Pjesa ime për të çuar përpara arsimimin biblik global
Jetëshkrim
Pjesa ime për të çuar përpara arsimimin biblik global
TREGUAR NGA ROBERT NISBETI
Mbreti i Suazilendit, Sobuza II, na mirëpriti mua dhe tim vëlla, Xhorxhin, në selinë e tij mbretërore. Ishte viti 1936, por ende e kam të gjallë në mendje bisedën tonë. Arrita të bëja një bisedë të gjatë me një mbret, sepse kjo ishte pjesë e pjesëmarrjes sime shumëvjeçare në një vepër të madhe arsimimi biblik. Tani në moshën 95-vjeçare kujtoj me mall pjesën time në atë vepër, për të cilën m’u desh të udhëtoja nëpër pesë kontinente.
GJITHÇKA nisi në vitin 1925, kur një shitës çaji, i quajtur Dobson, filloi të vizitonte familjen tonë në Edinburg të Skocisë. Isha në vitet e fundit të adoleshencës dhe punoja si çirak te një farmacist. Edhe pse ende isha i ri, shqetësohesha për ndryshimet domethënëse që Lufta Botërore e viteve 1914-1918 kishte sjellë në familje dhe në jetën fetare. Në një nga vizitat e tij zoti Dobson na la librin Plani hyjnor i epokave. Shpjegimi që jepej në të për një Krijues të mençur, i cili ka një «plan» të përcaktuar, dukej kaq i arsyeshëm dhe i përshtatej Perëndisë që doja të adhuroja.
Shumë shpejt unë dhe mamaja filluam të ndiqnim mbledhjet e Studentëve të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Në shtator të vitit 1926 simbolizuam kushtimin ndaj Jehovait me anë të zhytjes në ujë në një kongres në Glasgou. Çdo kandidati për pagëzim i dhanë të vishte mbi rrobat e banjës një veshje të gjatë deri te këmbët, e cila lidhej me rripa te nyjet e këmbës. Në atë kohë mendohej
se kjo ishte veshje e përshtatshme për këtë rast serioz.Në ato ditë kuptueshmëria jonë për shumë çështje kishte nevojë të bëhej më e qartë. Pjesa më e madhe, për të mos thënë të gjithë pjesëtarët e kongregacionit, festonin Krishtlindjet. Shumë pak veta merrnin pjesë në shërbimin në fushë. Madje disa pleq ishin kundër shpërndarjes së literaturës të dielave, sepse mendonin që ky ishte dhunim i ditës së sabatit. Megjithatë artikujt e Kullës së Rojës në vitin 1925 filluan të përmendnin më shumë shkrime të tilla si Marku 13:10: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.»
Si do të kryhej kjo vepër mbarëbotërore? Përpjekja ime e parë për të marrë pjesë në predikimin nga shtëpia në shtëpi nuk ishte kushedi se çfarë. Vetëm sa i thashë pronarit të shtëpisë se po shitja libra të bukur fetarë dhe i dhashë librin Harpa e Perëndisë. Ky libër shpjegonte dhjetë mësime të rëndësishme të Biblës, duke i krahasuar me dhjetë telat e harpës. Më vonë u pajisëm me një kartë dëshmie, në të cilën ishte shkruar një mesazh i shkurtër për ta lexuar pronari i shtëpisë. Gjithashtu përdornim fjalime të regjistruara, që zgjatnin katër minuta e gjysmë, të cilat mund të dëgjoheshin në një gramafon portativ. Modelet e hershme të gramafonëve ishin tepër të rënda për t’u mbajtur, por modelet e mëvonshme ishin shumë më të lehta, dhe madje disa mund të punonin edhe në pozicionin vertikal.
Nga viti 1925 e deri në vitet 30 e kryem veprën e dëshmisë sa më mirë që dinim. Pastaj, në fillim të viteve 40, në të gjitha kongregacionet filloi Shkolla e Shërbimit Teokratik. Aty na mësohej ta paraqitnim vetë mesazhin e Mbretërisë, duke u folur drejtpërdrejt pronarëve të shtëpive që do të na dëgjonin. Mësuam edhe se ishte e rëndësishme që të drejtonim studime biblike në shtëpi me personat e interesuar. Në njëfarë kuptimi mund të themi se kjo ishte vepra e sotme mbarëbotërore e arsimimit biblik në fillimet e saj.
Inkurajim nga vëlla Radhërfordi
Nga dëshira për të marrë pjesë më shumë në veprën e arsimimit, në vitin 1931 hyra në shërbimin në kohë të plotë si pionier. Duhej të filloja menjëherë pas një kongresi në Londër. Sidoqoftë gjatë një pushimi në drekë vëlla Radhërfordi, i cili në atë kohë mbikëqyrte veprën, kërkoi të fliste me mua. Ai kishte në plan që të çonte një pionier në Afrikë. «A do të ishe i gatshëm të shkoje?»—më pyeti. Edhe pse u zura pak në befasi, arrita të thosha tërë vendosmëri: «Po, do të shkoj.»
Atëherë qëllimi ynë kryesor ishte që të shpërndanim sa më shumë literaturë biblike, dhe kjo do të thoshte të udhëtonim vazhdimisht. Më inkurajuan që të mos martohesha, ashtu siç ishin të pamartuar në atë kohë edhe shumica e vëllezërve në pozita të rëndësishme mbikëqyrjeje. Territori im fillonte nga Kejptauni, në cepin jugor të Afrikës, dhe shtrihej përgjatë anës lindore të kontinentit, përfshirë edhe ishujt bregdetarë të Oqeanit Indian. Për të shkuar në kufirin perëndimor duhej të udhëtoja përmes rërës së nxehtë të shkretëtirës së Kalaharit deri sipër në burimin e lumit Nil, në liqenin Viktoria. Unë dhe bashkëpunëtori im duhej të kalonim gjashtë muaj në vit në një ose më shumë vendet afrikane që gjendeshin në këtë zonë të gjerë.
Dyqind kuti kartoni me pasuri frymore
Kur mbërrita në Kejptaun, më treguan 200 kuti kartoni me literaturë që duhej shpërndarë në Afrikën Lindore. Literatura ishte shtypur në katër gjuhë evropiane dhe në katër aziatike, por nuk ishte në ndonjë nga gjuhët afrikane. Kur pyeta se përse e gjithë kjo literaturë ndodhej atje, madje përpara se të mbërrija, më thanë se kishte qenë për Frenk dhe Grej Smithin, dy pionierë që pak kohë më parë kishin shkuar në Kenia për të predikuar. Pothuaj sapo arritën atje, që të dy i zuri malaria, dhe Frenku vdiq.
Edhe pse ky lajm më bëri të mendoja seriozisht për situatën në të cilën ndodhesha, nuk më bëri të sprapsem. Së bashku me bashkëpunëtorin tim, David Normanin, u nisëm me anije nga
Kejptauni për në caktimin tonë të parë në Tanzani, rreth 5.000 kilometra larg. Një agjent udhëtimesh në Mombasa të Kenias kujdesej për literaturën tonë dhe i dërgonte kutitë në çfarëdo vendi që ia kërkonim. Në fillim predikuam në zonat tregtare, domethënë në dyqanet dhe në zyrat e çdo qyteti. Një pjesë e literaturës sonë përbëhej nga një komplet prej 9 librash dhe 11 broshurash, të cilat për shkak të ngjyrave të ndryshme u bënë të njohura si kompletet e ylberta.Më pas vendosëm të vizitonim ishullin e Zanzibarit, rreth 30 kilometra larg bregut lindor. Prej shekujsh Zanzibari ishte qendër e tregtisë së skllevërve, por ishte i famshëm edhe për erëzën e karafilit, aroma e së cilës mund të ndihej kudo në qytet. Ishte paksa e sikletshme të gjeje rrugën, sepse qyteti ishte ndërtuar pa ndonjë plan. Rrugët ishin dredha-dredha e merrnin kthesë në mënyrë kaq të ngatërruar dhe ishte e lehtë për ne të humbitnim drejtimin. Hoteli ynë ishte mjaft i rehatshëm, por kishte dyer me pafta e mure të trasha dhe dukej më shumë si burg, sesa si hotel. Megjithatë patëm rezultate të mira atje dhe ishim të gëzuar që gjenim arabë, indianë e të tjerë që pranonin me gatishmëri literaturën tonë.
Trena, anije dhe makina
Në ato ditë nuk ishte e lehtë të udhëtoje nëpër Afrikën Lindore. Për shembull, gjatë rrugës nga Mombasa për në malësitë e Kenias, treni u ndal nga një dyndje karkalecash. Miliona karkaleca mbulonin tokën dhe shinat e trenit, duke i bërë këto tepër të rrëshqitshme, saqë rrotat e lokomotivës nuk arrinin të ndalonin. E vetmja zgjidhje ishte që të laheshin shinat përpara trenit, duke përdorur ujë shumë të nxehtë nga lokomotiva. Kështu treni eci me ngadalë derisa më në fund e kaluam mizërinë e karkalecave. Dhe kur treni filloi të ngjitej në një të përpjetë, çfarë lehtësimi ndiem që mund të shijonim klimën më të freskët të malësive!
Ndërsa në qytetet bregdetare mund të shkohej lehtë me tren dhe me anije, në zonat fshatare mund të shkohej më mirë me makinë. U gëzova kur im vëlla Xhorxhi u bashkua me mua, sepse pastaj ishim në gjendje të blinim një furgon mjaft të madh, aq sa ta pajisnim me krevate, një kuzhinë, një hapësirë për depo dhe dritare ku nuk futeshin mushkonjat. Po ashtu sipër ishte i pajisur me altoparlantë. Të pajisur në këtë mënyrë ishim në gjendje të jepnim dëshmi nga shtëpia në shtëpi gjatë ditës dhe t’i ftonim njerëzit për në fjalimet e mbrëmjes që i mbanim në sheshet e tregjeve. Zakonisht përdornim një pllakë gramafoni që titullohej «A është i nxehtë ferri?» Me «shtëpinë e lëvizshme» bëmë një udhëtim nga Afrika e Jugut për në Kenia, një largësi prej 3.000 kilometrash. Gjatë kësaj kohe ishim të kënaqur që kishim një shumëllojshmëri broshurash në disa gjuhë afrikane, të cilat banorët vendës i pranuan me entuziazëm.
Për ne ishte një përvojë e këndshme që në udhëtime të tilla mund të shihnim shumë kafshë të egra. Natyrisht që pasi errësohej, për siguri qëndronim brenda furgonit, por ishte shumë
besimforcuese të shihje këtë shumëllojshmëri kafshësh, të krijuara nga Jehovai, në mjedisin e tyre natyror.Fillon kundërshtimi
Ndërkohë që ishim të kujdesshëm me kafshët e egra, kjo nuk ishte asgjë në krahasim me atë që duhej të bënim kur përballeshim me zyrtarë të ndryshëm të qeverisë dhe me disa udhëheqës fetarë të xhindosur, të cilët filluan ta kundërshtonin haptazi veprën e predikimit të Mbretërisë. Një problem më i madh që na u desh të përballonim ishte ai me një fanatik që e quante veten Muana Lisa, domethënë «Biri i Perëndisë», dhe me grupin e tij të njohur me emrin Kitauala, që mjerisht do të thotë «Kulla e Rojës». Disa kohë para se të mbërrinim, ky individ kishte mbytur shumë afrikanë, duke pohuar se po i pagëzonte. Së fundi e arrestuan dhe e varën. Më vonë pata mundësinë të flisja me njeriun që e kishte varur për t’i shpjeguar se ky person nuk kishte pasur asnjë lidhje me Shoqatën Watch Tower.
Po ashtu patëm vështirësi me disa evropianë që, kryesisht për arsye financiare, nuk ishin të kënaqur nga vepra jonë e arsimimit. Administruesi i një magazine u ankua: «Nëse të bardhët duhet të qëndrojnë në këtë vend, afrikanët nuk duhet ta zbulojnë se si po u shfrytëzohet fuqia e lirë punëtore.» Për të njëjtën arsye kreu i një kompanie për nxjerrjen e arit më urdhëroi prerazi të dilja nga zyra e tij. Pastaj me zemërim më erdhi pas deri te rruga.
Pa dyshim tejet e ndikuar nga këta kundërshtarë fetarë e tregtarë, qeveria e Rodezisë (tani Zimbabve) së fundi na urdhëroi që të largoheshim nga vendi. E apeluam këtë vendim dhe na lanë të qëndronim, me kusht që të mos u predikonim afrikanëve. Shpjegimi që dha një zyrtar ishte se literatura jonë ishte «e papërshtatshme për mendjen e afrikanëve». Megjithatë, në vende të tjera vepra jonë e arsimimit ndër afrikanët vazhdoi pa u penguar, madje ishte e mirëpritur. Një prej këtyre vendeve ishte Suazilendi.
Një mirëseardhje mbretërore në Suazilend
Suazilendi është një vend i vogël, i vetëqeverisur, prej 17.364 kilometrash katrorë, që ndodhet brenda Afrikës së Jugut. Pikërisht këtu takuam gojëtarin e madh, mbretin Sobuza II, të përmendur në fillim të këtij tregimi. Ai e zotëronte shkëlqyeshëm gjuhën angleze, të cilën e kishte mësuar kur ndiqte një universitet britanik. Nuk ishte veshur me rroba zyrtare dhe na priti shumë ngrohtë.
Biseda me të u përqendrua në Parajsën tokësore që Perëndia e kishte vënë si qëllim për ata që ishin të prirur. Edhe pse nuk ishte shumë i interesuar për këtë temë, ai e bëri të qartë se ishte shumë i shqetësuar për një çështje të lidhur me të. Mbreti ishte i përkushtuar pas përmirësimit të normave të jetesës së njerëzve të varfër e të paarsimuar. Atij nuk i pëlqenin veprimtaritë e shumë misionarëve të të ashtuquajturit krishterim, të cilët dukej se ishin më të interesuar për rritjen e numrit të anëtarëve të kishës sesa për arsimimin e njerëzve. Megjithatë mbreti njihte mirë veprimtarinë e disa pionierëve tanë dhe na falënderoi për veprën e arsimimit biblik,
veçanërisht ngaqë ishim të gatshëm ta bënim këtë pa pagesë ose detyrime të tjera.Arsimimi biblik përshpejtohet
Në vitin 1943 u themelua Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit për stërvitjen e misionarëve. Në vend që të përqendroheshim kryesisht në lënien e literaturës biblike, theksi u vu më shumë te ndjekja e interesit të gjetur. Në vitin 1950 mua dhe Xhorxhin na ftuan të ndiqnim klasën e 16-të të Galaadit. Pikërisht këtu takova për herë të parë Xhina Hajdin, një motër e përkushtuar australiane, e cila pasi u diplomuam u caktua për në veprën misionare në Japoni. Beqaria ishte ende shumë e zakonshme në atë kohë, prandaj miqësia jonë nuk u zhvillua më tej.
Pas stërvitjes në Galaad, Xhorxhi dhe unë morëm caktimin misionar për në Mauriki, një ishull në Oqeanin Indian. Zumë miqësi me njerëzit, mësuam gjuhën e tyre dhe bënim studime biblike me ta në shtëpitë e tyre. Më vonë edhe vëllai im më i vogël, Uilliami, dhe gruaja e tij, Mjuriëll, u diplomuan në Galaad. U dërguan në territorin tim të dikurshëm, në Kenia.
Tetë vjet kaluan pa u ndier, dhe pastaj në kongresin ndërkombëtar në Nju-Jork më 1958 takova përsëri Xhina Hajdin. Filluam sërish miqësinë dhe më pas u fejuam. Caktimi im misionar u ndryshua nga Mauriki në Japoni, dhe atje Xhina e unë u martuam më 1959. Atëherë nisëm një periudhë shumë të lumtur në veprën misionare në Hiroshimë, ku në atë kohë kishte vetëm një kongregacion të vogël. Sot në atë qytet ka 36 kongregacione.
Sajonara Japonisë
Ndërsa vitet kalonin, problemet e shëndetit që të dyve filluan të na e bënin gjithnjë e më të vështirë shërbimin misionar. Si përfundim u bë e nevojshme të linim Japoninë dhe të vendoseshim në atdheun e Xhinës, në Australi. Dita kur ikëm nga Hiroshima ishte një ditë e trishtuar. Në platformën e stacionit hekurudhor u thamë sajonara ose mirupafshim të gjithë miqve tanë të shtrenjtë.
Tani jemi vendosur në Australi dhe duke dhënë më të mirën, me gjithë aftësitë tona të kufizuara, vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait bashkë me kongregacionin e Armideilit në shtetin e Uellsit të Ri Jugor. Ç’gëzim ka qenë ta ndaj thesarin e së vërtetës së krishterë me kaq shumë njerëz për pothuaj tetëdhjetë vjet! Kam parë rritjen e mrekullueshme të programit të arsimimit biblik dhe kam qenë vetë dëshmitar i ngjarjeve frymore domethënëse. Asnjë njeri ose grup njerëzish nuk mund ta marrë meritën për këtë. Vërtet, për ta thënë me fjalët e psalmistit, «kjo është vepër e Zotit [Jehovait, BR] dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona».—Psalmi 118:23.
[Figura në faqen 28]
Im vëlla Xhorxhi me makinën-shtëpi
[Figura në faqen 28]
Unë në liqenin Viktoria
[Figura në faqen 29]
Studentë të shkollës së mesme, që ndoqën një fjalim publik në Suazilend më 1938
[Figurat në faqen 30]
Me Xhinën, ditën e dasmës, më 1959 dhe sot