Ku mund të gjesh vlera të vërteta frymore?
Ku mund të gjesh vlera të vërteta frymore?
«NËSE ke ndër mend të ndjekësh një fe vetëm për shkak të traditës familjare, pse të mos zgjedhësh fenë kelte që praktikonin paraardhësit tanë 2.000 vjet më parë?»—pyet me njëfarë ironie Rodolfi. Kjo ide e bën të buzëqeshë të riun që po e dëgjon.
Rodolfi thotë: «Marrëdhënia me Perëndinë është shumë e rëndësishme për mua. Jam krejtësisht kundër mendimit se tradita duhet të më detyrojë të kem bindje të caktuara fetare, vetëm sepse pjesëtarë të familjes sime që jetuan dhjetëra ose madje qindra vjet më parë, praktikonin atë fe.» Rodolfi i peshoi me kujdes gjërat; ai nuk e trajtoi këtë çështje të rëndësishme vetëm si diçka që kishte trashëguar.
Edhe pse kalimi i një feje nga njëri brez në tjetrin është në rënie në ditët e sotme, pjesa më e madhe e njerëzve mbetet ende e lidhur pas fesë së familjes. Por, a është gjithmonë e drejtë që dikush t’u përmbahet vlerave fetare të prindërve? Çfarë thotë Bibla?
Pas 40 vjetëve në shkretëtirë, Josiu, pasuesi i Moisiut, i vuri izraelitët përpara një zgjedhjeje: «Në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit [Jehovait, BR].»—Jozueu 24:15.
Një prej etërve për të cilët e kishte fjalën Josiu ishte Terahu, ati i Abrahamit, i cili jetonte në qytetin e Urit, që në atë kohë ndodhej në lindje të lumit Eufrat. Bibla nuk zbulon shumë rreth Terahut, përveçse ai adhuronte perëndi të tjera. (Jozueu 24:2) Biri i tij, Abrahami, megjithëse nuk kishte njohuri të plotë për qëllimin e Perëndisë, qe i gatshëm të largohej nga qyteti i tij kur Jehovai e urdhëroi ta bënte këtë. Po, Abrahami zgjodhi një fe të ndryshme nga ajo e të atit. Për shkak se veproi kështu ai mori bekimet që i kishte premtuar Perëndia dhe u bë njeriu të cilin shumë fe e njohin si «ati i të gjithë atyre që besojnë te Perëndia».—Romakëve 4:11, Today’s English Version.
Gjithashtu Bibla përshkruan nga një këndvështrim pozitiv historinë e Ruthës, një paraardhëse të Jezu Krishtit. Rutha ishte një grua moabite që ishte martuar me një izraelit. Ajo mbeti e ve dhe u gjend përballë një zgjedhjeje: të qëndronte në vendin e saj ose të kthehej bashkë me të vjehrrën në Izrael. Meqenëse e kuptoi që adhurimi i Jehovait ishte më me vlerë se adhurimi idhujtar që praktikohej nga prindërit e saj, Rutha i tha së vjehrrës: «Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.»—Rutha 1:16, 17.
Një fjalor, Dictionnaire de la Bible, komenton për vendin që zë ky tregim në kanunin biblik. Ai shpjegon se tregimi bën fjalë se «si një grua me prejardhje të huaj, e lindur në një popull pagan të cilin Izraeli e kishte armik dhe e urrente, . . . u bë, me ndërhyrjen e plotë hyjnore, një paraardhëse e mbretit të shenjtë David për shkak të dashurisë së saj për kombin e Jehovait dhe për adhurimin e tij». Rutha nuk ngurroi të zgjidhte një fe që ishte e ndryshme nga ajo e prindërve dhe, si rrjedhim, falë këtij vendimi, mori bekimin e Perëndisë.
Tregimi për fillimin e krishterimit është më i qartë rreth arsyeve se përse dishepujt e Jezuit e braktisën fenë e paraardhësve. Me një të folur shumë bindës, apostulli Pjetër e ftoi auditorin që ‘të shpëtonte nga ky brez dredharak’, duke u penduar për mëkatet dhe duke u pagëzuar në emër të Jezu Krishtit. (Veprat 2:37-41) Një prej shembujve më të shquar ishte ai i Saulit, një përndjekës jude i të krishterëve. Ndërsa ishte rrugës për në Damask, ai pa një vegim të Krishtit. Pas këtij vegimi, Sauli u bë i krishterë dhe u bë i njohur si apostulli Pavël.—Veprat 9:1-9.
Shumica e të krishterëve të hershëm nuk patën një përvojë të tillë të jashtëzakonshme. Sidoqoftë të gjithëve iu desh të braktisnin ose judaizmin, ose adhurimin e perëndive të ndryshme pagane. Ata që e pranuan krishterimin vepruan kështu pasi njohën plotësisht faktet, shpesh pasi kishin bërë diskutime të gjata për rolin e Jezuit si Mesia. (Veprat 8:26-40; 13:16-43; 17:22-34) Ata të krishterë të hershëm ishin qartësisht në dijeni për nevojën që të bënin ndryshime në jetën e tyre. Ftesa iu dha të gjithëve, si judenjve, edhe jojudenjve, por mesazhi mbetej i njëjtë. Për t’i pëlqyer Perëndisë, duhej të ndiqnin një formë të re adhurimi, krishterimin.
Një zgjedhje që na përket
Patjetër që në shekullin e parë kërkohej guxim të mos pranoje traditat fetare të familjes, judaizmin, adhurimin e perandorit, adhurimin e hyjnive pagane, dhe të bashkoheshe me një lëvizje fetare që përqeshej, si nga judenjtë, edhe nga romakët. Shpejt kjo zgjedhje çoi në përndjekje të ashpër. Edhe sot kërkohet po i njëjti guxim për të mos pranuar që «të përpihesh nga atmosfera mbizotëruese e konformizmit», siç shprehet Hipolit Simoni, peshkop katolik i qytetit Klermon-Ferran, në librin e tij Vers une France païenne? (Drejt një France pagane?). Kërkohet guxim të shoqërohesh me lëvizjen fetare të një pakice, të Dëshmitarëve të Jehovait, e cila nganjëherë kritikohet.
Pauli, një i ri nga qyteti Bastia i Korsikës i cili ishte rritur si katolik, herë pas here merrte pjesë në veprimtaritë e kishës, për shembull, shiste kuleçë që të nxirrte para për një organizatë bamirëse katolike. Meqenëse donte të kishte një kuptueshmëri më të mirë të Biblës, ai pranoi të diskutonte rregullisht me Dëshmitarët e Jehovait. Me kalimin e kohës kuptoi se ajo që po mësonte do t’i sillte dobi të qëndrueshme. Prandaj Pauli i pranoi plotësisht vlerat e Biblës dhe u bë Dëshmitar i Jehovait. Prindërit e respektuan zgjedhjen e tij, që nuk kishte dëmtuar marrëdhëniet e ngushta familjare.
Amelia jeton në jug të Francës. Pjesëtarë të familjes së saj kanë qenë Dëshmitarë të Jehovait prej katër brezash. Pse zgjodhi që të pranonte vlerat fetare të prindërve? «Nuk bëhesh Dëshmitare e Jehovait sepse prindërit ose gjyshërit janë a ishin Dëshmitarë të Jehovait,—thotë ajo.—Por një ditë i thua vetes: ‘Kjo është feja
ime, sepse këto janë bindjet e mia.’ » Ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë Dëshmitarë të Jehovait, Amelia e di se bindjet e forta fetare i japin asaj një qëllim në jetë dhe janë burim lumturie të qëndrueshme.Pse të pranojmë vlerat e perëndishme?
Libri i Proverbave, në kapitullin 6 vargu 20, i inkurajon ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë: «Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.» Në vend që të rekomandojë bindje të verbër, kjo këshillë i nxit të rinjtë që të pranojnë normat e perëndishme duke thelluar besimin dhe duke marrë anën e Perëndisë. Apostulli Pavël i ftoi shokët e tij që ‘të siguroheshin për të gjitha gjërat’, të kontrollonin nëse ajo që po u mësohej ishte në harmoni me Fjalën e Perëndisë e me vullnetin e Tij dhe të vepronin në përputhje me të.—1 Selanikasve 5:21.
Pavarësisht nëse janë rritur ose jo në një shtëpi të krishterë, më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait, të rinj e të moshuar, kanë marrë një vendim të tillë. Nëpërmjet një studimi të kujdesshëm të Biblës gjetën përgjigje të besueshme për pyetjet rreth qëllimit të jetës dhe morën një kuptueshmëri të qartë të vullnetit të Perëndisë për njerëzimin. Pasi morën këtë njohuri, pranuan vlerat e perëndishme dhe tani bëjnë më të mirën për të kryer vullnetin e Perëndisë.
Pavarësisht nëse je ose jo një lexues i rregullt i kësaj reviste, pse të mos pranosh që Dëshmitarët e Jehovait të të ndihmojnë të shqyrtosh vlerat frymore të Biblës? Në këtë mënyrë do të jesh në gjendje që ‘të provosh dhe të shohësh sa i mirë është Zoti [Jehovai, BR]’. Po ashtu do të fitosh njohurinë, e cila, nëse vihet në praktikë, të çon në jetën e përhershme.—Psalmi 34:8; Gjoni 17:3.
[Figura në faqen 5]
Katër breza të një familjeje Dëshmitarësh të Jehovait në Francë
[Figura në faqen 7]
Rutha zgjodhi t’i shërbente Jehovait dhe jo perëndive të paraardhësve