Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të zhvillojmë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë

Të zhvillojmë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë

Të zhvillojmë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë

«Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj.»​—Mateu 20:26.

1. Cila është pikëpamja e botës për madhështinë?

PRANË qytetit të lashtë egjiptian të Tebës (Karnakia e sotme), rreth 500 kilometra në jug të Kajros, ndodhet një statujë 18 metra e lartë e faraonit Amenofi III. Kjo statujë gjigante të bën të ndihesh shumë i vogël kur e sheh. Statuja, e projektuar me siguri për të ngjallur një ndjenjë përnderimi për këtë sundimtar, simbolizon pikëpamjen që ka bota për madhështinë, pra ta bësh veten të dukesh sa më i madh e i rëndësishëm e t’i bësh të tjerët të ndihen fare të parëndësishëm.

2. Çfarë shembulli la Jezui për ithtarët e tij dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

2 Ta krahasojmë këtë pikëpamje për madhështinë me pikëpamjen që u mësoi Jezu Krishti njerëzve. Edhe pse ishte «Zotëri e Mësues» i ithtarëve të tij, Jezui u mësoi atyre se madhështia vjen kur u shërbejmë të tjerëve. Ditën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui e tregoi se ç’domethënie kishte ky mësim duke u larë këmbët dishepujve. Sa shërbim i përulur që ishte ky! (Gjoni 13:4, 5, 14) Çfarë të tërheq më shumë, t’u shërbesh të tjerëve apo të të shërbejnë? A të nxit shembulli i Krishtit të dëshirosh thellë brenda teje të jesh i përulur siç ishte ai? Atëherë, le të shqyrtojmë pikëpamjen e Krishtit për madhështinë, që është e ndryshme nga pikëpamja e zakonshme e botës.

Të shmangim pikëpamjen e botës për madhështinë

3. Cilët shembuj nga Bibla tregojnë fundin e hidhur të atyre që dëshirojnë lavdi nga njerëzit?

3 Në Bibël ka shumë shembuj që tregojnë se pikëpamja e botës për madhështinë të rrënon. Mendoni për Hamanin e fuqishëm, i cili kishte një pozitë të shquar në oborrin mbretëror persian në ditët e Esterës dhe Mordekait. Dëshira e pangopur për lavdi e çoi Hamanin në poshtërim e në vdekje. (Estera 3:5; 6:10-12; 7:9, 10) Po Nabukodonosori fodull, i cili në kulmin e pushtetit të tij u godit me çmenduri? Pikëpamja e shtrembëruar që kishte për madhështinë duket në këto fjalë të tij: «Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?» (Danieli 4:30) Shembull tjetër është mbreti krenar Herod Agripa I, i cili pranoi lavdinë e pamerituar që i dhanë, në vend që t’i jepte lavdi Perëndisë. Atë ‘e përpinë krimbat e dha frymë’. (Veprat 12:21-23) Nuk kuptuan pikëpamjen e Jehovait për madhështinë dhe kjo i çoi këta burra në rënien e tyre poshtëruese.

4. Kush qëndron pas frymës krenare të botës?

4 Është normale të dëshirojmë ta përdorim jetën në një mënyrë që na sjell nderimin dhe respektin e të tjerëve. Gjithsesi, Djalli e shfrytëzon këtë dëshirë tonën duke nxitur frymën e krenarisë, e cila është pasqyrim i ambicieve që ka ai vetë. (Mateu 4:8, 9) Asnjëherë të mos harrojmë se ai është «perëndia i këtij sistemi» dhe se është i vendosur ta përhapë mënyrën e tij të të menduarit këtu në tokë. (2 Korintasve 4:4; Efesianëve 2:2; Zbulesa 12:9) Duke ditur cili është burimi i kësaj mënyre të menduari, të krishterët e shmangin pikëpamjen e botës për madhështinë.

5. A siguron kënaqësi të qëndrueshme suksesi, fama dhe pasuria? Shpjegoni.

5 Një mendim që nxit Djalli është se të kesh një emër të famshëm në botë, të marrësh lavde nga njerëzit dhe t’i kesh xhepat plot me para të sjell me siguri një jetë të lumtur. A është e vërtetë kjo? A siguron suksesi, fama dhe pasuria një jetë plot me kënaqësi? Bibla na paralajmëron të mos mashtrohemi nga kjo mënyrë të menduari. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Pashë gjithashtu që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën e njërit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 4:4) Shumë njerëz që e kanë kaluar gjithë jetën duke u përpjekur të bëjnë përpara në botë mund ta dëshmojnë sa e vërtetë është kjo këshillë e frymëzuar biblike. Një shembull i tillë është ai që ndihmoi në projektimin, ndërtimin dhe eksperimentimin e anijes kozmike që e çoi njeriun në hënë. Ai tha: «Kisha punuar me mish e me shpirt dhe isha bërë shumë i zoti në punën time. Megjithatë e gjithë kjo kishte qenë e kotë, e pavlerë, sepse s’më siguroi lumturi të qëndrueshme dhe paqe mendore.» * Koncepti që ka bota për madhështinë, qoftë në fushën e biznesit, të sportit ose të zbavitjes, nuk siguron kënaqësi të qëndrueshme.

Madhështi nëpërmjet shërbimit të motivuar nga dashuria

6. Nga duket se Jakovi dhe Gjoni kishin një pikëpamje të gabuar për madhështinë?

6 Një ngjarje nga jeta e Jezuit na bën të qartë se çfarë përfshin madhështia e vërtetë. Jezui dhe dishepujt e tij po udhëtonin për në Jerusalem për Pashkën e vitit 33 të e.s. Rrugës, dy kushërinj të Jezuit, Jakovi dhe Gjoni, shfaqën një pikëpamje të gabuar për madhështinë. Nëpërmjet nënës së tyre, i bënë këtë kërkesë Jezuit: ‘Urdhëro që të ulemi në të djathtën dhe në të majtën tënde, në mbretërinë tënde.’ (Mateu 20:21) Për judenjtë të uleshe në të majtën ose në të djathtën e dikujt konsiderohej një nder i madh. (1 Mbretërve 2:19) Me ambicien e tyre Jakovi dhe Gjoni u përpoqën të zinin vendet më të shquara. Donin të kishin të drejtën për të marrë këto pozita autoriteti. Jezui e dinte se çfarë po bluanin në mendje dhe përfitoi nga ky rast për të korrigjuar pikëpamjen e gabuar që kishin për madhështinë.

7. Si e shpjegoi Jezui se çfarë të çon drejt madhështisë së vërtetë midis të krishterëve?

7 Jezui e dinte se në këtë botë krenare, i madh konsiderohet ai njeri që ka nën kontroll e që komandon të tjerët dhe që sa hap gojën, i plotësojnë të gjitha tekat. Por te ithtarët e Jezuit kriteri për të matur madhështinë është shërbimi me përulësi. Jezui tha: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush duhet të jetë skllavi juaj.»​—Mateu 20:26, 27.

8. Çfarë do të thotë të jesh shërbëtor dhe çfarë pyetjesh mund t’i bëjmë vetes?

8 Fjala greke e përkthyer «shërbëtor» në Bibël i referohet atij që me zell e vazhdimisht përpiqet t’u shërbejë të tjerëve. Jezui po u mësonte dishepujve të tij një mësim të rëndësishëm: t’i urdhërosh të tjerët të bëjnë gjërat nuk të bën të madh, kurse t’u shërbesh të tjerëve i motivuar nga dashuria po. Pyet veten: ‘Si do të kisha reaguar po të isha Jakovi ose Gjoni? A do ta kisha kapur pikën, pra që madhështia e vërtetë vjen kur u shërben të tjerëve i motivuar nga dashuria?’​—1 Korintasve 13:3.

9. Çfarë shembulli la Jezui në marrëdhëniet me të tjerët?

9 Jezui u tregoi dishepujve se standardi i botës për madhështinë nuk është standardi i madhështisë që la ai vetë me shembullin e tij. Ai asnjëherë nuk mbajti një qëndrim si të ishte më i lartë se ata të cilëve u shërbente dhe nuk i bëri të ndiheshin më të vegjël. Me të ndiheshin rehat njerëz të çdo lloji: burra, gra, fëmijë, të pasur, të varfër, njerëz me pushtet, si edhe mëkatarë famëkeq. (Marku 10:13-16; Luka 7:37-50) Shpesh njerëzit e humbasin durimin me ata që kanë ndonjë dobësi. Jezui ishte ndryshe. Edhe pse kishte raste kur dishepujt e tij nuk i mendonin dy herë gjërat ose grindeshin me njëri-tjetrin, ai i mësoi me durim, duke u treguar se ishte vërtet i përulur dhe me natyrë të butë.​—Zakaria 9:9; Mateu 11:29; Luka 22:24-27.

10. Si e tregoi Jezui gjatë gjithë jetës se u shërbente me altruizëm të tjerëve?

10 Shembulli altruist që la ky Bir i shquar i Perëndisë, tregoi se çfarë nënkupton vërtet madhështia. Jezui nuk erdhi në tokë që t’i shërbenin të tjerët, por që t’u shërbente atyre, duke shëruar «sëmundje të ndryshme» dhe duke i çliruar njerëzit nga demonët. Ndonëse edhe ai lodhej e kishte nevojë për të pushuar, gjithnjë i vinte nevojat e të tjerëve para nevojave të tij, duke bërë çmos për t’i ngushëlluar. (Marku 1:32-34; 6:30-34; Gjoni 11:11, 17, 33) Dashuria e shtynte t’i ndihmonte njerëzit nga ana frymore. Ai udhëtonte qindra kilometra nëpër rrugë tërë pluhur për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Marku 1:38, 39) Pa dyshim Jezui e shihte si një gjë serioze t’u shërbente të tjerëve.

Të imitojmë përulësinë e Krishtit

11. Çfarë cilësish kërkohen te vëllezërit që emërohen për të shërbyer si mbikëqyrës në kongregacion?

11 Fryma e duhur që duhej të tregonin mbikëqyrësit e krishterë u theksua në fund të shekullit të 19-të, kur po zgjidheshin burra që të ishin përfaqësues udhëtues për t’u shërbyer nevojave të popullit të Perëndisë. Ajo çfarë kërkohej, sipas Kullës së Rojës së Sionit të 1 shtatorit 1894, ishin burra «zemërbutë, që të mos krekosen . . . , me mendje të përulur, që nuk përpiqen të propagandojnë veten, por Krishtin; jo që të shpalosin gjithë njohurinë e tyre, por Fjalën e tij me thjeshtësinë dhe me fuqinë e saj». Qartë, të krishterët e vërtetë asnjëherë nuk duhej të kërkonin përgjegjësi me synimin për të kënaqur ambicien e tyre ose për t’u shquar mbi të tjerët, për pushtet ose për t’i pasur nën kontroll të tjerët. Një mbikëqyrës i përulur mban gjithnjë në mendje se përgjegjësitë e tij përbëjnë «një punë të shkëlqyer», jo një pozitë të lartë për të marrë lavdi për vete. (1 Timoteut 3:1, 2) Të gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet të bëjnë çmos që t’u shërbejnë me përulësi të tjerëve dhe të marrin drejtimin në shërbimin e shenjtë, duke lënë një shembull të denjë për t’u imituar nga të tjerët.​—1 Korintasve 9:19; Galatasve 5:13; 2 Timoteut 4:5.

12. Ç’pyetje mund t’i bëjnë vetes ata që synojnë privilegje në kongregacion?

12 Çdo vëlla që po synon privilegje duhet të pyesë veten: ‘A kërkoj mundësi që t’u shërbej të tjerëve apo kam prirjen të pres që të më shërbejnë të tjerët? A jam gati të kryej punë të dobishme që s’vihen re menjëherë nga të tjerët?’ Për shembull, një i ri mund të jetë i gatshëm të mbajë fjalime në kongregacionin e krishterë, por ndoshta nuk ka shumë qejf të ndihmojë të moshuarit. Ndoshta i pëlqen shoqëria me burrat me përgjegjësi në kongregacion, por nuk e ka me shumë dëshirë veprën e predikimit. Ky i ri duhet të pyesë veten: ‘A përqendrohem kryesisht në ato aspekte të shërbimit të Perëndisë që të japin famë dhe lavdërime nga të tjerët? A po përpiqem të shquhem midis të tjerëve?’ Të kërkosh lavdi për vete nuk është fare sipas shembullit të Krishtit.​—Gjoni 5:41.

13. (a) Si mund të ndikojë te të tjerët shembulli i përulësisë që lë një mbikëqyrës? (b) Pse mund të thuhet se përulësia nuk është çështje zgjedhjeje për një të krishterë?

13 Kur përpiqemi të imitojmë përulësinë e Krishtit, ndihemi të motivuar t’u shërbejmë të tjerëve. Le të shohim shembullin e një mbikëqyrësi zone, i cili po shqyrtonte veprimtaritë e një zyre dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithëse kishte një program shumë të ngjeshur dhe një peshë të rëndë përgjegjësie, ky mbikëqyrës u ndal që të ndihmonte një vëlla të ri, i cili s’po rregullonte dot makinën e lidhjes së broshurave. «S’e besoja dot,​—tha më vonë vëllai.​—Më tha se kur ishte i ri dhe shërbente në Bethel kishte punuar në të njëjtën lloj makine dhe i kujtohej se sa e vështirë ishte të rregulloje këto makina. Punoi bashkë me mua në makinë për ca kohë, edhe pse kishte shumë gjëra të tjera të rëndësishme për të bërë. Kjo më la pa fjalë.» Ky vëlla, që tani është mbikëqyrës në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, e mban mend ende këtë veprim të përulur. Kurrë të mos mendojmë se jemi kaq të rëndësishëm, saqë s’mund të bëjmë punë të përulura ose punë krahu. Përkundrazi, duhet të vishemi me «përulësi mendjeje». Kjo nuk është çështje zgjedhjeje. Është pjesë e ‘personalitetit të ri’ që duhet të veshë i krishteri.​—Filipianëve 2:3; Kolosianëve 3:10, 12; Romakëve 12:16.

Si të zhvillojmë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë?

14. Si na ndihmon meditimi rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë dhe me të tjerët që të zhvillojmë pikëpamjen e duhur për madhështinë?

14 Si mund të zhvillojmë pikëpamjen e duhur për madhështinë? Një mënyrë është duke medituar për marrëdhënien që kemi me Perëndinë Jehova. Madhështia, fuqia dhe mençuria e tij e ngrejnë shumë më lart se njerëzit që janë tepër të vegjël në krahasim me të. (Isaia 40:22) Edhe meditimi për marrëdhëniet që kemi me njerëzit e tjerë na ndihmon të zhvillojmë përulësi mendjeje. Për shembull, ndoshta jemi më mirë se të tjerët në ndonjë fushë, por ata mund të shkëlqejnë në fusha të tjera të jetës që janë shumë më të rëndësishme, ose vëllezërit tanë të krishterë mund të kenë disa cilësi që neve na mungojnë. Faktikisht, shumë veta që janë të çmuar në sytë e Perëndisë nuk para u bien në sy të tjerëve, sepse janë të butë e të përulur.​—Fjalët e urta 3:34; Jakovi 4:6.

15. Si e tregon integriteti i popullit të Perëndisë se asnjë s’ka arsye për t’u ndier më i lartë se të tjerët?

15 Përvojat e Dëshmitarëve të Jehovait që kanë qenë në gjyq për shkak të besimit të tyre e ilustrojnë më së miri këtë pikë. Shumë shpesh njerëzit që kanë mbajtur integritetin ndaj Perëndisë nën sprova të zjarrta kanë qenë pikërisht ata që bota do t’i quante njerëz të thjeshtë. Meditimi për këta shembuj mund të na ndihmojë që të jemi të përulur dhe të na mësojë ‘të mos mendojmë për veten më shumë sesa duhet të mendojmë’.​—Romakëve 12:3. *

16. Si mund të zhvillojnë të gjithë në kongregacion madhështinë në imitim të shembullit që la Jezui?

16 Që të gjithë të krishterët, të rinj e të moshuar, duhet të përpiqen të zhvillojnë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë. Në kongregacion duhen kryer një sërë punësh e detyrash. Mos u ndiej asnjëherë keq po qe se të kërkojnë të bësh gjëra që mund të duken punë të përulura. (1 Samuelit 25:41; 2 Mbretërve 3:11) Prindër, a i nxitni fëmijët dhe adoleshentët që të punojnë me kënaqësi në çdo caktim që u jepet, qoftë në Sallën e Mbretërisë, në asamble ose në kongres? A ju shohin ata edhe juve duke bërë punë që kërkojnë përulësi? Një vëlla që tani shërben në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait e ka të freskët në kujtesë shembullin e prindërve të tij. Ai tha: «Qëndrimi me të cilin e merrnin punën e pastrimit të Sallës së Mbretërisë ose të vendit të kongresit më tregonte se për ta kjo punë ishte e rëndësishme. Shpesh dilnin vullnetarë për të bërë punë për të mirën e kongregacionit ose të vëllazërisë, pavarësisht sa e përulur dukej ajo punë. Ky qëndrim më ka ndihmuar që të pranoj me gatishmëri çdo caktim pune këtu në Bethel.»

17. Si mund të jenë bekim për kongregacionin gratë e përulura?

17 Për sa i përket vënies së interesave të të tjerëve para tonave kemi shembullin e shkëlqyer të Esterës, që u bë mbretëreshë e Persisë në shekullin e pestë p.e.s. Edhe pse jetonte në pallatin mbretëror, ajo ishte gati të vinte në rrezik jetën e saj për hir të popullit të Perëndisë, duke vepruar në harmoni me vullnetin e tij. (Estera 1:5, 6; 4:14-16) Pavarësisht nga rrethanat e tyre ekonomike, gratë e krishtere sot mund të tregojnë një frymë si ajo e Esterës duke u dhënë zemër të ligështuarve, duke vizituar të sëmurët, duke dalë në predikim dhe duke bashkëpunuar me pleqtë. Ç’bekim i madh që janë për kongregacionin këto motra të përulura!

Bekime kur shfaqim pikëpamjen e Krishtit për madhështinë

18. Çfarë dobish vijnë duke shfaqur madhështinë si ajo e Krishtit?

18 Kur kemi një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë, kjo sjell shumë dobi. T’u shërbejmë me altruizëm të tjerëve na sjell gëzim edhe neve, edhe atyre. (Veprat 20:35) Ndërsa punon me gatishmëri e me zell për vëllezërit, bëhesh i dashur për ta. (Veprat 20:37) Ç’është më e rëndësishmja, atë që bën ti për të mirën e të bashkëkrishterëve, Jehovai e sheh si një flijim të këndshëm lavdie që i bëhet atij.​—Filipianëve 2:17.

19. Çfarë vendosmërie duhet të kemi lidhur me pikëpamjen e Krishtit për madhështinë?

19 Secili nga ne duhet të hetojë zemrën e vet dhe të pyesë veten: ‘A do të mjaftohem vetëm duke folur se si të zhvillohet pikëpamja e Krishtit për madhështinë apo do të punoj me zell për ta vënë në zbatim?’ Ndjenjat që ka Jehovai ndaj fodullëve janë shumë të qarta. (Fjalët e urta 16:5; 1 Pjetrit 5:5) Tregofshim me veprimet tona se kënaqemi kur shfaqim pikëpamjen e Krishtit për madhështinë, qoftë kur jemi në kongregacionin e krishterë, në jetën familjare ose në marrëdhëniet e përditshme me të tjerët, duke i bërë të gjitha gjërat për lavdinë e Perëndisë!​—1 Korintasve 10:31.

[Shënimet]

^ par. 5 Shih Kullën e Rojës, 1 maj 1982, faqet 3-6, «Në kërkim të suksesit», anglisht.

^ par. 15 Për disa shembuj, shiko Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1992, faqet 181, 182, anglisht dhe Kullën e Rojës, 1 shtator 1993, faqet 27-31, anglisht.

A mund të shpjegoni?

• Pse duhet të shmangim pikëpamjen e botës për madhështinë?

• Me cilin kriter e maste Jezui madhështinë?

• Si mund ta imitojnë mbikëqyrësit përulësinë e Krishtit?

• Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë një madhështi si e Krishtit?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 17]

Kush ka një madhështi si e Krishtit?

Ai që dëshiron t’i shërbejnë të tjerët apo ai që është i gatshëm t’u shërbejë të tjerëve?

Ai që pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes apo ai që pranon punë të përulura?

Ai që lartëson veten apo ai që lartëson të tjerët?

[Figura në faqen 14]

Statujë gjigante e faraonit Amenofi III

[Figura në faqen 15]

A e dini çfarë e çoi Hamanin në rrënim?

[Figurat në faqen 16]

A kërkoni mundësi për t’u shërbyer të tjerëve?