«Falas morët, falas jepni»
«FALAS morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Jezui u dha këtë urdhër apostujve kur i dërgoi për të predikuar lajmin e mirë. A iu bindën apostujt këtij urdhri? Po, e vazhduan të vepronin kështu edhe pasi Jezui u largua nga toka.
Për shembull, kur ish-magjistari Simon pa fuqinë e mbinatyrshme që zotëronin apostujt Pjetër e Gjon, ai u ofroi para që t’ia jepnin këtë fuqi. Por Pjetri e qortoi ashpër Simonin me këto fjalë: «Argjendi yt marrtë fund bashkë me ty, sepse mendove ta shtiesh në dorë me para dhuratën falas të Perëndisë.»—Veprat 8:18-20.
Apostulli Pavël shfaqi një frymë si ajo e Pjetrit. Pavli mund t’ia kishte lejuar vetes që të bëhej një barrë financiare për vëllezërit e krishterë në Korint. Megjithatë, ai punoi me duart e tij për të mbajtur veten. (Veprat 18:1-3) Prandaj mundi të thoshte me siguri se ua kishte predikuar «falas» lajmin e mirë korintasve.—1 Korintasve 4:12; 9:18.
Mjerisht shumë veta që pretendojnë se janë ithtarë të Krishtit nuk kanë treguar të njëjtën gatishmëri ‘për të dhënë falas’. Në të vërtetë, shumë udhëheqës fetarë në të ashtuquajturin krishterim «japin mësim për një pagesë». (Mikea 3:11) Madje disa udhëheqës fetarë janë pasuruar me paratë që i kanë mbledhur nga pjesëtarët e fesë së tyre. Në vitin 1989, një evangjelist amerikan u dënua me 45 vjet burgim. Pse? Sepse «kishte mashtruar përkrahësit e tij, duke u vjedhur miliona dollarë dhe duke e përdorur një pjesë të parave për të blerë shtëpi, makina, për të shkuar me pushime, e madje për të blerë një kolibe qensh me ajër të kondicionuar».—Gazeta People’s Daily Graphic, 7 tetor 1989.
Në Ganë, sipas gazetës Ghanaian Times të 31 marsit 1990, një prift katolik mori paratë që kishte mbledhur gjatë një shërbimi fetar dhe ua ktheu mbrapsht të pranishmëve duke ua flakur tej. «Arsyeja përse e bëri këtë,—thotë gazeta,—ishte se si të rritur që ishin, nga ata pritej që të kontribuonin me kartëmonedha me vlerë më të lartë.» Nuk habitemi që shumë kisha përpiqen madje të ngjallin ndjenjën e lakmisë te pjesëtarët e tyre, duke nxitur aktivisht bixhozin dhe metoda të tjera, me qëllim që të mbledhin para.
Në kontrast me këtë, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të imitojnë Jezuin dhe dishepujt e tij të hershëm. Ata nuk kanë klerikë me rrogë. Çdo Dëshmitar është një shërbëtor i ngarkuar me përgjegjësinë për t’u predikuar të tjerëve ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Për këtë arsye më tepër se gjashtë milionë Dëshmitarë në mbarë botën angazhohen për t’u dhënë falas njerëzve «ujin e jetës». (Zbulesa 22:17) Në këtë mënyrë, edhe ata që ‘nuk kanë para’ mund të nxjerrin dobi nga mesazhi i Biblës. (Isaia 55:1) Ndonëse vepra e tyre mbarëbotërore mbështetet nga kontributet vullnetare, ata kurrë nuk kërkojnë para. Si shërbëtorë të Perëndisë nuk janë «shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë», por flasin «nga sinqeriteti, po, si të dërguar nga Perëndia».—2 Korintasve 2:17.
Por, përse Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm për t’i ndihmuar të tjerët, duke e bërë këtë me shpenzimet e veta? Çfarë i nxit? A do të thotë fakti që japin falas, se e bëjnë këtë pa pasur fare shpërblim për përpjekjet e tyre?
Një përgjigje ndaj sfidës së Satanait
Të krishterët e vërtetë sot nxiten para së gjithash nga dëshira për t’i pëlqyer Jehovait, dhe jo për t’u pasuruar. Kështu ata janë në gjendje t’i përgjigjen sfidës që hodhi Satana Djalli shekuj më parë. Në lidhje me një njeri të drejtë të quajtur Job, Satanai e sfidoi Jehovain me pyetjen: «Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?» Satanai tha se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm sepse Ai kishte vënë një gardh mbrojtës rreth tij. Satanai kundërshtoi dhe tha që nëse Jobit do t’i hiqeshin të mirat materiale, ai do ta mallkonte haptazi Perëndinë.—Jobi 1:7-11.
Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, Perëndia e lejoi Satanain ta vinte në provë Jobin. Jehovai tha: «Të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd.» (Jobi 1:12) Cili qe përfundimi? Jobi e nxori gënjeshtar Satanain. Me gjithë gjëmat që ranë mbi të, Jobi qëndroi besnik. Ai tha: «Derisa të jap frymë nuk do të heq dorë nga integriteti!»—Jobi 27:5, 6, BR.
Adhuruesit e vërtetë sot shfaqin një qëndrim si ai i Jobit. Ata nuk i shërbejnë Perëndisë të nxitur nga interesat materiale.
Dashamirësia e pamerituar, dhurata falas e Perëndisë
Një arsye tjetër që të krishterët e vërtetë janë të gatshëm ‘të japin falas’ është se vetë ata ‘kanë marrë falas’ nga Perëndia. Njerëzimi është nën robërinë e mëkatit e të vdekjes për shkak të mëkatit të paraardhësit tonë, Adamit. (Romakëve 5:12) Me dashuri, Jehovai bëri që Biri i tij të bëhej fli. Kjo i kushtoi shtrenjtë Perëndisë. Sigurisht që njerëzimi nuk e meriton aspak këtë. Është ‘dhuratë nga Perëndia’.—Romakëve 4:4; 5:8; 6:23.
Kështu, siç shkruhet te Romakëve 3:23, 24, Pavli u tha të krishterëve të mirosur: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë dhe është si dhuratë falas fakti që po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së tij të pamerituar, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu.» Ata që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë marrin në mënyrë të ngjashme ‘dhuratën falas’. Kjo dhuratë përfshin privilegjin që të shpallemi të drejtë si miq të Jehovait.—Jakovit 2:23; Zbulesa 7:14.
Gjithashtu, flijimi shpërblerës i Krishtit bën të mundur që të gjithë të krishterët t’i shërbejnë Perëndisë si administrues të Fjalës. Apostulli Pavël shkroi: «Unë u bëra administrues i Fjalës [i sekretit të shenjtë] sipas dhuratës falas të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (Efesianëve 3:4-7) Të krishterët e vërtetë ishin thirrur për këtë shërbim nëpërmjet një dhurate që nuk e meritonin ose nuk mund ta fitonin vetë. Prandaj ata nuk mund të pritnin që të paguheshin, meqë u flitnin të tjerëve për këtë dhuratë.
A është jeta e përhershme një shtysë për egoizëm?
Atëherë, a do të thotë kjo se Perëndia pret që të krishterët t’i shërbejnë pa pasur asnjë shpresë për shpërblim? Jo, sepse apostulli Pavël u tha bashkëbesimtarëve: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Pra, Jehovai është i drejtë. (Ligji i përtërirë 32:4) Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Por, a nuk është një shtysë për egoizëm premtimi i jetës së përhershme në Parajsë?—Luka 23:43.
Të krishterët e vërtetë sot nxiten para së gjithash nga dëshira për t’i pëlqyer Jehovait, dhe jo për t’u pasuruar
Aspak. Pikësëpari dëshirën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë e kemi nga Perëndia. Ai ia dha këtë mundësi çiftit të parë njerëzor. (Zanafilla 1:28; 2:15-17) Gjithashtu, kur Adami dhe Eva e humbën këtë mundësi, Perëndia ua bëri atë përsëri të mundur pasardhësve të tyre. Kështu Perëndia premton në Fjalën e tij se «edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Prandaj është më se e përshtatshme që të krishterët sot, ashtu si Moisiu i lashtësisë, ta mbajnë shikimin «të ngulur në dhënien e shpërblimit». (Hebrenjve 11:26) Perëndia nuk e ofron këtë shpërblim si ryshfet, por e ofron nga dashuria e vërtetë që ka për ata që i shërbejnë. (2 Selanikasve 2:16, 17) Si përgjigje ndaj kësaj, edhe «ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari».—1 Gjonit 4:19.
Motivi i duhur për t’i shërbyer Perëndisë
Sidoqoftë, të krishterët sot duhet të shqyrtojnë vazhdimisht motivet përse po i shërbejnë Perëndisë. Te Gjoni 6:10-13 lexojmë që me anë të një mrekullie Jezui ushqeu një turmë me më shumë se pesë mijë njerëz. Si rrjedhim, disa filluan ta ndiqnin Jezuin thjesht për arsye egoiste. Jezui u tha atyre: «Ju them se . . . po më kërkoni ngaqë . . . hëngrët nga bukët dhe u ngopët.» (Gjoni 6:26) Dhjetëvjeçarë më vonë disa të krishterë të kushtuar i bënin shërbim Perëndisë, por «jo me një motiv të pastër». (Filipianëve 1:17) Madje disa që ‘nuk i pranonin fjalët e shëndosha të Jezu Krishtit’ kërkonin mënyra për të nxjerrë fitime personale nga shoqëria me të krishterët.—1 Timoteut 6:3-5.
Edhe sot, një i krishterë që shërben vetëm sepse do që të jetojë përgjithmonë në Parajsë ndoshta po shërben me një motiv egoist. Me kalimin e kohës, kjo gjë mund të çojë në rënie frymore. Meqë sistemi i Satanait i duket sikur po zgjat më shumë sesa e priste, ai mund ‘të lodhet’, duke menduar se fundi po vonon. (Galatasve 6:9) Madje mund të hidhërohet për sakrificat që ka bërë nga ana materiale. Jezui na kujton: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Po, kur dashuria është arsyeja kryesore përse një individ i shërben Perëndisë, ai nuk mendon se do t’i shërbejë Atij vetëm për një periudhë të caktuar. Ai është i vendosur që t’i shërbejë Jehovait përgjithmonë. (Mikea 4:5) Nuk i vjen keq për asnjë sakrificë që ka bërë në shërbimin ndaj Perëndisë. (Hebrenjve 13:15, 16) Dashuria për Perëndinë e nxit që të vërë më parë në jetë interesat e Perëndisë.—Mateu 6:33.
Sot, më tepër se gjashtë milionë adhurues të vërtetë ‘ofrohen vullnetarisht’ në shërbimin ndaj Jehovait. (Psalmi 110:3, BR) A je një prej tyre? Nëse jo, atëherë medito për ato që të ofron Perëndia: njohurinë e pastër të së vërtetës; (Gjoni 17:3) lirinë nga robëria e mësimeve të fesë së rreme; (Gjoni 8:32) shpresën që të jetosh përgjithmonë. (Zbulesa 21:3, 4) Dëshmitarët e Jehovait mund të të ndihmojnë që të mësosh se si t’i marrësh të gjitha këto nga Perëndia, dhe falas.