Jeta në një kamp refugjatësh
Jeta në një kamp refugjatësh
ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni shprehjen «kamp refugjatësh»? A keni vizituar ndonjëherë një të tillë? Ç’pamje ka?
Në kohën kur po shkruhej ky artikull, në pjesën perëndimore të Tanzanisë ishin ngritur 13 kampe refugjatësh. Qeveria e Tanzanisë në bashkëpunim me Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) po ndihmonte rreth 500.000 refugjatë të vendeve të tjera të Afrikës, të shpërngulur nga luftërat civile. Si është jeta në kamp?
Mbërritja në kamp
Një adoleshente me emrin Kandida shpjegon se çfarë ndodhi kur mbërriti në kamp bashkë me familjen, disa vjet më parë: «Na dhanë një triskë bashkë me një numër identifikimi dhe na caktuan si familje në kampin e refugjatëve në Nijarugusu. Aty na dhanë numrin e një trualli dhe numrin e rrugës. Na treguan se ku të pritnim dru e të mblidhnim bar për të ndërtuar shtëpinë tonë të vogël. Bëmë tulla prej balte. UNHCR-ja na dha plastmasë për ta vënë mbi çati. Puna ishte e rëndë, por u kënaqëm kur më në fund e mbaruam shtëpinë tonë të thjeshtë.»
Triska përdoret ditën e mërkurë, çdo dy javë. «Vihemi në radhë te mensa për të marrë ushqimet bazë që shpërndahen nga UNHCR-ja»,—vazhdon Kandida.
Çfarë ushqimi jepet për një person në ditë?
«Secili merr rreth 3 filxhanë miell misri, një filxhan bizele, 20 gramë miell soje, 2 lugë gjelle vaj dhe 10 gramë kripë. Nganjëherë marrim edhe një kallëp sapuni, i cili duhet të zgjatë një muaj plot.»
Po për ujë të pijshëm, si ia bëjnë? A ka? Një e re me emrin Riziki thotë: «Po, uji merret me pompa nga lumenjtë aty afër dhe me anë të tubacioneve derdhet në rezervuarë të mëdhenj. Para se të çohet me pompë te çezmat e shumta në çdo kamp, uji trajtohet me klor. Gjithsesi përpiqemi ta ziejmë para se ta pimë, që të mos sëmuremi. Shpesh jemi të
zëna nga mëngjesi deri në darkë duke mbledhur ujë dhe duke larë rrobat atje te çezmat. Mund të marrim vetëm një kovë e gjysmë ujë në ditë.»Po të udhëtoni përmes një kampi të tillë, do të vini re kopshte dhe shkolla për fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Madje, në kamp mund të ketë edhe arsimim për të rritur. Një rajon policie dhe një zyrë shtetërore e vendosur jashtë kampit ruajnë rendin dhe sigurinë në kamp. Ndoshta mund të shihni një treg të madh me shumë dyqane të vogla, ku refugjatët mund të gjejnë perime, fruta, peshk, pula dhe ushqime të tjera bazë. Disa nga banorët vendës vijnë në këtë treg për të bërë tregti. Po ku i gjejnë refugjatët paratë për të blerë gjëra? Disa kultivojnë ndonjë kopsht të vogël me perime dhe i shesin ato në treg. Të tjerë mund të shesin ca nga mielli ose nga bizelet që marrin si racion dhe pastaj i përdorin këto të ardhura për të blerë ca mish ose fruta. Po, kampi ndoshta duket më shumë si një fshat i madh, sesa si kamp. Është e zakonshme të shohësh disa veta në treg që qeshin e gëzojnë, siç do të bënin në vendlindjen e tyre.
Po të ndaloni te spitali, një nga mjekët mund t’ju thotë se në kamp ka disa ambulanca ku kurohen sëmundjet e përgjithshme, kurse urgjencat dhe rastet e rënda sillen në spital. Kuptohet që reparti i maternitetit dhe dhoma e lindjeve në spital janë të rëndësishëm, duke pasur parasysh që në një kamp
me 48.000 refugjatë, mund të ketë rreth 250 lindje në muaj.Të ushqyer mirë frymësisht
Dëshmitarët e Jehovait që janë përreth globit mund të jenë të shqetësuar për vëllezërit e tyre frymorë që gjenden në kampet e Tanzanisë. Gjithsej aty ka rreth 1.200 vëllezër e motra, të organizuar në 14 kongregacione dhe 3 grupe. Si po ia kalojnë ata?
Sapo erdhën në kampe këta të krishterë të devotshëm, ndër gjërat e para që bënë ishte kërkesa për një truall ku të ndërtonin një Sallë Mbretërie. Kjo do t’i jepte mundësi refugjatëve të kampeve të dinin se ku t’i gjenin Dëshmitarët dhe ku t’i ndiqnin mbledhjet e tyre javore. Kampi në Lugufu ka 7 kongregacione dhe gjithsej 659 të krishterë aktivë. Në mbledhjet që mbajnë të dielave, numri i të pranishmëve për të 7-a kongregacionet, të marra së bashku, zakonisht është rreth 1.700.
Dëshmitarët në të gjitha kampet nxjerrin dobi edhe nga asambletë e kongreset e krishtere; mbledhje më të mëdha. Kur u mbajt kongresi i parë krahinor në kampin në Lugufu, pati 2.363 të pranishëm. Dëshmitarët kishin ndërtuar një pishinë pagëzimi ngjitur me vendin e kongresit. Pishina ishte një gropë e gërmuar, e shtruar me një shtresë plastmase, për të mbajtur ujin. Me biçikleta vëllezërit e transportuan ujin nga një lumë që gjendej rreth 2 kilometra larg. Duke mbartur 20 litra ujë çdo rrugë, iu desh të bënin shumë xhiro. Kandidatët për pagëzim, të veshur me rroba modeste, u radhitën për pagëzim. Gjithsej u pagëzuan 56 veta, të cilët u zhytën plotësisht në ujë. Një shërbëtor i plotkohor, që u intervistua në kongres, shpjegoi se drejtonte studime biblike me 40 veta. Katër studentë të tij u pagëzuan në atë kongres.
Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait ka marrë masa që mbikëqyrësit qarkorë të bëjnë vizita rregullisht. Njëri prej tyre thotë: «Vëllezërit tanë janë të zellshëm në shërbim. Kanë një territor të madh për të predikuar dhe,
në një kongregacion, çdo Dëshmitar i kushton shërbimit rreth 34 orë në muaj. Shumë drejtojnë pesë a më shumë studime biblike me njerëz të interesuar. Një pioniere [lajmëtare në kohë të plotë] tha se s’do të mund të kishte ndonjë territor më të mirë gjetkë. Njerëzit në kampe i çmojnë shumë botimet tona.»Si arrin literatura biblike në kampe? Dega e dërgon literaturën me tren deri në Kigomë, një qytet në bregun lindor të liqenit Tanganikë. Aty vëllezërit i marrin botimet dhe i transportojnë deri te kongregacionet. Nganjëherë këta vëllezër marrin me qira një kamion transporti dhe e çojnë vetë literaturën te të gjitha kampet. Kjo kërkon rreth tre deri në katër ditë udhëtim në rrugë shumë të vështira.
Ndihmë materiale
Dëshmitarët e Jehovait në Francë, Belgjikë dhe Zvicër kanë ndihmuar në mënyrë të veçantë për t’u siguruar ndihmë refugjatëve në këto kampe. Disa kanë vizituar kampet në Tanzani, me miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të UNHCR-së. Dëshmitarët në Evropë kanë mbledhur tonelata me qumësht soje, rroba, këpucë, libra shkolle dhe sapun. Këto sende janë dhuruar që t’u shpërndahen të gjithë refugjatëve, në përputhje me parimin e Biblës: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.»—Galatasve 6:10.
Këto ndihma humanitare kanë sjellë rezultate shumë të mira, pasi janë ndihmuar shumë refugjatë. Komiteti i Komunitetit të Refugjatëve në një nga kampet e shprehu vlerësimin me këto fjalë: «Në emër të gjithë komunitetit tonë, kemi nderin t’ju drejtohemi për t’ju falënderuar për ndihmën humanitare që organizata juaj tashmë e ka dërguar tri herë . . . Rrobat u janë shpërndarë 12.654 burrave, grave, fëmijëve e foshnjave të sapolindura. . . . Aktualisht në kampin e Mujovozit ka 37.000 refugjatë. Gjithsej janë ndihmuar 12.654 veta ose 34,2 për qind e popullsisë.»
Në një kamp tjetër, secilit prej 12.382 refugjatëve iu dhanë tri palë veshmbathje, e në një kamp tjetër u shpërndanë mijëra libra shkolle për t’u përdorur nëpër shkollat e grupmoshave të ndryshme, si edhe nëpër kopshtet e fëmijëve. Nëpunësi i logjistikës i UNCHR-së në një nga rajonet komentoi: «Jemi shumë mirënjohës për ndihmat që morëm, [të cilat plotësojnë] nevojat e mëdha të popullsisë në kampet e refugjatëve. Ngarkesa më e fundit që morëm ishin 5 kontejnerë me libra shkolle, të cilët shërbimet tona të komunitetit ua kanë shpërndarë popullsisë refugjate. . . . Ju faleminderit shumë.»
Edhe gazetat vendëse e kanë lavdëruar ndihmën e dhënë. Në gazetën Sunday News të 20 majit 2001 kishte një titull kryesor «Mbërrijnë veshje për refugjatët në Tanzani». Botimi i 10 shkurtit 2002 i po kësaj gazete komentonte: «Komuniteti i refugjatëve e vlerëson dhuratën, sepse disa nga fëmijët, të cilët e kishin lënë shkollën ngaqë s’kishin rroba për të veshur, tani po i ndjekin rregullisht mësimet.»
Ngushtë, por jo pa rrugëdalje
Shumicës së refugjatëve i duhet rreth një vit për t’u përshtatur me mënyrën e re të jetesës në kamp. Jeta që bëjnë është e thjeshtë. Dëshmitarët e Jehovait në këto kampe po përdorin një pjesë të mirë të kohës së tyre për t’u dhënë fqinjëve të tyre refugjatë lajmin e mirë ngushëllues nga Fjala e Perëndisë, Bibla. U tregojnë për një botë të re, ku të gjithë «me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë». Pastaj, «do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli». Është e qartë se me bekimin e Perëndisë kjo botë do të jetë pa kampe refugjatësh.—Mikea 4:3, 4; Psalmi 46:9.
[Figura në faqen 8]
Shtëpi në kampin në Nduta
[Figurat në faqen 10]
Salla e Mbretërisë në Lukole (djathtas); Pagëzim në Lugufu (poshtë)
[Figura në faqen 10]
Kongres krahinor në kampin në Lugufu