Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Meqë levitët nuk kishin trashëgimi në Izraelin e lashtë, si mundi leviti Hanamel t’i shiste një copë tokë kushëririt të tij levit, Jeremisë, siç thuhet te Jeremia 32:7?
Në lidhje me levitët, Jehovai i tha Aaronit: «Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre [Izraelit].» (Numrat 18:20) Megjithatë levitëve iu dhanë 48 qytete bashkë me kullotat e tyre, të cilat ndodheshin anembanë Tokës së Premtuar. Qyteti i lindjes i Jeremisë ishte Anatothi, një nga qytetet që u ishin dhënë «priftërinjve, bij të Aaronit».—Jozueu [Josiu] 21:13-19; Numrat 35:1-8; 1 Kronikave 6:54, 60.
Te Levitiku 25:32-34 shohim se Jehovai dha udhëzime specifike në lidhje me të drejtën ‘për të riblerë’ pronat që zotëronin levitët. Me sa duket, çdo familje levite do të kishte të drejtat e trashëgimisë për zotërimin, përdorimin dhe për shpërndarjen e pjesëve të veçanta të pronës. Këto të drejta natyrisht do të përfshinin shitjen dhe riblerjen e pronës. * Në shumë aspekte levitët e zotëronin dhe e përdornin pronën njësoj si izraelitët e fiseve të tjera.
Ka mundësi që pronësia e një prone të tillë levite të trashëgohej nga familja. Megjithatë, për sa i përket së drejtës ‘për të riblerë’, marrëveshjet lejoheshin vetëm midis levitëve. Gjithashtu duket se shitja dhe riblerja e tokës zbatohej vetëm për pronat që ndodheshin brenda qyteteve, sepse «tokat e kullotës të qyteteve të tyre» nuk duheshin shitur, meqë ishin «pronë e përjetshme e tyre».—Levitiku 25:32, 34.
Pra, toka që Jeremia ribleu nga Hanameli, me sa duket ishte e tillë që mund t’i kalohej një individi tjetër me anë të riblerjes. Ajo mund të ketë qenë brenda kufijve të qytetit. Vetë Jehovai tha se toka në fjalë i përkiste Hanamelit dhe se Jeremia kishte ‘të drejtën e riblerjes’. (Jeremia 32:6, 7, BR) Jehovai e përdori në mënyrë simbolike këtë shitblerje për të përforcuar premtimin e tij se pas një periudhe mërgimi në Babiloni, izraelitët do të ktheheshin për të rimarrë tokën e tyre që u përkiste si trashëgimi.—Jeremia 32:13-15.
Asgjë nuk tregon se Hanameli e kishte marrë nën zotërim në mënyrë të papërshtatshme pronën në Anatoth. Po ashtu asgjë nuk tregon se ai shkeli ligjin e Jehovait kur ftoi Jereminë që ta blinte këtë tokë në Anatoth. Dhe asgjë nuk tregon që Jeremia e ushtroi në mënyrë të papërshtatshme të drejtën e riblerjes kur bleu tokën.—Jeremia 32:8-15.
[Shënimi]
^ par. 4 Në shekullin e parë të e.s., leviti Barnaba shiti një copë tokë që zotëronte dhe të ardhurat i dhuroi për të ndihmuar ithtarët e Krishtit në Jerusalem, të cilët ishin në nevojë. Ndoshta prona ndodhej në Palestinë ose në Qipro. Ose ndoshta ishte thjesht një vend varrimi që Barnaba kishte blerë në zonën e Jerusalemit.—Veprat 4:34-37.