Si duhet t’i shohim njerëzit ndërsa dita e Jehovait afrohet?
Si duhet t’i shohim njerëzit ndërsa dita e Jehovait afrohet?
«Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, . . . por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.»—2 PJETRIT 3:9.
1, 2. (a) Si i sheh Jehovai njerëzit sot? (b) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
SHËRBËTORËVE të Jehovait u është ngarkuar detyra që ‘të bëjnë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’. (Mateu 28:19) Ndërsa përmbushim këtë caktim dhe presim ‘ditën e madhe të Jehovait’, duhet t’i shohim njerëzit ashtu siç i sheh ai. (Sofonia 1:14, BR) Por, si i sheh Jehovai njerëzit? Apostulli Pjetër thotë: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2 Pjetrit 3:9) Perëndia i sheh njerëzit si individë që kanë mundësinë për të arritur në pendim. «Vullneti [i tij] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës.» (1 Timoteut 2:4) Madje Jehovai kënaqet kur ‘i ligu kthen rrugë dhe mbetet gjallë’.—Ezekieli 33:11, BR.
2 Po ne individualisht, a kemi të njëjtën pikëpamje si Jehovai për njerëzit? A i shohim individët e çdo race ose kombi ashtu si ai, pra si «dele [të mundshme] të kullotës së tij»? (Psalmi 100:3, BR; Veprat 10:34, 35) Le të shqyrtojmë dy shembuj që tregojnë sa e rëndësishme është që të kemi pikëpamjen e Perëndisë. Në të dyja rastet po kanosej një shkatërrim dhe shërbëtorët e Jehovait u vunë në dijeni më përpara për këtë. Këta shembuj janë veçanërisht domethënës ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait.
Abrahami kishte pikëpamjen e Jehovait
3. Cila ishte pikëpamja e Jehovait për banorët e Sodomës e të Gomorrës?
3 Shembulli i parë ka të bëjë me patriarkun besnik Abraham dhe me qytetet e liga të Sodomës e të Gomorrës. Kur dëgjoi ‘britmën e ankimit për Sodomën dhe Gomorrën’, Jehovai nuk i shkatërroi menjëherë ato qytete bashkë me banorët e tyre. Së pari, ai bëri një hetim. (Zanafilla 18:20, 21, BR) Në Sodomë u dërguan dy engjëj, të cilët ndenjën në shtëpinë e njeriut të drejtë Lot. Natën që mbërritën engjëjt, «njerëzit [burrat, BR] e qytetit . . . rrethuan shtëpinë; ishin të rinj e pleq, tërë popullsia e mbledhur nga çdo anë» dhe donin të kryenin marrëdhënie homoseksuale me engjëjt. Në mënyrë të qartë gjendja e degraduar e banorëve të qytetit tregoi se ai meritonte të shkatërrohej. Megjithatë engjëjt i thanë Lotit: «Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua dhe cilindo që ke në qytet.» Jehovai u dha një mundësi disa banorëve të atij qyteti që të shpëtonin, por në fund vetëm Loti dhe dy vajzat e tij i shpëtuan shkatërrimit.—Zanafilla 19:4, 5, 12, 16, 23-26.
4, 5. Pse u lut Abrahami për banorët e Sodomës dhe a ishte pikëpamja e tij për njerëzit në harmoni me pikëpamjen e Jehovait?
4 Tani, le të kthehemi prapa në kohën kur Jehovai tregoi se kishte si qëllim të hetonte qytetet e Sodomës e të Gomorrës. Pikërisht në këtë kohë, Abrahami iu lut atij me fjalët: «Ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet. A do t’i fshije tej, pra, ata dhe nuk do ta falje vendin për hir të pesëdhjetë të drejtëve që janë brenda tij? As nuk mund të mendohet kurrë që ti të veprosh në mënyrë të tillë, që të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, kështu që të drejtit ka për t’i ndodhur siç ndodh me të ligun! S’mund të mendohet kurrë për ty. A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?» Abrahami e përdori dy herë shprehjen «nuk mund të mendohet kurrë». Nga përvoja ai e dinte se Jehovai nuk do ta shkatërronte të drejtin bashkë me të ligun. Kur Jehovai tha se nuk do ta shkatërronte Sodomën në qoftë se do të kishte «pesëdhjetë të drejtë në qytet», Abrahami e zvogëloi dalëngadalë numrin deri në dhjetë veta.—Zanafilla 18:22-33, BR.
5 A do t’i kishte dëgjuar Jehovai përgjërimet Jakovit 2:23) Kur e drejtoi vëmendjen ndaj Sodomës dhe Gomorrës, Jehovai qe i gatshëm të merrte parasysh kërkesat e Abrahamit. Pse? Sepse Ati ynë qiellor «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim».
e Abrahamit po të mos kishin qenë në harmoni me pikëpamjen e tij? Sigurisht që jo. Si «mik i Jehovait», Abrahami me sa duket e dinte pikëpamjen e Tij dhe kishte edhe ai të njëjtën pikëpamje. (Pikëpamja e Jonait për njerëzit ishte krejt e ndryshme
6. Si reaguan ninevitët ndaj shpalljes së Jonait?
6 Tani le të shqyrtojmë shembullin e dytë, atë të Jonait. Këtë radhë qyteti që do të shkatërrohej ishte Ninevia. Profetit Jona iu tha të shpallte se ligësia e atij qyteti ishte ‘ngjitur përpara Jehovait’. (Jonai 1:2, BR) Ninevia bashkë me rrethinat e saj ishte një qytet i madh, «donte tri ditë rrugë për ta përshkuar». Kur më në fund Jonai u bind dhe hyri në Ninevi, ai vazhdoi të shpallte: «Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.» Me të dëgjuar këtë, «njerëzit e Ninevisë nisën të tregonin besim te Perëndia dhe shpallën një agjërim e u veshën me copë thesi». Madje edhe mbreti i Ninevisë u pendua.—Jonai 3:1-6, BR.
7. Si e pa Jehovai qëndrimin e penduar të ninevitëve?
7 Sa i ndryshëm ishte ky reagim nga reagimi i banorëve të Sodomës! Si i pa Jehovai ninevitët e penduar? Te Jonai 3:10 thuhet: «Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u shkaktonte dhe nuk e shkaktoi.» (BR) Jehovait «i erdhi keq» në kuptimin që ndryshoi qëndrim ndaj ninevitëve, sepse ata ndryshuan sjellje. Normat hyjnore nuk ndryshuan, por Jehovai e ndryshoi vendimin kur pa se ninevitët ishin penduar.—Malakia 3:6.
8. Pse u mërzit Jonai?
8 Kur e kuptoi se Ninevia nuk do të shkatërrohej, a i pa Jonai gjërat nga pikëpamja e Jehovait? Jo, sepse në Bibël thuhet: «Mirëpo Jonait kjo nuk i pëlqeu aspak dhe u ndez nga zemërimi.» Ç’gjë tjetër bëri Jonai? Tregimi thotë: «Iu lut Jehovait dhe tha: ‘Ah, tani, o Jehova, a nuk ishte ky shqetësimi im, kur isha në vendin tim? Ja përse në fillim ia mbatha për në Tarshish; sepse e dija që ti je një Perëndi hirmadh dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe plot me dashamirësi, që të vjen keq për gjëmën.’ » (Jonai 4:1, 2, BR) Jonai i njihte cilësitë e Jehovait. Por në atë rast profeti u mërzit dhe nuk pati të njëjtën pikëpamje si Perëndia për banorët e penduar të Ninevisë.
9, 10. (a) Çfarë mësimi i dha Jehovai Jonait? (b) Pse mund të mendojmë që në fund Jonai e përvetësoi pikëpamjen e Jehovait për ninevitët?
9 Jonai doli nga Ninevia, ndërtoi një kasolle dhe u ul nën hijen e saj «që të mund të shikonte çfarë do t’i ndodhte qytetit». Jehovai bëri që të mbinte një bimë kungullujësi për t’i bërë hije Jonait. Por të nesërmen bima u tha. Kur Jonai u zemërua për këtë gjë, Jehovai i tha: «Ty të erdhi keq për bimën . . . Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven [Ninevinë, BR], Jonai 4:5-11) Ç’mësim iu dha Jonait për pikëpamjen që Jehovai ka për njerëzit!
qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzet mijë veta që nuk dinë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre dhe një sasi të madhe kafshësh?» (10 Reagimi i Jonait pasi Perëndia tha se i vinte keq për njerëzit e Ninevisë, nuk është shkruar. Sidoqoftë është e qartë se profeti e ndreqi pikëpamjen që kishte për ninevitët e penduar. E nxjerrim këtë përfundim ngaqë Jehovai e përdori Jonain për të dokumentuar këtë tregim të frymëzuar.
Çfarë qëndrimi ke ti?
11. Si ka të ngjarë t’i shihte Abrahami njerëzit që jetojnë sot?
11 Sot jemi përballë një shkatërrimi tjetër—atij të sistemit të tanishëm të lig gjatë ditës së madhe të Jehovait. (Luka 17:26-30; Galatasve 1:4; 2 Pjetrit 3:10) Si do t’i shihte Abrahami njerëzit që jetojnë në këtë botë e cila do të shkatërrohet së shpejti? Ka shumë të ngjarë që ai të shqetësohej për ata që nuk e kanë dëgjuar ende ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Abrahami iu lut disa herë Perëndisë për të drejtët që mendonte se mund të ishin në Sodomë. Individualisht, a jemi të shqetësuar për ata njerëz që, po t’u jepej mundësia të pendoheshin e t’i shërbenin Perëndisë, do t’i braktisnin udhët e kësaj bote që është nën kontrollin e Satanait?—1 Gjonit 5:19; Zbulesa 18:2-4.
12. Pse është e lehtë që të zhvillojmë një qëndrim si ai i Jonait ndaj njerëzve që takojmë në shërbim dhe çfarë mund të bëjmë për këtë?
12 Është e përshtatshme ta dëshirojmë me zjarr fundin e ligësisë. (Habakuku 1:2, 3) Por është shumë e lehtë që të zhvillojmë një qëndrim si ai i Jonait, duke mos u shqetësuar për të mirën e njerëzve që mund të pendohen. Kjo është e vërtetë sidomos kur vazhdimisht takojmë individë që janë apatikë, kundërshtarë ose madje luftarakë kur shkojmë në shtëpitë e tyre për t’u folur për mesazhin e Mbretërisë. Mund të mos tregojmë vëmendje ndaj atyre që Jehovai ka për t’i mbledhur ende nga ky sistem i lig. (Romakëve 2:4) Nëse nga një vetëshqyrtim serioz zbulojmë se kemi, sikur edhe në një masë të vogël, një qëndrim si ai që pati në fillim Jonai ndaj ninevitëve, mund të lutemi për ndihmë që të përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait.
13. Pse mund të themi se Jehovai interesohet për njerëzit sot?
13 Jehovai interesohet për ata që nuk i shërbejnë ende atij, dhe i dëgjon kërkesat e popullit të tij të kushtuar. (Mateu 10:11) Për shembull, në përgjigje të lutjeve të tyre, «ai do të shkaktojë . . . të bëhet drejtësia». (Luka 18:7, 8) Për më tepër Jehovai do t’i plotësojë në kohën e duhur sipas tij të gjitha premtimet dhe qëllimet që ka. (Habakuku 2:3) Kjo do të përfshijë shfarosjen e gjithë së keqes nga toka, ashtu siç e shkatërroi Ninevinë pasi banorët e saj filluan përsëri të silleshin me ligësi.—Nahumi 3:5-7.
14. Çfarë duhet të bëjmë ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait?
14 Derisa të hiqet ky sistem i lig, gjatë ditës së madhe të Jehovait, a do të jemi duke pritur me durim, duke bërë me zell vullnetin e tij? Nuk i dimë hollësitë për shtrirjen e veprës së predikimit që duhet bërë ende përpara se të vijë dita e Jehovait, por dimë që përpara se të vijë fundi lajmi i mirë i Mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, sa t’i pëlqejë Perëndisë. E patjetër duhet të interesohemi për «gjërat e dëshirueshme» që ende duhen sjellë, ndërkohë që Jehovai vazhdon ta mbushë shtëpinë e tij me lavdi.—Hageu (Hagai) 2:7, BR.
Pikëpamja jonë për njerëzit duket nga veprat tona
15. Çfarë mund ta rritë çmueshmërinë tonë për veprën e predikimit?
15 Ndoshta banojmë në një zonë ku vepra e predikimit nuk pritet mirë nga njerëzit dhe rrethanat nuk na lejojnë të transferohemi atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ta zëmë që para se të vijë fundi, në territorin tonë mund të gjenden ende dhjetë veta. A mendojmë se ia vlen t’i kërkojmë ata dhjetë veta? Jezui «ndjeu keqardhje» për turmat, «sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari». (Mateu 9:36) Me anë të studimit të Biblës dhe të leximit të kujdesshëm të artikujve që gjenden në Kullën e Rojës dhe në Zgjohuni!, mund të fitojmë më shumë kuptueshmëri për gjendjen e mjeruar të botës sot. Kjo gjë, si rrjedhim, mund të na bëjë më të vetëdijshëm për nevojën e predikimit të lajmit të mirë. Për më tepër, duke i përdorur me çmueshmëri materialet e bazuara në Bibël, të siguruara nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, kjo mund të na bëjë që të jemi më bindës kur predikojmë në një territor të punuar shpesh.—Mateu 24:45-47; 2 Timoteut 3:14-17.
16. Si mund të jemi më të efektshëm në shërbim?
16 Interesimi për ata që mund t’i përgjigjen ende mesazhit jetëdhënës të Biblës na nxit që të përpiqemi të përdorim orare dhe metoda të ndryshme për të folur me të zotët e shtëpive gjatë shërbimit. A na ndodh që shumë veta të mos jenë në shtëpi kur shkojmë ne? Në rast se është kështu do të jemi më të efektshëm në shërbim nëse ndryshojmë oraret dhe vendet ku japim dëshmi. Peshkatarët shkojnë të peshkojnë atëherë kur mund të zënë peshq. A mund të bëjmë diçka të ngjashme në veprën tonë frymore si peshkatarë njerëzish? (Marku 1:16-18) Përse të mos provojmë të japim dëshmi në mbrëmje ose me anë të telefonit, atje ku kjo gjë lejohet nga ligji? Disa kanë parë se tregjet, stacionet e autobusëve dhe stacionet e trenave janë ‘vende të frytshme peshkimi’. Nëse kemi ndaj njerëzve të njëjtin qëndrim si të Abrahamit, kjo bëhet e dukshme edhe kur shfrytëzojmë rastet për të dëshmuar në mënyrë joformale.
17. Në cilat mënyra mund t’i inkurajojmë misionarët dhe të tjerët që shërbejnë në vende të huaja?
17 Miliona njerëz nuk e kanë dëgjuar ende mesazhin e Mbretërisë. Përveç predikimit që bëjmë, a mund të tregojmë se interesohemi për këta njerëz madje edhe kur jemi në shtëpi? Për shembull, a njohim misionarë ose shërbëtorë në kohë të plotë që po shërbejnë në një vend të huaj? Në qoftë se është kështu, mund t’u shkruajmë atyre letra ku të tregojmë mirënjohjen për veprën e tyre. Si mund të tregojë kjo gjë se interesohemi për njerëzit në përgjithësi? Letrat e inkurajimit dhe të lavdërimit mund t’i forcojnë misionarët që të qëndrojnë në caktimin e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë më shumë njerëz që të fitojnë njohuri për të vërtetën. (Gjyqtarët [Gjykatësit] 11:40) Po ashtu mund të lutemi për misionarët, si edhe për njerëzit në vende të tjera që kanë etje për të vërtetën. (Efesianëve 6:18-20) Një mënyrë tjetër për të treguar interesimin tonë është duke dhënë kontribute financiare për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait.—2 Korintasve 8:13, 14; 9:6, 7.
A mund të transferoheni në një vend tjetër?
18. Çfarë kanë bërë disa të krishterë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë në vendin ku banojnë?
18 Ata që janë transferuar në vende ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë janë bekuar për përpjekjet e tyre vetëmohuese. Megjithatë, Dëshmitarë të tjerë të Jehovait, edhe pse kanë qëndruar në vendin e tyre, kanë mësuar një gjuhë tjetër për të ndihmuar nga ana frymore imigrantët. Këto përpjekje janë shpërblyer vërtet. Për shembull, shtatë Dëshmitarë që ndihmojnë frymësisht popullsinë kineze në një qytet të Teksasit, SHBA, u dhanë mirëseardhjen 114 individëve të ftuar në kremtimin e Darkës së Zotërisë në vitin 2001. Ata që i ndihmojnë këto grupe kanë parë se këto fusha janë gati për korrje.—Mateu 9:37, 38.
19. Çfarë është e këshillueshme të bëni nëse po mendoni të transferoheni në një vend të huaj për të çuar përpara veprën e predikimit të Mbretërisë atje?
19 Ndoshta ti dhe familja jote mendoni se rrethanat jua lejojnë të transferoheni në një vend ku ka më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. Patjetër që më parë është e mençur ‘të uleni e të llogaritni shpenzimet’. (Luka 14:28) Kjo është e vërtetë sidomos kur dikush po mendon të transferohet në një vend të huaj. Kushdo që po shqyrton këtë mundësi mund t’i bëjë vetes pyetje të tilla, si: ‘A do të jem në gjendje ta mbështes familjen nga ana financiare? A mund ta marr vizën e duhur? A e flas tashmë gjuhën e atij vendi ose a jam i gatshëm ta mësoj? A kam menduar për klimën dhe për kulturën? A mund të jem në të vërtetë «një ndihmë fuqizuese» dhe jo një barrë për bashkëbesimtarët e atij vendi?’ (Kolosianëve 4:10, 11) Për ta ditur se sa nevojë ka në vendin ku po mendoni të transferoheni, është gjithnjë e përshtatshme t’i shkruani zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait që mbikëqyr veprën e predikimit në atë zonë. *
20. Si i ka përdorur energjitë e tij një i ri i krishterë për dobinë e bashkëbesimtarëve dhe të njerëzve të tjerë në një vend të huaj?
20 Një i krishterë që ka marrë pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në Japoni mori vesh se kishte nevojë për punëtorë të aftë për të ndërtuar një vend adhurimi në Paraguai. Meqë ishte beqar dhe kishte fuqinë që kanë zakonisht të rinjtë, ai u transferua atje dhe punoi tetë muaj si i vetmi punëtor në kohë të plotë në atë objekt. Gjatë qëndrimit të tij mësoi spanjisht dhe drejtoi studime biblike. Ai pa se në atë vend kishte nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Edhe pse u kthye në Japoni, shumë shpejt shkoi përsëri në Paraguai dhe ndihmoi për t’u predikuar njerëzve që të mblidheshin pikërisht në atë Sallë Mbretërie.
21. Cili duhet të jetë shqetësimi ynë kryesor dhe pikëpamja jonë, ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait?
21 Perëndia do të kujdeset që vepra e predikimit të kryhet plotësisht, në harmoni me vullnetin e tij. Sot ai po e shpejton korrjen frymore përfundimtare. (Isaia 60:22) Atëherë, ndërsa presim ditën e Jehovait, le të marrim pjesë me zell në veprën e korrjes dhe le t’i shohim njerëzit ashtu siç i sheh Perëndia ynë i dashur!
[Shënimi]
^ par. 19 Nuk është gjithmonë e dobishme të transferohesh në një vend ku vepra e predikimit është e ndaluar ose e kufizuar. Një veprim i tillë madje mund t’i dëmtonte lajmëtarët e Mbretërisë që janë duke punuar me maturi në rrethana të tilla.
A ju kujtohet?
• Si duhet t’i shohim njerëzit ndërsa presim ditën e Jehovait?
• Çfarë pikëpamjeje kishte Abrahami për të drejtët që mendonte se mund të gjendeshin në Sodomë?
• Si e pa Jonai popullin e penduar të Ninevisë?
• Si mund ta tregojmë se kemi pikëpamjen e Jehovait për njerëzit që nuk e kanë dëgjuar ende lajmin e mirë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 16]
Abrahami i shihte njerëzit ashtu siç i sheh Jehovai
[Figura në faqen 17]
Jonai arriti të kishte për ninevitët e penduar pikëpamjen e Jehovait
[Figurat në faqen 18]
Interesimi për njerëzit na nxit të provojmë orare dhe metoda të ndryshme për të predikuar lajmin e mirë