Ku mund të gjendet ngushëllim i vërtetë?
Ku mund të gjendet ngushëllim i vërtetë?
«Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht . . . na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.»—2 KORINTASVE 1:3, 4.
1. Cilat rrethana mund t’i bëjnë njerëzit që të ndiejnë një nevojë të madhe për ngushëllim?
NJË sëmundje ligështuese mund ta bëjë dikë të mendojë se jeta e tij është e rrënuar. Tërmetet, stuhitë dhe zia e bukës i lënë njerëzit të skamur. Lufta mund të sjellë vdekjen e pjesëtarëve të familjes, mund të shkatërrojë shtëpitë ose mund t’i detyrojë të zotët e tyre t’i braktisin zotërimet. Padrejtësitë mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se nuk ka një vend ku mund të drejtohen për lehtësim. Ata që janë goditur nga këto mjerime kanë shumë nevojë për ngushëllim. Ku mund të gjendet ai?
2. Pse ngushëllimi i siguruar nga Jehovai është i pashoq?
2 Disa individë dhe organizata përpiqen shumë për të sjellë ngushëllim. Fjalët mirëdashëse vlerësohen. Përpjekjet për të siguruar ndihma materiale ndihmojnë për të plotësuar nevojat për një kohë të shkurtër. Por vetëm Jehovai, Perëndia i vërtetë, mund të zhbëjë të gjithë dëmin dhe të sigurojë atë lloj ndihme që nevojitet me qëllim që këto gjëma të mos ndodhin më kurrë. Në lidhje me Jehovain Bibla thotë: «I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona, që të jemi në gjendje për të ngushëlluar ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi, me anë të ngushëllimit me të cilin ne vetë po ngushëllohemi nga Perëndia.» (2 Korintasve 1:3, 4) Si na ngushëllon Jehovai?
Shkon në rrënjë të problemeve
3. Në ç’mënyrë ngushëllimi që sjell Perëndia shkon në rrënjë të problemeve të njerëzimit?
3 E gjithë familja njerëzore trashëgoi papërsosmërinë si pasojë e mëkatit të Adamit dhe kjo shkakton probleme të panumërta, të cilat së fundi çojnë në vdekje. (Romakëve 5:12) Situata rëndohet nga fakti se Satana Djalli është «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 1 Gjonit 5:19) Jehovai bëri më shumë sesa shprehu keqardhje për gjendjen e palumtur që po përballon njerëzimi. Ai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur si një shpërblesë për të siguruar çlirim dhe na tha se mund të lehtësohemi nga ndikimet e mëkatit të Adamit, nëse ushtrojmë besim te Biri i Tij. (Gjoni 3:16; 1 Gjonit 4:10) Gjithashtu Perëndia paratha se Jezu Krishti, të cilit i është besuar i gjithë autoriteti në qiell e në tokë, do të shkatërrojë Satanain dhe krejt sistemin e tij të lig.—Mateu 28:18; 1 Gjonit 3:8; Zbulesa 6:2; 20:10.
4. (a) Çfarë ka siguruar Jehovai për të na e forcuar sigurinë në premtimet e tij për lehtësim? (b) Si na ndihmon Jehovai të dallojmë se kur do të vijë lehtësimi?
4 Për të na e forcuar sigurinë në premtimet e tij, Perëndia ka ruajtur dëshmi të bollshme se çfarëdo që parathotë ndodh. (Jozueu [Josiu] 23:14) Ai përfshiu në Bibël një dokumentim të asaj që ka bërë për t’i çliruar shërbëtorët e tij nga rrethana që do të kishin qenë pa rrugëdalje nga pikëpamja njerëzore. (Eksodi [Dalja] 14:4-31; 2 Mbretërve 18:13–19:37) Dhe nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai tregoi se qëllimi i tij përfshin shërimin e njerëzve nga «çdo lloj sëmundjeje», madje edhe ringjalljen e të vdekurve. (Mateu 9:35; 11:3-6) Kur do të ndodhë e gjithë kjo? Si përgjigje Bibla përmban një përshkrim të ditëve të fundit të këtij sistemi të vjetër, i cili i paraprin qiejve të rinj dhe tokës së re të Perëndisë. Përshkrimi i Jezuit përputhet me kohët në të cilët po jetojmë.—Mateu 24:3-14; 2 Timoteut 3:1-5.
Ngushëllim një populli në vështirësi
5. Te çfarë e drejtoi Jehovai vëmendjen e Izraelit të lashtë kur po u sillte ngushëllim atyre?
5 Nga mënyra se si Jehovai veproi me Izraelin e lashtë mësojmë se si u solli ngushëllim atyre në kohë vështirësish. Ai u kujtoi atyre se ç’lloj Perëndie është. Kjo ua forcoi sigurinë në premtimet e tij. Jehovai bëri që profetët e tij të përdornin kontraste të gjalla mes tij, si Perëndia i vërtetë e i gjallë, dhe idhujve, të cilët nuk mundën të ndihmonin as veten dhe as adhuruesit e tyre. (Isaia 41:10; 46:1; Jeremia 10:2-15) Kur Jehovai tha nëpërmjet Isaisë: «Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim», ai e nxiti profetin të përdorte ilustrime dhe përshkrime të veprave të Tij të krijimit, që të theksonte madhështinë e Tij si Perëndia i vetëm i vërtetë.—Isaia 40:1-31.
6. Çfarë treguesish dha disa herë Jehovai për të kuptuar se kur do të ndodhte çlirimi?
6 Në disa raste, Jehovai solli ngushëllim duke përcaktuar kohën, të afërt ose të largët, kur populli i tij do të çlirohej. Ndërsa afrohej çlirimi nga Egjipti, ai u tha izraelitëve të shtypur: «Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t’ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t’ju lejojë të shkoni, ai do t’ju dëbojë përfundimisht prej këtej.» (Eksodi 11:1) Kur një aleancë trikombëshe pushtoi Judën në ditët e mbretit Jehozafat, Jehovai u tha se do të ndërhynte në dobi të tyre «nesër». (2 Kronikave 20:1-4, 14-17) Përkundrazi çlirimi nga Babilonia u dokumentua nga Isaia pothuajse 200 vjet përpara dhe hollësi të mëtejshme u dhanë nga Jeremia gati njëqind vjet përpara se të ndodhte çlirimi. Sa inkurajuese ishin këto profeci për shërbëtorët e Perëndisë, kur koha e çlirimit u afrua!—Isaia 44:26–45:3; Jeremia 25:11-14.
7. Çfarë përfshihej shpesh në premtimet e çlirimit dhe si ndikoi kjo te njerëzit besnikë në Izrael?
7 Është për t’u vënë re se premtimet që i sollën ngushëllim popullit të Perëndisë, shpesh përmbanin të dhëna rreth Mesisë. (Isaia 53:1-12) Brez pas brezi, këto të dhëna i dhanë shpresë njerëzve besnikë ndërsa përballonin sprova të shumta. Te Luka 2:25 lexojmë: «Ja, në Jerusalem gjendej një njeri që quhej Simeon; ky njeri ishte i drejtë dhe plot nderim për Perëndinë; ai priste ngushëllimin e Izraelit [në fakt ardhjen e Mesisë] dhe fryma e shenjtë ishte mbi të.» Simeoni e njihte shpresën mesianike të paraqitur në Bibël dhe pritja e përmbushjes së saj i dha formë jetës së tij. Nuk e kuptoi se si do të përmbushej e gjitha ajo, dhe ai vetë nuk jetoi që ta shihte shpëtimin e parathënë të bëhej realitet, por u gëzua kur identifikoi Atë që të do të ishte ‘mjeti i shpëtimit’ i Perëndisë.—Luka 2:30.
Ngushëllim i siguruar nëpërmjet Krishtit
8. Si krahasohej ndihma që dha Jezui me atë për të cilën shumë njerëz mendonin se kishin nevojë?
8 Kur Jezu Krishti kreu shërbimin e tij tokësor, ai nuk siguroi gjithmonë ndihmën për të cilën njerëzit mendonin se kishin nevojë. Disa dëshironin me zjarr një Mesi që do t’i çlironte nga zgjedha e urryer e Romës. Por Jezui nuk nxiti kryengritje; ai u tha atyre që ‘t’i paguanin . . . Cezarit gjërat e Cezarit’. (Mateu 22:21) Qëllimi i Perëndisë përfshinte shumë më tepër se të çlironte njerëzit që ishin nën sundimin e ndonjë regjimi politik. Njerëzit donin ta bënin mbret Jezuin, por ai tha se ‘do të jepte shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave’. (Mateu 20:28; Gjoni 6:15) Nuk ishte ende koha për t’u bërë mbret dhe autoriteti për të sunduar do t’i jepej nga Jehovai, dhe jo nga turmat e pakënaqura.
9. (a) Cili ishte mesazhi i ngushëllimit që shpalli Jezui? (b) Si e tregoi Jezui rëndësinë e mesazhit për situatat që po hasnin njerëzit? (c) Për çfarë hodhi një bazë shërbimi i Jezuit?
9 Ngushëllimi që solli Jezui u mishërua në «lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë». Ky ishte mesazhi të cilin Jezui e shpalli kudo që shkoi. (Luka 4:43) Ai theksoi rëndësinë e këtij mesazhi për problemet e përditshme të njerëzve duke treguar se çfarë do të bënte ai për njerëzimin si Sundimtari Mesianik. U dha individëve që vuanin arsye të re për të jetuar, duke u rikthyer shikimin dhe të folurin (Mateu 12:22; Marku 10:51, 52), duke shëruar të gjymtët (Marku 2:3-12), duke i shëruar izraelitët nga sëmundje të neveritshme (Luka 5:12, 13) dhe duke i lehtësuar nga sëmundje të tjera të rënda. (Marku 5:25-29) U solli lehtësim të madh pjesëtarëve të hidhëruar të familjeve duke i ngritur fëmijët e tyre nga të vdekurit. (Luka 7:11-15; 8:49-56) Tregoi aftësinë e tij për të mbajtur nën kontroll stuhitë e rrezikshme dhe për të plotësuar nevojat për ushqim të turmave të mëdha. (Marku 4:37-41; 8:2-9) Për më tepër Jezui u mësoi parimet e jetesës që mund t’i ndihmonin për t’i bërë ballë me sukses problemeve që kishin dhe që do t’ua mbushnin zemrat me shpresë për sundimin e drejtë të Mesisë. Kështu kur Jezui kreu shërbimin e tij, jo vetëm ngushëlloi ata që e dëgjuan me besim, por edhe hodhi një bazë për t’i inkurajuar njerëzit për mijëvjeçarët që do të vinin.
10. Çfarë është bërë e mundur si rezultat i flijimit të Jezuit?
10 Më tepër se 60 vjet pasi Jezui kishte flijuar jetën e tij njerëzore dhe ishte ringjallur në jetën qiellore, apostulli Gjon u frymëzua të shkruante: «Fëmijët e mi të vegjël, po jua shkruaj këto gjëra që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin. E ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:1, 2) Për shkak të dobive të flijimit njerëzor të përsosur të Jezuit, jemi jashtëzakonisht të ngushëlluar. E dimë se mund të na falen mëkatet, se mund të kemi një ndërgjegje të pastër, një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë dhe shpresën e jetës së përhershme.—Gjoni 14:6; Romakëve 6:23; Hebrenjve 9:24-28; 1 Pjetrit 3:21.
Fryma e shenjtë si ngushëllues
11. Çfarë mase tjetër për ngushëllim premtoi Jezui para se të vdiste?
11 Ndërsa ishte me apostujt mbrëmjen e fundit para vdekjes së tij flijuese, Jezui foli për një masë tjetër që kishte marrë Ati i tij qiellor për t’i ngushëlluar. Jezui tha: «Unë do t’i lutem Atit e ai do t’ju japë një ndihmës [ngushëllues; greqisht, paraklitos] tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë, frymën e së vërtetës.» Ai i siguroi ata: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, . . . do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:16, 17, 26) Si u solli në të vërtetë ngushëllim fryma e shenjtë?
12. Meqenëse fryma e shenjtë i ndihmoi dishepujt e Jezuit për t’u sjellë ndër mend të gjitha gjërat që u kishte thënë ai, si ka ndihmuar ajo për t’u sjellë ngushëllim shumë vetave?
12 Apostujt kishin marrë shumë mësime nga Jezui. Sigurisht që ata nuk do ta harronin atë që përjetuan, por a do të kujtonin me përpikëri atë që tha Jezui? A do të humbitnin udhëzime të rëndësishme për shkak të kujtesës së tyre të papërsosur? Jezui i siguroi se fryma e shenjtë ‘do t’u sillte ndër mend të gjitha gjërat që u kishte thënë’. Kështu rreth tetë vjet pas vdekjes së Jezuit, Mateu ishte në gjendje të shkruante ungjillin e parë, në të cilin dokumentoi Predikimin në Mal të Jezuit që të ngroh zemrën, ilustrimet e shumta lidhur me Mbretërinë dhe trajtimin e hollësishëm të shenjës së pranisë së tij. Më tepër se 50 vjet më vonë, apostulli Gjon ishte në gjendje të shkruante një tregim të besueshëm me shumë hollësira rreth disa ditëve të fundit të jetës tokësore të Jezuit. Sa inkurajuese që kanë qenë këto dokumentime të frymëzuara deri në ditët e sotme!
13. Si shërbeu fryma e shenjtë si mësues për të krishterët e hershëm?
13 Më tepër sesa vetëm t’u sillte ndër mend fjalët, fryma e shenjtë i mësoi dishepujt dhe i udhëhoqi drejt një kuptueshmërie më të plotë të qëllimit të Perëndisë. Ndërsa ishte ende me dishepujt, Jezui u tha atyre gjëra që nuk i kuptuan qartë atëherë. Megjithatë, më pas, të shtyrë nga fryma e shenjtë, Gjoni, Pjetri, Jakovi, Juda dhe Pavli shkruan hollësira të mëtejshme rreth qëllimit të Perëndisë. Kështu fryma e shenjtë shërbeu si mësues, duke u dhënë dishepujve sigurinë e nevojshme se po drejtoheshin nga Perëndia.
14. Në cilat mënyra e ndihmoi popullin e Jehovait fryma e shenjtë?
14 Dhuratat e mrekullueshme të frymës ndihmuan gjithashtu për ta bërë të dukshme se Perëndia nuk e miratonte Izraelin mishor, por kongregacionin e krishterë. (Hebrenjve 2:4) Fryti i kësaj fryme në jetën e individëve ishte po ashtu një faktor i rëndësishëm për të identifikuar ata që ishin vërtet dishepujt e Jezuit. (Gjoni 13:35; Galatasve 5:22-24) Gjithashtu fryma i forcoi pjesëtarët e atij kongregacioni që të ishin dëshmitarë të guximshëm e të patrembur.—Veprat 4:31.
Ndihmë nën presion tejet të madh
15. (a) Çfarë presionesh kanë hasur shumë të krishterë në të kaluarën dhe sot? (b) Pse ata që japin inkurajim ndonjëherë mund të kenë nevojë vetë për të marrë inkurajim?
15 Të gjithë ata që i janë përkushtuar Jehovait dhe që janë besnikë ndaj tij përjetojnë përndjekje të ndonjë lloji. (2 Timoteut 3:12) Sidoqoftë shumë të krishterë janë gjendur nën presione që janë tej mase të ashpra. Në kohët e sotme, disa janë sulmuar vazhdimisht nga turma njerëzish dhe janë hedhur në kampe përqendrimi, në burgje e në kampe pune ku kushtet ishin çnjerëzore. Qeveritë janë bërë përndjekës aktivë ose kanë lejuar elementë të paligjshëm që të kryejnë akte të dhunshme pa u ndëshkuar. Përveç kësaj të krishterët kanë hasur probleme të rënda shëndeti ose kriza familjare serioze. Gjithashtu edhe një i krishterë i pjekur që ndihmon shumë bashkëbesimtarë për të përballuar rrethanat e vështira mund të hasë presion. Në këto raste, ai që jep inkurajim mund të ketë nevojë vetë për të marrë inkurajim.
16. Si mori ndihmë Davidi kur ishte nën presion të madh?
16 Kur mbreti Saul po e ndiqte Davidin për ta vrarë, Davidi iu drejtua Perëndisë si Ndihmësi i tij. Ai u përgjërua: «O Perëndia im, dëgjo lutjen time!» «Gjej strehë në hijen e krahëve të tu.» (Psalmi 54:2, 4; 57:1) A mori Davidi ndihmë? Po. Gjatë asaj periudhe, Jehovai përdori Gadin, profetin, dhe Abiatarin, priftin, për t’i dhënë drejtim Davidit dhe Ai përdori Jonatanin, birin e Saulit, për ta forcuar Davidin. (1 Samuelit 22:1, 5; 23:9-13, 16-18) Po ashtu Jehovai i lejoi filistinët që të mësynin vendin, duke e larguar në këtë mënyrë Saulin nga ndjekja e Davidit.—1 Samuelit 23:27, 28.
17. Ku u drejtua për ndihmë Jezui kur ishte nën presion tejet të madh?
17 Vetë Jezu Krishti ishte nën presion tejet të madh ndërsa fundi i jetës së tij tokësore afrohej. Ai ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se si mund të ndikonte sjellja e tij ndaj emrit të Atit të tij qiellor dhe se çfarë mund të nënkuptonte ajo për të ardhmen e të gjithë njerëzimit. U lut me ngulm, madje «i pushtuar nga angështia». Perëndia u sigurua që Jezui të merrte mbështetjen për të cilën kishte nevojë gjatë asaj kohe të vështirë.—Luka 22:41-44.
18. Çfarë ngushëllimi u dha Perëndia të krishterëve të hershëm që u përndoqën ashpërsisht?
18 Kaq e egër ishte përndjekja e të krishterëve pas themelimit të kongregacionit të shekullit Hebrenjve 10:34; Efesianëve 1:18-20) Ndërsa vazhduan të predikonin, panë dëshmi se fryma e Perëndisë ishte me ta dhe përvojat e tyre u dhanë arsye të mëtejshme për t’u gëzuar.—Mateu 5:11, 12; Veprat 8:1-40.
të parë, saqë të gjithë, përveç apostujve, u shpërndanë nga Jerusalemi. Burra e gra u tërhoqën zvarrë nga shtëpitë e tyre. Çfarë ngushëllimi u dha Perëndia atyre? Sigurinë nga Fjala e tij se kishin «një zotërim më të mirë dhe të qëndrueshëm», një trashëgimi të përhershme në qiej me Krishtin. (19. Si u ndie Pavli për ngushëllimin që sjell Perëndia, ndonëse hasi përndjekje të ashpër?
19 Me kohë, Sauli (Pavli), i cili kishte qenë vetë një përndjekës i dhunshëm, u bë objekt përndjekjeje, sepse ishte bërë i krishterë. Në ishullin e Qipros ishte një magjistar që u përpoq të pengonte shërbimin e Pavlit duke përdorur mashtrime dhe shtrembërime. Në Galati Pavlin e qëlluan me gurë dhe e lanë duke e marrë për të vdekur. (Veprat 13:8-10; 14:19) Në Maqedoni e rrahën me thupër. (Veprat 16:22, 23) Pas dhunës së turmës në Efes, ai shkroi: «Qemë nën një presion tejet të madh përtej forcave tona, aq sa nuk ishim fare të sigurt as për jetën tonë. Në fakt, e ndienim përbrenda se kishim marrë dënimin me vdekje.» (2 Korintasve 1:8, 9) Por në të njëjtën letër, Pavli shkroi fjalët ngushëlluese të cituara në paragrafin 2 të këtij artikulli.—2 Korintasve 1:3, 4.
20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
20 Si mund të sillni edhe ju një ngushëllim të tillë? Ka shumë njerëz në ditët e sotme që kanë nevojë për të kur përjetojnë hidhërime, ose për shkak të një katastrofe që godet mijëra veta, ose për shkak të shtrëngimeve që godasin vetëm ata. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se si të sjellim ngushëllim në secilin rast.
A ju kujtohet?
• Pse ngushëllimi nga Perëndia është me vlerë më të madhe se çdo ngushëllim tjetër?
• Çfarë ngushëllimi sigurohet nëpërmjet Krishtit?
• Si ka treguar fryma e shenjtë se është një ngushëllues?
• Jepni shembuj ngushëllimi të siguruar nga Perëndia kur shërbëtorët e tij ishin nën presion të ashpër.
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 15]
Bibla na tregon se Jehovai solli ngushëllim duke e çliruar popullin e tij
[Figurat në faqen 16]
Jezui siguroi ngushëllim duke mësuar, duke shëruar dhe duke ringjallur të vdekurit
[Figura në faqen 18]
Jezui mori ndihmë nga lart