Gjykata e lartë përkrah adhurimin e vërtetë në «vendin e Araratit»
Gjykata e lartë përkrah adhurimin e vërtetë në «vendin e Araratit»
Një armen me flokë të thinjura, baba i tre fëmijëve, qëndron përpara gjykatës më të lartë të vendit. Është në rrezik liria e tij dhe e shumë bashkëbesimtarëve. Gjykata e dëgjon, ndërsa citon shkrime nga Bibla për të shpjeguar bindjet e veta. Për të kuptuar se si kjo seancë gjyqësore përfundoi me një fitore të madhe për adhurimin e vërtetë në këtë vend, le të shqyrtojmë ngjarjet që çuan deri këtu.
ARMENIA gjendet në lindje të Turqisë dhe tamam në jug të vargmalit të madh të Kaukazit. Ajo ka një popullsi prej tre milionë banorësh. Nga kryeqyteti i vendit, Erevani, mund të shihet një pamje mahnitëse e dy majave të malit Ararat, ku sipas traditës mendohet të jetë ndalur arka e Noes pas Përmbytjes globale.—Zanafilla 8:4 *
Dëshmitarët e Jehovait po e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Armeni që prej vitit 1975. Pasi Armenia fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, u krijua Këshilli Shtetëror për Çështjet Fetare që të regjistronte
organizatat fetare. Megjithatë, kryesisht për shkak të çështjes së asnjanësisë së krishterë, ky këshill vazhdimisht ka refuzuar t’i regjistrojë Dëshmitarët e Jehovait. Si pasojë, që prej vitit 1991, më shumë se 100 të rinj Dëshmitarë në Armeni janë dënuar dhe në shumë raste janë burgosur për qëndrimin e tyre të bazuar në Bibël lidhur me shërbimin ushtarak.Gjithashtu këshilli i kërkoi prokurorisë së shtetit që të hetonte veprimtarinë fetare të Ljova Margarjanit, një plak i krishterë dhe një avokat i palodhur që punonte për një central elektrik bërthamor. Së fundi, vëlla Margarjani u akuzua në bazë të nenit 244, një nen i vjetër i një ligji sovjetik, i miratuar gjatë periudhës së Hrushovit, i cili kishte si qëllim të pengonte dhe përfundimisht të zhdukte Dëshmitarët e Jehovait dhe grupet e tjera fetare.
Ai ligj e quante një krim të organizoje ose të udhëhiqje një grup fetar, i cili nën maskën e predikimit të bindjeve fetare ‘i joshte të rinjtë që të ndiqnin mbledhjet fetare të një feje të paregjistruar ligjërisht’ dhe ‘i bënte anëtarët e saj të refuzonin detyrimet qytetare’. Për ta mbështetur pohimin e tij, prokurori vuri në dukje praninë e të miturve në mbledhjet që drejtoheshin nga vëlla Margarjani në qytetin e Metsamorit. Po ashtu prokurori pohoi se vëlla Margarjani kishte detyruar pjesëtarë të rinj në moshë të kongregacionit që të refuzonin shërbimin ushtarak.
Fillon gjyqi
Gjyqi filloi të premten, më 20 korrik të vitit 2001, në gjykatën e Armavirit. Gjyqi drejtohej nga gjyqtari Manvel Simoniani. Gjykimi vazhdoi pothuajse për pjesën më të madhe të gushtit. Gjatë dhënies së dëshmive, dëshmitarët e akuzës pranuan në fund se agjentët e Ministrisë së Sigurimit Kombëtar (ish-KGB-ja) u kishin diktuar pjesë të deklaratave të shkruara kundër vëlla Margarjanit dhe i kishin detyruar t’i firmosnin këto deklarata. Në një rast, një grua pranoi se një zyrtar i Ministrisë së Sigurisë e kishte urdhëruar atë të pohonte se «Dëshmitarët e Jehovait janë kundër qeverisë dhe fesë sonë». Gruaja pranoi se ajo vetë nuk njihte asnjë Dëshmitar të Jehovait, por vetëm sa kishte dëgjuar akuza kundër tyre në televizionin shtetëror.
Kur erdhi radha e tij, vëlla Margarjani dëshmoi se të miturit që ndiqnin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, e bënin këtë me lejen e prindërve. Po ashtu shpjegoi se shërbimi ushtarak është një vendim personal. Marrja në pyetje nga ana e prokurorit vazhdoi për disa ditë. Vëlla Margarjani, duke përdorur Biblën, u përgjigjej me qetësi pyetjeve rreth bindjeve të tij, ndërkohë që prokurori kontrollonte shkrimet në Biblën e vet.
Më 18 shtator 2001, gjyqtari e shpalli Margarjanin «të pafajshëm», duke deklaruar se «nuk kishte asnjë element kriminal» në veprimtarinë e tij. Në lidhje me këtë çështje, doli një raport domethënës në Associated Press. Aty lexohej: «Sot një udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait në Armeni u shpall i pafajshëm nga akuzat për prozelitizëm dhe se i detyronte të rinjtë që të shmangnin shërbimin ushtarak. Pas një procesi dymujor, gjykata tha se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme kundër udhëheqësit,
Levon Markarjani [Ljova Margarjani]. Ai mund të ishte dënuar me pesë vjet burgim. . . . Megjithëse Kushtetuta Armene garanton lirinë e fesë, grupet e reja fetare e kanë të vështirë të regjistrohen dhe rregullat favorizojnë Kishën Apostolike Armene, e cila është mbizotëruese në këtë vend.» Në deklaratën e saj për shtyp të 18 shtatorit 2001, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) tha: «Edhe pse e mirëpret vendimin, zyra e OSBE-së vazhdon të shprehë keqardhjen, sepse akuza s’kishte pse të ngrihej fare.»Procesi vazhdon
Gjithsesi prokurorët apeluan dhe gjykimi në Gjykatën e Apelit zgjati edhe katër muaj të tjerë. Në fillim të procesit, kur erdhi radha që të dëshmonte vëlla Margarjani, pyetjen e parë ia bëri një gjyqtar i trupit gjykues. Sapo vëlla Margarjani filloi të përgjigjej, kryetarja e trupit gjykues e ndërpreu dhe e kundërshtoi. Pastaj nuk e la vëlla Margarjanin t’i përgjigjej deri në fund madje asnjë pyetjeje. Pa treguar se cilat ishin arsyet, ajo nuk lejoi të dokumentohej pjesa më e madhe e pyetjeve që i bëri pala mbrojtëse vëllait. Gjatë procesit salla e gjyqit ishte mbushur me fanatikë fetarë që ishin kundër Dëshmitarëve dhe thoshin vazhdimisht fjalë fyese kundër vëlla Margarjanit. Pas sesionit, në televizion u transmetuan shumë raporte të rreme e të shtrembëruara në lidhje me procesin. Për shembull, në këto raporte thuhej sikur në të vërtetë vëlla Margarjani kishte pranuar se ishte fajtor.
Nga mesi i procesit, kryetarja e trupit gjykues prej tre gjyqtarësh i befasoi të pranishmit kur paraqiti një letër nga Këshilli Shtetëror për Çështjet Fetare, në të cilën i kërkohej prokurorisë të merrte masa kundër vëlla Margarjanit. Kjo i tronditi vëzhguesit ndërkombëtarë që ishin në proces, pasi në kërkesën për anëtarësinë në Këshillin e Evropës Armenia pranoi detyrimin që «të sigurohej se të gjitha kishat ose bashkësitë fetare, në veçanti ato që quheshin ‘jotradicionale’, të mund të praktikonin pa u diskriminuar fenë e tyre».
Ndërsa procesi vazhdoi gjatë javëve pasuese, atmosfera u bë më e nderë. Kundërshtarët vazhdonin t’i ngacmonin e t’i sulmonin Dëshmitarët brenda dhe jashtë sallës së gjyqit. Disa gra Dëshmitare u goditën me shkelm te kërcinjtë. Kur një Dëshmitar e sulmuan dhe ai nuk ia ktheu në të njëjtën mënyrë, e goditën kaq fort pas shpine, saqë iu desh të shtrohej në spital.
Ndërkohë ishte caktuar një kryetar i ri i trupit gjykues për t’u marrë me çështjen. Pavarësisht nga përpjekjet e disave në auditor për të frikësuar avokatin mbrojtës, kryetari i ri mbajti rregull, madje duke i urdhëruar policët që të nxirrnin jashtë sallës së gjyqit një grua që po kërcënonte me zë të lartë avokatin.
Në gjykatën më të lartë të Armenisë
Më në fund, më 7 mars 2002, gjykata e apelit mbështeti vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Çuditërisht një ditë para se të njoftohej vendimi, Këshilli Shtetëror për Çështjet Fetare ishte shpërndarë. Përsëri prokurori apeloi vendimin, këtë radhë duke iu drejtuar gjykatës më të lartë në Armeni, Gjykatës së Kasacionit. Këtë herë prokurorët i kërkuan Gjykatës që ta kthente mbrapsht çështjen për ta rishqyrtuar me qëllim që «të shpallte fajtor të akuzuarin».
Trupi gjykues me gjashtë gjyqtarë, i kryesuar nga gjyqtari Mher Kaçatrjani, u mblodh më 19 prill 2002, në orën 11.00. Në deklaratën hapëse, një prej prokurorëve shprehu indinjatë të thellë që dy gjykatat e mëparshme nuk e kishin shpallur fajtor vëlla Margarjanin. Megjithatë këtë herë prokurorin vetë e ndërpritnin dhe me një ton të prerë e merrnin në pyetje katër gjyqtarë. Një gjyqtar e ndëshkoi rëndë prokurorin ngaqë po përpiqej t’i krijonte paragjykime gjykatës, duke përfshirë në parashtrimin kundër vëlla Margarjanit veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait dhe faktin që nuk ishin të regjistruar ligjërisht. Asnjëra prej tyre nuk quhej vepër penale në nenin 244. Pastaj gjyqtari i përshkroi veprimet e organit të akuzës si «përndjekje nëpërmjet një çështjeje penale». Një gjyqtar tjetër përmendi raste të ndryshme të Gjykatës Evropiane. Në këto raste pranohej se Dëshmitarët e Jehovait ishin «një fe e njohur» që gëzonte të drejtën të mbrohej nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në këtë çast, një prift në sallën e gjyqit bërtiti duke thënë se Dëshmitarët e Jehovait po përçanin kombin. Trupi gjykues e urdhëroi të qëndronte i heshtur.
Pastaj gjyqtarët thirrën në sallën e gjyqit Ljova Margarjanin. Ky ishte një veprim që nuk ishte bërë ndonjëherë nga kjo gjykatë e lartë. Vëlla Margarjani dha një dëshmi të shkëlqyer për qëndrimin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait në lidhje me çështje të ndryshme. (Marku 13:9) Pas një diskutimi të shkurtër, anëtarët e trupit gjykues u kthyen dhe mbështetën njëzëri vendimin «i pafajshëm». U duk qartë që vëlla Margarjani u ndie i lehtësuar. Në vendimin e saj të shkruar, Gjykata deklaronte: «Kjo veprimtari [e Ljova Margarjanit] nuk quhet krim sipas ligjeve ekzistuese dhe kjo lloj akuze bie në kundërshtim me nenin 23 të Kushtetutës Armene dhe me nenin 9 të Konventës Evropiane.»
Pasojat e vendimit
Nëse akuza do të kishte pasur sukses, ajo do t’u kishte hapur rrugën veprimeve ligjore kundër pleqve të tjerë Dëshmitarë në kongregacionet anembanë Armenisë. Lumturisht, vendimi i qartë, i dhënë nga Gjykata, nuk do të lejojë të krijohen shqetësime të tilla. Gjithashtu një vendim i pafavorshëm mund të kishte shërbyer si justifikim që të vazhdonin të mohonin regjistrimin ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait. Lumturisht tani Gjykata e ka hequr këtë justifikim të rremë.
Koha do ta tregojë nëse do të regjistrohen ligjërisht më tepër se 7.000 Dëshmitarë të Jehovait në këtë vend. Ndërkohë adhurimi i vërtetë ende po lulëzon në «vendin e Araratit».
[Shënimi]
^ par. 3 Kjo është një arsye përse armenët e lidhin vendin e tyre me malin Ararat. Në kohët e lashta Armenia ishte një mbretëri me shtrirje të gjerë, territori i së cilës përfshinte këtë mal. Kështu tek Isaia 37:38 përkthimi i Biblës Septuaginta Greke e përkthen shprehjen ‘vendi i Araratit’ me fjalën «Armenia». Por tani mali Ararat gjendet në Turqi, pranë kufirit lindor.
[Figura në faqen 12]
Ljova Margarjani në procesin e tij gjyqësor
[Figura në faqen 13]
Vëlla Margarjani dhe familja e tij