte bashkëbesimtarëve?

18 Dashamirësia është ende shenjë dalluese e popullit të Perëndisë, përfshirë edhe burrat që kullotin kopenë e Perëndisë. (Psalmi 110:3; 1 Selanikasve 5:12) Këta pleq ose mbikëqyrës ndiejnë përgjegjësinë që të jetojnë në përputhje me atë që u është lënë në mirëbesim, si rrjedhojë e emërimit të tyre. (Veprat 20:28) Gjithsesi, vepra e tyre baritore dhe veprimet e tjera dashamirëse në dobi të kongregacionit bëhen «jo me detyrim, por vullnetarisht». (1 Pjetrit 5:2) Pleqtë e kullotin kopenë sepse kanë edhe përgjegjësinë, edhe dëshirën për ta bërë këtë. Ata tregojnë dashamirësi ndaj deleve të Krishtit sepse duhet ta bëjnë dhe dëshirojnë ta bëjnë këtë. (Gjoni 21:15-17) «Më pëlqen shumë t’u bëj vizita në shtëpi vëllezërve ose t’i marr në telefon, jo për ndonjë arsye tjetër, po vetëm për t’u treguar se po mendoja për ta,​—thotë një plak i krishterë.​—Për mua është një burim i madh gëzimi dhe kënaqësie t’i ndihmoj vëllezërit.» Pleqtë e dashur kudo që ndodhen janë plotësisht të një mendimi.

T’u tregojmë dashamirësi atyre në nevojë

19. Cili fakt lidhur me dashamirësinë nënvizohet nga tregimet biblike të shqyrtuara në këtë artikull?

19 Tregimet biblike që kemi shqyrtuar nënvizojnë edhe faktin se dashamirësia duhet treguar ndaj atyre që kanë një nevojë që nuk mund ta plotësojnë vetë. Që ta vazhdonte linjën e tij familjare, Abrahami kishte nevojë për bashkëpunimin e Betuelit. Që t’ia çonin trupin në Kanaan, Jakobi kishte nevojë për ndihmën e Jozefit. Për të pasur një trashëgimtar, Naomi kishte nevojë për ndihmën e Ruthës. As Abrahami, as Jakobi e as Naomi nuk mund t’i plotësonin këto nevoja pa ndihmën e dikujt. Në mënyrë të ngjashme sot dashamirësia duhet treguar në mënyrë të veçantë ndaj atyre që janë në nevojë. (Fjalët e urta 19:17) Duhet të imitojmë patriarkun Job, i cili i kushtonte vëmendje ‘të varfrit që klithte për ndihmë dhe jetimit [e kujtdo, BR] që nuk kishte njeri që ta ndihmonte’, si edhe «atij që ishte duke vdekur». Gjithashtu, Jobi ‘e gëzonte zemrën e gruas së ve’ dhe bëhej «sy për të verbrin dhe këmbë për çalamanin».​—Jobi 29:12-15.

20, 21. Ndaj cilëve duhet të tregojmë dashamirësi dhe çfarë duhet të jetë i vendosur të bëjë secili prej nesh?

20 Sot për sot, në çdo kongregacion të krishterë ka ‘të munduar që klithin për ndihmë’. Kjo mund të jetë për shkak të faktorëve të tillë, si: vetmia, shkurajimi, ndjenjat e pavlefshmërisë, zhgënjimi nga të tjerët, sëmundjet e rënda ose vdekja e një personi të dashur. Pavarësisht nga shkaku, të gjithë këta persona të dashur kanë nevoja që mund dhe duhen përmbushur nga veprimet tona të vullnetshme e të vazhdueshme të dashamirësisë.​—1 Selanikasve 5:14.

21 Le të vazhdojmë pra të imitojmë Perëndinë Jehova, i cili është «i bollshëm në dashamirësi». (Dalja [Eksodi] 34:6, BR; Efesianëve 5:1) Këtë mund ta bëjmë duke ndërmarrë vullnetarisht veprime specifike, sidomos në dobi të atyre që janë në nevojë. Me siguri do ta nderojmë Jehovain dhe do të provojmë gëzim të madh duke ‘i treguar njëri-tjetrit dashamirësi’.​—Zakaria 7:9, BR.

[Shënimi]

^ par. 11 Për më shumë hollësi rreth llojit të martesës për të cilën bëhet fjalë këtu, shih vëllimin 1, faqja 370, të librit Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar në anglisht nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si do të përgjigjeshit?

• Si ndryshon dashamirësia nga sjellja e njerëzishme?

• Në cilat mënyra treguan dashamirësi Betueli, Jozefi dhe Rutha?

• Me cilin qëndrim duhet të tregojmë dashamirësi?

• Ndaj cilëve duhet të tregojmë dashamirësi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Si tregoi dashamirësi Betueli?

[Figura në faqen 21]

Dashuria besnike e Ruthës ishte një bekim për Naomin

[Figurat në faqen 23]

Dashamirësia njerëzore shfaqet vullnetarisht, tregohet me veprime specifike dhe u tregohet atyre që janë në nevojë