Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Davidi, një shërbëtor besnik i Jehovait, e lejoi gruan e tij Mikalën të mbante një idhull shtëpie, siç tregohet te 1 Samuelit 19:12, 13?
Së pari, le të shqyrtojmë shkurtimisht kontekstin. Kur gruaja e Davidit mori vesh për komplotin e mbretit Saul për ta vrarë Davidin, ajo reagoi menjëherë. Bibla thotë: «Mikal e zbriti Davidin nga dritarja dhe ai iku; ia mbathi me vrap dhe shpëtoi. Pastaj Mikal mori idhullin e shtëpisë [që me sa duket kishte përmasat dhe trajtën e një njeriu] dhe e vuri në shtrat, në vend të kokës vuri një mbulesë prej leshi të dhisë dhe e mbuloi me një pëlhurë.» Kur lajmëtarët e Saulit erdhën për ta kapur Davidin, Mikala u tha: «Është i sëmurë.» Kjo dredhi i dha kohë Davidit që të ikte.—1 Samuelit 19:11-16.
Gjetjet arkeologjike lënë të kuptohet se ndoshta në kohët e lashta idhujt e shtëpisë nuk mbaheshin vetëm për qëllime fetare, por edhe për qëllime ligjore. Ashtu si dokumentet e të drejtave të pronësisë dhe testamentet me shkrim përcaktojnë sot të drejtat e trashëgimisë, po kështu ishin dikur idhujt e shtëpisë. Me sa duket, në disa rrethana, dhëndri që kishte në zotërim idhullin mund të kishte të drejtën për të trashëguar pronën e të vjehrrit pas vdekjes së tij. Kjo mund të shpjegojë përse në një rast që ndodhi kohë përpara kësaj ngjarjeje, Rakela mori idhujt e shtëpisë që i përkitnin të atit dhe përse ai ishte kaq në ankth derisa t’i merrte përsëri. Në këtë rast burri i Rakelës, Jakobi, nuk dinte gjë se çfarë kishte bërë e shoqja.—Zanafilla 31:14-34.
Kur izraelitët u bënë një komb, ata morën Dhjetë Urdhërimet. Urdhërimi i dytë ndalonte në mënyrë specifike përdorimin e idhujve. (Eksodi [Dalja] 20:4, 5) Më vonë, profeti Samuel përmendi tërthorazi këtë ligj kur i foli mbretit Saul. Samueli tha: «Rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake.» (1 Samuelit 15:23) Për këtë arsye nuk ka të ngjarë që idhujt e shtëpisë të shërbenin më për qëllime trashëgimie në Izrael. Gjithsesi, kjo formë e lashtë besëtytnie judaike duket se vazhdoi në disa shtëpi izraelite. (Gjyqtarët 17:5, 6; 2 Mbretërve 23:24) Fakti që Mikala mbante një idhull shtëpie mes gjërave të saj, lë të kuptojë se ndoshta zemra e saj nuk ishte e plotë ndaj Jehovait. Davidi, ose nuk dinte gjë për idhullin e shtëpisë, ose e lejoi atë meqë Mikala ishte vajza e mbretit Saul.
Pikëpamja që kishte Davidi për përkushtimin ekskluziv ndaj Jehovait shprehet në fjalët e tij: «Zoti [Jehovai, BR] është i madh dhe i denjë të Iëvdohet në kulm; ai është më friksuesi nga tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.»—1 Kronikave 16:25, 26.
[Figura në faqen 29]
Urdhërimi i dytë nga Dhjetë Urdhërimet ndalonte bërjen e idhujve siç është idhulli i shtëpisë që tregohet këtu
[Burimi]
Nga libri Toka e shenjtë (anglisht), vëll. II, 1859