Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të shpallin të gjithë lavdinë e Jehovait!

Le të shpallin të gjithë lavdinë e Jehovait!

Le të shpallin të gjithë lavdinë e Jehovait!

«Jepini Jehovait lavdi dhe forcë. Jepini Jehovait lavdinë që i takon emrit të tij.»​—PSALMI 96:7, 8, BR.

1, 2. Cila gjë i jep lavdi Jehovait dhe cilëve u bëhet thirrja që të bashkohen për të dhënë lavdi?

DAVIDI, i biri i Jeseut, u rrit si bari në afërsi të Betlehemit. Kushedi sa shpesh duhet t’ia ketë ngulur sytë qiejve të paanë plot yje në netët e qeta, ndërsa ruante kopetë e të atit në ato kullota të vetmuara. Me siguri këto mbresa të gjalla i vinin në mendje kur, i frymëzuar nga fryma e shenjtë e Perëndisë, kompozoi dhe këndoi fjalët e bukura të Psalmit 19: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës.»​—Psalmi 19:1, 4.

2 Pa thënë asnjë fjalë e pa nxjerrë asnjë zë, qiejtë madhështorë që ka krijuar Jehovai shpallin lavdinë e tij, ditë pas dite, natë pas nate. Krijimi nuk pushon asnjëherë së shpalluri lavdinë e Perëndisë. Kur meditojmë për këtë dëshmi të heshtur që shpallet mbi «gjithë dheun», që ta shohin tërë banorët e tij, kjo na bën të ndihemi shumë të vegjël. Megjithatë nuk mjafton vetëm dëshmia e heshtur e krijimit. Njerëzve besnikë u bëhet thirrja që të bashkohen për të dhënë dëshmi me gojën e tyre. Një psalmist që s’ia dimë emrin iu drejtua adhuruesve besnikë me këto fjalë të frymëzuara: «Jepini Jehovait lavdi dhe forcë. Jepini Jehovait lavdinë që i takon emrit të tij.» (Psalmi 96:7, 8, BR) Ata që kanë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain i përgjigjen me kënaqësi kësaj thirrjeje. Por, çfarë përfshin t’i japim lavdi Perëndisë?

3. Pse njerëzit i japin lavdi Perëndisë?

3 Vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Izraelitët në kohën e Isaisë e lavdëronin Perëndinë me buzë, por shumica nuk ishin të sinqertë. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai tha: «Ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg.» (Isaia 29:13) Çfarëdo lavdërimi të thurnin këta njerëz ishte i kotë. Për të qenë kuptimplotë, lavdërimi duhet të vijë nga një zemër e mbushur me dashuri për Jehovain, duke pranuar me sinqeritet se ai ka një lavdi të pashoqe. Vetëm Jehovai është Krijuesi. Ai është i Plotfuqishmi, i Drejti, vetë personifikimi i dashurisë. Ai është burimi i shpëtimit tonë dhe Sovrani legjitim, të cilit duhet t’i nënshtrohet gjithkush që jeton në qiell e në tokë. (Zbulesa 4:11; 19:1) Nëse i besojmë vërtet këto gjëra, le ta lavdërojmë Jehovain me gjithë zemër!

4. Çfarë udhëzimesh dha Jezui se si t’i japim lavdi Perëndisë, dhe si mund t’i plotësojmë ato?

4 Jezu Krishti na ka thënë se si t’i japim lavdi Perëndisë. Ai tha: «Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (Gjoni 15:8) Si mund të japim shumë fryt? Së pari duke marrë pjesë me gjithë shpirt në predikimin e ‘lajmit të mirë të mbretërisë’, duke u bashkuar kështu me të gjitha gjërat e krijuara «për të treguar» për ‘cilësitë e padukshme’ të Perëndisë. (Mateu 24:14; Romakëve 1:20) Për më tepër, në këtë mënyrë, të gjithë marrim pjesë, drejtpërdrejt ose jo, për të bërë dishepuj të rinj që bashkohen me korin e atyre që i japin lavdi Perëndisë Jehova. Së dyti, kultivojmë frytin që prodhon te ne fryma e shenjtë dhe përpiqemi të imitojmë cilësitë e larta të Perëndisë Jehova. (Galatasve 5:22, 23; Efesianëve 5:1; Kolosianëve 3:10) Si pasojë, sjellja jonë e përditshme i jep lavdi Perëndisë.

«Në mbarë tokën»

5. Shpjegoni se si e theksoi Pavli përgjegjësinë e të krishterëve për t’i dhënë lavdi Perëndisë duke u folur të tjerëve për besimin e tyre.

5 Në letrën që u dërgoi romakëve, Pavli theksoi përgjegjësinë e të krishterëve që t’i japin lavdi Perëndisë duke u folur të tjerëve për besimin e tyre. Një nga temat kryesore të letrës së romakëve është se vetëm ata që kanë besim te Jezu Krishti mund të shpëtojnë. Në kapitullin e 10-të të kësaj letre, Pavli tregoi se kombi i Izraelit natyror në ditët e tij po përpiqej ende të kishte një qëndrim të drejtë duke ndjekur Ligjin e Moisiut, ndërkohë që «Krishti [ishte] fundi i Ligjit». Prandaj Pavli thotë: «Po të shpallësh publikisht atë ‘fjalë në vetë gojën tënde’, se Jezui është Zotëri, dhe po të ushtrosh besim në zemrën tënde se Perëndia e ngriti atë prej të vdekurve, do të shpëtosh.» Që nga ajo kohë, «nuk ka [pasur] asnjë dallim mes judeut dhe grekut, pasi është i njëjti Zotëri mbi të gjithë, i cili është i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin. Sepse ‘kushdo që e thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë’».​—Romakëve 10:4, 9-13.

6. Për çfarë e zbaton Pavli Psalmin 19:4?

6 Pastaj, Pavli pyet në mënyrë logjike: «Mirëpo, si do ta thërrasin atë, në të cilin nuk kanë treguar besim? Nga ana tjetër, si do të tregojnë besim në atë, për të cilin nuk kanë dëgjuar? Po ashtu, si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?» (Romakëve 10:14) Pavli thotë për izraelitët: «Jo të gjithë ata iu bindën lajmit të mirë.» Pse nuk u bindën izraelitët? Jo sepse nuk kishin mundësi, por sepse nuk kishin besim. Pavli e tregon këtë kur citon Psalmin 19:4 dhe e zbaton për veprën e krishterë të predikimit, dhe jo për dëshminë e heshtur të krijimit. Ai thotë: «Në fakt, ‘zëri i tyre shkoi në mbarë tokën dhe shprehjet e tyre deri në skajet e tokës së banuar’.» (Romakëve 10:16, 18) Po, ashtu si krijimi pa jetë i jep lavdi Jehovait, edhe të krishterët e shekullit të parë e predikuan lajmin e mirë kudo, kështu që i dhanë lavdi Perëndisë «në mbarë tokën». Në letrën drejtuar kolosianëve, Pavli përshkroi edhe se deri ku ishte shpërndarë lajmi i mirë. Ai tha se lajmi i mirë ishte predikuar «ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell».​—Kolosianëve 1:23.

Dëshmitarë të zellshëm

7. Sipas Jezuit, çfarë përgjegjësie kanë të krishterët?

7 Nga sa duket, Pavli ua shkroi letrën kolosianëve rreth 27 vjet pasi kishte vdekur Jezu Krishti. Si ka mundësi që vepra e predikimit ishte përhapur deri në Kolose në një kohë kaq të shkurtër? Kjo kishte ndodhur sepse të krishterët e shekullit të parë ishin të zellshëm dhe Jehovai e kishte bekuar zellin e tyre. Jezui kishte parathënë se ithtarët e tij do të ishin predikues aktivë: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10) Kësaj profecie Jezui i shtoi urdhrin e dokumentuar në vargjet e fundit të ungjillit sipas Mateut: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Pak kohë pasi Jezui ishte ngjitur në qiell, ithtarët e tij filluan të përmbushnin këto fjalë.

8, 9. Sipas Veprave, si iu përgjigjën të krishterët urdhrave të Jezuit?

8 Gjëja e parë që bënë ithtarët besnikë të Jezuit pas derdhjes së frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., ishte që dolën të predikonin, duke u folur turmave në Jerusalem «për gjërat madhështore të Perëndisë». Predikimi i tyre pati shumë sukses dhe «rreth tre mijë shpirtra» u pagëzuan. Dishepujt vazhduan t’i jepnin lavdi Perëndisë publikisht e me zell, dhe kështu patën rezultate të mira.​—Veprat 2:4, 11, 41, 46, 47.

9 Veprimtaria e atyre të krishterëve shumë shpejt u ra në sy udhëheqësve fetarë. Të acaruar nga fakti që Pjetri dhe Gjoni po flitnin me çiltërsi, ata i urdhëruan dy apostujt që të mos predikonin më. Apostujt u përgjigjën: «Nuk pushojmë dot së foluri për gjërat që kemi parë e dëgjuar.» Pasi i kërcënuan dhe i liruan, Pjetri dhe Gjoni u kthyen te vëllezërit, e që të gjithë iu lutën Jehovait. Me guxim ata i kërkuan Jehovait: «Lejoju skllevërve të tu të vazhdojnë ta thonë fjalën tënde me plot guxim.»​—Veprat 4:13, 20, 29.

10. Çfarë kundërshtimi lindi dhe si u përgjigjën të krishterët e vërtetë?

10 Kjo lutje ishte në harmoni me vullnetin e Jehovait, siç u bë e dukshme pak më vonë. Apostujt i arrestuan dhe pastaj, me anë të një mrekullie, një engjëll i liroi nga burgu dhe u tha: «Shkoni dhe pasi të keni zënë vend në tempull, vazhdoni t’i thoni popullit të gjitha fjalët në lidhje me këtë jetë.» (Veprat 5:18-20) Meqenëse apostujt u bindën, Jehovai vazhdoi t’i bekonte. Kështu, «çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin». (Veprat 5:42) Është e qartë se kundërshtimi i fortë nuk arriti në asnjë mënyrë t’i ndalonte ithtarët e Jezuit që të mos i jepnin lavdi publikisht Perëndisë.

11. Çfarë qëndrimi kishin të krishterët e hershëm ndaj veprës së predikimit?

11 Jo shumë kohë më pas u arrestua dhe u vra me gurë Stefani. Vrasja e tij shënoi fillimin e një përndjekjeje të ashpër në Jerusalem, kështu që të gjithë dishepujt, përveç apostujve, u detyruan të iknin larg Jerusalemit. A u shkurajuan ata nga përndjekja? Aspak. Lexojmë: «Ata që ishin shpërndarë, kaluan nëpër vend, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës.» (Veprat 8:1, 4) Ata e shfaqën në mënyrë të vazhdueshme zellin për të shpallur lavdinë e Perëndisë. Në kapitullin e 9-të të Veprave lexojmë për Saulin nga Tarsi, që ishte një farise. Ndërsa udhëtonte për në Damask që të fillonte atje përndjekjen e dishepujve të Jezuit, ai pa në vegim Jezuin dhe u godit me verbim. Në Damask, Anania me anë të një mrekullie i riktheu Saulit shikimin. Çfarë ishte gjëja e parë që bëri Sauli, i cili më vonë u njoh si apostulli Pavël? Na thuhet: «Filloi menjëherë të predikonte nëpër sinagoga Jezuin se Ky është Biri i Perëndisë.»​—Veprat 9:20.

Të gjithë predikonin

12, 13. (a) Sipas historianëve, çfarë ishte një gjë e dallueshme në kongregacionin e hershëm të krishterë? (b) Si tregon libri i Veprave dhe fjalët e Pavlit të njëjtën gjë që thonë pohimet e historianëve?

12 Në përgjithësi pranohet se në kongregacionin e hershëm të krishterë të gjithë merrnin pjesë në veprën e predikimit. Filip Shafi shkruan për të krishterët e asaj kohe: «Çdo kongregacion ishte një organizatë misionare dhe çdo besimtar i krishterë ishte një misionar.» (History of the Christian Church) U. S. Uilliamsi thotë: «Dëshmia e përgjithshme është se të gjithë të krishterët në kishën e hershme, sidomos ata që kishin dhuratën karizmatike [dhurata të frymës], e predikonin ungjillin.» (The Glorious Ministry of the Laity) Ai pohon gjithashtu: «Jezu Krishti asnjëherë s’kishte ndër mend që predikimi të ishte privilegj i veçantë për disa rangje klerikësh.» Madje edhe Celsusi që ishte një armik i krishterimit, shkroi: «Njerëz që punonin si leshpunues, këpucarë, regjës lëkurësh, më të pashkolluarit dhe më të thjeshtët ndër gjithë njerëzimin, ishin predikues të zellshëm të ungjillit.»

13 Saktësia e këtyre pohimeve shihet në dokumentimin historik të librit të Veprave. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., pas derdhjes së frymës së shenjtë, të gjithë dishepujt, burra e gra, shpallën para të tjerëve gjërat madhështore të Perëndisë. Pas përndjekjes që pasoi vrasjen e Stefanit, të gjithë të krishterët që u shpërndanë e përhapën lajmin e mirë kudo që shkuan. Rreth 28 vjet më vonë, Pavli nuk po i shkruante vetëm një klase të vogël klerikësh, por të gjithë të krishterëve hebrenj me fjalët: «Nëpërmjet tij le t’i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15) Duke përshkruar pikëpamjen e tij për veprën e predikimit, Pavli tha: «Nëse, tani, unë po shpall lajmin e mirë, kjo nuk është arsye që të mburrem, sepse është një nevojë që më është ngarkuar. Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» (1 Korintasve 9:16) Është e qartë se në shekullin e parë të gjithë të krishterët besimplotë mendonin po ashtu.

14. Ç’lidhje ka ndërmjet besimit dhe predikimit?

14 Po, një i krishterë i vërtetë duhet të marrë pjesë në veprën e predikimit, sepse ajo lidhet ngushtësisht me besimin. Pavli tha: «Me zemër dikush ushtron besim për drejtësi, por me gojë deklaron publikisht për shpëtim.» (Romakëve 10:10) Mos vallë vetëm një grup i vogël brenda kongregacionit, si për shembull një klasë kleri, ushtron besim dhe prandaj ka përgjegjësinë për të predikuar? * Sigurisht që jo! Të gjithë të krishterët e vërtetë zhvillojnë besim të fortë te Zotëria Jezu Krisht dhe nxiten që t’ua shpallin publikisht të tjerëve këtë besim. Përndryshe besimi i tyre është i vdekur. (Jakovit 2:26) Meqë të gjithë të krishterët besnikë në shekullin e parë të erës sonë e treguan besimin në këtë mënyrë, në atë kohë u dëgjua një britmë e madhe lavdërimi për emrin e Jehovait.

15, 16. Jepni shembuj që tregojnë se vepra e predikimit përparoi pavarësisht nga problemet.

15 Në shekullin e parë, Jehovai e bekoi popullin e tij me rritje, pavarësisht nga problemet që kishte brenda dhe jashtë kongregacionit. Për shembull në kapitullin e 6-të të Veprave tregohet për një mosmarrëveshje ndërmjet të sapokthyerve në besim që flitnin hebraisht dhe atyre që flitnin greqisht. Këtë problem e zgjidhën apostujt. Si pasojë lexojmë: «Fjala e Perëndisë vazhdonte të rritej dhe numri i dishepujve në Jerusalem vazhdonte të shtohej shumë; dhe një shumicë e madhe priftërinjsh filluan t’i bindeshin besimit.»​—Veprat 6:7.

16 Më vonë, ndërmjet mbretit Herod Agripa të Judesë dhe popullsisë së Tirit e të Sidonit lindën tensione politike. Banorët e atyre qyteteve bënë kërkesa për paqe që i përkëdhelën sedrën Herodit dhe në përgjigje ai mbajti një fjalim publik. Turma që ishte mbledhur filloi të thërriste: «Zë perëndie e jo njeriu!» Menjëherë engjëlli i Jehovait e goditi Herod Agripën, i cili vdiq «sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë». (Veprat 12:20-23) Ç’tronditje duhet të ketë qenë kjo për ata njerëz që i kishin shpresat te sundimtarët njerëzorë! (Psalmi 146:3, 4) Kurse të krishterët vazhduan t’i jepnin lavdi Jehovait. Për pasojë, «fjala e Jehovait vazhdonte të rritej e të përhapej», pavarësisht nga paqëndrueshmëria politike.​—Veprat 12:24.

Atëherë dhe tani

17. Në shekullin e parë, çfarë bënin gjithnjë e më shumë njerëz?

17 Vërtet, kongregacioni mbarëbotëror i krishterë në shekullin e parë përbëhej nga lavdërues të zellshëm e aktivë të Perëndisë Jehova. Të gjithë të krishterët besnikë merrnin pjesë në përhapjen e lajmit të mirë. Disa takonin njerëz që përgjigjeshin mirë dhe, siç kishte thënë Jezui, i mësonin që t’u bindeshin të gjitha gjërave që ai kishte urdhëruar. (Mateu 28:19, 20) Si pasojë, kongregacioni rritej dhe gjithnjë e më shumë njerëz, ashtu si mbreti David i lashtësisë, i jepnin lavdi Jehovait. Të gjithë i bënin të tyret fjalët e frymëzuara: «Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë. Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje.»​—Psalmi 86:12, 13.

18. (a) Cili dallim vërehet ndërmjet kongregacionit të krishterë të shekullit të parë dhe të ashtuquajturit krishterim sot? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

18 Duke pasur parasysh sa më lart, na bëjnë të mendojmë fjalët që tha Elison A. Tritsi, profesor teologjie. Duke e krahasuar të ashtuquajturin krishterim të kohëve të sotme me krishterimin e shekullit të parë, ai tha: «Normalisht sot kishat shtohen në numër me anë të rritjes biologjike (kur fëmijët që janë nga familjet që shkojnë në një kishë e pranojnë atë besim) ose me anë të rritjes si pasojë transferimi (kur dikush e transferon anëtarësinë e tij nga një kishë në një kishë tjetër). Mirëpo, në librin e Veprave rritja ishte si pasojë e kthimit në besim, sepse kisha sapo e kishte filluar punën e saj.» A do të thotë kjo se krishterimi i vërtetë nuk po rritet më në mënyrën që tha Jezui? Sigurisht që s’është ashtu. Të krishterët e vërtetë sot janë në çdo gjë po aq të zellshëm sa edhe të krishterët e shekullit të parë, për t’i dhënë lavdi Perëndisë. Këtë do ta shohim në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 14 Fjalët e përkthyera «kler» dhe «klerik» së fundi vijnë nga fjala greke kleros, e cila në thelb ka kuptimin «short» ose «trashëgimi». Te 1 Pjetrit 5:2, 3, fjala kleros përdoret për gjithë «kopenë e Perëndisë», si trashëgimia e Perëndisë.

A mund të shpjegoni?

• Si i japim lavdi Perëndisë?

• Çfarë zbatimi i bëri Pavli Psalmit 19:4?

• Ç’lidhje ka ndërmjet besimit dhe predikimit?

• Çfarë ishte një gjë e dallueshme në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 8, 9]

Qiejt janë dëshmi e vazhdueshme e lavdisë së Jehovait

[Burimi]

Me mirësjellje nga observatori anglo-australian, fotografia nga David Malin

[Figurat në faqen 10]

Vepra e predikimit dhe lutja janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën