«Gjeta gjithçka që më nevojitej»
«Gjeta gjithçka që më nevojitej»
DEPRESIONI llogaritet të ketë goditur më tepër se 120 milionë njerëz në mbarë botën, sipas një raporti nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Çdo vit një milion njerëz kryejnë vetëvrasje dhe 10 deri 20 milionë veta orvaten t’i japin fund jetës. Çfarë ndihme ekziston për ata që vuajnë nga depresioni? Trajtimet mjekësore mund t’i lehtësojnë vuajtjet, por mbështetja emocionale është jetësore. Për më tepër, siç tregon letra e mëposhtme nga Franca, disa që po përjetojnë këto ndjenja kanë gjetur ndihmë të mëtejshme në botimet praktike të Dëshmitarëve të Jehovait, të bazuara në Bibël.
«Jo shumë kohë më parë po mendoja se nuk kisha ndonjë arsye që të vazhdoja të jetoja. Iu luta Perëndisë që të më linte të vdisja. Brenda vetes ndihesha e vdekur. Iu luta me zjarr Jehovait që të më drejtonte. Gjithashtu vendosa të lexoja Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2002, të cilin e mbarova për tri ditë. Duhet të them se më dha zemër jashtë mase dhe ma forcoi besimin.
Bëra disa kërkime në revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! Sa e befasuar mbeta! I kisha lexuar këto revista rregullisht për më tepër se 15 vjet, por nuk e kisha kuptuar kurrë se sa inkurajues dhe nxitës janë artikujt. Ata janë plot dashuri, një cilësi që është kaq e rrallë në këto ditë. Gjeta gjithçka që më nevojitej.»
Bibla thotë: «Zoti [Jehovai, BR] qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Pa dyshim, të gjithë ata që e kanë «zemrën të thyer» ose «frymën të dërrmuar» mund të gjejnë inkurajim dhe shpresë për të ardhmen në Bibël. Dëshmitarët e Jehovait shpërndajnë literaturë të bazuar në Bibël për të ndihmuar ata që kanë nevojë që të nxjerrin dobi nga ky burim ngushëllimi, i frymëzuar nga Perëndia.