Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I sprovuar në një furrë të zjarrtë mundimesh

I sprovuar në një furrë të zjarrtë mundimesh

Jetëshkrim

I sprovuar në një furrë të zjarrtë mundimesh

TREGUAR NGA PERIKLIS JANURISI

Lagështira e qelisë së mykur më hyri deri në palcë. Rrija ulur i vetmuar, mbuluar vetëm me një batanije të hollë. Para syve më dilte ende fytyra e gruas sime me atë vështrim të akullt, ndërsa, dy ditë më parë, milicët më tërhiqnin zvarrë nga shtëpia. Prapa po lija gruan me dy fëmijët e sëmurë. Më vonë gruaja, e cila nuk kishte bindjet e mia, më dërgoi një pako me një pusullë ku shkruhej: «Po të dërgoj këta kuleç dhe shpresoj që të sëmuresh si fëmijët e tu.» Vallë, a do të kthehesha gjallë për të parë familjen?

KJO ishte vetëm një ngjarje nga lufta e gjatë dhe e mundimshme për besimin e krishterë, e cila përfshinte kundërshtimin e familjes, veçimin nga bashkësia ku jetoja, betejën ligjore dhe përndjekjen e ashpër. Por, si dhe pse përfundova në atë vend të mjerë unë që isha një individ me frikë Perëndie? Më lejoni t’jua shpjegoj.

Një djalë i varfër me një ëndërr të madhe

Linda në vitin 1909 në Stavromeno, një fshat në Kretë. Në atë vend njerëzit po hasnin shumë vështirësi për shkak të luftës, të varfërisë dhe të urisë. Më vonë, unë dhe katër gjysmëvëllezërit e motrat e mia më të vogla mezi shpëtuam nga kërdia e gripit spanjoll. Kujtoj se si prindërit na mbyllën në shtëpi për javë të tëra që të mos na zinte gripi.

Babai, një bujk i varfër, ishte njeri shumë fetar, por me mendje të hapur. Meqë kishte jetuar në Francë dhe në Madagaskar, kishte qenë nën ndikimin e ideve përparimtare rreth fesë. Megjithatë familja jonë mbeti besnike ndaj kishës ortodokse dhe e ndiqnim meshën çdo të diel, si dhe e mikpritnim dhespotin kur vinte për vizitën e tij vjetore. Merrja pjesë te kori i kishës dhe ëndrra e ime ishte që të bëhesha prift.

Në vitin 1929 hyra në forcat e policisë. Kur babai vdiq isha me detyrë në Selanik, në veri të Greqisë. Në kërkim të ngushëllimit dhe të ndriçimit frymor, arrita të transferohesha në policinë e malit Atos, një bashkësi me manastire që përnderohet nga të krishterët ortodoksë si «mali i shenjtë». * Shërbeva atje për katër vjet dhe vëzhgova nga afër jetën në manastire. Në vend që t’i afrohesha më shumë Perëndisë, u trondita nga imoraliteti dhe korrupsioni i hapur i murgjve. U neverita kur një arkimandrit, të cilin e respektoja, më bëri propozime imorale. Me gjithë këto zhgënjime, ende dëshiroja sinqerisht t’i shërbeja Perëndisë dhe të bëhesha prift. Madje vesha rasën e priftit dhe bëra një fotografi si kujtim. Më vonë u ktheva në Kretë.

«Ai është djall!»

Në vitin 1942 u martova me një vajzë të hijshme, Frosinën, e cila vinte nga një familje e respektuar. Martesa ma forcoi vendosmërinë për t’u bërë prift, sepse njerëzit e gruas ishin shumë fetarë. * Isha i vendosur të shkoja në Athinë për të studiuar në një seminar teologjik. Nga fundi i vitit 1943 shkova në portin e Iraklionit, në Kretë, por nuk u nisa për në Athinë. Ndoshta sepse kisha gjetur një burim tjetër freskimi frymor. Çfarë kishte ndodhur?

Për disa vjet, Emanuel Lionudakis, një Dëshmitar i Jehovait, një predikues energjik i ri në moshë, u kishte mësuar njerëzve në të gjithë Kretën të vërteta ndriçuese biblike. * Kuptueshmëria e qartë për Fjalën e Perëndisë, që kishin fituar falë Dëshmitarëve, i kishte bërë për vete disa njerëz, dhe prandaj e kishin braktisur fenë e rreme. Në qytetin fqinj të Sitias ishte organizuar një grup Dëshmitarësh të zellshëm. Kjo e bezdiste dhespotin në atë vend, i cili, meqë kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dinte edhe vetë se sa të efektshëm mund të ishin Dëshmitarët e Jehovait si predikues. Ai ishte i vendosur ta shtypte këtë «herezi» në territorin e tij. Nën nxitjen e tij, vazhdimisht policia i çonte zvarrë Dëshmitarët në burg dhe përpara gjykatave duke u mbështetur te shumë pohime të rreme.

Një prej këtyre Dëshmitarëve u përpoq të më shpjegonte të vërtetën biblike, por mendoi se nuk isha i interesuar. Prandaj dërgoi një shërbëtor më me përvojë që të fliste me mua. Me sa duket, përgjigjja ime e vrazhdë bëri që Dëshmitari i dytë të kthehej te grupi i vogël e t’u thoshte: «Është e pamundur që Perikliu të bëhet Dëshmitar. Ai është djall!»

Përvoja e parë e kundërshtimit

Jam i lumtur që Perëndia nuk mendoi në atë mënyrë. Në shkurt të vitit 1945, vëllai im Dhimosteni, i cili ishte i bindur se Dëshmitarët e Jehovait mësonin të vërtetën, më dha broshurën Ngushëllim për të gjithë ata që vajtojnë. * Përmbajtja e saj më la mbresë. Menjëherë e ndërpremë vajtjen në kishën ortodokse, u bashkuam me grupin e vogël në Sitia dhe u dëshmuam gjysmëvëllezërve e motrave rreth besimit të sapogjetur. Të gjithë e pranuan të vërtetën biblike. Siç pritej, vendimi im për të braktisur fenë e rreme më armiqësoi me gruan dhe njerëzit e saj e më largoi prej tyre. Për njëfarë kohe, vjehrri nuk pranoi madje as të më fliste. Në shtëpi kishte mosmarrëveshje dhe tension të vazhdueshëm. Megjithatë, më 21 maj 1945 Dhimosteni dhe unë u pagëzuam nga vëlla Minos Kokinaqis. *

Më në fund arrita të realizoja ëndrrën time e të shërbeja si shërbëtor i vërtetë i Perëndisë! Kujtoj ende ditën e parë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. I vetëm shkova me autobus në një fshat duke pasur në çantë 35 broshura. Me druajtje fillova të shkoja nga shtëpia në shtëpi. Sa më larg shkoja, aq më i guximshëm bëhesha. Kur erdhi një prift i xhindosur me guxim arrita t’i dilja ballë për ballë, duke shpërfillur kërkesën e vazhdueshme për të më çuar në rajonin e policisë. I thashë që do të largohesha vetëm pasi të kisha vizituar të gjithë fshatin, dhe pikërisht këtë bëra. Isha kaq i lumtur, saqë madje nuk prita as autobusin, por bëra 15 kilometra më këmbë për t’u kthyer në shtëpi.

Në duart e gangsterëve të pamëshirshëm

Në shtator të vitit 1945 më dhanë më shumë përgjegjësi në kongregacionin tonë të sapoformuar në Sitia. Shumë shpejt në Greqi shpërtheu lufta civile. Grupet partizane i kundërviheshin njëri-tjetrit me urrejtje të pamëshirshme. Duke përfituar nga kjo gjendje, dhespoti e nxiti një grup guerilasish që t’i hiqte qafe Dëshmitarët me çfarëdo mjeti që e shihnin të përshtatshëm. (Gjoni 16:2) Teksa banda guerilase po drejtohej me autobus për te fshati ynë, një grua miqësore që ishte në autobus dëgjoi planet e tyre për të kryer veprën «e urdhëruar nga Perëndia» dhe na lajmëroi. U fshehëm dhe një i afërmi ynë na ndihmoi. Shpëtuam.

Kjo përgatiti udhën për më shumë mundim. Rrahjet dhe kërcënimet u bënë diçka e zakonshme. Kundërshtarët tanë u përpoqën të na detyronin që të ktheheshim në kishë, t’i pagëzonim fëmijët atje dhe të bënim shenjën e kryqit. Në një rast e rrahën vëllanë tim derisa menduan se kishte vdekur. Më theri në zemër të shihja dy motrat e mia t’u grisnin rrobat e pastaj t’i rrihnin. Gjatë asaj periudhe, kisha pagëzoi me forcë tetë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait.

Në vitin 1949 më vdiq mamaja. Përsëri prifti na u vu pas duke na akuzuar se nuk po u bindeshim kërkesave ligjore për lejen e varrimit. Më hodhi në gjyq, por dola i pafajshëm. Aty u dha një dëshmi e shkëlqyer, sepse emri i Jehovait u përmend në fjalët hapëse të trajtimit të çështjes. Mënyra e vetme që u kishte mbetur armiqve tanë që «të na sillnin në vete» ishte të na arrestonin dhe të na dërgonin në mërgim. Këtë e bënë në prill të vitit 1949.

Në një furrë të zjarrtë

Isha një prej tre Dëshmitarëve që u arrestuan. Madje gruaja nuk erdhi as të më shihte te rajoni i policisë. Vendi i parë ku na çuan ishte një burg në Iraklion. Siç e thashë edhe në fillim, isha i vetëm dhe i brengosur. Kisha lënë pas një grua të re që nuk kishte bindjet e mia dhe dy foshnja. Iu luta me zjarr Jehovait për ndihmë. Më erdhën në mendje fjalët e Perëndisë të dokumentuara te Hebrenjve 13:5: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» E kuptova se sa e mençur ishte ta vendosja plotësisht besimin te Jehovai.​—Fjalët e urta 3:5.

Morëm vesh se do të na çonin në Makronis, një ishull shterpë larg bregut të Atikës në Greqi. Vetëm përmendja e fjalës Makronis mjaftonte për të tmerruar këdo, sepse kampi i burgut që ndodhej atje njihej për torturat dhe për punën skllavëruese. Gjatë rrugës për në burg u ndalëm në Pire. Edhe pse ishim ende nën pranga, morëm zemër kur disa bashkëbesimtarë erdhën në anije dhe na përqafuan.​—Veprat 28:14, 15.

Jeta në Makronis ishte një tmerr i vërtetë. Ushtarët i keqtrajtonin të burgosurit që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Shumë të burgosur që s’ishin Dëshmitarë kaluan në çmenduri, të tjerë vdiqën dhe një numër i madh mbetën të gjymtuar fizikisht. Gjatë natës dëgjonim britmat dhe rënkimet e atyre që torturoheshin. Batanija e hollë më ngrohte shumë pak gjatë netëve të ftohta.

Dalëngadalë Dëshmitarët e Jehovait u bënë shumë të njohur në kamp, sepse ky emër përmendej çdo mëngjes gjatë apelit. Si rrjedhim kishim shumë mundësi për të dhënë dëshmi. Madje pata privilegjin të pagëzoja një të burgosur politik, i cili kishte bërë përparim deri në pikën që t’ia kushtonte jetën Jehovait.

Gjatë mërgimit vazhdoja t’i shkruaja gruas sime të dashur, por pa marrë ndonjëherë përgjigje prej saj. Kjo nuk më ndali që t’i shkruaja me butësi, duke i dhënë ngushëllim, duke e siguruar se kjo ishte vetëm një gjendje e përkohshme dhe se do të ishim përsëri të lumtur.

Ndërkohë numri i Dëshmitarëve rritej ndërsa arrinin gjithnjë e më shumë vëllezër. Duke punuar në zyrë, u njoha me kolonelin që komandonte kampin. Meqë ai i respektonte Dëshmitarët, mora guximin ta pyesja nëse mund të merrnim ca literaturë biblike nga zyra e degës në Athinë. «Kjo është e pamundur,​—tha ai,​—por, pse njerëzit e tu në Athinë nuk e dërgojnë atë në një pako në emrin tim?» Mbeta i shtangur. Pak ditë më vonë kur po shkarkonim një anije të sapoardhur, një polic përshëndeti kolonelin dhe i tha: «Zotëri, ju ka ardhur pakoja.» «Cila pako?» u përgjigj ai. U ndodha rastësisht aty pranë dhe më kapi veshi bisedën, kështu që i pëshpërita atij: «Ndoshta është pakoja jonë që u dërgua me emrin tënd siç urdhërove ti.» Kjo ishte një prej mënyrave që përdori Jehovai për t’u siguruar që të ishim të ushqyer frymësisht.

Një bekim i papritur, pastaj më shumë mundim

Në fund të vitit 1950 u lirova nga burgu. U ktheva në shtëpi shëndetlig, i zbehtë, i tretur dhe i pasigurt se si do të më prisnin. Sa i lumtur isha të shihja përsëri gruan dhe fëmijët! U habita edhe më shumë kur mora vesh se qëndrimi armiqësor i Frosinës ishte zbutur. Ato letra nga burgu kishin dalë të efektshme. Frosina ishte prekur nga qëndrueshmëria dhe këmbëngulja ime. Pak pas kësaj bëmë një bisedë të gjatë paqësore. Ajo pranoi një studim biblik dhe filloi të kishte besim te Jehovai dhe te premtimet e tij. Një nga ditët e mia më të lumtura ishte në vitin 1952, kur e pagëzova si shërbëtore të kushtuar të Jehovait.

Në vitin 1955 nisëm një fushatë për t’i shpërndarë çdo prifti një kopje të broshurës Christendom or Christianity​Which One Is “the Light of the World”? (I ashtuquajturi krishterim apo krishterimi: Cili është «drita e botës»?) Më arrestuan dhe më hodhën në gjyq bashkë me shumë Dëshmitarë të tjerë. Kishte kaq shumë çështje kundër Dëshmitarëve të Jehovait, saqë gjykatës iu desh të mbante një sesion të veçantë për t’i dëgjuar të gjitha. Atë ditë ishte i pranishëm i gjithë personeli ligjor i provincës dhe salla e gjyqit ishte e stërmbushur me priftërinj. Dhespoti vërtitej sa para-mbrapa midis rreshtave. Një prej priftërinjve kishte paraqitur kundër meje një akuzë për prozelitizëm. Gjykatësi e pyeti priftin: «Kaq i dobët qenka besimi yt, saqë mund ta ndërrosh fenë vetëm duke lexuar një broshurë?» Kjo e la priftin pa fjalë. U shpalla i pafajshëm, por disa vëllezër u dënuan me gjashtë muaj burgim.

Në vitet e mëvonshme u arrestuam herë pas here dhe rastet gjyqësore u shumëfishuan. Trajtimi i proceseve gjyqësore i mbante vazhdimisht të zënë avokatët tanë. Gjithsej më hodhën në gjyq 17 herë. Me gjithë kundërshtimin, ishim të rregullt në veprën e predikimit. E pranuam me gëzim këtë sfidë dhe sprovat e zjarrta na e rafinuan besimin.​—Jakovit 1:2, 3.

Privilegje dhe sfida të reja

Në vitin 1957 u transferuam në Athinë. Shumë shpejt u caktova për të shërbyer në një kongregacion të sapoformuar. Me mbështetjen me gjithë zemër të gruas mbajtëm një jetë të thjeshtë dhe vendin e parë e zinin veprimtaritë frymore. Prandaj ishim në gjendje t’ia kushtonim pjesën më të madhe të kohës veprës së predikimit. Gjatë viteve na kërkuan të transferoheshim në kongregacione të ndryshme ku kishte nevojë.

Në vitin 1963, djali mbushi 21 vjeç dhe duhej të paraqitej për të shkuar ushtar. Për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës, të gjithë Dëshmitarët që ishin thirrur për në ushtri i rrahën, i tallën dhe i poshtëruan. Këtë përvojë pati edhe im bir. Kështu i dhashë batanijen që kisha marrë nga Makronisi. Kjo ishte diçka simbolike për t’i dhënë zemër që të ndiqte shembullin a atyre që kishin mbetur besnikë në të kaluarën. Vëllezërit që ishin thirrur për në ushtri gjykoheshin nga gjykata ushtarake dhe zakonisht dënoheshin nga dy deri në katër vjet burgim. Sapo liroheshin, i thirrnin për në ushtri dhe i dënonin përsëri. Si një shërbëtor fetar mund të vizitoja shumë burgje dhe të kisha lidhje të kufizuara me tim bir dhe me Dëshmitarë të tjerë besnikë. Im bir qëndroi në burg për më shumë se gjashtë vjet.

Jehovai na mbështeti

Pasi në Greqi u rivendos liria e fesë kisha privilegjin të shërbeja si pionier special i përkohshëm në ishullin e Rodit. Pastaj në vitin 1986 u shfaq një nevojë në Sitia të Kretës ku kisha filluar karrierën e krishterë. Isha shumë i kënaqur të pranoja këtë caktim ku do të shërbeja përsëri me bashkëbesimtarë të dashur që i njihja që prej rinisë.

Si anëtari më i moshuar i familjes, jam i lumtur të shoh se rreth 70 veta nga të afërmit e mi i shërbejnë me besnikëri Jehovait. Dhe numri vazhdon të rritet. Disa kanë shërbyer si pleq, shërbëtorë ndihmës, pionierë, bethelitë dhe mbikëqyrës udhëtues. Për më tepër se 58 vjet, besimi im është sprovuar në një furrë të zjarrtë me mundime. Tani jam 93 vjeç dhe, kur mendoj për të kaluarën, nuk ndiej aspak keqardhje që i kam shërbyer Perëndisë. Ai më ka dhënë forcë që t’i përgjigjem ftesës së tij të dashur: «Biri im, më jep zemrën tënde dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.»​—Fjalët e urta 23:26.

[Shënimet]

^ par. 9 Shihni Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1999, faqet 30-31.

^ par. 11 Priftërinjtë ortodoksë lejohen të martohen.

^ par. 12 Për të lexuar jetëshkrimin e Emanuel Lionudakisit, shihni Kullën e Rojës, 1 shtator 1999, faqet 25-29.

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 15 Në lidhje me një fitore ligjore ku përfshihej Minos Kokinaqis, shihni Kullën e Rojës, 1 shtator 1993, faqet 27-31, anglisht.

[Kutia në faqen 27]

Makronisi​—Ishulli i tmerrit

Për dhjetë vjet, që nga viti 1947 deri në vitin 1957, në ishullin e thatë dhe të shkretë të Makronisit kanë qenë më shumë se 100.000 të burgosur. Midis tyre kishte një mori Dëshmitarësh besnikë që i kishin dërguar atje për shkak të asnjanësisë së tyre të krishterë. Nxitësit e dëbimit të tyre ishin zakonisht klerikët ortodoksë që i akuzonin në mënyrë të rreme Dëshmitarët sikur ishin komunistë.

Në lidhje me procesin e «riedukimit» që përdorej në Makronis, enciklopedia greke Papyros Larousse Britannica thekson: «Torturat mizore, . . . kushtet e jetesës që janë të papranueshme për një komb të qytetëruar dhe sjellja degraduese e rojave kundër të burgosurve . . . janë një çnderim për historinë e Greqisë.»

Disa Dëshmitarëve u thanë se nuk do t’i lironin kurrë në qoftë se nuk do të hiqnin dorë nga bindjet e tyre fetare. Megjithatë besnikëria e Dëshmitarëve nuk u thye. Për më tepër disa të burgosur politikë përqafuan të vërtetën biblike ngaqë kishin lidhje me Dëshmitarët.

[Figura në faqen 27]

Minos Kokinaqis, (i treti nga e djathta) dhe unë (i katërti nga e majta) në ishullin ndëshkimor të Makronisit

[Figura në faqen 29]

Duke bashkëpunuar me një Dëshmitar tjetër në Sitia të Kretës, ku kam shërbyer kur isha i ri