Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»

«Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»

«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»

«Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»

PËR Jezuin vepra kryesore ishte të predikonte dhe t’u mësonte të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Marku 1:14; Luka 8:1) Meqë ithtarët e Krishtit dëshirojnë që ta imitojnë, ata e shohin si veprën kryesore në jetën e tyre veprën për t’u mësuar të tjerëve mesazhin e Biblës për Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 6:40) Dëshmitarëve të Jehovait u ngrohet zemra kur shohin se si mesazhi i Mbretërisë u sjell freskim të vazhdueshëm atyre që e pranojnë këtë mesazh, siç ndodhi kur Jezui ishte në tokë.​—Mateu 11:28-30.

Përveç që u mësonte të tjerëve Fjalën e Perëndisë, Jezui kryente edhe vepra të tjera të mira, si për shembull, shëronte të sëmurët dhe ushqente të uriturit. (Mateu 14:14-21) Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait përmbushin veprën e tyre të mësimdhënies biblike, me vepra që ndihmojnë njerëzit nevojtarë. Në të vërtetë, Shkrimet i pajisin të krishterët «për çdo vepër të mirë» dhe i nxitin që të bëjnë «atë që është e mirë ndaj të gjithëve».​2 Timoteut 3:16, 17; Galatasve 6:10.

«Vëllezërit na u gjendën pranë»

Në shtator të vitit 1999 Tajvani u trondit nga një tërmet shkatërrimtar. Disa muaj më vonë, shira të rrëmbyeshëm dhe lumenj balte shkaktuan një nga katastrofat natyrore më të mëdha në historinë e Venezuelës. Tani, së fundi, përmbytje të mëdha shkretuan Mozambikun. Në të tria rastet, Dëshmitarët e Jehovait arritën menjëherë në vend për të ndihmuar viktimat me ushqime, ujë, ilaçe, veshmbathje, çadra dhe pajisje për të gatuar. Vullnetarë me aftësi në fushën e mjekësisë ngritën infermierí të sajuara aty për aty për të mjekuar të plagosurit dhe ata që ishin punëtorë ndërtimi ngritën shtëpi të reja për ata që kishin mbetur të pastrehë.

Viktimave u la mbresa të thella fakti që morën ndihmë në kohën e duhur. «Vëllezërit na u gjendën pranë pikërisht kur ishim shumë të dëshpëruar»,​—thotë Maljori, së cilës ia rrafshoi shtëpinë një lumë balte në Venezuelë. Pasi vullnetarët ndërtuan një shtëpi fare të re për familjen e saj, Maljori e emocionuar tha: «Nuk mund ta falënderojmë kurrë Jehovain aq sa duhet për gjithçka që ka bërë për ne!» Po ashtu, kur viktimat e përmbytjes në Mozambik morën çelësat e shtëpive të sapondërtuara, i gjithë grupi filloi të këndonte me zë të lartë këngën e Mbretërisë «Jehovai është strehimi ynë». *

Vullnetarët ndiheshin shumë të freskuar, ngaqë kishin ndihmuar njerëz në nevojë. Marseloja, i cili shërbeu si infermier në një kamp refugjatësh në Mozambik, tha: «U ndjeva i lumtur që pata mundësi të ndihmoja këta vëllezër që kishin vuajtur aq shumë.» Huangu, një vullnetar në Tajvan vërejti: «Provova një gëzim të madh kur mora pjesë në shpërndarjen e ushqimeve dhe të çadrave për vëllezërit nevojtarë. Kjo gjë më forcoi besimin.»

Një program i vullnetarëve që ka sukses

Vepra vullnetare u ka sjellë freski frymore edhe dhjetëra mijëra të burgosurve në mbarë botën. Në ç’mënyrë? Vitet e fundit, vetëm në Shtetet e Bashkuara Dëshmitarët e Jehovait u kanë dhënë literaturë biblike më shumë se 30.000 individëve të burgosur në rreth 4.000 burgje. Veç kësaj, aty ku është e mundur, Dëshmitarët vizitojnë vetë burgjet për të studiuar Biblën me të burgosurit dhe për të drejtuar mbledhjet e krishtere. A nxjerrin dobi të burgosurit?

Disa të burgosur që po studionin Biblën filluan të ndanin mësimet freskuese të Fjalës së Perëndisë me të burgosurit e tjerë. Si rrjedhim, në shumë burgje anembanë botës tani ka grupe me të burgosur që adhurojnë Jehovain së bashku. «Grupi ynë po ecën mbarë,​—raportoi një i burgosur në Oregon të SHBA-së në vitin 2001.––Ka 7 lajmëtarë të Mbretërisë dhe po drejtojmë 38 studime biblike. Më shumë se 25 veta ndjekin fjalimin publik dhe Studimin e Kullës së Rojës, gjithashtu, në Përkujtim [të vdekjes së Jezuit] ishin 39 të pranishëm. Së shpejti do të pagëzohen edhe tre veta.»

Dobitë dhe gëzimet

Funksionarët e burgjeve kanë vënë re se ky program i vullnetarëve ka sukses. Ato që u bënë më shumë përshtypje funksionarëve ishin dobitë e qëndrueshme të këtij programi të vullnetarëve. Një raport vëren: «Gjatë dhjetë vjetëve që ka vepruar ky program, asnjë nga të burgosurit e liruar, të cilët u pagëzuan në burg si Dëshmitarë të Jehovait, nuk është burgosur përsëri, në dallim kjo me ata të grupeve të tjera, 50-60 për qind e të cilëve janë kthyer në burg.» Në një letër drejtuar selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait një klerik burgu në Idaho, i nxitur nga arritjet e vullnetarëve Dëshmitarë, tha: «Edhe pse unë vetë nuk jam në një mendje me bindjet tuaja fetare, më ka bërë shumë përshtypje organizimi juaj.»

Edhe për vullnetarët ka qenë shpërblyese dhënia e ndihmës të burgosurve. Një vullnetar, pasi drejtoi një mbledhje me një grup të burgosurish, të cilët po këndonin një këngë Mbretërie për herë të parë, shkroi: «Merrje zemër teksa vëreje 28 burra që po i këndonin lavdi Jehovait dhe me sa zë të lartë që këndonin! Çfarë privilegji kisha që isha i pranishëm në një rast të tillë!» Një vullnetar, i cili viziton burgjet në Arizona tha: «Çfarë bekimi që ka qenë të merrja pjesë në këtë vepër të veçantë!»

Vullnetarët Dëshmitarë anembanë botës janë krejtësisht në një mendje me Jezuin, i cili tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Gjithashtu, e pranojnë se ndjekja e këshillës së Biblës për të bërë të mirën ndaj të gjithëve sjell vërtet freskim.​—Fjalët e urta 11:25.

[Shënimi]

^ par. 7 Shih këngën numër 11 në broshurën «Këndojini lavdi Jehovait», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 8]

Venezuelë

[Figura në faqen 8]

Tajvan

[Figura në faqen 8]

Mozambik