Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos e lini zemrën e fëmijës suaj në dorë të rastësisë!

Mos e lini zemrën e fëmijës suaj në dorë të rastësisë!

Mos e lini zemrën e fëmijës suaj në dorë të rastësisë!

DUART e një poçari të zotë mund ta shndërrojnë një copë të pavlerë argjile në një enë tërheqëse. Janë të paktë zejtarët që bëjnë kaq shumë nga një gjë kaq e vogël. Për mijëvjeçarë të tërë, shoqëria ka pasur nevojë për punën e poçarit për të pasur filxhanë, pjata, enë, qypa dhe vazo zbukurimi.

Edhe prindërit i japin një ndihmesë shumë të çmuar shoqërisë kur i japin formë karakterit dhe personalitetit të fëmijëve të tyre. Bibla e krahason secilin prej nesh me argjilë dhe Perëndia u ka caktuar prindërve punën jetësore për t’i dhënë formë ‘argjilës’, pra fëmijëve të tyre. (Jobi 33:6; Zanafilla 18:19) Ashtu si krijimi i një sendi të bukur poçarie, edhe puna për të shndërruar një fëmijë në një të rritur përgjegjës e të ekuilibruar s’është e lehtë. Ky shndërrim nuk ndodh rastësisht.

Shumë forca ndikojnë për t’i dhënë formë zemrës së fëmijëve tanë. Mjerisht disa nga këto forca janë shkatërrimtare. Prandaj një prind i mençur, në vend që ta lërë zemrën e një fëmije në dorë të rastësisë, duhet ta stërvitë atë sipas ‘rrugës që duhet të ndjekë’, i sigurt se «ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket».​—Fjalët e urta 22:6.

Rritja e fëmijëve është një proces i gjatë dhe plot të papritura. Gjatë këtij procesi, prindërve të mençur të krishterë do t’u duhet të kushtojnë kohë që të shmangin ndikimet negative që kërcënojnë zemrën e fëmijës. Dashuria e prindërve do të vihet mjaft në provë, ndërsa me durim i japin fëmijës «udhëzimin dhe ndreqjen, të cilat i përkasin rritjes së krishterë». (Efesianëve 6:4, The New English Bible) Sigurisht që prindërit do ta kenë shumë më të lehtë punën po ta nisin që herët.

Nisni që herët

Poçarët parapëlqejnë të punojnë me një argjilë që është mjaft e përpunueshme për t’i dhënë formë, e njëkohësisht aq e fortë sa ta ruajë formën që i është dhënë. Pasi e rafinojnë argjilën, ata parapëlqejnë ta përdorin brenda gjashtë muajve. Po kështu edhe prindërit koha më e mirë që prindërit të fillojnë t’i japin formë zemrës së fëmijës së tyre është kur ajo pranon më kollaj çfarë i thuhet dhe merr formë më me lehtësi.

Specialistët në fushën e pediatrisë thonë se kur arrin moshën tetëmuajshe, fëmija tashmë ka mësuar të dallojë tingujt e gjuhës së tij amtare, ka formuar një lidhje të ngushtë me prindërit, ka zhvilluar aftësitë e perceptimit dhe ka filluar të eksplorojë botën që e rrethon. Koha ideale që të fillohet t’i jepet formë zemrës është kur ai është ende i vogël. Sa dobi që do të ketë fëmija juaj nëse, ashtu si Timoteu, ‘do t’i ketë njohur shkrimet e shenjta që nga foshnjëria’!​—2 Timoteut 3:15. *

Foshnjat imitojnë natyrshëm prindërit. Përveçse imitojnë tingujt, shprehjet dhe gjestet, ato mësojnë dashurinë, mirëdashjen dhe dhembshurinë, kur shohin prindërit e tyre që shfaqin këto cilësi. Po qe se duam ta stërvitim fëmijën sipas ligjeve të Jehovait, para së gjithash urdhërimet e Perëndisë duhet t’i kemi ne vetë në zemër. Kjo çmueshmëri nga zemra do t’i shtyjë prindërit që t’u flasin rregullisht fëmijëve për Jehovain dhe për Fjalën e tij. «Do të flasësh për to,​—nxit Bibla,​—kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Fransisko dhe Roza shpjegojnë se si e bëjnë këtë me dy fëmijët e tyre të vegjël. *

«Përveç bisedave të përditshme, përpiqemi t’i flasim secilit fëmijë veçmas të paktën për 15 minuta në ditë. Kur vërejmë një problem, e probleme hasim gjithmonë, kalojmë më shumë kohë me ta. Për shembull, kohët e fundit djali ynë 5-vjeçar u kthye nga shkolla dhe na tha se s’besonte te Jehovai. Me sa duket, një nga shokët e klasës e kishte tallur dhe i kishte thënë se s’ka Perëndi.»

Këta prindër e kanë kuptuar se fëmijët duhet të zhvillojnë besim te Krijuesi i tyre. Ky besim mund të ndërtohet duke pasur parasysh se normalisht fëmijët magjepsen pas gjërave që ka krijuar Perëndia. Sa qejf kanë fëmijët të prekin një kafshë, të mbledhin lule në lëndina ose të luajnë me rërë në breg të detit! Prindërit mund t’i ndihmojnë që të bëjnë lidhjen midis krijimit dhe Krijuesit. (Psalmi 100:3; 104:24, 25) Nderimi dhe respekti që zhvillojnë për gjërat që ka krijuar Jehovai mund t’u mbetet gjatë gjithë jetës. (Psalmi 111:2, 10) Bashkë me këtë çmueshmëri fëmija mund të zhvillojë dëshirën për t’i pëlqyer Perëndisë dhe frikën se mos e mërzit atë. Kjo do ta motivojë ‘të largohet nga e keqja’.​—Fjalët e urta 16:6.

Edhe pse shumica e fëmijëve të vegjël janë kureshtarë dhe mësojnë shpejt, kjo nuk do të thotë që binden me lehtësi. (Psalmi 51:5) Nganjëherë ata mund të ngulin këmbë që të bëjnë sipas kokës së tyre ose që të marrin çdo gjë që dëshirojnë. Prindërit duhet të jenë të vendosur, të duruar dhe të rreptë me veten që të mos i lënë këto qëndrime të rrënjosen. (Efesianëve 6:4) Këtë përvojë e kanë pasur Filisi dhe Poli, të cilët kanë rritur me sukses pesë fëmijë.

Filisi kujton: «Ndonëse secili fëmijë kishte personalitetin e vet të veçantë, secili prej tyre donte të bënte sipas kokës së vet. Ishte e vështirë, e megjithatë më në fund e kuptuan se çfarë do të thotë fjala ‘jo’.» I shoqi, Poli, komentoi: «Në qoftë se ata ishin mjaft të rritur për t’i kuptuar, shpesh u tregonim arsyet që na shtynin të merrnim ato vendime. Edhe pse përpiqeshim gjithnjë të ishim mirëdashës, i mësuam të respektonin autoritetin që Perëndia ka vendosur.»

Edhe pse vitet e formimit mund t’i sjellin fëmijës probleme, shumica e prindërve ka parë se sfida më e madhe vjen gjatë viteve të adoleshencës, kur zemra ende e papjekur has shumë sprova të reja.

Arrini zemrën e adoleshentit

Poçari duhet ta bëjë punën e tij para se argjila të thahet. Për të fituar kohë, ai ndoshta i shton ujë argjilës për ta mbajtur të lagësht e të përpunueshme. Po ashtu, prindërit duhet të punojnë shumë për të mos lejuar që zemra e fëmijës së tyre adoleshent të bëhet e ngurtë. Patjetër që mjeti kryesor është Bibla, me të cilën mund ‘të qortojnë, të ndreqin dhe ta pajisin fëmijën për çdo vepër të mirë’.​—2 Timoteut 3:15-17.

Gjithsesi adoleshenti ndoshta nuk do ta pranojë këshillën e prindërve po me atë lehtësi që e pranonte kur ishte i vogël. Adoleshentët mund të fillojnë t’ua vënë veshin më shumë moshatarëve, kështu që komunikimi me prindërit mund të mos jetë më kaq i hapur e spontan. Kjo është një kohë që do më tepër durim e mjeshtëri, sepse roli i prindërve dhe i fëmijëve hyn në një fazë të re. Adoleshentit i duhet të përshtatet me ndryshimet fizike dhe emocionale. Duhet të fillojë të marrë vendime dhe të vërë synime që mund të ndikojnë tek ai për gjithë jetën. (2 Timoteut 2:22) Gjatë gjithë kësaj periudhe me sfida, duhet të përballojë një forcë që mund të ketë ndikim shkatërrues te zemra e tij: presionin e bashkëmoshatarëve.

Ky presion rrallëherë ndodh me një ngjarje të vetme të veçantë. Përkundrazi zakonisht shprehet me një seri komentesh ose situatash që e dobësojnë qëndresën e dikujt. Këto komente a situata sulmojnë atë që për shumë është një pikë e dobët: frikën e rrënjosur thellë se mos të rinjtë e tjerë e refuzojnë. Ndërkohë që është duke luftuar me ndrojtjen dhe dëshiron që të jetë i pranuar nga të tjerët, një i ri mund të fillojë të praktikojë «gjërat që janë në botë» e që të rinjtë e tjerë i përkrahin.​—1 Gjonit 2:15-17; Romakëve 12:2.

Për t’i keqësuar gjërat, dëshirat e natyrshme të zemrës së papërsosur mund ta forcojnë ndikimin që kanë bashkëmoshatarët e tij. Nxitje të tilla, si «Dëfrehu!» e «Bëj ç’të të dojë qejfi!» mund të duken shumë tërheqëse. Maria kujton përvojën e saj: «I dëgjova adoleshentët e tjerë që besonin se të rinjtë kanë të drejtë të zbaviten plotësisht, pa marrë parasysh pasojat. Meqë doja të bëja ashtu si bënin shokët e shoqet e shkollës, gati sa s’u futa në telashe serioze.» Si prind, ti dëshiron ta ndihmosh fëmijën tënd adoleshent që të kapërcejë këtë presion, por, si mund ta ndihmosh?

Siguroje vazhdimisht me fjalët dhe veprimet e tua se interesohesh për të. Përpiqu të kuptosh se si ndihet për gjërat dhe t’i kuptosh problemet e tij, të cilat mund të jenë shumë më të vështira se problemet që ke hasur ti vetë kur ishe në shkollë. Sidomos në këtë periudhë, fëmija duhet të të shohë si dikë tek i cili mund të hapet për t’i folur. (Fjalët e urta 20:5) Nga gjestet që bën ose nga ndryshimi i humorit të tij mund të vëresh sa i shqetësuar ose i pështjelluar është. Përgjigjju thirrjeve të tij të heshtura për ndihmë dhe ‘ngushëlloja zemrën’.​—Kolosianëve 2:2.

Natyrisht është e rëndësishme të jeni të vendosur për të bërë atë që është e drejtë. Shumë prindër hera-herës kanë parë se ekziston një konflikt midis tyre dhe fëmijëve, por nuk mund të dorëzohen kur vendimi i tyre ka baza të shëndosha. Nga ana tjetër, sigurohuni se e kuptoni qartësisht situatën para se të vendosni nëse duhet të jepni disiplinë të dashur apo jo dhe si ta bëni këtë, në qoftë se është e nevojshme.​—Fjalët e urta 18:13.

Edhe brenda kongregacionit

Një enë prej balte mund të duket e përfunduar, por në qoftë se nuk është pjekur ende në furrë mund të dëmtohet nga po ato lëngje për të cilat është e projektuar të mbajë. Bibla i krahason sprovat dhe vështirësitë me një proces të tillë pjekjeje, meqë ato tregojnë se ç’lloj njerëzish jemi në të vërtetë. Sigurisht që Bibla po flet në mënyrë të veçantë për sprovat e besimit, por në përgjithësi kjo është e vlefshme edhe për sprovat e tjera. (Jakovit 1:2-4) Është për t’u habitur, por disa nga sprovat e vështira që hasin të rinjtë hasen brenda kongregacionit.

Ndonëse nga jashtë fëmija juaj adoleshent mund të duket me shëndet të mirë frymor, brenda vetes mund të jetë duke luftuar me një zemër të përçarë. (1 Mbretërve 18:21) Për shembull, Megani u përball me ide të botës që vinin nga të rinj të tjerë të cilët frekuentonin Sallën e Mbretërisë.

«Rashë nën ndikimin e një grupi të rinjsh që e shihnin krishterimin si një gjë të mërzitshme e si pengesë për t’u zbavitur. Ata thoshin gjëra të tilla, si: ‘Sapo të mbush 18 vjeç, do ta lë të vërtetën’, ose ‘Mezi po pres të dal që këtu’. I shmangnin të rinjtë e tjerë që thoshin ndonjë gjë të kundërt me këtë, duke i quajtur shenjtorë.»

Mjaftojnë vetëm një ose dy veta me një qëndrim të keq për të nxitur pjesën tjetër të të rinjve. Zakonisht individët në një grup bëjnë atë që bën shumica e grupit. Marrëzia dhe trimëria e tepruar mund të nxjerrin krye mbi mençurinë dhe mirësjelljen. Në shumë vende ka pasur raste kur të rinj të krishterë kanë hyrë në telashe ngaqë kanë ndjekur turmën.

Është e qartë se adoleshentët kanë nevojë për shoqëri ku të kënaqen. Si mund t’ia siguroni ju si prindër këtë shoqëri? Kushtojini vëmendje të madhe zbavitjes së tyre dhe planifikoni veprimtari interesante bashkë me familjen ose me një grup të rinjsh e të rriturish. Njihuni me shokët e fëmijës suaj. Ftojini për të ngrënë diçka ose kaloni ndonjë mbrëmje me ta. (Romakëve 12:13) Inkurajojeni fëmijën të ndjekë një veprimtari të shëndetshme, si për shembull të mësojë t’i bjerë një vegle muzikore ose të mësojë një gjuhë të huaj a një zanat. Në përgjithësi ai mund ta bëjë këtë në mjedisin e sigurt të shtëpisë.

Shkollimi mund të jetë një mbrojtje

Shkollimi mund ta ndihmojë adoleshentin që ta mbajë zbavitjen në vendin e duhur. Loli, e cila ka qenë administratore për 20 vjet në një shkollë të madhe, thotë: «Kam parë shumë të rinj Dëshmitarë që kanë ndjekur këtë shkollë. Shumë prej tyre ishin për t’u lavdëruar për sjelljen, por disa të tjerë nuk dalloheshin nga studentët e tjerë. Të rinjtë që ishin shembuj të mirë gjithnjë ishin ata që interesoheshin për mësimet. Do t’i këshilloja fuqimisht prindërit që të interesohen aktivisht për përparimin e fëmijës së tyre në shkollë, të njihen me mësuesit e fëmijës dhe ta bindin fëmijën se është e rëndësishme të ketë nota të mira. Jo të gjithë fëmijët do të shkëlqejnë, por të gjithë mund të arrijnë nivele të kënaqshme dhe të fitojnë respektin e mësuesve të tyre.»

Ky shkollim mund t’i ndihmojë adoleshentët edhe që të përparojnë frymësisht. Mund t’i ndihmojë të mësojnë shprehi të mira studimi, disiplinë mendore dhe ndjenjë përgjegjësie. Aftësia për të lexuar mirë dhe për të kapur idetë, pa dyshim që do t’i inkurajojë të jenë studiues e mësues më të mirë të Fjalës së Perëndisë. (Nehemia 8:8) Detyrat që u jepen në shkollë dhe përgatitja për gjërat frymore mund t’i ndihmojnë që ta vënë zbavitjen në vendin e duhur.

Nderoheni ju dhe Jehovai

Në Greqinë e lashtë, shumë vazo mbanin firmën e poçarit dhe të mjeshtrit që i kishte zbukuruar. Po ashtu, në familje zakonisht janë dy veta që marrin pjesë në modelimin e fëmijëve. Si babai, ashtu edhe nëna kanë pjesën e tyre për t’i dhënë formë zemrës së fëmijës dhe, në kuptimin e figurshëm, fëmija juaj mban të dyja ‘firmat’. Ashtu si një poçar ose zbukurues i suksesshëm, mund të ndiheni krenarë për punën që keni bërë duke formuar një të ri që ka vlerë dhe bukuri.​—Fjalët e urta 23:24, 25.

Suksesi i kësaj pune madhështore do të varet në masë të madhe se sa i keni dhënë formë zemrës së fëmijës suaj. Shpresojmë që do të mund të thoni edhe ju: «Ligji i Perëndisë është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.» (Psalmi 37:31) Gjendja e zemrës së një fëmije është tepër e rëndësishme për t’ia lënë në dorë rastësisë.

[Shënimet]

^ par. 8 Disa prindër fillojnë t’ia lexojnë Biblën foshnjës që kur lind. Zëri qetësues dhe kjo përvojë e këndshme mund ta nxitë fëmijën që të vlerësojë leximin gjatë gjithë jetës së tij.

^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.