A kemi vërtet nevojë për të tjerët?
A kemi vërtet nevojë për të tjerët?
«KUR shqyrtojmë jetën dhe përpjekjet që bëjmë në jetë shumë shpejt vërejmë që pothuajse të gjitha veprimet dhe dëshirat tona ndërlidhen me jetën e qenieve të tjera njerëzore»,—tha shkencëtari i mirënjohur Albert Ajnshtajni. Ai shtoi më tej: «Ne hamë ushqimin që e kanë prodhuar njerëz të tjerë, veshim rroba që i kanë bërë njerëz të tjerë, banojmë në shtëpi që i kanë ndërtuar njerëz të tjerë. . . . Individi është ai që është dhe ka rëndësinë që ka, jo dhe kaq shumë për shkak të veçorive të tij, por më shumë ngaqë ai është pjesëtar i një bashkësie të madhe njerëzore, e cila drejton jetën e tij materiale dhe frymore që nga djepi e deri në varr.»
Në botën e kafshëve është e zakonshme të vërejmë që ato instinktivisht jetojnë në shoqëri me njëra-tjetrën. Elefantët lëvizin në kope, duke i ruajtur me kujdes të vegjlit e tyre. Luaneshat gjuajnë së bashku dhe e ndajnë ushqimin me meshkujt. Delfinët luajnë bashkë, e madje kanë mbrojtur edhe kafshë të tjera ose notarë që gjendeshin në rrezik.
Por studiuesit e shkencave shoqërore kanë vënë re se te njerëzit ka një prirje që shkakton gjithnjë e më shumë shqetësim. Sipas një gazete të botuar në Meksikë, disa shkencëtarë mendojnë se «fakti që në SHBA për dhjetëvjeçarë të tërë njerëzit kanë jetuar të veçuar dhe gjithnjë e më pak në shoqëri me njëri-tjetrin, ka pasur ndikim të dëmshëm në shoqërinë e këtij vendi». Gazeta pohonte se «mirëqenia e këtij kombi varej nga një ndryshim shoqëror i përgjithshëm. Ky ndryshim duhej të përfshinte një rikthim në jetën shoqërore».
Ky problem është përhapur sidomos tek ata që jetojnë në vendet e zhvilluara. Shumë njerëz kanë prirjen të veçohen, një prirje që sa vjen e rritet me të shpejtë. Njerëzit duan ‘të jetojnë më vete’ dhe nuk pranojnë aspak që të tjerët ‘të ndërhyjnë në jetën e tyre’. Është shprehur pikëpamja se ky qëndrim ka bërë që shoqëria njerëzore të jetë më e prirur ndaj problemeve emocionale, depresionit dhe vetëvrasjes.
Lidhur me këtë, Dr. Daniel Golmani tha: «Veçimi shoqëror, pra koncepti se një individ nuk ka dikë tjetër me të cilin të flasë për ndjenjat e tij ose me të cilin të mbajë lidhje të ngushtë, dyfishon mundësinë e sëmundjeve dhe të vdekjes.» Një raport i botuar në revistën Science nxori përfundimin se veçimi shoqëror ‘ka të njëjtin ndikim te numri i vdekjeve si edhe vesi i duhanit, tensioni i lartë i gjakut, përqindja e lartë e kolesterinës, dhjamosja dhe mungesa e ushtrimeve fizike’.
Pra, për shumë arsye ne kemi vërtet nevojë për të tjerët. Nuk jetojmë dot të veçuar. Atëherë si mund të zgjidhet problemi i veçimit? Çfarë i ka dhënë vërtet kuptim jetës së shumë njerëzve? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.
[Diçitura në faqen 3]
«Pothuajse të gjitha veprimet dhe dëshirat tona ndërlidhen me jetën e qenieve të tjera njerëzore.»—Albert Ajnshtajni