Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Eliseu kërkoi «dy pjesë» të frymës së Elijas?
Pikërisht para se Elija të përfundonte caktimin si profet në Izrael, profeti më i ri në moshë, Eliseu, i bëri këtë kërkesë: «Të lutem, të vijnë tek unë dy pjesë të frymës sate.» (2 Mbretërve 2:9, BR) Në kuptimin frymor, Eliseu me sa duket po kërkonte një pjesë të dyfishtë, si ajo që i jepej birit të parëlindur. (Ligji i përtërirë 21:17) Një shqyrtim i shkurtër i tregimit do të na e bëjë të qartë këtë dhe do të na ndihmojë të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi.
Siç i kishte thënë edhe Jehovai, profeti Elija e kishte mirosur Eliseun si pasuesin e tij. (1 Mbretërve 19:19-21) Për rreth gjashtë vjet Eliseu shërbeu si ndihmësi besnik i Elijas dhe ishte i vendosur ta bënte këtë deri në fund. Madje edhe ditën e fundit të Elijas si profet në Izrael, Eliseu i qëndroi pranë mësuesit të tij të dashur. Ndonëse Elija iu lut Eliseut që të mos e ndiqte më, profeti më i ri tha tri herë: «Unë nuk do të të lë.» (2 Mbretërve 2:2, 4, 6; 3:11) Vërtet, Eliseu e shihte profetin më të moshuar si atin e tij frymor.—2 Mbretërve 2:12.
Megjithatë Eliseu nuk ishte i vetmi bir frymor i Elijas. Elija dhe Eliseu shoqëroheshin me një grup burrash të njohur si «bijtë e profetëve». (2 Mbretërve 2:3, BR) Tregimi në librin e dytë të Mbretërve vë në dukje se edhe këta ‘bij’ kishin një lidhje të ngushtë me atin e tyre frymor, Elijan. (2 Mbretërve 2:3, 5, 7, 15-17) Por duke qenë pasuesi i mirosur, Eliseu ishte i pari ndër bijtë frymorë të Elijas. Ai ishte si i parëlinduri. Në Izraelin e lashtë, biri i parëlindur merrte dy pjesë të trashëgimisë së të atit, kurse bijtë e tjerë merrnin secili nga një pjesë. Prandaj Eliseu kërkoi dy pjesë të trashëgimisë frymore të Elijas.
Pse e bëri Eliseu këtë kërkesë në atë rast të veçantë? Sepse po merrte një detyrë të rëndësishme. Ai do të pasonte Elijan si profet në Izrael. Eliseu e kuptoi se që të përmbushte përgjegjësitë që lidheshin me këtë caktim sfidues, kishte nevojë për fuqi përtej aftësive të veta, fuqi që vetëm Jehovai mund t’ia jepte. Ai duhej të ishte po kaq i guximshëm sa kishte qenë Elija. (2 Mbretërve 1:3, 4, 15, 16) Ja përse ai kërkoi dy pjesë të frymës së Elijas, i cili kishte një frymë guximi dhe e ‘pushtonte zelli për Jehovain’. Këto ishin cilësi të dëshirueshme të prodhuara nga fryma e Perëndisë. (1 Mbretërve 19:10, 14, BR) Si u përgjigj Elija?
Elija e dinte se Eliseu kishte kërkuar diçka të cilën nuk mund t’ia jepte ai, por vetëm Perëndia. Kështu Elija u përgjigj me modesti: «Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet.» (2 Mbretërve 2:10) Dhe vërtet Jehovai e lejoi Eliseun që të shihte Elijan të ngrihej lart me anë të një tufani. (2 Mbretërve 2:11, 12) Kërkesa e Eliseut u plotësua. Jehovai i dha frymën që i nevojitej për të filluar në caktimin e ri dhe për të përballuar sprovat që do të vinin.
Sot të krishterët e mirosur (që disa herë quhen klasa e Eliseut) dhe shërbëtorët e Perëndisë në përgjithësi mund të marrin shumë inkurajim nga ky tregim biblik. Ndonjëherë, kur na jepet një caktim i ri mund të ndihemi nën tension dhe të paaftë. Ose kur hasim gjithnjë e më shumë indiferencë ose kundërshtim në territor, ndoshta na humbet paksa guximi për të vazhduar në veprën e predikimit të Mbretërisë. Por, nëse i lutemi me gjithë shpirt Jehovait që të na mbështetë, ai do të na japë frymën e shenjtë që na duhet për të përballuar sfidat dhe rrethanat e reja. (Luka 11:13; 2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13) Po, ashtu si Jehovai forcoi Eliseun për përgjegjësitë e tij më të rëndësishme, po kështu Jehovai do të na ndihmojë të gjithë ne, të rinj e të moshuar, që të kryejmë shërbimin tonë.—2 Timoteut 4:5.