Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në cilat rrethana është e përshtatshme që një grua e krishterë ta ketë kokën të mbuluar për arsye frymore?

«Çdo grua që lutet ose profetizon me kokën të pambuluar, turpëron kreun e saj»,​—shkroi apostulli Pavël. Përse? Për shkak të parimit hyjnor të kryesisë: «Kreu i gruas është burri.» Normalisht lutja ose predikimi në kongregacionin e krishterë është përgjegjësia e një burri. Prandaj, kur një grua e krishterë kujdeset për gjëra që kanë të bëjnë me adhurimin e që zakonisht do të kryheshin nga burri i saj ose nga një burrë i pagëzuar, ajo duhet ta ketë kokën të mbuluar.​—1 Korintasve 11:3-10.

Rrethanat në të cilat një grua e krishterë duhet ta ketë kokën të mbuluar mund të lindin në martesë. Për shembull, kur një familje mblidhet për studimin biblik ose për të ngrënë, zakonisht burri merr drejtimin për t’i mësuar e për t’i përfaqësuar në lutje para Perëndisë. Por nëse burri është jobesimtar përgjegjësinë mund ta ketë e shoqja. Prandaj, kur lutet me zë për veten dhe për të tjerët ose kur drejton studimin biblik me fëmijët e saj në prani të të shoqit, një motër e krishterë në mënyrë të përshtatshme duhet ta ketë kokën të mbuluar. Po të mos jetë i pranishëm i shoqi, ajo s’ka pse ta mbulojë kokën, sepse është e autorizuar nga Perëndia që të mësojë fëmijët.​—Fjalët e urta 1:8; 6:20.

Po sikur një nga bijtë e saj të mitur të jetë një shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Perëndisë Jehova? Meqë djali është pjesëtar i kongregacionit të krishterë, duhet të mësohet nga pjesëtarët meshkuj të kongregacionit. (1 Timoteut 2:12) Në qoftë se djali e ka babanë besimtar, duhet të mësohet prej tij. Por nëse babai nuk është besimtar, atëherë nëna duhet ta ketë kokën të mbuluar po qe se drejton një studim biblik me djalin e pagëzuar dhe me fëmijët e tjerë. Do t’i kërkojë apo jo djalit të saj të pagëzuar që të lutet në këtë studim ose kur ulen për të ngrënë, është një vendim i saj. Ndoshta mund të mendojë se i biri nuk është ende mjaft i aftë për këtë dhe mund të vendosë ta bëjë vetë lutjen. Po të vendosë që të lutet ajo në raste të tilla, duhet ta ketë kokën të mbuluar.

Kur merr pjesë në disa veprimtari të kongregacionit, një gruaje të krishterë mund t’i duhet ta ketë kokën të mbuluar. Për shembull, në një mbledhje për shërbim në mesjavë ndoshta s’janë të pranishëm burra të pagëzuar, por vetëm motra të krishtere. Mund të ketë raste të tjera kur në një mbledhje kongregacioni nuk janë të pranishëm burra të pagëzuar. Po qe se një motre i duhet të kryejë detyra që normalisht i kryen një vëlla në një mbledhje të organizuar si kongregacion ose në një mbledhje për shërbimin në fushë, ajo duhet ta ketë kokën të mbuluar.

A duhet ta kenë kokën të mbuluar gratë e krishtere kur bëjnë përkthime me gojë ose në gjuhën e shenjave në fjalime biblike ose kur lexojnë para të tjerëve paragrafë nga një mjet për studimin e Biblës që po përdoret në një mbledhje kongregacioni? Jo. Motrat që kryejnë këto detyra nuk po drejtojnë e nuk po mësojnë të tjerët. Në mënyrë të ngjashme, nuk kërkohet që motrat ta kenë kokën të mbuluar kur bëjnë demonstrime, kur tregojnë përvoja ose kur bëjnë fjalime stërvitjeje në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

Brenda kongregacionit mësimdhënia duhet bërë nga burra të pagëzuar, kurse jashtë kongregacionit edhe burrat edhe gratë kanë përgjegjësinë që të predikojnë e të mësojnë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Prandaj, kur një grua e krishterë u flet për Fjalën e Perëndisë atyre që nuk janë Dëshmitarë, në prani të një Dëshmitari të Jehovait, nuk ka nevojë ta ketë kokën të mbuluar.

Por situata është ndryshe kur drejtohet një studim i rregullt biblik i programuar në një shtëpi dhe i pranishëm është edhe një burrë i kushtuar e i pagëzuar. Kjo është një kohë e programuar mësimdhënieje ku ai që drejton studimin duhet të udhëheqë. Në këto rrethana, studimi bëhet një shtesë e kongregacionit. Në qoftë se një Dëshmitare e pagëzuar drejton një studim të tillë në prani të një Dëshmitari të pagëzuar, me të drejtë ajo do ta ketë kokën të mbuluar, por lutjen duhet ta bëjë vëllai i kushtuar. Një motër nuk duhet të lutet në prani të një vëllai të kushtuar, në qoftë se nuk ka ndonjë arsye të jashtëzakonshme, si për shembull nëse vëllai ka humbur aftësinë fizike të të folurit.

Në ndonjë rast, një motër e krishterë mund të jetë e shoqëruar në një studim biblik nga një lajmëtar i Mbretërisë që është i papagëzuar. Në qoftë se dëshiron, ajo mund t’i kërkojë atij që ta drejtojë studimin. Por meqë ai nuk mund ta përfaqësojë siç duhet motrën e pagëzuar në lutje para Jehovait, do të ishte e përshtatshme që në studim të lutej ajo. Në qoftë se ajo drejton studimin dhe lutet, duhet ta ketë kokën të mbuluar. Edhe pse lajmëtari nuk është pagëzuar ende, ata që nuk janë Dëshmitarë e shohin si pjesë të kongregacionit për shkak të veprës së predikimit që po kryen.

«Gruaja duhet të ketë një shenjë autoriteti mbi krye, për shkak të engjëjve»,​—shkroi apostulli Pavël. Po, motrat e krishtere kanë privilegjin që të jenë shembuj të mirë për miliona engjëjt që me besnikëri vazhdojnë t’i nënshtrohen Jehovait. Sa e përshtatshme është që gratë e perëndishme t’i kushtojnë vëmendjen e duhur këtij aspekti, pra, që ta kenë kokën të mbuluar kur e kërkon rasti!

[Figurat në faqen 26]

Koka mbulohet në shenjë respekti për kryesinë