Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkolla e Galaadit: 60 vjet duke stërvitur misionarë

Shkolla e Galaadit: 60 vjet duke stërvitur misionarë

Shkolla e Galaadit: 60 vjet duke stërvitur misionarë

«NGAQË e studiuam intensivisht Biblën, u afruam më shumë me Jehovain dhe mësuam më shumë për organizatën e tij. Kjo na përgatiti për jetën gjatë caktimit në një vend të huaj.» Kështu e përshkroi një e diplomuar e klasës së parë kursin e studimeve që ndoqi në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Që nga përurimi i saj 60 vjet më parë, Shkolla e Galaadit ka vazhduar të nxjerrë misionarë. Më 8 mars 2003, në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, u mbajt diplomimi i klasës së 114-të. Të 6.404 të pranishmit në auditor dhe në vende të tjera të lidhura me lidhje televizive dëgjuan me vëmendje programin, i cili përmbante fjalime, intervista dhe një diskutim në grup.

Teodor Xharazi, anëtar i Trupit Udhëheqës, ishte drejtues i programit. Komentet e tij hyrëse nxorën në pah se auditori ishte vërtet ndërkombëtar, pasi përbëhej prej vizitorëve nga Azia, Karaibet, Amerika Qendrore e Jugore dhe Evropa. Duke i përqendruar komentet te 2 Timoteut 4:5, vëlla Xharazi theksoi se cila është vepra kryesore e një misionari të stërvitur në Galaad, pra ‘të bëjë punën e ungjillëzuesit’. Misionarët japin dëshmi për të vërtetën duke u mësuar njerëzve Biblën.

Studentët marrin udhëzimet e fundit

Duke nisur me fjalimin e parë nga seria e fjalimeve të shkurtra, Xhon Larsoni, anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara, foli për temën besimforcuese: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?» (Romakëve 8:31) Oratori shpjegoi cila është baza biblike pse studentët duhet të kenë besim të plotë te fuqia e Jehovait. Kjo fuqi do t’i ndihmojë të kapërcejnë çdo pengesë që mund të hasin në caktimet e tyre. Duke përdorur Romakëve 8:38, 39, vëlla Larsoni i këshilloi studentët: «Ndaluni dhe meditoni për fuqinë që po përdor Perëndia në dobinë tuaj; mos harroni se asgjë nuk mund ta thyejë lidhjen e fortë që ka Jehovai personalisht me ju.»

Më pas në program vinte Gai Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës. Ai zgjodhi temën: «Vazhdoni t’i keni të lumtur sytë!» (Luka 10:23) Ai shpjegoi se lumturia e vërtetë përfshin të njohim Jehovain dhe të kuptojmë qëllimin e tij të përjetshëm, si edhe të shohim përmbushjen e profecive biblike. Kudo që të shkojnë, studentët mund të jenë vërtet të lumtur duke vazhduar t’i kenë sytë e tyre të lumtur. Vëlla Piërsi i nxiti të diplomuarit të meditojnë thellë për mirësinë e Jehovait dhe ta mbajnë mendjen e zemrën të përqendruar për të bërë vullnetin e Tij. (Psalmi 77:12) Duke mbajtur një qëndrim pozitiv, të diplomuarit mund të kapërcejnë çfarëdo problemi që mund t’u dalë.

Më pas klasa dëgjoi fjalët e fundit inkurajuese nga dy instruktorë që i kishin dhënë mësim përditë klasës. «A po kërkoni lavdi?»,—ishte pyetja që ngriti Lorenc Boueni në titullin e fjalimit të tij. Shumica e njerëzve mendojnë se lavdia do të thotë të lavdërohen, të nderohen dhe të shquhen ata vetë. Mirëpo, psalmisti Asaf arriti të kuptonte ç’ishte lavdia e vërtetë, domethënë pasuria e paçmuar si pasojë e një marrëdhënieje të bekuar me Jehovain. (Psalmi 73:24, 25) Studentët që po diplomoheshin morën nxitjen që të mbajnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain nëpërmjet studimit të vazhdueshëm e të thellë të Biblës. Engjëjt «kanë dëshirë të ndalen e t’i shikojnë» hollësitë që kanë të bëjnë me plotësimin e qëllimit të Jehovait nëpërmjet Krishtit. (1 Pjetrit 1:12) Ata duan të mësojnë sa më shumë që munden për Atin e tyre, që të pasqyrojnë lavdinë e tij. Më pas, oratori i nxiti studentët që t’i sjellin lavdi Jehovait në caktimet e tyre misionare duke i ndihmuar të tjerët të gjejnë thesarin me vlerë të paçmuar.

Sekretari administrativ i shkollës, Uollas Livërënsi, përfundoi serinë e fjalimeve hyrëse me temën «Flitni mençurinë e Perëndisë në një sekret të shenjtë». (1 Korintasve 2:7) Çfarë është kjo mençuri hyjnore për të cilën foli apostulli Pavël gjatë shërbimit të tij misionar? Është mjeti i mençur dhe i fuqishëm që përdor Jehovai për të sjellë paqen dhe unitetin universal. Kjo mençuri përqendrohet te Jezui. Pavli nuk predikoi ungjillin shoqëror, por i ndihmoi njerëzit të kuptonin se si Perëndia do të ndreqte pasojat e mëkatit të Adamit. (Efesianëve 3:8, 9) Oratori u bëri thirrje dëgjuesve: «Përdoreni privilegjin tuaj të shërbimit njësoj si Pavli, i cili e pa caktimin e tij misionar si një mundësi për t’i ndihmuar njerëzit që të kuptonin se si do ta plotësonte Jehovai qëllimin e tij.»

Pas kësaj, Mark Numari, një instruktor tjetër i Galaadit, drejtoi një diskutim entuziast me disa studentë të klasës. Tema «Studimi i Fjalës së Perëndisë sjell si rezultat shërbëtorë të zellshëm» nxori në pah fjalët e Pavlit që gjejmë te Romakëve 10:10. Klasa tregoi shumë përvoja nga shërbimi në fushë që kishin pasur ndërsa ndiqnin shkollën. Përvojat e tyre treguan se kur e studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë rreth saj, gjërat e mira që kanë të bëjnë me Perëndinë Jehova dhe me Mbretërinë e tij do të na mbushin zemrën dhe do të jenë në buzët tona. Gjatë qëndrimit të tyre pesëmujor në Qendrën e Arsimimit Watchtower, studentët filluan më shumë se 30 studime biblike me të interesuarit në territoret e punuara shpesh të kongregacioneve aty afër.

Këshilla nga më të pjekurit

Gjatë shkollës, studentët kishin nxjerrë dobi duke u shoqëruar me anëtarët e familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara. Dy anëtarë të degës, Robert Siranko dhe Robert P. Xhonson drejtuan intervista me disa shërbëtorë të vjetër besnikë të Jehovait, duke përfshirë mbikëqyrës udhëtues që në atë kohë po merrnin stërvitje të veçantë në Qendrën e Arsimimit Watchtower. Të gjithë të intervistuarit ishin të diplomuar të Galaadit që kishin shërbyer si misionarë. Ishte shumë inkurajuese për studentët dhe për familjet e miqtë e tyre, të dëgjonin fjalë mençurie nga këta burra frymorë me përvojë.

Disa këshilla të tyre ishin: «Jini sa më shumë të zellshëm që të jetë e mundur në shërbim dhe në kongregacion.» «Mos e merrni veten shumë seriozisht. Mbajeni përqendrimin te qëllimi juaj si misionarë dhe bëjeni si shtëpinë tuaj caktimin që keni.» Komente të tjera të dobishme ilustronin se si stërvitja e Galaadit e pajis një shërbëtor për vepra të mira, pavarësisht se ku caktohet. Ja disa komente: «Mësuam të punojmë së bashku.» «Shkolla na ndihmoi të pranonim kultura të reja.» «Mësuam t’i përdorim Shkrimet nga një këndvështrim i ri.»

Xhon E. Barri, anëtar i Trupit Udhëheqës nga shumë kohë, mbajti fjalimin kryesor të programit. Tema biblike e fjalimit ishte «Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën». (Romakëve 10:18) Ai bëri pyetjen: A ka qenë në gjendje populli i Perëndisë ta kryejë këtë detyrë të vështirë sot? Po, patjetër! Në vitin e largët 1881, lexuesve të revistës Kulla e Rojës iu bë pyetja: «A po predikoni?» Më pas, vëlla Barri u kujtoi të gjithëve në auditor thirrjen historike që u bë në kongresin e vitit 1922 në Sidër-Point, Ohajo, SHBA: «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë e tij!» Me kalimin e kohës, zelli i shërbëtorëve besnikë të Perëndisë i shtyu t’ua shpallnin të vërtetat e mrekullueshme të Mbretërisë të gjitha kombeve. Me anë të literaturës dhe të predikimit, lajmi i mirë ka arritur deri në skajet më të largëta të tokës së banuar, e gjithë kjo për nder dhe lavdi të Jehovait. Duke bërë një përmbyllje nxitëse, vëlla Barri u bëri thirrje të diplomuarve të numërojnë bekimet e tyre, duke thënë: «Ditë pas dite, kur t’i luteni Jehovait ndërsa jeni në caktimin tuaj, falënderojeni nga thellësia e zemrës për pjesën që keni pasur në përmbushjen e fjalëve ‘zëri i tyre shkoi në mbarë tokën’!»

Pas këtij fjalimi, u lexuan përshëndetje dhe drejtuesi i dorëzoi diplomën secilit të diplomuar. Më pas, me ndjenja të përziera gëzimi dhe trishtimi ngaqë po largoheshin nga kjo shkollë e dashur, një përfaqësues i klasës lexoi një rezolutë të përzemërt drejtuar Trupit Udhëheqës dhe familjes Bethel. Në rezolutë shprehej vendosmëria e të diplomuarve për ta bekuar Jehovain «tani dhe përjetë».—Psalmi 115:18.

Lutemi që këta të diplomuar të përshtaten me shtëpinë e tyre të re dhe të japin një ndihmesë të shkëlqyer në përparimin e veprës mbarëbotërore të predikimit, ashtu siç kanë bërë ata që u dërguan para tyre për 60 vjet me radhë!

[Kutia në faqen 23]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 12

Numri i shteteve ku u caktuan: 16

Numri i studentëve: 48

Mosha mesatare: 34,4

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17,6

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13,5

[Figura në faqen 24]

Diplomimi i klasës së 114-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Rosa, D.; Garrigolas, J.; Lindström, R.; Pavanello, P.; Tait, N. (2) Van Hout, M.; Donabauer, C.; Martínez, L.; Millar, D.; Festré, Y.; Nutter, S. (3) Martínez, P.; Clarke, L.; Maughan, B.; Fischer, L.; Romo, G. (4) Romo, R.; Eadie, S.; Tuynman, C.; Campbell, P.; Millar, D.; Rosa, W. (5) Lindström, C.; Garrigolas, J.; Markevich, N.; Lindala, K.; van den Heuvel, J.; Tait, S.; Nutter, P. (6) Maughan, P.; Pavanello, V.; Eadie, N.; West, A.; Clarke, D.; Markevich, J. (7) Fischer, D.; Donabauer, R.; Curry, P.; Curry, Y.; Carfagno, W.; West, M.; Tuynman, A. (8) Van Hout, M.; Campbell, C.; Festré, Y.; Carfagno, C.; van den Heuvel, K.; Lindala, D.