Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë të njohur për ju Shafani dhe familja e tij?

A janë të njohur për ju Shafani dhe familja e tij?

A janë të njohur për ju Shafani dhe familja e tij?

KUR keni lexuar Biblën, a keni vënë re ndonjëherë pohimet që bëhen për Shafanin dhe për disa pjesëtarë të familjes së tij me influencë? Cilët ishin ata? Çfarë bënë? Çfarë mund të mësojmë prej tyre?

Bibla na njeh me ‘Shafanin, birin e Azaliahut, nipin e Meshulamit’ në rastin e rivendosjes së adhurimit të vërtetë nga Josia, rreth vitit 642 p.e.s. (2 Mbretërve 22:3, BR) Gjatë 36 viteve të mëpasshme, deri në shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., njihemi me katër djemtë e tij, Ahikamin, Elasahun, Gemariahun dhe Jazaniahun, si dhe me dy nipërit e tij, Mikajahun dhe Gedaliahun. (Shihni listën e emrave.) Një enciklopedi, Encyclopaedia Judaica, shpjegon: «Anëtarët e familjes së Shafanit zinin pjesën më të madhe të administratës [së Judës] dhe qëndruan në pozitën e skribit të mbretit që nga koha e Josisë e deri në Mërgim.» Një shqyrtim i asaj që thotë Bibla për Shafanin dhe për familjen e tij do të na ndihmojë të kuptojmë si e mbështetën ata profetin Jeremia dhe adhurimin e vërtetë të Jehovait.

Shafani mbështet adhurimin e vërtetë

Në vitin 642 p.e.s., kur mbreti Josia ishte rreth 25 vjeç, shohim se Shafani shërbente si sekretar dhe kopjues i mbretit. (Jeremia 36:10) Çfarë nënkuptonte kjo? Vepra e referimit që u përmend më lart pohon se ai që ishte në pozitën e skribit dhe të sekretarit të mbretit ishte një këshilltar i ngushtë i mbretit, i ngarkuar me çështjet financiare, i kualifikuar në diplomaci dhe i mirinformuar për punët e jashtme, për ligjet ndërkombëtare dhe për marrëveshjet tregtare. Prandaj, si sekretar i mbretit, Shafani ishte një prej njerëzve më me influencë në mbretëri.

Dhjetë vjet më parë, i riu Josia kishte ‘filluar të kërkonte Perëndinë e Davidit, atit të tij’. Shafani me sa duket ishte shumë më i madh se Josia dhe mund të ishte për të një këshilltar i mirë frymor, si dhe një përkrahës i fushatës së parë të Josias për rivendosjen e adhurimit të vërtetë. *​—2 Kronikave 34:1-8.

Gjatë punës për meremetimin e tempullit u gjet ‘libri i ligjit’ dhe Shafani «e lexoi në prani të mbretit». Josia u trondit kur dëgjoi përmbajtjen e tij dhe dërgoi një delegacion me burra të besuar te profetesha Hulda, me qëllim që ta pyeste Jehovain për librin. Mbreti tregoi se kishte besim te Shafani dhe te biri i tij, Ahikami, duke i përfshirë edhe ata në delegacion.​—2 Mbretërve 22:8-14; 2 Kronikave 34:14-22.

Ky është i vetmi pohim në Shkrime për atë që bëri Shafani vetë. Në vargjet e tjera biblike, ai përmendet vetëm si atë ose si gjysh. Pasardhësit e Shafanit kishin lidhje të ngushtë me profetin Jeremia.

Ahikami dhe Gedaliahu

Siç e kemi vënë re tashmë, biri i Shafanit, Ahikami, përmendet për herë të parë në delegacionin që u dërgua për te profetesha Hulda. Një vepër referimi thekson: «Ndonëse në Shkrimet Hebraike nuk tregohet titulli i Ahikamit, është e qartë se ai ishte i një rangu të lartë.»

Rreth 15 vjet pas kësaj ngjarjeje, jeta e Jeremisë ishte në rrezik. Kur ai e paralajmëroi popullin se Jehovai kishte si qëllim të shkatërronte Jerusalemin, «priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: ‘Ti duhet të vdesësh!’ » Çfarë ndodhi pastaj? Tregimi vazhdon: «Dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje.» (Jeremia 26:1-24) Çfarë tregon kjo? Një fjalor, Anchor Bible Dictionary, pohon: «Kjo ngjarje jo vetëm që dëshmon se Ahikami kishte influencë, por gjithashtu tregon se ai, ashtu si anëtarë të tjerë të familjes së Shafanit, ishte dashamirës ndaj Jeremisë.»

Rreth 20 vjet më vonë, pasi babilonasit kishin shkatërruar Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. dhe kishin marrë pjesën më të madhe të popullit në mërgim, nipi i Shafanit, Gedaliahu, biri i Ahikamit, u caktua guvernator mbi judenjtë që kishin mbetur. A u kujdes ai për Jereminë, ashtu si edhe pjesëtarët e tjerë të familjes së Shafanit? Në dokumentimin biblik lexojmë: «Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah dhe banoi aty [me të, BR].» Brenda pak muajve, Gedaliahu u vra dhe judenjtë e mbetur e morën me vete Jereminë kur mërguan në Egjipt.​—Jeremia 40:5-7; 41:1, 2; 43:4-7.

Gemariahu dhe Mikajahu

Biri i Shafanit, Gemariahu, dhe nipi Mikajahu luajtën një rol të rëndësishëm në ngjarjet që përshkruhen te Jeremia, kapitulli 36. Ishte koha rreth vitit 624 p.e.s., në vitin e pestë të mbretit Jehojakim. Baruku, sekretari i Jeremisë, lexoi me zë të lartë nga libri fjalët e Jeremisë, në shtëpinë e Jehovait, «në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit». Si rrjedhim, «Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri».​—Jeremia 36:9-11.

Mikajahu e njoftoi të atin dhe princat e tjerë për rrotullën dhe ata donin të dëgjonin se çfarë thuhej aty. Si reaguan ata? «Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: ‘Duhet t’ia tregojmë patjetër mbretit tërë këto fjalë.’ » Megjithatë, para se të flitnin me mbretin, i dhanë këtë këshillë Barukut: «Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian dhe askush të mos dijë se ku jeni.»​—Jeremia 36:12-19.

Siç pritej, mbreti e hodhi poshtë mesazhin e rrotullës dhe pasi e bëri copa-copa e dogji atë. Edhe pse disa princa, përfshirë Gemariahun, birin e Shafanit, «e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t’i dëgjonte». (Jeremia 36:21-25) Libri Jeremiah​An Archaeological Companion, arrin në këtë përfundim: «Gemariahu ishte një përkrahës i fuqishëm i Jeremisë në oborrin e mbretit Jehojakim.»

Elasahu dhe Jazaniahu

Në vitin 617 p.e.s., Babilonia mori nën kontroll mbretërinë e Judës. Mijëra judenj, «tërë krerët, tërë njerëzit trima, . . . si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët», u morën në mërgim, përfshirë edhe profetin Ezekiel. Mataniahu, të cilit babilonasit ia ndërruan emrin në Zedekia, u bë mbreti i ri vasal. (2 Mbretërve 24:12-17, BR) Më vonë, Zedekia dërgoi në Babiloni një delegacion, në të cilin përfshihej Elasahu, biri i Shafanit. Jeremia i besoi Elasahut një letër që kishte një mesazh të rëndësishëm nga Jehovai për judenjtë e mërguar.​—Jeremia 29:1-3.

Pra, dokumentimi biblik tregon se Shafani, tre nga bijtë e tij dhe dy nipër përdorën pozitat e tyre me influencë për të mbështetur adhurimin e vërtetë dhe profetin besnik Jeremia. Ç’të themi për birin e Shafanit, Jazaniahun? Ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të familjes së Shafanit, ai me sa duket u përfshi në adhurimin e idhujve. Në vitin e gjashtë të mërgimit të Ezekielit në Babiloni ose rreth vitit 612 p.e.s., profeti pati një vegim në të cilin 70 burra u ofronin temjan idhujve në tempullin e Jerusalemit. Midis tyre ishte Jazaniahu, i vetmi që përmendet me emër. Kjo mund të tregojë se ai ishte një pjesëtar kryesor i këtij grupi. (Ezekieli 8:1, 9-12) Shembulli i Jazaniahut tregon se fakti që dikush rritet në një familje të perëndishme nuk është garanci se do të bëhet adhurues besnik i Jehovait. Çdo individ është përgjegjës për mënyrën e tij të të vepruarit.​—2 Korintasve 5:10.

Fakte historike për Shafanin dhe për familjen e tij

Në kohën kur Shafani dhe familja e tij luajtën një rol në ngjarjet që ndodhën në Jerusalem, përdorimi i vulave ishte bërë i zakonshëm në Judë. Vulat përdoreshin për të vërtetuar ose për të vulosur dokumentet dhe bëheshin nga gurët e çmuar, metali, fildishi ose qelqi. Zakonisht, në to gdhendej emri i të zotit të vulës, emri i të atit dhe me raste titulli i pronarit.

Janë gjetur qindra gjurmë vulash hebraike mbi argjilë. Profesori Nahman Avigad, studiues i epigrafisë hebraike (epigrafia është shkenca që merret me studimin e mbishkrimeve të lashta), vërejti: «Mbishkrimet e vulave janë i vetmi burim epigrafik hebraik ku përmenden personat e njohur në Bibël.» A është gjetur ndonjë mbishkrim vule i Shafanit ose i pjesëtarëve të familjes së tij? Po, emri i Shafanit dhe i birit të tij, Gemariahut, shfaqen mbi vulën që tregohet në faqet 19 dhe 21.

Gjithashtu, studiuesit thonë se në gjurmët e vulave përmenden ndoshta katër pjesëtarë të tjerë të familjes: Azaliahu, i ati i Shafanit; Ahikami, biri i Shafanit; Gemariahu, biri i Shafanit dhe Gedaliahu. Ky i fundit me sa duket përmendet në një mbishkrim vule si «i pari i shtëpisë atërore». Nga këto, vula e katërt mendohet se i përkiste Gedaliahut, nipit të Shafanit, edhe pse i ati, Ahikami, nuk përmendet. Titulli i tij në gjurmët e vulave tregon se ai ishte një nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

Çfarë mund të mësojmë?

Çfarë shembulli të shkëlqyer lanë Shafani dhe familja e tij, duke përdorur pozitën e tyre me influencë për të mbështetur adhurimin e vërtetë dhe Jereminë besnik! Edhe ne mund të përdorim pasuritë dhe influencën për të mbështetur organizatën e Jehovait dhe bashkadhuruesit tanë.

Leximi i Biblës rregullisht na pasuron dhe na frymëzon besim. Po kështu ndodh kur gërmojmë në të dhe kur njihemi me këta dëshmitarë të lashtë të Jehovait, siç ishte Shafani dhe pjesëtarët e familjes së tij. Edhe ata bëjnë pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve’, shembujt e të cilëve mund t’i imitojmë.​—Hebrenjve 12:1.

[Shënimi]

^ par. 6 Shafani duhet të ketë qenë shumë më i madh se Josia, meqë i biri, Ahikami, ishte një burrë i madh kur Josia ishte rreth 25 vjeç.​—2 Mbretërve 22:1-3, 11-14.

[Kutia në faqen 22]

Hulda​—Një profeteshë me influencë

Sapo dëgjoi leximin e ‘librit të ligjit’ që u gjet në tempull, mbreti Josia e urdhëroi Shafanin dhe katër zyrtarë të tjerë të rangut të lartë ‘të konsultoheshin me Zotin’ lidhur me librin. (2 Mbretërve 22:8-20) Ku mund ta gjente delegacioni përgjigjen? Jeremia, e ndoshta edhe Nahumi e Sofonia, të gjithë këta profetë të Jehovait dhe shkrimtarë të Biblës, jetonin në Judë në atë kohë. Sidoqoftë, delegacioni iu drejtua profeteshës Hulda.

Një libër, Jerusalem​An Archaeological Biography, bën këtë koment: «Gjëja që të bie në sy në këtë ngjarje është se nuk u vu re aspak ndonjë dallim për shkak të gjinisë. Askush nuk mendoi se ishte ndopak e papërshtatshme që një komitet i përbërë i gjithi nga meshkuj t’ia çonte një gruaje Rrotullën e Ligjit për të përcaktuar rëndësinë e kësaj Rrotulle. Kur ajo shpalli fjalën e Zotërisë, askush nuk e vuri në dyshim autoritetin e saj për të vendosur për këtë çështje. Kjo ngjarje shpesh kalohet pa u vënë re nga studiuesit që japin vlerësime për rolin e grave në Izraelin e lashtë.» Sigurisht që mesazhi i marrë ishte nga Jehovai.

[Diagrami dhe figura në faqen 21]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

Gjenealogjia e Shafanit

Meshulami

Azaliahu

Shafani

↓ ↓ ↓ ↓

Ahikami Elasahu Gemariahu Jazaniahu

↓ ↓

Gedaliahu Mikajahu

[Figura në faqen 20]

Gemariahu dhe të tjerët iu lutën Jehojakimit të mos e digjte rrotullën e Jeremisë

[Figura në faqen 22]

Jazaniahu, edhe pse ishte pjesëtar i familjes së Shafanit, u pa në një vegim duke adhuruar idhujt

[Burimi i figurës në faqen 19]

Me mirësjelljen e autoriteteve izraelite të objekteve të lashtësisë

[Burimi i figurës në faqen 21]

Me mirësjelljen e autoriteteve izraelite të objekteve të lashtësisë