Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush e ka fajin ti apo gjenet?

Kush e ka fajin ti apo gjenet?

Kush e ka fajin ti apo gjenet?

SHKENCËTARËT po kërkojnë me ngulm të gjejnë shkaqe gjenetike për alkoolizmin, homoseksualizmin, shthurjen seksuale, dhunën, sjellje të tjera jo të natyrshme e madje dhe për vdekjen. A nuk do të ishte një lehtësim nëse zbulohej që nuk jemi përgjegjës për veprimet tona, por jemi thjesht viktima të përbërjes sonë gjenetike? Është në natyrën njerëzore të bëjmë me faj dikë ose diçka tjetër për gabimet tona.

Nëse e kanë fajin gjenet, shkencëtarët ofrojnë mundësinë për t’i ndryshuar ato, duke eliminuar tiparet e padëshiruara me anë të inxhinierisë gjenetike. Suksesi i arritur kohët e fundit për të deshifruar krejt gjenomin e njeriut i ka rigjallëruar shpresa të tilla.

Sidoqoftë, kjo mundësi bazohet në supozimin se trashëgimia jonë gjenetike është në të vërtetë fajtorja që mban përgjegjësi për të gjitha mëkatet dhe gabimet tona. A kanë gjetur dedektivët shkencorë prova të mjaftueshme për të hapur një çështje gjyqësore kundër gjeneve tona? Është e qartë, përgjigjja do të ndikojë thellë në mënyrën se si e shohim veten dhe të ardhmen tonë. Megjithatë, para se të shqyrtojmë provat, një vështrim i origjinës së njerëzimit do të ishte i dobishëm.

Fillimi i gjithçkaje

Shumë njerëz e njohin mirë, ose të paktën e kanë dëgjuar, tregimin për mëkatin e çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës, në kopshtin e Edenit. A ishin krijuar ata që nga fillimi, me ndonjë të metë në gjene, me ndonjë mangësi në mënyrën se si ishin projektuar, që i bënte të prirur të mëkatonin dhe të mos bindeshin?

Krijuesi i tyre, Perëndia Jehova, veprat e të cilit janë të gjitha të përsosura, deklaroi se krijimi i tij i fundit në tokë ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31; Ligji i përtërirë 32:4) Si provë të mëtejshme të kënaqësisë që ndiente për veprën e vet, ai e bekoi çiftin e parë dhe i udhëzoi të ishin të frytshëm, ta mbushnin tokën me krijesa njerëzore dhe të kishin nën sundimin e tyre gjithçka tjetër që kishte krijuar në tokë. Vështirë të ishin këto veprimet e dikujt që është i pasigurt për veprën e duarve të tij.​—Zanafilla 1:28.

Në lidhje me krijimin e çiftit të parë Bibla na tregon: «Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.» (Zanafilla 1:27) Kjo nuk do të thotë se njerëzit u bënë të ngjashëm me Perëndinë nga pamja e jashtme, sepse «Perëndia është frymë». (Gjoni 4:24) Në vend të kësaj, do të thotë se krijesat njerëzore u pajisën me cilësi hyjnore dhe me një ndjenjë morale, pra, me ndërgjegje. (Romakëve 2:14, 15) Ata ishin, gjithashtu, persona me vullnet të lirë, të aftë për të peshuar një çështje dhe për të vendosur për veprimet që do të kryenin.

Sidoqoftë, prindërit tanë të parë nuk u lanë pa udhëheqje. Përkundrazi, u paralajmëruan për pasojat e keqbërjes. (Zanafilla 2:17) Kështu provat tregojnë se kur Adami duhej të merrte një vendim moral, ai zgjodhi të bënte atë që iu duk e leverdisshme ose fitimprurëse për momentin. Ai ndoqi gruan e tij në keqbërje, në vend që të merrte parasysh marrëdhënien me Krijuesin e tij ose pasojat afatgjata të veprimit të tij. Madje, ai më vonë u përpoq t’ia hidhte fajin Jehovait duke thënë se gruaja që Ai i kishte dhënë e kishte çuar në rrugë të gabuar.​—Zanafilla 3:6, 12; 1 Timoteut 2:14.

Reagimi i Perëndisë ndaj mëkatit të Adamit dhe Evës është domethënës. Ai nuk u përpoq të korrigjonte ndonjë «të metë në mënyrën se si ishin projektuar» gjenet e tyre. Përkundrazi, veproi sipas asaj që u kishte thënë se do të ishin pasojat e veprimeve të tyre, gjë që i çoi përfundimisht në vdekje. (Zanafilla 3:17-19) Kjo histori e hershme hedh shumë dritë mbi natyrën e sjelljes njerëzore. *

Provat tregojnë që fajin s’e kanë gjenet

Për një kohë të gjatë shkencëtarët janë marrë me punën kolosale për të gjetur shkaqe gjenetike dhe kura për sëmundjet e për sjelljen e njerëzve. Gjashtë skuadra kërkuesish pas dhjetë vjet pune identifikuan gjenin që lidhet me sëmundjen e Hantingtonit, edhe pse kërkuesit nuk e kanë fare idenë se si e shkakton sëmundjen ky gjen. Megjithatë, duke raportuar për këtë kërkim, Scientific American citoi biologun e Harvardit, Evan Balabanin, i cili tha se do të ishte «pafundësisht e vështirë të zbuloheshin gjene për çrregullimet e sjelljes».

Në të vërtetë, kërkimet që synonin të bënin lidhjen mes gjeneve të veçanta dhe sjelljes njerëzore kanë qenë të pasuksesshme. Për shembull, në revistën Psychology Today, në një artikull rreth përpjekjeve për të gjetur shkaqe gjenetike për depresionin thuhet: «Të dhënat epidemiologjike rreth sëmundjeve kryesore mendore e bëjnë të qartë se këto sëmundje s’mund të kenë thjesht shkaqe gjenetike.» Artikulli jep një shembull: «Ndër amerikanët e lindur para vitit 1905, vetëm 1 për qind kishin kaluar në depresion para moshës 75-vjeçare. Mes amerikanëve të lindur gjysmë shekulli më vonë, 6 për qind kishin kaluar në depresion para moshës 24-vjeçare!» Kështu në artikull nxirret përfundimi se vetëm faktorët e jashtëm ose socialë mund të shkaktojnë ndryshime të tilla mbresëlënëse brenda një kohe kaq të shkurtër.

Çfarë na tregojnë këto dhe studime të tjera të panumërta? Ndonëse gjenet mund të luajnë një rol në formimin e personalitetit tonë, është e qartë se ka dhe ndikime të tjera. Një faktor thelbësor është mjedisi, i cili ka ndryshuar rrënjësisht në kohët moderne. Në lidhje me zbavitjet e përhapura ndaj të cilave ekspozohen të rinjtë e sotëm, libri Boys Will Be Boys (Djemtë do mbeten djem) vëren se është e pamundur që fëmijët të zhvillojnë parime të shëndosha morale kur «rriten duke parë mijëra orë filma dhe shfaqje televizive ku njerëzit sulmohen, qëllohen me armë, goditen me thikë, u nxjerrin zorrët jashtë, i bëjnë copa-copa, i torturojnë ose i gjymtojnë; kur fëmijët rriten duke dëgjuar muzikë që lartëson përdhunimin, vetëvrasjen, drogat, alkoolin dhe fanatizmin».

Qartë, Satanai «sundimtari i kësaj bote», ka krijuar një mjedis që plotëson dëshirat më të ulëta të njeriut. Dhe kush mund ta mohojë ndikimin e fuqishëm që ushtron mbi të gjithë ne një mjedis i tillë?​—Gjoni 12:31; Efesianëve 6:12; Zbulesa 12:9, 12.

Rrënja e problemeve të njerëzimit

Siç kemi parë deri tani, problemet e njerëzimit filluan kur çifti i parë njerëzor mëkatoi. Pasojat? Edhe pse brezat pasardhës të Adamit nuk janë përgjegjës për mëkatin e Adamit, ata prapëseprapë lindin të gjithë me mëkat, të papërsosur dhe me vdekjen si trashëgimi. Bibla shpjegon: «Ja përse, ashtu si nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»​—Romakëve 5:12.

Papërsosmëria e ka vënë pa dyshim njeriun në një pozitë të pafavorshme. Por kjo nuk e përjashton nga çdo përgjegjësi morale. Bibla tregon se ata që vendosin besimin në masat që Jehovai ka marrë për të jetuar dhe e vënë jetën e tyre në harmoni me normat e Perëndisë do të kenë miratimin e tij. I shtyrë nga dashamirësia, Jehovai mori një masë të mëshirshme për të shpenguar njerëzimin, për të riblerë, si të thuash, atë që humbi Adami. Kjo masë është flijimi shpërblyes i Birit të tij të përsosur, Jezu Krishtit, i cili tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16; 1 Korintasve 15:21, 22.

Apostulli Pavël shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë masë. Ai tha: «Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje? Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë sonë!» (Romakëve 7:24, 25) Pavli e dinte se, nëse binte në mëkat për shkak të dobësisë, ai mund të kërkonte faljen e Perëndisë mbi bazën e flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. *

Ashtu si në shekullin e parë, sot shumë veta, të cilët më parë bënin një jetë të pamoralshme ose që dukej se ishin në gjendje të pashpresë, kanë marrë njohurinë e saktë të së vërtetës biblike, kanë bërë ndryshimet e nevojshme dhe kanë perspektivën të marrin bekimet e Perëndisë. Ndryshimet që u është dashur të bëjnë nuk ishin të lehta dhe shumë vetave u duhet të luftojnë ende me prirje të dëmshme. Por me ndihmën e Perëndisë, ata janë në gjendje të mbajnë terësinë morale dhe të gjejnë gëzim duke i shërbyer atij. (Filipianët 4:13) Vëreni vetëm një shembull: rastin e një personi që bëri ndryshime rrënjësore për t’i pëlqyer Perëndisë.

Një përvojë inkurajuese

«Kur isha djalë i vogël në një shkollë me konvikt, u përfshiva në praktika homoseksuale, edhe pse asnjëherë nuk e mendoja veten si homoseksual. Prindërit ishin divorcuar dhe isha i dëshiruar për dashurinë prindërore që nuk e kisha marrë kurrë. Pasi mbarova shkollën bëra shërbimin e detyruar ushtarak. Në kazermën aty afër kishte një grup me homoseksualë. Fillova ta kisha zili mënyrën e tyre të jetesës ndaj fillova të shoqërohesha me ta. Pas një viti shoqërimi, mendoja se isha homoseksual. ‘Ja që kështu jam,​—arsyetoja,​—s’kam se si ta ndryshoj këtë gjë.

Nisa të mësoja zhargonin e homoseksualëve dhe të shkoja në klubet që frekuentonin ata, ku drogat dhe alkooli ishin sheshit. Edhe pse nga ana e jashtme dukej se gjithçka ishte shumë emocionuese dhe tërheqëse, në të vërtetë ishte e pështirë. Thellë brenda meje ndieja se kjo lloj marrëdhënieje ishte e panatyrshme dhe nuk kishte të ardhme.

Në një qytet të vogël, kalova pranë një Salle Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait ndërsa po zhvillohej një mbledhje. Hyra brenda dhe dëgjova fjalimin që fliste për kushtet e Parajsës që do të vijë. Më pas takova disa nga Dëshmitarët, të cilët më ftuan për të marrë pjesë në një asamble. Shkova dhe më befasoi shumë ajo që pashë: familje të lumtura që adhuronin së bashku. Nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët.

Fillova të vija në zbatim atë që po mësoja nga Bibla, ndonëse për mua ishte një luftë. Arrita të çlirohesha nga të gjitha praktikat e mia të papastra. Pasi studiova për 14 muaj, i dedikova jetën Jehovait dhe u pagëzova. Për herë të parë në jetën time kisha miq të vërtetë. Kam pasur mundësinë të ndihmoja njerëz të tjerë të mësonin të vërtetën nga Bibla dhe tani jam shërbëtor ndihmës në një kongregacion të krishterë. Jehovai më ka bekuar me të vërtetë.»

Ne jemi përgjegjës

Problemi nuk zgjidhet duke u përpjekur t’ua hedhim të gjithë fajin gjeneve për sjelljen tonë të gabuar. Në revistën Psychology Today vërehet se ky arsyetim, në vend që të na ndihmojë për të zgjidhur ose për t’i përballuar problemet «mund të jetë duke na mësuar që në rrënjë të shumë problemeve tona është fakti se jemi të pafuqishëm. Në vend që të bëjë të pakësohen problemet, duket se kjo gjë ka nxitur që ato të shtohen».

Është e vërtetë se duhet të luftojmë kundër forcave të mëdha kundërshtare, duke përfshirë prirjet tona mëkatare dhe përpjekjet që bën Satanai për të na shpërqendruar që të mos i bindemi Perëndisë. (1 Pjetrit 5:8) Është e vërtetë, gjithashtu, se gjenet mund të ndikojnë te ne në një mënyrë ose në një tjetër. Por patjetër nuk jemi të pafuqishëm. Të krishterët e vërtetë kanë aleatë të fuqishëm: Jehovain, Jezu Krishtin, frymën e shenjtë të Perëndisë, Fjalën e tij, Biblën dhe kongregacionin e krishterë.​—1 Timoteut 6:11, 12; 1 Gjonit 2:1.

Para se kombi i Izraelit të hynte në Tokën e Premtuar, Moisiu i kujtoi popullit përgjegjësinë që kishin para Perëndisë, duke thënë: «Të kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin; e ti duhet të zgjedhësh jetën, që të rrosh ti dhe pasardhësit e tu, duke dashur Jehovain, Perëndinë tënd, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar i lidhur ngushtë me të.» (Ligji i përtërirë 30:19, 20, BR) Ngjashëm sot, çdo individ i përgjegjshëm duhet të marrë një vendim personal nëse do t’i shërbejë Perëndisë dhe do të plotësojë kërkesat e tij. Na përket neve të zgjedhim.​—Galatasve 6:7, 8.

[Shënimet]

^ par. 10 Shih Zgjohuni! të 22 shtatorit 1996, faqet 3-8, anglisht.

^ par. 19 Shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, faqet 62-69, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 9]

A ishin Adami dhe Eva të paracaktuar të mëkatonin për shkak të ndonjë të mete në gjenet e tyre?

[Figurat në faqen 10]

A duhet që çdokush të mbajë përgjegjësinë për vendimet që merr?

[Burimi]

Narkomane: Godo-Foto

[Figura në faqen 11]

Përpjekjet për të gjetur shkaqe gjenetike për sjelljen njerëzore kanë qenë të pasuksesshme

[Figura në faqen 12]

Zbatimi i asaj që thotë Bibla mund t’i ndihmojë njerëzit e sinqertë të ndryshojnë