Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Bëj punën e ungjillëzuesit»

«Bëj punën e ungjillëzuesit»

«Bëj punën e ungjillëzuesit»

«Ruaj gjykimin në gjithçka, . . . bëj punën e ungjillëzuesit.»​—2 TIMOTEUT 4:5.

1. Çfarë detyre u dha Jezui ithtarëve të tij?

EMRI dhe qëllimet e Jehovait po shpallen anembanë tokës. Kjo po ndodh sepse populli i kushtuar i Perëndisë e ka marrë seriozisht detyrën që Jezu Krishti u dha ithtarëve të tij kur tha: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—Mateu 28:19, 20.

2. Çfarë nxitjeje iu dha mbikëqyrësit Timote? Cila është një mënyrë se si mbikëqyrësit e krishterë e kryejnë shërbimin?

2 Dishepujt e Jezuit në shekullin e parë e morën seriozisht këtë detyrë. Për shembull, apostulli Pavël e nxiti Timoteun, i cili ishte mbikëqyrës i krishterë si ai: «Bëj punën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Timoteut 4:5) Sot një mënyrë se si një mbikëqyrës e kryen shërbimin e tij është duke qenë lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë, domethënë duke marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. Për shembull, mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit ka privilegjin e mrekullueshëm që të marrë drejtimin në veprën e predikimit dhe të stërvitjes së lajmëtarëve. Pavli e përmbushi përgjegjësinë e vet për të shpallur lajmin e mirë dhe ndihmoi për të stërvitur individë të tjerë që të kryenin shërbimin.​—Veprat 20:20; 1 Korintasve 9:16, 17.

Ungjillëzues të zellshëm në të kaluarën

3, 4. Çfarë përvojash pati Filipi si një ungjillëzues?

3 Të krishterët e hershëm njiheshin si ungjillëzues të zellshëm. Le të mendojmë pak për ungjillëzuesin Filip. Ai ishte një nga ‘shtatë burrat me dëshmi të mirë, plot frymë dhe mençuri’ që u zgjodhën për t’u shpërndarë përditë në mënyrë të paanshme ushqimin vejushave të krishtere në Jerusalem që flitnin greqisht dhe vejushave që flitnin hebraisht. (Veprat 6:1-6) Pasi ky shërbim i veçantë përfundoi dhe kur për shkak të përndjekjes, të gjithë përveç apostujve u shpërndanë, Filipi shkoi në Samari. Atje ai shpalli lajmin e mirë dhe u fuqizua nga fryma e shenjtë që të dëbonte demonët dhe të shëronte individët e çalë e të paralizuar. Shumë samaritanë e pranuan mesazhin e Mbretërisë dhe u pagëzuan. Kur e dëgjuan këtë, apostujt në Jerusalem dërguan apostujt Pjetër e Gjon në Samari me qëllim që besimtarët e sapopagëzuar të merrnin frymën e shenjtë.​—Veprat 8:4-17.

4 Më pas, fryma e Perëndisë e drejtoi Filipin që të takonte eunukun etiopas rrugës për në Gaza. Pasi Filipi i shpjegoi qartë profecinë e Isaisë ky «njeri me pushtet nën Kandaken, mbretëreshë e etiopasve» besoi te Jezu Krishti dhe u pagëzua. (Veprat 8:26-38) Pas kësaj, Filipi shkoi në Ashdod dhe më pas në Cezare, ‘duke shpallur lajmin e mirë në të gjitha qytetet’ përgjatë rrugës. (Veprat 8:39, 40) Sigurisht ai la një shembull të shkëlqyer në bërjen e punës së ungjillëzuesit.

5. Për çfarë njiheshin veçanërisht katër vajzat e Filipit?

5 Filipi ishte ende aktiv në shërbimin në Cezare rreth 20 vjet më vonë. Kur Pavli dhe Luka qëndruan në shtëpinë e tij ai «kishte katër bija, virgjëresha, që profetizonin». (Veprat 21:8-10) Patjetër që ato ishin stërvitur mirë frymësisht, kishin zell për shërbimin e madje kishin edhe privilegjin që të profetizonin. Zelli i prindërve për shërbimin mund të ketë një ndikim të shkëlqyer te bijtë dhe bijat e tyre sot, duke i nxitur që ta kryejnë për gjithë jetën e me zell veprën e ungjillëzimit.

Ungjillëzues të zellshëm sot

6. Çfarë suksesi patën ungjillëzuesit e shekullit të parë?

6 Në profecinë e tij madhështore që bën fjalë për ditët tona dhe për kohën e fundit, Jezu Krishti shpalli: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10) Fundi do të vinte pasi lajmi i mirë të ishte predikuar «në gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Ndërsa Pavli dhe ungjillëzues të tjerë të shekullit të parë shpallnin lajmin e mirë, shumë veta u bënë besimtarë dhe u formuan kongregacione nga njëri vend në tjetrin në mbarë Perandorinë Romake. Pleqtë që ishin emëruar për të shërbyer në këto kongregacione morën pjesë me vëllezërit dhe motrat e krishtere në punën e ungjillëzimit dhe e shtrinë kudo veprën e predikimit. Fjala e Jehovait vazhdoi të rritej e të forcohej në ato ditë, siç ndodh edhe sot ngaqë miliona Dëshmitarë të Jehovait po kryejnë veprën e ungjillëzuesve. (Veprat 19:20) A je një prej këtyre lavdëruesve të lumtur të Jehovait?

7. Çfarë po bëjnë lajmëtarët e Mbretërisë sot?

7 Shumë lajmëtarë të sotëm të Mbretërisë po shfrytëzojnë mundësitë për të marrë pjesë më shumë në veprën e ungjillëzimit. Mijëra veta kanë ndërmarrë shërbimin si misionarë dhe qindra mijë marrin pjesë në veprën ungjillëzuese në kohë të plotë si pionierë të rregullt dhe ndihmës. Çfarë pune të shkëlqyer po kryejnë edhe burra, gra dhe fëmijë, të cilët po shërbejnë si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë! Vërtet, të gjithë pjesëtarët e popullit të Jehovait po gëzojnë bekimin e tij të pasur, ndërsa i shërbejnë atij sup më sup si ungjillëzues të krishterë.​—Sofonia 3:9, BR.

8. Cila vepër po kryhet tani? Nga cilët po kryhet ajo?

8 Perëndia u ka dhënë ithtarëve të mirosur të Jezuit përgjegjësinë që të shpallin lajmin e mirë anembanë tokës. Përkrah tyre në veprën e ungjillëzimit është numri gjithnjë e më i madh i ‘deleve të tjera’ të Krishtit. (Gjoni 10:16) Nga ana profetike kjo vepër jetëshpëtuese krahasohet me vënien e një shenje mbi ballin e atyre që psherëtijnë dhe rënkojnë për tërë gjërat e pështira që po bëhen sot. Së shpejti të ligjtë do të shkatërrohen. Por, ndërkohë ç’privilegj është që t’u çojmë të vërtetat jetëshpëtuese banorëve të tokës!​—Ezekieli 9:4-6, 11.

9. Si mund t’i ndihmojmë lajmëtarët e rinj në shërbim?

9 Nëse kemi njëfarë kohe që marrim pjesë në veprën e ungjillëzimit, ka shumë mundësi që të jemi në gjendje për t’i ndihmuar lajmëtarët e rinj në kongregacion. Herë pas here mund t’i shoqërojmë në shërbim. Ata që shërbejnë si pleq duhet të bëjnë gjithçka që munden për t’i ndërtuar frymësisht bashkëbesimtarët. Përpjekjet e shkëlqyera të mbikëqyrësve të përulur mund të bëjnë shumë për t’i ndihmuar të tjerët që të jenë ungjillëzues të zellshëm dhe frytdhënës.​—2 Pjetrit 1:5-8.

Të japim dëshmi nga shtëpia në shtëpi

10. Çfarë shembulli në shërbim lanë Krishti dhe ithtarët e tij të hershëm?

10 Jezu Krishti u la ithtarëve të tij një shembull të shkëlqyer si ungjillëzues. Në lidhje me shërbimin e Krishtit dhe të apostujve, Fjala e Perëndisë thotë: «Ai shkonte udhës nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë. Dhe bashkë me të ishin të dymbëdhjetët.» (Luka 8:1) Çfarë mund të themi për vetë apostujt? Pas derdhjes së frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., «çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin».​—Veprat 5:42.

11. Sipas Veprave 20:20, 21, çfarë bënte apostulli Pavël gjatë shërbimit të tij?

11 Për shkak të punës së tij të zellshme ungjillëzuese, apostulli Pavël mundi t’u thoshte pleqve të krishterë nga Efesi: «Nuk u përmbajta pa jua thënë të gjitha gjërat që ishin dobiprurëse, as t’ju mësoja publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi.» Kur Pavli ‘po mësonte nga shtëpia në shtëpi’, a mos vallë po vizitonte shtëpitë e bashkadhuruesve të Jehovait, duke bërë vizita baritore te besimtarët? Jo, sepse ai vazhdon të shpjegojë: «U dhashë plotësisht dëshmi si judenjve edhe grekëve për pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu.» (Veprat 20:20, 21) Në përgjithësi ata që tashmë i ishin kushtuar Jehovait nuk kishin nevojë të mësonin për «pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu». Pavli i stërviste pleqtë e krishterë të Efesit në shërbimin nga shtëpia në shtëpi teksa i mësonte jobesimtarët për pendimin dhe besimin. Duke vepruar kështu, Pavli po imitonte metodën e vendosur nga Jezui.

12, 13. Në përputhje me Filipianëve 1:7, çfarë ka bërë populli i Jehovait në lidhje me të drejtën e tij për të predikuar?

12 Shërbimi nga shtëpia në shtëpi mund të jetë i vështirë. Për shembull, disa zemërohen kur u shkojmë në derë për të folur për mesazhin e Biblës. Ne nuk dëshirojmë t’i zemërojmë njerëzit. Megjithatë, shërbimi nga shtëpia në shtëpi bazohet në Shkrime dhe dashuria për Perëndinë e për të afërmin na nxit që të japim dëshmi në këtë mënyrë. (Marku 12:28-31) ‘Për të mbrojtur dhe për të themeluar ligjërisht’ të drejtën për të predikuar nga shtëpia në shtëpi kemi paraqitur çështje gjyqësore përpara gjykatave, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (Filipianëve 1:7) Pothuajse gjithmonë kjo gjykatë ka vendosur në favorin tonë. Një shembull tipik është vendimi vijues:

13 «Shpërndarja dorë më dorë e fletushkave fetare është një formë e lashtë e ungjillëzimit misionar, po kaq e lashtë sa edhe historia e makinave të shtypit. Ajo ka qenë një forcë e fuqishme për shumë lëvizje fetare gjatë viteve. Kjo formë ungjillëzimi përdoret sot në një masë të madhe nga sekte të ndryshme fetare, predikuesit e të cilave e çojnë Ungjillin në mijëra e mijëra shtëpi dhe përpiqen nëpërmjet vizitave të fitojnë përkrahës të besimit të tyre. . . . Kjo formë veprimtarie fetare ka të njëjtën rëndësi të madhe përpara Amendamentit të Parë [të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës] sa edhe adhurimi në kisha dhe predikimi nga katedrat.»​—Mardok kundër Pensilvanisë, 1943.

Pse të vazhdojmë të predikojmë?

14. Çfarë ndikimi mund të ketë shërbimi ynë i vazhdueshëm?

14 Ka shumë arsye pse dëshmojmë nga shtëpia në shtëpi. Çdo herë që vizitojmë një person, përpiqemi të mbjellim një farë të së vërtetës biblike. Duke bërë rivizita përpiqemi ta ujitim atë farë. Si pasojë ndikimi i së vërtetës te ky person mund të vijë duke u shtuar, sepse Pavli shkroi: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdoi ta rriste.» (1 Korintasve 3:6) Prandaj, le të vazhdojmë ‘të mbjellim dhe të ujitim’, të sigurt se Jehovai ‘do ta rritë’.

15, 16. Pse bëjmë vazhdimisht vizita te shtëpitë e njerëzve?

15 E bëjmë punën e ungjillëzuesve, sepse është në rrezik jeta e njerëzve. Duke predikuar mund të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë. (1 Timoteut 4:16) Po ta dinim se jeta e një njeriu është në rrezik, mos ndoshta vetëm sa do të bënim një përpjekje të vogël për ta ndihmuar? Sigurisht që jo. Meqë bëhet fjalë për shpëtimin e njerëzve, ne bëjmë vazhdimisht vizita tek ata. Rrethanat ndryshojnë vazhdimisht. Dikush që është tepër i zënë me punë dhe nuk mund të na dëgjojë në një rast, mund të jetë i gatshëm ta dëgjojë mesazhin e Biblës një herë tjetër. Në derë mund të mos dalë i njëjti person që na ka dalë më parë, por një pjesëtar tjetër i familjes dhe kjo mund të çojë në një bisedë biblike.

16 Jo vetëm rrethanat, por edhe qëndrimet e njerëzve mund të ndryshojnë. Për shembull, humbja e dhembshme e një njeriu të dashur mund ta shtyjë një individ që ta dëgjojë mesazhin e Mbretërisë. Ne shpresojmë që ta ngushëllojmë individin, ta bëjmë të vetëdijshëm për nevojën e tij frymore dhe t’i tregojmë se si ta plotësojë këtë nevojë.​—Mateu 5:3, 4.

17. Cila është arsyeja kryesore e veprës sonë të predikimit?

17 Arsyeja kryesore pse dëshmojmë nga shtëpia në shtëpi ose pse përfshihemi në forma të tjera të shërbimit të krishterë është sepse dëshirojmë të bëjmë pjesën tonë për të shpallur emrin e Jehovait. (Eksodi [Dalja] 9:16; Psalmi 83:18) Sa kënaqësi provojmë kur vepra jonë e ungjillëzimit i ndihmon njerëzit që e duan të vërtetën dhe drejtësinë, që të bëhen lavdërues të Jehovait! Psalmisti këndoi: «Të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë. Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.»​—Psalmi 148:12, 13.

Ungjillëzimi na sjell dobi edhe neve

18. Si nxjerrim dobi duke bërë veprën e ungjillëzimit?

18 Bërja e veprës së ungjillëzimit na sjell dobi në shumë mënyra. Kur shkojmë nga shtëpia në shtëpi për të folur për lajmin e mirë kjo na ndihmon të kultivojmë përulësinë, sidomos kur nuk na presin me dashamirësi. Për të qenë ungjillëzues të efektshëm duhet të jemi si Pavli i cili ‘u bë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që të shpëtonte disa’. (1 Korintasve 9:19-23) Përvoja që fitojmë në shërbim na ndihmon të kemi takt. Duke u mbështetur te Jehovai dhe duke i zgjedhur mirë fjalët mund të zbatojmë këshillën e Pavlit: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.»​—Kolosianëve 4:6.

19. Si i ndihmon fryma e shenjtë ungjillëzuesit?

19 Vepra e ungjillëzimit na nxit edhe që të mbështetemi te fryma e shenjtë e Perëndisë. (Zakaria 4:6) Si rrjedhim fryti i saj, pra «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli», bëhet i dukshëm në shërbimin tonë. (Galatasve 5:22, 23) Ajo ndikon në marrëdhëniet tona me njerëzit, sepse nënshtrimi ndaj drejtimit të frymës na ndihmon të shfaqim dashuri, të jemi të gëzuar dhe paqësorë, të jemi shpirtgjerë dhe mirëdashës, të shfaqim mirësi dhe besim, si dhe të shfaqim butësi dhe vetëkontroll ndërsa shpallim lajmin e mirë.

20, 21. Cilat janë disa bekime dhe dobi që vijnë duke qenë të angazhuar si ungjillëzues?

20 Një bekim tjetër që përjetojmë si ungjillëzues është se i kuptojmë më mirë ndjenjat e njerëzve. Kur ata përmendin problemet e tyre, siç janë sëmundjet, papunësia, problemet familjare, nuk veprojmë si këshilltarë, por u tregojmë shkrime inkurajuese dhe ngushëlluese. Shqetësohemi për njerëzit që janë verbuar frymësisht, por që duket se kanë dashuri për drejtësinë. (2 Korintasve 4:4) Ç’bekim është që t’i ndihmojmë frymësisht ata ‘që janë të prirur drejt jetës së përhershme’!​—Veprat 13:48.

21 Pjesëmarrja e rregullt në veprën e ungjillëzimit na ndihmon ta mbajmë mendjen të përqendruar te gjërat frymore. (Luka 11:34) Kjo patjetër është dobiprurëse, sepse përndryshe mund t’u dorëzohemi tundimeve për t’u dhënë pas gjërave materiale që janë kaq të zakonshme në këtë botë. Apostulli Gjon i nxiti të krishterët: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të; sepse gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota. Për më tepër, bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:15-17) Duke qenë të angazhuar si ungjillëzues që kanë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë kjo na ndihmon që të mos e duam botën.​—1 Korintasve 15:58.

Të grumbullojmë thesare në qiell

22, 23. (a) Çfarë thesaresh grumbullojnë ungjillëzuesit e krishterë? (b) Si do të na ndihmojë artikulli vijues?

22 Vepra e zellshme e predikimit të Mbretërisë na sjell dobi të përhershme. Jezui e tregoi këtë kur tha: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku dhe ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni për vete thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku dhe ku hajdutët nuk shpërthejnë e nuk vjedhin. Sepse ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.»​—Mateu 6:19-21.

23 Le të vazhdojmë të grumbullojmë thesare në qiell, të vetëdijshëm se nuk mund të kemi privilegj më të madh, sesa të përfaqësojmë Zotërinë Sovran Jehova si Dëshmitarët e tij. (Isaia 43:10-12) Ndërsa kryejmë detyrën si shërbëtorë të Perëndisë, mund të ndihemi si një e krishterë mbi nëntëdhjetë vjeç, e cila tha këto fjalë për jetën e saj të gjatë në shërbim të Perëndisë: «Për gjithçka falënderoj Jehovain që e pranoi shërbimin tim pavarësisht nga papërsosmëritë e mia gjatë këtyre viteve. Lutem me zjarr që ai të jetë Ati im i dashur përgjithmonë.» Në qoftë se edhe ne e çmojmë po kështu marrëdhënien me Perëndinë, sigurisht që do të duam ta bëjmë punën e ungjillëzuesit në mënyrë të plotë. Artikulli vijues do të na ndihmojë të kuptojmë se si mund ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse duhet ta bëjmë punën e ungjillëzuesit?

• Çfarë mund të thoni për punën e ungjillëzuesve në të kaluarën dhe tani?

• Pse dëshmojmë nga shtëpia në shtëpi?

• Si nxirrni dobi edhe vetë duke bërë punën e ungjillëzuesit?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Edhe në ditët e sotme ka ungjillëzues të gëzuar ashtu si Filipi dhe vajzat e tij

[Figura në faqen 14]

Si nxirrni dobi ndërsa u jepni lajmin e mirë të tjerëve?