Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka fituar e keqja?

A ka fituar e keqja?

A ka fituar e keqja?

IDEJA e një beteje universale midis forcave të së mirës e të së keqes ka shkaktuar spekulime të pafund nga ana e shkrimtarëve dhe e filozofëve përgjatë historisë. Megjithatë, ekziston një libër, i cili përmban historinë e saktë të betejës midis Perëndisë dhe Djallit. Ky libër është Bibla. Ajo hedh dritë për çështjet që përfshihen në këtë konflikt dhe na siguron bazën për të përcaktuar se kush ka fituar në të vërtetë.

Pak pas krijimit të burrit dhe të gruas së parë, një krijesë frymore e padukshme, Satana Djalli, sfidoi sundimin e Perëndisë. Në ç’mënyrë? Duke lënë të kuptohej në mënyrë tinëzare se Perëndia nuk po ua lejonte njerëzve gjërat e mira që kishte krijuar dhe se do të jetonin më mirë po të ishin të pavarur prej tij.​—Zanafilla 3:1-5; Zbulesa 12:9.

Më vonë, në ditët e patriarkut Job, Satanai ngriti një çështje tjetër. Duke u përpjekur të thyente besnikërinë e Jobit ndaj Perëndisë, Satanai tha: «Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.» (Jobi 2:4) Çfarë sfide përgjithësuese që ishte! Duke përdorur termin e përgjithshëm «njeriu» në vend të emrit Job, Satanai hodhi dyshime për besnikërinë e çdo njeriu. Në fakt, ai pohoi: «Njeriu do të bënte gjithçka për të shpëtuar jetën e vet. Më jep një rast dhe unë mund të largoj këdo nga Perëndia.»

Fitorja në betejën midis Perëndisë dhe Djallit përcaktohet nga përgjigjet e këtyre dy pyetjeve: ‘A është në gjendje njeriu të qeverisë vetveten me sukses? A ia ka dalë mbanë Djalli të largojë këdo nga Perëndia i vërtetë?’

A janë në gjendje njerëzit të vetëqeverisen me sukses?

Për mijëvjeçarë të tërë, njerëzit kanë eksperimentuar lloje të ndryshme sundimesh. Gjatë historisë janë provuar forma të ndryshme qeverisjesh të tilla, si: monarkia, aristokracia, demokracia, autokracia, fashizmi dhe komunizmi. Vetë fakti që ka qenë vazhdimisht e nevojshme për të eksperimentuar me format e ndryshme të qeverisjes, a nuk tregon se këto mënyra të ndryshme të qeverisjes nuk janë në lartësinë e duhur?

«Pothuajse pa e kuptuar, populli romak e pa veten të përfshirë në një eksperiment të madh administrativ»,​—shkruan H. G. Uellsi në librin A History of the World (Histori e botës), botuar në vitin 1922. Ai vazhdon: «Kjo formë qeverisjeje ndryshonte vazhdimisht, kurrë nuk arriti ndopak stabilitet. Në njëfarë kuptimi eksperimenti dështoi. Në njëfarë kuptimi eksperimenti mbetet i papërfunduar, dhe sot Evropa e Amerika po përpiqen ende të zgjidhin enigmat e politikës botërore, të cilat për herë të parë i përballoi populli romak.»

Eksperimenti në qeverisje vazhdoi gjatë shekullit të 20-të. Ky shekull përfundoi me rezultatin që rendi demokratik u pranua më shumë se kurrë më parë. Teorikisht demokracia lejon këdo që të marrë pjesë në qeverisje. Por, a ka treguar demokracia se njeriu mund të qeverisë me sukses pa pasur nevojë për Perëndinë? Javaharlal Nehru, ish-kryeministër i Indisë, e quajti demokracinë të mirë, por shtoi: «E them këtë, sepse sistemet e tjera janë më keq.» Ish-presidenti francez Valeri Zhiskar d’Estë tha: «Jemi dëshmitarë të një krize në organet përfaqësuese demokratike.»

Edhe në shekullin e pestë p.e.s., filozofi grek Platoni zbuloi një dobësi në mënyrën demokratike të qeverisjes. Sipas librit A History of Political Theory, ai sulmoi «injorancën dhe paaftësinë e politikanëve, gjëra të cilat janë mallkim i veçantë për demokracitë». Shumë politikanë të sotëm ankohen se e kanë të vështirë të gjejnë individë të talentuar, të cilët të jenë të kualifikuar për të shërbyer në qeverisje. Në gazetën The Wall Street Journal thuhej se njerëzit «janë të mërzitur nga udhëheqësit që duken kaq të pakualifikuar, në një kohë kur problemet që hasin janë kaq të mëdha». Aty thuhej më tej: «Ata janë të neveritur, sepse kur kërkojnë drejtim nga udhëheqësit e tyre, shohin pavendosmëri dhe korrupsion.»

Tani, le të shqyrtojmë sundimin e mbretit Solomon në Izraelin e lashtë. Perëndia Jehova i dha Solomonit mençuri të jashtëzakonshme. (1 Mbretërve 4:29-34) Cila ishte gjendja e kombit të Izraelit gjatë mbretërimit 40-vjeçar të Solomonit? Bibla përgjigjet: «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz.» Gjithashtu, tregimi thotë: «Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.» (1 Mbretërve 4:20, 25) Me një mbret të mençur që sundonte mbi ta si përfaqësuesi i dukshëm i Sundimtarit Më të Lartë, Perëndisë Jehova, kombi kishte stabilitet, begati dhe gëzim të pashoq.

Ç’kontrast i thellë midis sundimit të njeriut dhe sundimit të Perëndisë! A mund të thotë dikush me ndershmëri se Satanai ka fituar në çështjen e qeverisjes? Jo, sepse në mënyrë të saktë profeti Jeremia deklaroi: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»​—Jeremia 10:23.

A mund të largojë Satanai këdo nga Perëndia?

A ka pasur sukses Satanai kur pohoi se mund të largonte këdo nga Perëndia? Në kapitullin 11 të letrës drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël përmend disa burra e gra besnike të kohëve të parakrishterimit. Pastaj ai thotë: «Nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftain, Davidin, si edhe për Samuelin dhe profetët e tjerë.» (Hebrenjve 11:32) Pavli thjesht i quan këta shërbëtorë besnikë të Perëndisë ‘re e madhe dëshmitarësh’. (Hebrenjve 12:1) Fjala greke që këtu është përkthyer «re» nuk ka kuptimin e një reje të veçuar, qartësisht të dukshme dhe me masë e me trajtë të përcaktuar, por të një mase resh të stërmadhe e të patrajtë. Kjo është e përshtatshme, sepse shërbëtorët besnikë të Perëndisë në të kaluarën kanë qenë kaq shumë, sa ata janë si një masë e stërmadhe resh. Po, gjatë shekujve një shumicë njerëzish kanë ushtruar vullnetin e tyre të lirë dhe kanë zgjedhur t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë Jehova.​—Jozueu 24:15.

Çfarë shohim në kohën tonë? Numri i Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën është rritur në më tepër se gjashtë milionë, me gjithë përndjekjen dhe kundërshtimin e tmerrshëm që hasën gjatë shekullit të 20-të. Afërsisht nëntë milionë të tjerë shoqërohen me ta dhe shumë prej këtyre po marrin hapa vendimtarë për të hyrë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.

Përgjigjja përfundimtare ndaj pohimit të Satanait se ai mund të largojë njerëzit nga Perëndia, erdhi nga vetë Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. As dhembja e padurueshme në një shtyllë torture nuk e theu besnikërinë e tij. Kur mori frymë për herë të fundit, ai thirri: «O Atë, në duart e tua e besoj frymën time.»​—Luka 23:46.

Satanai përdor gjithçka që ka nën pushtet, që nga tundimet e deri te përndjekja e drejtpërdrejtë, për t’i mbajtur nën kontroll njerëzit. Duke përdorur ‘dëshirën e mishit, dëshirën e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me mjetet e jetesës’ me qëllim që t’i tundojë njerëzit, ai përpiqet t’i joshë ose t’i mbajë larg nga Jehovai. (1 Gjonit 2:16) Po kështu, Satanai «ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve, me qëllim që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin të mos depërtojë». (2 Korintasve 4:4) Veç kësaj, për të arritur qëllimin e tij, Satanai nuk ngurron t’u drejtohet kërcënimeve dhe të shfrytëzojë frikën nga njerëzit.​—Veprat 5:40.

Gjithsesi, ata që qëndrojnë në anën e Perëndisë nuk mposhten nga Djalli. Ata kanë arritur ta njohin Perëndinë Jehova dhe ‘ta duan me gjithë zemrën e tyre, me gjithë shpirtin e tyre dhe me gjithë mendjen e tyre’. (Mateu 22:37) Po, besnikëria e patundur e Jezu Krishtit dhe e njerëzve të panumërt është një provë e mëtejshme e dështimit kolosal të Satana Djallit.

Çfarë ruan e ardhmja?

A do të vazhdojnë gjithmonë eksperimentet njerëzore në qeverisje? Profeti Daniel paratha: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.» (Danieli 2:44) Mbretëria që Perëndia i qiellit ka vendosur është një qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit. Është e njëjta Mbretëri për të cilën Jezui i mësoi ithtarët e tij të luteshin. (Mateu 6:9, 10) Kjo Mbretëri do të shkatërrojë të gjitha qeveritë njerëzore në «luftën [që po vjen] e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm» dhe do të sjellë ndryshime në mbarë tokën.​—Zbulesa 16:14, 16.

Çfarë e pret Satanain? Bibla përshkruan këtë ngjarje të ardhme: «[Një engjëll i Jehovait] e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Dhe e hodhi në humnerë dhe e mbylli dhe e vulosi mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët.» (Zbulesa 20:1-3) Mbretërimi Njëmijëvjeçar i Jezu Krishtit do të fillojë vetëm pasi Satanai të jetë hedhur në humnerë, pra në një gjendje joaktive.

Çfarë vendi i këndshëm do të jetë pastaj kjo tokë! Do të jetë zhdukur ligësia dhe ata që e shkaktojnë atë. Bibla premton: «Njerëzit e këqij do të shfarosen, . . . por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:9-11) Paqja e tyre nuk do të kërcënohet as nga njerëzit dhe as nga kafshët. (Isaia 11:6-9) Madje miliona njerëz, të cilët gjatë historisë qëndruan në anën e Djallit nga padija dhe për shkak se nuk kishin pasur mundësi të njihnin Jehovain, do të vijnë përsëri në jetë dhe do të mësohen nga Perëndia.​—Veprat 24:15.

Nga fundi i Mbretërimit Njëmijëvjeçar toka do të jetë sjellë në një gjendje parajsore dhe njerëzit në të do të jenë bërë të përsosur. Pastaj Satanai do të zgjidhet për «pak kohë» dhe pastaj do të shkatërrohet përgjithmonë bashkë me të gjithë kundërshtarët e sundimit të Perëndisë.​—Zbulesa 20:3, 7-10.

Cilën anë do të marrësh?

Shekulli i 20-të ishte një kohë kur Satanai solli shkretim për tokën. Sidoqoftë, kushtet në tokë, në vend që të tregojnë se ai ka fituar, përbëjnë një shenjë se jemi në ditët e fundit të kësaj bote të ligë. (Mateu 24:3-14; Zbulesa 6:1-8) As rritja e skajshme e ligësisë në tokë dhe as pikëpamja e shumicës së njerëzve nuk janë faktorë vendimtarë për të dalluar se kush ka fituar. Këta faktorë janë: mënyra e sundimit të kujt është më e mirë dhe, a i ka shërbyer dikush Perëndisë nga dashuria për të? Në të dyja rastet, fitorja i përket Jehovait.

Nëse koha që ka lejuar Perëndia ka treguar tashmë se Satanai e ka gabim, pse atëherë Perëndia lejon të vazhdojë ligësia? Jehovai po shfaq durim «sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Vullneti i Perëndisë «është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) E përdorsh kohën që ka mbetur, për të studiuar Biblën dhe ‘për të vazhduar të marrësh njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ai dërgoi, Jezu Krishtin’! (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të ndihmojnë të marrësh këtë njohuri në mënyrë që edhe ti të bashkohesh me miliona njerëz që po qëndrojnë të patundur nga ana e fitimtarëve.

[Figurat në faqen 5]

Duke qëndruar besnikë, Dëshmitarët e Jehovait kanë siguruar dëshmi të mëtejshme të dështimit të Satanait

[Figura në faqen 7]

Jehovai ka shumë besnikë në anën e tij