Dita që duhet kujtuar
Dita që duhet kujtuar
AJO ishte dita që ndryshoi krejtësisht të ardhmen e njerëzimit për të mirën e tij të përhershme. Asnjë ditë tjetër në histori nuk ka ndikuar kaq shumë në të ardhmen e njerëzimit. Ishte dita kur Jezui përfundoi gjithçka për të cilën kishte ardhur në tokë. I gozhduar në një shtyllë torture mori frymë për herë të fundit dhe thirri: «U krye!» (Gjoni 19:30) Për çfarë qëllimi kishte ardhur Jezui?
Bibla thotë: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave.» (Mateu 20:28) Jezui dha shpirtin ose jetën që njerëzimi të shpëtonte nga mëkati i trashëguar dhe nga vdekja. Po, «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Sa masë e çmuar që është flijimi i Jezuit!
Dita e vdekjes së Jezuit është dita që duhet kujtuar edhe për një arsye tjetër. Atë ditë Biri i Perëndisë u dha apostujve mësime të çmuara që do t’i ndihmonin të qëndronin besnikë. Sa shumë duhet t’ua kenë prekur zemrën fjalët që tha në orët e tij të fundit! Cilat ishin mësimet e tij? Si mund të nxjerrim dobi nga mësimet që Jezui u dha apostujve? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.