«Kundërvijuni Djallit»
«Kundërvijuni Djallit»
«Kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju.»—JAKOVIT 4:7.
1. Ç’mund të thuhet për botën e tanishme dhe pse duhet të jenë vigjilentë të mirosurit dhe shokët e tyre?
«PERËNDIA është zhdukur, kurse Djalli mbetet ende.» Këto fjalë të autorit francez Andre Malro mund të zbatohen fare mirë për botën në të cilën jetojmë. Duket qartë se veprimet e njerëzve pasqyrojnë më shumë dinakërinë e Djallit, sesa vullnetin e Perëndisë. Satanai po i mashtron njerëzit «me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim të padrejtë për ata që po marrin fund». (2 Selanikasve 2:9, 10) Gjithsesi, në këto ‘ditë të fundit’ Satanai po i përqendron përpjekjet e tij te shërbëtorët që i janë kushtuar Perëndisë, duke bërë luftë kundër të krishterëve të mirosur, «të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (2 Timoteut 3:1; Zbulesa 12:9, 17) Këta Dëshmitarë bashkë me shokët e tyre të cilët kanë shpresë tokësore duhet të jenë vigjilentë.
2. Si e joshi Satanai Evën dhe cilën frikë shprehu apostulli Pavël?
2 Satanai është mashtrues kokë e këmbë. Duke përdorur gjarprin si maskim, ai e mashtroi Evën duke e bërë që të mendonte se do të ishte më e lumtur po të vepronte e pavarur nga Perëndia. (Zanafilla 3:1-6) Rreth katër mijë vjet më vonë, apostulli Pavël shprehu frikën e tij se mos të krishterët e mirosur në Korint binin viktima të dinakërisë së Satanait. Pavli shkroi: «Kam frikë se mos, ashtu sikurse gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, mendjet tuaja korruptohen në ndonjë mënyrë, duke u larguar nga sinqeriteti dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit.» (2 Korintasve 11:3) Satanai ua korrupton mendjen njerëzve dhe ua shtrembëron mënyrën e të menduarit. Ashtu sikurse joshi Evën, ai mund t’i bëjë të krishterët të arsyetojnë në mënyrë të gabuar dhe të mendojnë se lumturia e tyre varet nga diçka që Jehovai dhe Biri i tij nuk e miratojnë.
3. Cilën mbrojtje nga Djalli siguron Jehovai?
3 Satanai mund të krahasohet me një gjahtar zogjsh, i cili vendos gracka për të kapur viktimat që nuk dyshojnë për asgjë. Për të shmangur grackat e Satanait, duhet ‘të gjejmë strehë nën hijen e të Plotfuqishmit’, një vend mbrojtjeje të figurshëm që siguron Jehovai për ata që e pranojnë sovranitetin e tij universal në gjithçka që bëjnë. (Psalmi 91:1-3, BR) Na duhet e gjithë mbrojtja që siguron Perëndia nëpërmjet Fjalës së tij, frymës së tij dhe organizatës së tij, në mënyrë që ‘të jemi në gjendje të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’. (Efesianëve 6:11) Fjala greke e përdorur për ‘intriga’ mund të përkthehet edhe «vepra dinake» ose «dredhi». S’ka dyshim se Djalli përdor shumë dredhi dhe vepra dinake duke u përpjekur të zërë në grackë shërbëtorët e Jehovait.
Gracka që ngriti Satanai për të krishterët e hershëm
4. Në ç’lloj bote jetonin të krishterët e hershëm?
4 Të krishterët e shekullit të parë dhe të dytë të e.s. jetuan në një periudhë kohore kur Perandoria Romake ishte në kulmin e shkëlqimit të saj. Paqja Romake (Pax Romana) bëri të mundur lulëzimin e tregtisë. Kjo begati solli si pasojë shumë kohë të lirë për klasën sunduese dhe sundimtarët morën masa që popullsia të kishte zbavitje me shumicë, që të mos u shkonte mendja për kryengritje. Pati disa periudha kur festat publike ishin po aq sa edhe ditët e punës. Udhëheqësit i përdornin fondet publike për t’u dhënë njerëzve ushqim e zbavitje, duke ua mbushur barkun plot dhe duke ua mbajtur mendjen të shpërqendruar.
5, 6. (a) Pse ishte e papërshtatshme që të krishterët të frekuentonin teatrot dhe amfiteatrot romake? (b) Cilën taktikë përdorte Satanai dhe si mund ta shmangnin të krishterët atë?
5 A përbënte rrezik për të krishterët e hershëm kjo gjendje? Duke gjykuar nga paralajmërimet që shkruan shkrimtarët e hershëm të periudhës pas apostujve, siç ishte Tertuliani, shumica e aktiviteteve që bëheshin atëherë, gjatë kohës së lirë, ishin të mbushura me rreziqe frymore e morale për të krishterët e vërtetë. Pikësëpari, shumica e festave dhe e lojërave popullore mbaheshin për nder të perëndive pagane. (2 Korintasve 6:14-18) Nëpër teatro, shumica e pjesëve teatrale klasike ishin ose të mbushura me imoralitet, ose plot me dhunë e gjakderdhje. Me kalimin e kohës, masat nuk i pëlqenin më pjesët klasike, prandaj këto u zëvendësuan me pantomima të ndyra. Në librin e tij Daily Life in Ancient Rome (Jeta e përditshme në Romën e lashtë), historiani Zherom Karkopino thotë: «Në këto shfaqje, aktoret lejoheshin që të zhvisheshin krejt . . . Derdhej gjak pa kursim. . . . [Farsa] zbriste deri në thellësitë e zvetënimit që kishte pushtuar popullsinë e kryeqytetit. Njerëzit nuk neveriteshin nga këto shfaqje, sepse kasaphanat tronditëse të amfiteatrit ua kishin mpirë me kohë ndjenjat dhe ua kishin çoroditur instinktet.»—Mateu 5:27, 28.
6 Nëpër amfiteatro, gladiatorët luftonin deri në vdekje me njëri-tjetrin ose luftonin me kafshë të egra, duke i vrarë ose duke u vrarë prej tyre. Kriminelët e dënuar dhe më vonë edhe shumë të krishterë u hidheshin bishave të egra. Edhe në ato kohë të hershme, taktika e Satanait ishte që t’ua mpinte njerëzve ndjenjën e neverisë ndaj imoralitetit e dhunës, derisa këto gjëra të bëheshin të zakonshme dhe të kërkuara nga popullsia. E vetmja mënyrë për të mos rënë në këtë grackë ishte qëndrimi larg teatrove dhe amfiteatrove.—1 Korintasve 15:32, 33.
7, 8. (a) Pse nuk do të kishte qenë e mençur nga ana e një të krishteri të ndiqte garat me qerre? (b) Si mund t’i ketë përdorur Satanai banjat romake për të zënë në grackë të krishterët?
7 Garat me qerre që zhvilloheshin në arena shumë të mëdha me formë të stërgjatë ishin pa dyshim shumë entuziazmuese, por ishin të papranueshme për të krishterët, sepse turmat shpesh bëheshin të dhunshme. Një shkrimtar i shekullit të tretë raportonte se disa spektatorë arrinin deri në grushta, kurse Karkopinoja thotë se «astrologët dhe prostitutat kishin vendin e tyre të punës» poshtë harqeve të ndërtesës së arenës. Është e qartë se arena romake nuk ishte vend për të krishterët.—8 Ç’të themi për banjat e famshme romake? Sigurisht që s’kishte asgjë të gabuar që njerëzit të laheshin për të qenë të pastër. Por shumë nga banjat romake ishin ndërtesa të stërmëdha që përfshinin dhoma masazhi, palestra, dhoma për të luajtur bixhoz dhe vende për të ngrënë e për të pirë. Ndonëse në teori burrat e gratë kishin orare të caktuara për të përdorur banjat, shpesh toleroheshin banjat e përbashkëta. Klementi i Aleksandrisë shkroi: «Banjat mund të përdoren pa dallim si nga burrat, edhe nga gratë; atje zhvishen lakuriq për t’u dhënë pas kënaqësive të shfrenuara.» Kështu, një institucion publik legjitim mund të jetë përdorur me lehtësi nga Satanai si kurth për të krishterët. Ata që ishin të mençur nuk shkonin nëpër këto vende.
9. Cilat gracka duhej të shmangnin të krishterët e hershëm?
9 Në periudhën kur Perandoria Romake ishte në kulmin e shkëlqimit të saj, në popull bixhozi ishte një nga aktivitetet e preferuara për të kaluar kohën. Të krishterët e hershëm mund t’i shmangnin bastet që bëheshin për garat me qerre thjesht duke qëndruar larg arenave. Veç kësaj, edhe në dhomat e prapme të haneve dhe të tavernave, në mënyrë të paligjshme, luhej bixhoz në një mënyrë jo aq të bujshme. Lojtarët vinin baste për numrin tek ose çift të guralecëve a të kockave që mbante në dorë lojtari tjetër. Bixhozi u jepte gjallëri në jetë njerëzve, sepse u jepte shpresën për të fituar para me lehtësi. (Efesianëve 5:5) Për më tepër, në këto vende ku shërbehej për të pirë, shërbyeset ishin shpesh prostituta, dhe kjo shtonte rrezikun e imoralitetit. Këto ishin vetëm disa nga grackat që kishte ngritur Satanai për të krishterët që jetonin në qytetet e Perandorisë Romake. A janë shumë të ndryshme gjërat sot?
Grackat e Satanait sot
10. Si ngjan situata sot me kushtet që mbizotëronin në Perandorinë Romake?
10 Në përgjithësi, dredhitë e Satanait nuk kanë ndryshuar gjatë shekujve. Apostulli Pavël u dha këshilla të forta të krishterëve që jetonin në qytetin e korruptuar të Korintit, me qëllim që ‘të mos ua hidhte Satanai’. Ai tha: «Nuk jemi në padije të intrigave të [Satanait].» (2 Korintasve 2:11) Në shumë vende të zhvilluara, gjendja sot është e ngjashme me atë që mbizotëronte në Perandorinë Romake kur ishte në kulmin e shkëlqimit të saj. Shumë njerëz kanë më tepër kohë të lirë se kurrë më parë. Lotaritë shtetërore u japin edhe të varfërve një fije shprese. Ka me bollëk zbavitje me çmim të lirë për t’ua mbajtur të zënë mendjen njerëzve. Stadiumet janë plot e përplot dhe njerëzit vënë baste. Disa herë turmat bëhen të dhunshme dhe shpesh të tillë bëhen edhe lojtarët. Njerëzit dëgjojnë ngado muzikë degraduese dhe nëpër skena teatri, nëpër kinema dhe ekrane televizori paraqiten shfaqje të ndyra. Në disa vende janë shumë të përhapura banjat e përbashkëta nëpër banjat me avull dhe ujërat termale, për të mos përmendur plazhet e nudistëve në disa bregdete. Pikërisht ashtu si në shekujt e parë të krishterimit, Satanai përpiqet t’i joshë shërbëtorët e Perëndisë duke përdorur aktivitetet e kohës së lirë në botë.
11. Çfarë gracke gjendet në dëshirën për t’u çlodhur dhe për të kaluar ca kohë të lirë?
11 Në një botë ku stresi është gjë e zakonshme, është normale të ndiejmë nevojën për t’u çlodhur ose për t’u larguar nga rutina e përditshme. Megjithatë, ashtu si banjat romake që kishin disa veçori shumë të rrezikshme për të krishterët e hershëm, disa vende pushimi dhe pika turistike kanë dalë se janë një grackë që Satanai e ka përdorur për t’i çuar të krishterët e sotëm në imoralitet ose në pirje të tepruar. Pavli u shkroi të krishterëve në Korint: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme. Bëhuni esëll sipas drejtësisë dhe mos praktikoni mëkatin, sepse disa janë pa njohurinë e Perëndisë.»—1 Korintasve 15:33, 34.
12. Cilat janë disa dredhi që përdor Satanai për të zënë në grackë shërbëtorët e Jehovait sot?
12 E kemi parë në rastin e Evës se si Satanai përdori dinakërinë për t’i korruptuar asaj mënyrën e të menduarit. (2 Korintasve 11:3) Sot, një nga grackat e Djallit është që t’i shtyjë Dëshmitarët e Jehovait të mendojmë se po të bëjnë çmos për të treguar se janë si gjithë njerëzit e tjerë, do t’ia dalin mbanë të tërheqin disa drejt së vërtetës së krishterë. Nganjëherë këta që mendojnë kështu shkojnë tepër larg dhe në të vërtetë ndodh e kundërta. (Hageu 2:12-14) Një dredhi tjetër e Satanait është t’i nxitë të krishterët e kushtuar, të rinj e të rritur, që të bëjnë një jetë të dyfishtë dhe ‘të hidhërojnë frymën e shenjtë të Perëndisë’. (Efesianëve 4:30) Disa kanë rënë në këtë grackë duke abuzuar me Internetin.
13. Cila grackë e fshehtë është një nga veprat dinake të Djallit dhe cila këshillë në librin e Fjalëve të urta është me vend në këtë rast?
13 Një grackë tjetër e Satanait është okultizmi në dukje i padëmshëm. Asnjë i krishterë i vërtetë nuk do të interesohej me dashje për satanizmin ose për spiritizmin. Mirëpo, disa pa dashje e ulin vigjilencën kur bëhet fjalë për filmat, serialet televizive, videolojërat e madje edhe librat e fëmijëve dhe librat me diçitura e figura, të cilët theksojnë dhunën ose praktikat e mistershme. Duhet të shmangim çdo gjë që ka qoftë edhe një gjurmë të okultizmit. Një proverb i mençur thotë: «Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.» (Fjalët e urta [Proverbat] 22:5) Meqë Satanai është «perëndia i këtij sistemi», çdo gjë që është shumë e përhapur mund të fshehë ndoshta një nga grackat e tij.—2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 2:15, 16.
Jezui iu kundërvu Djallit
14. Si i rezistoi Jezui tundimit të parë nga Djalli?
14 Jezui la një shembull të shkëlqyer duke iu kundërvënë Djallit e duke e bërë që të largohej prej tij. Pasi Jezui u pagëzua dhe agjëroi për 40 ditë, Satanai e tundoi. (Mateu 4:1-11) Me tundimin e parë ai u përpoq të përdorte urinë e natyrshme që ndiente Jezui pasi kishte agjëruar. Satanai i tha Jezuit që të bënte mrekullinë e tij të parë për të plotësuar një nevojë fizike. Duke cituar Ligjin e përtërirë 8:3, Jezui nuk pranoi ta përdorte në mënyrë egoiste fuqinë e tij dhe e vuri ushqimin frymor para ushqimit fizik.
15. (a) Cilën dëshirë të natyrshme shfrytëzoi Satanai për ta tunduar Jezuin? (b) Cili është sot një nga mjetet kryesore dinake që përdor Djalli kundër shërbëtorëve të Perëndisë, por si mund t’i kundërvihemi Djallit?
15 Është interesante të mendojmë, për sa i përket këtij tundimi, se Djalli nuk u përpoq ta shtynte Jezuin që të kryente një mëkat nga ana seksuale. Uria, e cila natyrshëm sjell dëshirën për ushqim, dukej se ishte dëshira më e fortë fizike që ai mund të përdorte në këtë rast për të tunduar Jezuin. Çfarë tundimesh përdor sot Djalli për të joshur popullin e Perëndisë? Tundimet janë të shumta e të ndryshme, por ai po përdor tundimet seksuale si një nga veprat kryesore dinake për të thyer besnikërinë e popullit të Jehovait. Duke imituar Jezuin mund t’i kundërvihemi Djallit dhe t’u rezistojmë tundimeve. Ashtu si i prishi Jezui planet e Satanait, duke rikujtuar shkrimet e duhura, kur tundohemi ne mund të rikujtojmë shkrime të tilla, si Zanafilla 39:9 dhe 1 Korintasve 6:18.
16. (a) Si e tundoi për herë të dytë Satanai Jezuin? (b) Në cilat mënyra mund të përpiqet të na tundojë Satanai që ta vëmë në provë Jehovain?
16 Më pas, Djalli e sfidoi Jezuin që të hidhej nga muri i tempullit dhe të vinte në provë aftësinë e Perëndisë për ta mbrojtur me anë të engjëjve të Tij. Duke cituar Ligjin e përtërirë 6:16, Jezui nuk pranoi ta vinte në provë Atin e tij. Ndoshta Satanai nuk do të na tundojë që të hidhemi nga ndonjë beden tempulli, por mund të na tundojë që ta vëmë në provë Jehovain. A tundohemi të provojmë se deri në ç’pikë mund të imitojmë trillet e botës në mënyrën si vishemi dhe rregullohemi, pa arritur që të na këshillojnë? A tundohemi nga zbavitje që janë të diskutueshme për një të krishterë? Atëherë mund të jemi duke e vënë në provë Jehovain. Në qoftë se kemi prirje të tilla, në vend që të largohet prej nesh, Satanai mund të qëndrojë, duke u përpjekur pa pushim të na joshë që të marrim anën e tij.
17. (a) Si e tundoi Djalli Jezuin për herë të tretë? (b) Si mund të dalë i vërtetë Jakovit 4:7 për ne?
17 Kur Satanai i ofroi Jezuit gjithë mbretëritë e botës në këmbim të një akti të vetëm adhurimi, Jezui përsëri iu kundërvu duke cituar nga Shkrimet, duke qëndruar me vendosmëri në anën e adhurimit të plotë të Atit të tij. (Ligji i përtërirë 5:9; 6:13; 10:20) Ndoshta Satanai nuk do të na ofrojë neve mbretëritë e botës, por na tundon vazhdimisht me vezullimin e gjërave materiale, që mund të jenë si një vegim i një mbretërie të vogël personale. A përgjigjemi ashtu si Jezui, duke i treguar përkushtimin tonë të plotë Jehovait? Nëse po, me ne do të ndodhë ajo që i ndodhi Jezuit. Tregimi i Mateut thotë: «Atëherë, Djalli e la.» (Mateu 4:11) Satanai do të na lërë, në qoftë se mbajmë një qëndrim të vendosur kundër tij, duke mbajtur mend parime të përshtatshme biblike dhe duke i vënë ato në praktikë. Dishepulli Jakov shkroi: «Kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju.» (Jakovit 4:7) Një i krishterë i shkroi zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë: «Satanai është vërtet dinak. Edhe pse kam qëllimet më të mira, e kam shumë të vështirë t’i zotëroj ndjenjat dhe dëshirat e mia. Megjithatë, me guxim, me durim dhe, mbi të gjitha, me ndihmën e Jehovait, ia kam dalë mbanë të mbetem besnik dhe të mbahem fort pas së vërtetës.»
Plotësisht të pajisur për t’iu kundërvënë Djallit
18. Cila armaturë frymore na pajis për t’iu kundërvënë Djallit?
18 Jehovai na ka siguruar një armaturë të plotë frymore për të na ndihmuar që ‘të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’. (Efesianëve ) Dashuria për të vërtetën do të na ngjeshë ijët ose do të na përgatitë për veprimtaritë e krishtere. Vendosmëria për t’u mbajtur fort pas normave të Jehovait për drejtësinë do të jetë si një parzmore që na mbron zemrën. Në qoftë se i kemi këmbët të mbathura me lajmin e mirë, do të marrim pjesë rregullisht në veprën e predikimit, dhe kjo do të na forcojë e do të na mbrojë frymësisht. Besimi ynë i fortë do të jetë si një mburojë e madhe, e cila na mbron nga «shigjetat e zjarrta të të ligut», domethënë nga sulmet dhe tundimet e tij dinake. Shpresa jonë e sigurt për përmbushjen e premtimeve të Jehovait do të jetë si një helmetë që na mbron aftësitë për të menduar dhe na jep paqen mendore. ( 6:11-18Filipianëve 4:7) Po të bëhemi të aftë për ta përdorur Fjalën e Perëndisë, ajo do të jetë si një shpatë që mund ta përdorim për t’i ndihmuar njerëzit që të çlirohen nga robëria frymore e Satanait. Gjithashtu, mund ta përdorim për t’u mbrojtur ne vetë, ashtu siç bëri Jezui kur e tundoi Satanai.
19. Çfarë nevojitet tjetër përveçse ‘t’i kundërvihemi Djallit’?
19 Duke mbajtur të veshur këtë ‘armaturë të plotë nga Perëndia’ dhe duke vazhduar gjithnjë me lutje, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbrojë kur të na sulmojë Satanai. (Gjoni 17:15; 1 Korintasve 10:13) Por Jakovi tregoi se nuk mjafton vetëm që ‘t’i kundërvihemi Djallit’. Duhet edhe ‘t’i nënshtrohemi Perëndisë’, i cili interesohet për ne, dhe këtë duhet ta bëjmë para çdo gjëje tjetër. (Jakovit 4:7, 8) Mënyra se si mund ta bëjmë këtë do të shqyrtohet në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshit?
• Cilat gracka të Satanait iu desh të shmangnin të krishterët e hershëm?
• Çfarë veprash dinake përdor Satanai sot në përpjekje për të zënë në grackë shërbëtorët e Jehovait?
• Si iu kundërvu Jezui tundimeve të Djallit?
• Cila armaturë frymore na pajis që t’i kundërvihemi Djallit?
[Pyetjet]
[Figura në faqet 8, 9]
Jezui iu kundërvu Djallit pa u lëkundur
[Figurat në faqen 10]
Të krishterët e shekullit të parë e hodhën poshtë zbavitjen e dhunshme dhe imorale
[Burimi]
The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck