‘Më ndiqni vazhdimisht’
‘Më ndiqni vazhdimisht’
«Në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.»—1 PJETRIT 2:21.
1, 2. Përse shembulli i përsosur i Jezuit si mësues nuk është kaq i lartë, saqë të mos e imitojmë dot?
JEZU KRISHTI ishte Mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë! Për më tepër ishte i përsosur e nuk mëkatoi kurrë gjatë gjithë jetës së tij si njeri. (1 Pjetrit 2:22) Por, a do të thotë kjo se shembulli i Jezuit si mësues është tepër i lartë e ne njerëzit e papërsosur nuk e imitojmë dot? Aspak.
2 Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, baza e mësimdhënies së Jezuit ishte dashuria. Dashuria është një cilësi që të gjithë ne mund ta kultivojmë. Shpesh Fjala e Perëndisë na nxit që ta shtojmë e ta përmirësojmë dashurinë për të tjerët. (Filipianëve 1:9; Kolosianëve 3:14) Jehovai nuk pret kurrë nga krijesat e tij diçka që nuk janë në gjendje ta bëjnë. Në të vërtetë, meqë «Perëndia është dashuri» dhe na ka bërë sipas shëmbëlltyrës së tij, mund të thuhet se na ka projektuar që të tregojmë dashuri. (1 Gjonit 4:8; Zanafilla 1:27) Prandaj kur lexojmë fjalët e apostullit Pjetër që gjenden në shkrimin kryesor të artikullit, do të jemi të bindur për suksesin. Ne mund t’i ndjekim me kujdes gjurmët e Krishtit. Mund t’i bindemi vërtet urdhrit të Jezuit: ‘Më ndiqni vazhdimisht.’ (Luka 9:23) Le të shqyrtojmë se si ta imitojmë dashurinë që tregoi Krishti, së pari për të vërtetat që u mësonte të tjerëve, e pastaj për njerëzit që mësonte.
Të kultivojmë dashuri për të vërtetat që mësojmë
3. Përse disa veta e kanë të vështirë të studiojnë, por, cila thirrje gjendet te Proverbat 2:1-5?
3 Që t’i duam të vërtetat që u mësojmë të tjerëve, së pari duhet të kemi vetë dëshirë të zjarrtë për t’i mësuar këto të vërteta. Në botën e sotme, një dëshirë e tillë e zjarrtë nuk vjen gjithnjë me lehtësi. Disa faktorë, si arsimimi jo i mjaftueshëm dhe shprehitë e dobëta që kanë zhvilluar në rini, i bëjnë shumë veta që të mos u pëlqejë fare të studiojnë. Megjithatë është thelbësore që të mësojmë nga Jehovai. Te Proverbat (Fjalët e urta) 2:1-5 thuhet: «Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan si thesar brenda teje urdhërimet e mia, që me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë, për ta prirur zemrën drejt aftësisë dalluese; për më tepër, nëse i thërret kuptueshmërisë dhe nëse e ngre zërin për aftësi dalluese, nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, atëherë do të kuptosh frikën e Jehovait dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë.»—BR.
4. Çfarë do të thotë ta ‘pririm’ zemrën dhe cila pikëpamje do të na ndihmojë që ta bëjmë këtë?
4 Vini re se vargu 1 deri në vargun 4 na nxitin vazhdimisht që jo vetëm të përpiqemi ‘të pranojmë’ e ‘të ruajmë si thesar’, por edhe ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ e ‘të vazhdojmë të rrëmojmë’. Mirëpo, çfarë duhet të na motivojë që të bëjmë gjithë këtë? Po ja, vini re shprehjen «për ta prirur zemrën drejt aftësisë dalluese». Një vepër referimi thotë se kjo thirrje «nuk është një thirrje vetëm për të kushtuar vëmendje; është një kërkesë për të pasur një qëndrim të caktuar, domethënë një interes të zjarrtë për t’i marrë këto mësime». Por, çfarë na bën që të jemi të interesuar e të gatshëm për të mësuar atë që na thotë Jehovai? Pikëpamja që kemi. Duhet ta vlerësojmë «njohurinë e Perëndisë» si ‘argjend’ dhe si «thesare të fshehura».
5, 6. (a) Çfarë mund të ndodhë me kalimin e kohës dhe si ta parandalojmë këtë? (b) Përse duhet të vazhdojmë ta shtojmë thesarin e njohurisë që kemi gjetur në Bibël?
5 Nuk është e vështirë të fitohet një pikëpamje të tillë. Për shembull, ‘njohuria e Perëndisë’ që keni marrë, me siguri përfshin të vërtetën se Jehovai ka si qëllim që njerëzimi besnik të jetojë përgjithmonë në Parajsën në tokë. (Psalmi 37:28, 29) Kur e mësuat fillimisht këtë të vërtetë, pa dyshim e vlerësuat tamam si një thesar, një njohuri që jua mbushi mendjen dhe zemrën me shpresë e gëzim. Po tani? Me kalimin e kohës, a ju është zbehur ose pakësuar çmueshmëria për këtë thesar? Atëherë, provoni të bëni dy gjëra. Së pari, përtërijeni çmueshmërinë që keni, domethënë, freskojeni mendjen duke kujtuar herë pas here përse e vlerësoni çdo të vërtetë që ju ka mësuar Jehovai, madje edhe ato të vërteta që i keni mësuar shumë vjet më parë.
6 Së dyti, vazhdoni ta shtoni këtë thesar që keni. Në fund të fundit, sikur t’ju ndodhte që duke gërmuar të gjenit një gur të çmuar, a do ta futnit në xhep e të iknit të kënaqur? Apo do të vazhdonit të gërmonit për të parë se mos kishte të tjerë? Fjala e Perëndisë është plot me të vërteta të çmuara që janë si xhevahire dhe copa argjendi. Pavarësisht se sa të tilla keni gjetur, mund të gjeni gjithnjë e më shumë. (Romakëve 11:33) Kur zbuloni një aspekt të ri të një të vërtete, pyetni veten: ‘Përse është një thesar? A më jep gjykim më të thellë për personalitetin ose qëllimet e Jehovait? A më jep ndonjë drejtim praktik që do të më ndihmojë të ndjek gjurmët e Jezuit?’ Meditimi për këto pyetje do t’ju ndihmojë që ta shtoni dashurinë për të vërtetat që ju ka mësuar Jehovai.
Të tregojmë dashuri për të vërtetat që u mësojmë të tjerëve
7, 8. Në cilat mënyra mund t’u tregojmë të tjerëve se i duam të vërtetat që kemi mësuar nga Bibla? Jepni një shembull.
7 Kur mësojmë të tjerët, si mund ta tregojmë se i duam të vërtetat që ne vetë i kemi mësuar nga Fjala e Perëndisë? Duke ndjekur shembullin e Jezuit, mbështetemi shumë te Bibla kur predikojmë dhe mësojmë të tjerët. Kohët e fundit, populli i Perëndisë anembanë botës është nxitur që ta përdorë më shumë Biblën në shërbimin publik. Duke zbatuar këtë sugjerim, kërkoni mënyra për t’i bërë të ditur të zotit të shtëpisë se ju vetë e vlerësoni atë që po i lexoni nga Bibla.—Mateu 13:52.
8 Për shembull, në periudhën që pasoi sulmin terrorist të vitit të kaluar në qytetin e Nju-Jorkut, një motër e krishterë u lexonte njerëzve që takonte në shërbim Psalmin 46:1, 11. Në fillim i pyeste se si po ia kalonin pas tragjedisë. E dëgjonte me vëmendje përgjigjen e tyre, u jepte të drejtë dhe më pas thoshte: «A mund t’ju lexoj një shkrim që mua më ka ngushëlluar vërtet gjatë kësaj periudhe të vështirë?» Ata që s’pranonin ishin shumë pak, kurse me të tjerët u filluan shumë biseda të bukura. Kur flet me të rinjtë, po kjo motër shpesh thotë: «Po bëhen gati 50 vjet që u mësoj të tjerëve Biblën dhe, a e dini çfarë? Nuk kam hasur kurrë as edhe një problem që ky libër të mos më ketë ndihmuar ta zgjidh.» Duke qenë të sinqertë dhe entuziastë, u tregojmë njerëzve se e vlerësojmë dhe e duam atë që kemi mësuar nga Fjala e Perëndisë.—Psalmi 119:97, 105.
9, 10. Përse është e rëndësishme të përdorim Biblën kur u përgjigjemi pyetjeve lidhur me bindjet tona?
9 Kur njerëzit na bëjnë pyetje për bindjet tona, kemi një mundësi ideale për të treguar se e duam Fjalën e Perëndisë. Duke ndjekur shembullin e Jezuit, nuk i bazojmë përgjigjet në idetë tona. Fjalët e urta 3:5, 6) Përdorim Biblën për t’u përgjigjur. A keni frikë se mos ndokush ju bën një pyetje që s’do të dini t’i përgjigjeni? Shqyrtoni dy hapa pozitivë për të bërë.
(10 Bëni ç’të mundni për të qenë të përgatitur. Apostulli Pjetër shkroi: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën që është në ju, por duke e bërë këtë bashkë me frymë butësie dhe respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:15) A jeni gati për t’i mbrojtur bindjet tuaja? Për shembull, nëse dikush kërkon të dijë përse nuk merrni pjesë në ndonjë traditë ose praktikë jobiblike, mos u mjaftoni vetëm duke thënë «feja ime nuk e pranon». Një përgjigje e tillë ndoshta do të jepte përshtypjen se ju i lejoni të tjerët të marrin vendime në vendin tuaj dhe se duhet të jeni anëtar i ndonjë sekti të rrezikshëm. Ndoshta më mirë të thoni «Fjala e Perëndisë, Bibla, e ndalon» ose «do t’i shkaktonte pakënaqësi Perëndisë tim». Pastaj jepni një shpjegim të arsyeshëm përse është kështu.—Romakëve 12:1.
11. Cili mjet për kërkime na ndihmojë që të jemi gati t’u përgjigjemi pyetjeve për të vërtetat e Fjalës së Perëndisë?
11 Në rast se mendoni se nuk jeni të përgatitur, përse të mos kaloni ca kohë duke studiuar Tema për biseda biblike, që gjendet në fund të Shkrimeve të Krishtere Greke, Përkthimi Bota e Re? Zgjidhni disa tema për të cilat ju duket se njerëzit mund të kenë pyetje dhe ngulitni në mendje disa shkrime biblike që japin përgjigjet. Mbajeni me vete këtë Bibël ku ndodhet pjesa Tema për biseda biblike. Mos ngurroni ta përdorni dhe thoni se keni një mjet për të bërë kërkime, të cilin ju pëlqen ta përdorni për të gjetur përgjigjen e Biblës për pyetjet.
12. Çfarë të themi, po qe se nuk e dimë përgjigjen e një pyetjeje biblike?
12 Përpiquni të mos shqetësoheni pa qenë nevoja. Asnjë njeri i papërsosur s’mund t’i ketë përgjigjet për çdo gjë. Prandaj, kur ju bëjnë ndonjë pyetje biblike që s’dini t’i përgjigjeni, provoni ndoshta të thoni kështu: «Ju falënderoj që bëtë këtë pyetje interesante. Që të jem i ndershëm, përgjigjen nuk e di, por jam i sigurt se Bibla flet për këtë çështje. Më pëlqen shumë të bëj kërkime në Bibël, prandaj do të bëj kërkime për pyetjen tuaj dhe do të vij përsëri.» Kjo përgjigje e ndershme dhe modeste fare mirë mund t’u hapë rrugën bisedave të mëtejshme.—Fjalët e urta 11:2.
Dashuri për njerëzit që mësojmë
13. Përse duhet të mbajmë një pikëpamje pozitive ndaj atyre që u predikojmë?
13 Jezui tregonte dashuri për njerëzit që mësonte. Si ta imitojmë në këtë drejtim? Nuk duhet të bëhemi kurrë të pandjeshëm ndaj njerëzve që na rrethojnë. Kuptohet, ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’ është gjithnjë e më afër dhe miliarda njerëz do të shkatërrohen. (Zbulesa 16:14; Jeremia 25:33) Por ne nuk e dimë se kush do të jetojë e kush do të vdesë. Ky gjykim do të ndodhë në të ardhmen dhe i përket atij që ka caktuar Jehovai, domethënë Jezu Krishtit. Derisa të bëhet ai gjykim, çdo individ e shohim si një njeri që ka mundësi të bëhet shërbëtor i Jehovait.—Mateu 19:24-26; 25:31-33; Veprat 17:31.
14. (a) Si të bëjmë një vetëshqyrtim nëse përpiqemi t’i kuptojmë ato që po kalojnë njerëzit? (b) Në cilat mënyra praktike mund të tregojmë kuptueshmëri dhe interes individual për të tjerët?
14 Atëherë, si Jezui, përpiqemi të kuptojmë se çfarë po kalojnë njerëzit. Mund të pyesim veten: ‘A më dhimbsen njerëzit që janë mashtruar nga gënjeshtrat dinake dhe nga mashtrimet e elementëve fetarë, politikë e tregtarë të kësaj bote? Nëse duken mospërfillës ndaj mesazhit që u japim, a përpiqem të kuptoj përse janë kështu? A e pranoj se edhe unë ose të tjerë që tani po i shërbejnë me besnikëri Jehovait, dikur ndiheshim kështu? A e kam përshtatur mënyrën e predikimit në përputhje me këtë? Apo i vë këta njerëz në një kategori, duke i gjykuar si të pashpresë?’ (Zbulesa 12:9) Kur njerëzit shohin se sinqerisht po përpiqemi t’i kuptojmë si ndihen, ka më shumë të ngjarë që t’i përgjigjen mesazhit tonë. (1 Pjetrit 3:8) Kjo kuptueshmëri për ndjenjat e njerëzve mund të na shtyjë edhe që t’u tregojmë më shumë interes atyre që takojmë në shërbim. Ndoshta të vërejmë se çfarë pyetjesh bëjnë dhe çfarë shqetësimesh kanë. Kur kthehemi, mund t’u themi që kemi menduar për komentet që kanë bërë ata kur i vizituam më parë. E po të kenë ndonjë nevojë të ngutshme, ndoshta mund të japim ndihmë edhe nga ana praktike.
15. Përse duhet të kërkojmë të gjejmë anët e mira te njerëzit dhe si ta bëjmë këtë?
15 Ashtu si Jezui, kërkojmë të gjejmë anët e mira te njerëzit. Ndoshta një nënë e vetme po bën përpjekje të admirueshme për të rritur fëmijët e saj. Një burrë po punon fort për të mbajtur familjen. Një i moshuar ose e moshuar tregon interes për gjërat frymore. A i vëmë re këta faktorë te njerëzit që takojmë dhe a i lavdërojmë për këtë? Duke bërë kështu, po nxjerrim në pah interesat e përbashkëta që kemi dhe kjo mund të hapë rrugën që të japim dëshmi për Mbretërinë.—Veprat 26:2, 3.
Përulësia është thelbësore për të treguar dashuri
16. Përse është e rëndësishme të jemi të butë e të tregojmë respekt ndaj atyre të cilëve u predikojmë?
16 Dashuria për njerëzit që mësojmë do të na motivojë që t’i vëmë veshin paralajmërimit të mençur të Biblës: «Njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.» (1 Korintasve 8:1) Jezui kishte njohuri të thellë, por nuk ishte kurrë fodull. Prandaj, kur u flitni të tjerëve për bindjet tuaja, përpiquni të mos keni një ton debatues ose një qëndrim sikur ju jeni më lart. Synimi ynë është të prekim zemrat dhe t’i tërheqim njerëzit drejt të vërtetave që i duam shumë. (Kolosianëve 4:6) Mos harroni se kur Pjetri i këshilloi të krishterët që të jenë gati të paraqitin një mbrojtje, përfshiu edhe përkujtuesin që këtë ta bëjmë «bashkë me frymë butësie dhe respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:15) Po të jemi të butë e të tregojmë respekt, ka më shumë të ngjarë t’i tërheqim njerëzit te Perëndia të cilit i shërbejmë.
17, 18. (a) Si duhet të reagojmë ndaj qëndrimeve kritike lidhur me kualifikimet tona si shërbëtorë? (b) Përse për studentët e Biblës nuk është thelbësore të kenë njohuri për gjuhët e lashta biblike?
17 S’ka nevojë t’u bëjmë përshtypje njerëzve me njohurinë ose me arsimimin që kemi. Në qoftë se disa në territorin tuaj nuk duan t’i dëgjojnë ata që nuk kanë ndonjë diplomë universiteti ose ndonjë titull, mos lejoni që qëndrimi i tyre t’ju shkurajojë. Jezui nuk ia vuri veshin kundërshtimit se nuk kishte ndjekur shkollat e nderuara rabinike të kohës së tij. As nuk u lëshoi rrugë paragjykimeve të përhapura duke u përpjekur t’u bënte përshtypje njerëzve me njohurinë e madhe që kishte.—Gjoni 7:15.
18 Për shërbëtorët e krishterë përulësia dhe dashuria janë shumë më të rëndësishme se shkollimi që kanë. Është Mësuesi i Madh, Jehovai, ai që na kualifikon për shërbimin. (2 Korintasve 3:5, 6) E pavarësisht nga ajo që thonë disa klerikë të të ashtuquajturit krishterim, nuk kemi nevojë të mësojmë gjuhët e lashta biblike për t’u bërë mësues të Fjalës së Perëndisë. Jehovai e frymëzoi Biblën që të shkruhej në një mënyrë kaq të qartë e konkrete, saqë praktikisht kushdo mund t’i kuptojë të vërtetat e çmuara që përmban. Këto të vërteta mbeten të pandryshueshme edhe kur përkthehen në qindra e qindra gjuhë. Prandaj, edhe pse ndonjëherë mund të jetë e dobishme, njohja e gjuhëve të lashta nuk është thelbësore. Për më tepër, krenaria se ka aftësi gjuhësore mund ta bëjë dikë që të humbasë një cilësi që është thelbësore për të krishterët e vërtetë: gatishmërinë për të mësuar.—1 Timoteut 6:4.
19. Në ç’kuptim vepra jonë e krishterë është një shërbim që u bëjmë të tjerëve?
19 S’ka asnjë dyshim se shërbimi ynë i krishterë është një vepër që kërkon qëndrim të përulur. Vazhdimisht gjendemi përballë kundërshtimit, mospërfilljes e madje edhe përndjekjes. (Gjoni 15:20) Megjithatë, duke e kryer me besnikëri shërbimin, jemi duke bërë një vepër jetësore. Në qoftë se vazhdojmë t’u shërbejmë me përulësi të tjerëve në këtë vepër, po imitojmë dashurinë që tregoi Jezu Krishti ndaj njerëzve. Mendoni për këtë: sikur të na duhej t’u predikonim një mijë njerëzve mospërfillës ose kundërshtarë për të arritur te një individ i vetëm ngjashëm deleve, a nuk do t’ia vlente barra qiranë? Patjetër që po! Prandaj, duke ngulmuar në veprën që bëjmë e duke mos u dorëzuar kurrë, po u shërbejmë me besnikëri njerëzve ngjashëm deleve që s’i kemi gjetur ende. Pa dyshim, Jehovai dhe Jezui do të sigurohen që shumë individë të tjerë të çmuar të gjenden dhe të ndihmohen para se të vijë fundi.—Hagai (Hageu) 2:7.
20. Në cilat mënyra mund të mësojmë të tjerët me shembullin tonë?
20 Të mësojmë me anë të shembullit tonë është një mënyrë tjetër se si e tregojmë gatishmërinë për t’u shërbyer të tjerëve. Për shembull, duam t’u mësojmë njerëzve se t’i shërbesh Jehovait, ‘Perëndisë së lumtur’, është mënyra më e mirë dhe më e kënaqshme e të jetuarit. (1 Timoteut 1:11) Kur vënë re sjelljen tonë dhe mënyrën se si i trajtojmë fqinjët, shokët e shkollës dhe shokët e punës, a e shohin ata që ne jemi të lumtur e të kënaqur? Po ashtu, ne u mësojmë studentëve të Biblës se kongregacioni i krishterë është një oazë me dashuri në një botë të pandjeshme e të egër. Por, a arrijnë ta shohin menjëherë studentët tanë se ne i duam të gjithë në kongregacion dhe punojmë shumë për të ruajtur paqen me njëri-tjetrin?—1 Pjetrit 4:8.
21, 22. (a) Cilat mundësi hapen para nesh, nëse bëjmë një vetëshqyrtim lidhur me shërbimin? (b) Çfarë do të trajtohet në artikujt e numrit vijues të Kullës së Rojës?
21 Qëndrimi i gatshëm që kemi ndaj shërbimit nganjëherë mund të na motivojë që të bëjmë një vetëshqyrtim. Duke bërë këtë me ndershmëri, shumë veta shohin se kanë mundësi ta zgjerojnë shërbimin e tyre, duke ndërmarrë shërbimin e plotkohor ose duke u transferuar për të shërbyer aty ku ka më shumë nevojë. Të tjerë kanë vendosur të mësojnë një gjuhë të huaj, për të shërbyer në një komunitet emigrantësh që po zgjerohet në vendin e tyre. Në qoftë se keni ndonjë nga këto mundësi, mendoni për këtë me kujdes dhe duke u lutur. Jeta në shërbim të sjell shumë gëzim, kënaqësi dhe paqe mendore.—Predikuesi (Eklisiastiu) 5:12.
22 Le të vazhdojmë me çdo mënyrë të imitojmë Jezu Krishtin, duke zhvilluar dashurinë për të vërtetat që u mësojmë të tjerëve dhe për njerëzit që mësojmë! Të zhvillojmë dhe të shfaqim dashuri në këto dy drejtime do të na ndihmojë që të hedhim një themel të mirë për të qenë mësues ngjashëm Krishtit. Por, si të ndërtojmë mbi këtë themel? Në numrin vijues të Kullës së Rojës, do të ketë një seri artikujsh që do të trajtojnë disa nga metodat specifike të mësimdhënies që përdori Jezui.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’siguri kemi se shembulli i Jezuit si mësues nuk është kaq i lartë, saqë të mos e imitojmë dot?
• Si mund të tregojmë se i duam të vërtetat që kemi mësuar nga Bibla?
• Përse është e rëndësishme të vazhdojmë të jemi të përulur ndërsa rritemi në njohuri?
• Në cilat mënyra mund të tregojmë dashuri për njerëzit që përpiqemi të mësojmë?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 16]
Bëj ç’të mundesh për të qenë i përgatitur
[Figurat në faqet 16, 17]
Në qoftë se e quan thesar «njohurinë e Perëndisë» mund ta përdorësh me efektshmëri Biblën
[Figura në faqen 18]
Tregojmë dashuri për njerëzit duke u dhënë lajmin e mirë