Kush është Mikaeli kryeengjëlli?
Kush është Mikaeli kryeengjëlli?
SIPAS Biblës ekzistojnë miliona krijesa engjëllore që banojnë në sferën frymore. (Danieli 7:9, 10; Zbulesa 5:11) Që nga fillimi e deri në fund, Shkrimet përmendin qindra herë engjëj që i qëndrojnë besnikë Perëndisë. Megjithatë vetëm dy prej këtyre krijesave frymore përmenden me emër. Njëri është engjëlli Gabriel, i cili u dërgoi mesazhe nga Perëndia tre individëve të ndryshëm gjatë një periudhe pothuajse 600 vjeçare. (Danieli 9:20-22; Luka 1:8-19, 26-28) Engjëlli tjetër i përmendur me emër në Bibël është Mikaeli.
Sigurisht që Mikaeli është një engjëll i shquar. Për shembull, në librin e Danielit, Mikaeli përshkruhet ndërsa lufton me demonët e ligj në dobi të popullit të Jehovait. (Danieli 10:13; 12:1) Në letrën e frymëzuar të Judës, Mikaeli përballon Satanain duke bërë fjalë për trupin e Moisiut. (Juda 9) Libri i Zbulesës tregon se Mikaeli lufton kundër Satanait e demonëve të tij dhe i flak nga qielli. (Zbulesa 12:7-9) Asnjë engjëll tjetër nuk përshkruhet të ketë një pushtet dhe autoritet të tillë kaq të madh mbi armiqtë e Perëndisë. Nuk habitemi, pra, që Bibla në mënyrë të përshtatshme e quan Mikaelin «kryeengjëlli». Parashtesa «krye» do të thotë «kreu» ose «kryesori».
Polemikat për identitetin e Mikaelit
Fetë e të ashtuquajturit krishterim, si edhe judaizmi e islamizmi, kanë ide kontradiktore për argumentin e engjëjve. Disa shpjegime janë të mjegullta. Për shembull, një fjalor, The Anchor Bible Dictionary, thotë: «Mund të ekzistojë një engjëll i vetëm më i lartë dhe (ose) një grup i vogël kryeengjëjsh (zakonisht katër ose shtatë).» Sipas fjalorit The Imperial Bible-Dictionary, Mikaeli është
«emri i një qenieje mbinjerëzore, në lidhje me të cilin zakonisht kanë ekzistuar dy mendime të kundërta: ose ai është Zotëria Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, ose është një prej të ashtuquajturve shtatë kryeengjëjve».Në traditën judaike këta kryeengjëj janë: Gabrieli, Jeremieli, Mikaeli, Ragueli, Rafaeli, Sarieli dhe Urieli. Nga ana tjetër, në islamizëm besojnë se janë katër kryeengjëj, domethënë: Xhibrili, Mikali, Izraili dhe Israfili. Edhe në katolicizëm besojnë se ka katër kryeengjëj: Mikaeli, Gabrieli, Rafaeli dhe Urieli. Çfarë thotë Bibla? A ekzistojnë disa kryeengjëj?
Përgjigjja e Biblës
Përveç Mikaelit, në Bibël nuk përmendet asnjë kryeengjëll dhe fjala «kryeengjëll» në Shkrime as që përdoret në shumës. Bibla e përshkruan Mikaelin si kryeengjëlli, duke lënë të kuptohet se vetëm ai e mban këtë titull. Prandaj është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Perëndia Jehova i ka deleguar njërit, dhe vetëm njërit prej krijesave të tij qiellore, autoritet të plotë mbi të gjithë engjëjt e tjerë.
Përveç vetë Krijuesit, thuhet se vetëm një personi besnik i janë të nënshtruar engjëjt, domethënë, Jezu Krishtit. (Mateu 13:41; 16:27; 24:31) Apostulli Pavël i përmendi në mënyrë specifike ‘Zotërinë Jezu’ dhe «engjëjt e tij të fuqishëm». (2 Selanikasve 1:7) Kurse Pjetri përshkroi Jezuin e ringjallur, duke thënë: «Ai është në të djathtën e Perëndisë, sepse shkoi në qiell; dhe engjëjt, autoritetet dhe fuqitë iu nënshtruan atij.»—1 Pjetrit 3:22.
Edhe pse në Bibël nuk ka asnjë pohim që e identifikon prerazi Mikaelin, kryeengjëllin, si Jezuin, ekziston një shkrim që e lidh Jezuin me pozitën e kryeengjëllit. Në letrën drejtuar selanikasve, apostulli Pavël profetizoi: «Zotëria vetë do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me një zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët.» (1 Selanikasve 4:16) Jezui përshkruhet në këtë shkrim sikur të ketë marrë pushtetin si Mbreti Mesianik i Perëndisë. Gjithsesi ai flet me «një zë kryeengjëlli». Vini re gjithashtu se ka fuqinë për të ngritur të vdekurit.
Ndërsa ishte në tokë si njeri, Jezui kreu disa ringjallje. Kur veproi kështu, ai përdori zërin e tij për të dhënë kushtrime. Për shembull, teksa po ringjallte birin e vdekur të një vejushe në qytetin e Nainit, ai tha: «Djalosh, ty po të them: Ngrihu!» (Luka 7:14, 15) Më vonë, pak përpara se të ringjallte mikun e tij, Lazarin, Jezui «thërriti më zë të lartë: ‘Lazar, eja jashtë!’ » (Gjoni 11:43) Por në këto raste zëri i Jezuit ishte zëri i një njeriu të përsosur.
Pas ringjalljes së tij, Jezui u ngrit në një «pozitë më të lartë» në qiell si krijesë frymore. (Filipianëve 2:9) Duke mos qenë më njeri, ai ka zë kryeengjëlli. Kështu, kur trumbeta e Perëndisë lëshoi thirrjen që «ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin» të ngriheshin në qiell, Jezui dha «një kushtrim», këtë radhë «me një zë kryeengjëlli». Është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se vetëm një kryeengjëll do të thërriste «me një zë kryeengjëlli».
Vërtet, ekzistojnë krijesa të tjera engjëllore të rangut të lartë të tilla, si serafinët dhe kerubinët. (Zanafilla 3:24; Isaia 6:2) Megjithatë Shkrimet e identifikojnë Jezu Krishtin e ringjallur si kreun e të gjithë engjëjve, si Mikaelin, kryeengjëllin.