Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’

Të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’

Të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’

«Një të panjohur nuk do ta ndjekin kurrsesi, por do të ikin prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të panjohurve.»​—GJONI 10:5.

1, 2. (a) Si reagon Maria kur Jezui e thërret me emër dhe cilin pohim të mëparshëm të Jezuit ilustron kjo ngjarje? (b) Çfarë na jep mundësi që të qëndrojmë afër Jezuit?

JEZUI i ringjallur po kundron gruan që po rri pranë varrit të boshatisur. E njeh mirë këtë grua. Është Maria Magdalena. Rreth dy vjet më parë, e kishte çliruar nga demonët që e kishin zaptuar. Që nga ajo kohë Maria e kishte shoqëruar Jezuin dhe apostujt, duke u kujdesur për nevojat e tyre të përditshme. (Luka 8:1-3) Por tani ajo po qan, e pushtuar nga hidhërimi, sepse ka parë vdekjen e Jezuit, dhe tani edhe trupi i tij është zhdukur! Prandaj Jezui e pyet: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?» Duke e marrë për kopshtarin, gruaja përgjigjet: «Zotëri, nëse e ke çuar diku, më thuaj ku e ke vënë, e unë do ta marr.» Atëherë Jezui i thotë: «Marie!» Menjëherë ajo e dallon zërin e njohur me të cilin i flet ai. «Mësues!»​—thërret tërë gëzim. Pastaj e përqafon.​—Gjoni 20:11-18.

2 Ky tregim ilustron në mënyrë prekëse fjalët që kishte thënë Jezui ca kohë më parë. Duke e krahasuar veten me një bari dhe ithtarët e tij me delet, ai tha se bariu i thërret me emër delet e tij dhe ato ia njohin zërin. (Gjoni 10:3, 4, 14, 27, 28) Vërtet, ashtu si një dele e njeh bariun e vet, po ashtu Maria e njohu Bariun e saj, Krishtin. Kjo mund të thuhet edhe për ithtarët e sotëm të Jezuit. (Gjoni 10:16) Ashtu si aftësia për ta dalluar me vesh zërin e bariut i jep mundësi deles të qëndrojë pranë tij, po ashtu aftësia jonë dalluese frymore na jep mundësi që të ndjekim gjurmët e Bariut tonë të Shkëlqyer, Jezu Krishtit.​—Gjoni 13:15; 1 Gjonit 2:6; 5:20.

3. Cilat janë disa pyetje që mund të lindin nga ilustrimi i Jezuit për vathën e deleve?

3 Megjithatë, po sipas këtij ilustrimi, aftësia e deles për të dalluar zërat njerëzorë i jep mundësi të njohë jo vetëm miqtë, por edhe armiqtë. Kjo është me rëndësi jetësore, sepse ne kemi kundërshtarë dinakë. Cilët janë këta? Si veprojnë? Si mund të mbrohemi? Për ta zbuluar, le të shohim çfarë thotë tjetër Jezui në ilustrimin e vathës së deleve.

‘Ai që nuk hyn nga dera’

4. Kë ndjekin delet në ilustrimin për bariun dhe kë nuk ndjekin?

4 Jezui thotë: «Ai që hyn nga dera, është bariu i deleve. Këtij portieri ia hap dhe delet e dëgjojnë zërin e tij, ai i thërret delet e veta me emër dhe i shpie jashtë. Kur i ka nxjerrë jashtë të gjitha të vetat, ai shkon para tyre dhe delet e ndjekin, sepse e njohin zërin e tij. Një të panjohur nuk do ta ndjekin kurrsesi, por do të ikin prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të panjohurve.» (Gjoni 10:2-5) Vini re se Jezui e përdor tri herë fjalën ‘zëri’. Dy herë flet për zërin e bariut, kurse herën e tretë flet për «zërin e të panjohurve». Për çfarë të panjohuri e ka fjalën Jezui këtu?

5. Pse nuk i tregojmë mikpritje të panjohurit për të cilin flitet në kapitullin e dhjetë të Gjonit?

5 Jezui nuk po flet për atë të panjohur ndaj të cilit duam të tregojmë mikpritje, fjalë kjo që në gjuhën origjinale të Biblës do të thotë «dashuri për të huajt». (Hebrenjve 13:2) Në ilustrimin e Jezuit, i panjohuri nuk është një mysafir i ftuar. Ai «nuk hyn në vathën e deleve nga dera, por ngjitet nga ndonjë vend tjetër». Është një «hajdut dhe plaçkitës». (Gjoni 10:1) Kush është personi i parë që përmendet në Fjalën e Perëndisë si hajdut dhe plaçkitës? Satana Djalli. Provat i gjejmë në librin e Zanafillës.

Kur u dëgjua fillimisht zëri i një të panjohuri?

6, 7. Pse Satanai mund të quhet me të drejtë i panjohur dhe hajdut?

6 Zanafilla 3:1-5 përshkruan se si u dëgjua për herë të parë në tokë zëri i një të panjohuri. Tregimi na thotë se Satanai iu afrua Evës, gruas së parë, nëpërmjet një gjarpri dhe i foli në mënyrë dinake. Vërtet që në këtë tregim Satanai nuk quhet fjalë për fjalë ‘i panjohur’. Megjithatë me veprimet e tij tregoi në shumë mënyra se ishte si i panjohuri që përshkruhet në ilustrimin e Jezuit te kapitulli i dhjetë i Gjonit. Të shqyrtojmë disa ngjashmëri.

7 Jezui thotë se i panjohuri u afrohet viktimave të tij në vathë nëpërmjet një rruge të tërthortë. Po kështu, Satanai iu afrua viktimës së tij në mënyrë të tërthortë, duke përdorur një gjarpër. Kjo mënyrë dinake të vepruari tregoi fytyrën e vërtetë të Satanait si një mashtrues që ndërhyn ku s’i takon. Veç kësaj, i panjohuri që hyn në vathë ka si synim t’ia vjedhë delet pronarit të tyre legjitim. Por, ai s’është thjesht një hajdut, sepse synimi i tij është ‘të presë e të shkatërrojë’. (Gjoni 10:10) Satanai po ashtu ishte hajdut. Duke e mashtruar Evën, ai vodhi besnikërinë e saj ndaj Perëndisë. Për më tepër Satanai shkaktoi edhe vdekjen e njerëzve. Prandaj është edhe vrasës.

8. Si i shtrembëroi Satanai fjalët dhe motivet e Jehovait?

8 Pandershmëria e Satanait u duk në mënyrën se si i shtrembëroi fjalët dhe motivet e Jehovait. «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’»​—e pyeti Evën. Satanai u hoq sikur ishte i tronditur, si të thoshte: ‘Si ka mundësi që Perëndia të jetë kaq i paarsyeshëm?’ Pastaj shtoi: «Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen.» Vini re fjalët e tij: «Perëndia e di.» Me fjalë të tjera Satanai po thoshte: ‘Unë e di çfarë di Perëndia. I njoh motivet e tij dhe s’janë hiç të mira.’ (Zanafilla 2:16, 17; 3:1, 5) Mjerisht, Eva dhe Adami nuk ikën prej këtij të panjohuri me t’i dëgjuar zërin. Përkundrazi, e dëgjuan, dhe kështu sollën mjerime për veten dhe për pasardhësit.​—Romakëve 5:12, 14.

9. Pse duhet të presim që edhe sot të dëgjohet zëri i të panjohurve?

9 Edhe sot Satanai përdor metoda të ngjashme për të mashtruar popullin e Perëndisë. (Zbulesa 12:9) Ai është «ati i gënjeshtrës» dhe ata që, ashtu si ai, përpiqen të mashtrojnë shërbëtorët e Perëndisë janë fëmijët e tij. (Gjoni 8:44) Le të shohim disa mënyra se si dëgjohet sot zëri i këtyre të panjohurve.

Si dëgjohet sot zëri i të panjohurve?

10. Cila është një mënyrë se si po dëgjohet zëri i të panjohurve?

10 Arsyetimet mashtruese. Apostulli Pavël tha: «Mos u rrëmbeni nga mësime të ndryshme dhe të huaja.» (Hebrenjve 13:9) Ç’lloj mësimesh janë këto? Meqë mund ‘të na rrëmbejnë’, është e qartë se Pavli po flet për mësimet që na e dobësojnë ekuilibrin frymor. Kush i shpreh këto mësime të huaja? Pavli i tha një grupi pleqsh të krishterë: «Prej jush vetë do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:30) Po, edhe sot, si në ditët e Pavlit, disa individë që më parë kanë qenë pjesë e kongregacionit të krishterë po përpiqen të mashtrojnë delet, duke thënë «gjëra të shtrembëruara», domethënë gjysmë të vërteta ose edhe gënjeshtra. Siç shprehet apostulli Pjetër, ata përdorin «fjalë të shtira», pra fjalë që duken të vërteta, por që faktikisht nuk kanë asnjë vlerë.​—2 Pjetrit 2:3.

11. Si i demaskojnë metodat dhe synimin e apostatëve fjalët që gjejmë te 2 Pjetrit 2:1, 3?

11 Pjetri i demaskon më tej metodat e apostatëve duke thënë se «do të futin tinëzisht sekte shkatërruese». (2 Pjetrit 2:1, 3) Ashtu si hajduti në ilustrimin e Jezuit për vathën nuk hyn «nga dera, por ngjitet nga një vend tjetër», po kështu apostatët na afrohen në mënyra tinëzare. (Galatasve 2:4; Juda 4) Me cilin synim? Pjetri shton: «Do t’ju shfrytëzojnë.» Po, pavarësisht se çfarë mund të thonë për t’u justifikuar, synimi i vërtetë i apostatëve është ‘të vjedhin, të presin e të shkatërrojnë’. (Gjoni 10:10) Ruhuni nga këta të panjohur!

12. (a) Si mund të ndikohemi nga zëri i të panjohurve nëpërmjet shoqërive tona? (b) Çfarë ngjashmërie ka midis taktikave të Satanait dhe atyre të të panjohurve sot?

12 Shoqëritë e dëmshme. Zëri i të panjohurve mund të dëgjohet nëpërmjet atyre me të cilët shoqërohemi. Shoqëritë e dëmshme vënë në rrezik sidomos të rinjtë. (1 Korintasve 15:33) Mos harroni se Satanai vuri në shënjestër Evën, që ishte më e re dhe më pa përvojë. Ai e bindi se Jehovai ia kishte kufizuar pa të drejtë lirinë, kur në fakt ishte krejt e kundërta. Jehovai i donte krijesat e tij njerëzore dhe interesohej për mirëqenien e tyre. (Isaia 48:17) Po kështu edhe sot, të panjohurit përpiqen t’ju bindin ju të rinj se prindërit tuaj të krishterë jua kufizojnë pa të drejtë lirinë. Si mund të ndikojnë te ju këta të panjohur? Një vajzë e krishterë pranon: «Për njëfarë kohe m’u dobësua besimi për shkak të shokëve të klasës. Ata më thoshin vazhdimisht se feja ime ishte kufizuese dhe e paarsyeshme.» Por, e vërteta është se prindërit ju duan shumë. Prandaj, kur shokët e klasës përpiqen t’ju bindin që të mos u besoni prindërve, mos u mashtroni siç u mashtrua Eva.

13. Cilën rrugë të mençur ndoqi Davidi dhe cila është një mënyrë se si mund ta imitojmë?

13 Lidhur me shoqëritë e dëmshme, psalmisti David thotë: «Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.» (Psalmi 26:4) A e vini re edhe këtu vetinë karakteristike të të panjohurve? Ata janë hipokritë, e fshehin se çfarë janë, pikërisht ashtu si Satanai e fshehu identitetin e tij duke përdorur një gjarpër. Sot, kur përdorin Internetin, disa njerëz imoralë e fshehin identitetin e tyre dhe qëllimet që kanë. Madje, për t’ju futur në kurth, disa të rritur të degjeneruar mund të shtiren si të rinj gjatë bisedave nëpër çat rums në Internet. Të rinj, ju lutemi tregoni jashtëzakonisht kujdes, përndryshe do të dëmtoheni frymësisht!​—Psalmi 119:101; Fjalët e urta 22:3.

14. Si janë përdorur nganjëherë mjetet e informacionit për të përhapur zërin e të panjohurve?

14 Akuzat e rreme. Ndonëse disa lajme që jepen për Dëshmitarët e Jehovait janë të sakta, nganjëherë mjetet e informacionit përdoren për të përhapur zërin tendencioz të të panjohurve. Për shembull, në një vend u dha një lajm që thoshte padrejtësisht se Dëshmitarët mbështetën regjimin e Hitlerit gjatë Luftës II Botërore. Në një tjetër vend, u dha një lajm ku Dëshmitarët akuzoheshin se përdhosnin kishat. Në disa vende mjetet e informacionit i kanë akuzuar Dëshmitarët se nuk duan t’u japin trajtim mjekësor fëmijëve të tyre dhe se me dashje anashkalojnë mëkate të rënda që kryejnë bashkëbesimtarët e tyre. (Mateu 10:22) Megjithatë, njerëzit e sinqertë që na njohin personalisht e kuptojnë se këto akuza janë të rreme.

15. Pse nuk është e mençur të besojmë çdo gjë që paraqitet në mjetet e informacionit?

15 Çfarë duhet të bëjmë nëse ndodhemi përballë akuzave të përhapura nga zëri i këtyre të panjohurve? Duhet të zbatojmë këshillën e Fjalëve të urta 14:15: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Nuk është e mençur të besojmë çdo gjë që paraqitet si e vërtetë në mjetet e informacionit. Patjetër që nuk jemi mosbesues ndaj çdo informacioni që paraqitet në to, por ama e kuptojmë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut».​—1 Gjonit 5:19.

«Vërini shprehjet e frymëzuara në provë»

16. (a) Si e ilustron reagimi i deleve të mirëfillta vërtetësinë e fjalëve të Jezuit, që i gjejmë te Gjoni 10:4? (b) Çfarë na nxit të bëjmë Bibla?

16 Por, si mund ta dimë me siguri kur kemi të bëjmë me një mik e kur me një armik? Jezui thotë se delet e ndjekin bariun «sepse e njohin zërin e tij». (Gjoni 10:4) Nuk është pamja e jashtme e bariut që i bën delet ta ndjekin, por zëri i tij. Në një libër për vendet biblike tregohet se një herë një vizitor tha se delet e njohin bariun nga rrobat e tij, dhe jo nga zëri. Bariu ia ktheu se ato njohin zërin e tij. Për ta provuar këtë, i ndërroi rrobat me vizitorin e panjohur. I veshur me rrobat e bariut, i panjohuri i thirri delet, por këto nuk iu përgjigjën. Nuk e njihnin zërin e tij. Por kur i thirri bariu, ndonëse kishte veshur rroba të tjera, ato menjëherë vrapuan tek ai. Kështu, dikush mund të duket si bari, por për delet kjo nuk është provë se është vërtet i tillë. Në fakt, delet e analizojnë zërin e atij që thërret duke e krahasuar me zërin e bariut. Fjala e Perëndisë na thotë të bëjmë të njëjtën gjë, domethënë ‘t’i vëmë shprehjet e frymëzuara në provë për të parë nëse vijnë nga Perëndia’. (1 Gjonit 4:1; 2 Timoteut 1:13) Çfarë do të na ndihmojë për këtë?

17. (a) Si arrijmë ta njohim mirë zërin e Jehovait? (b) Për çfarë na aftëson njohuria për Jehovain?

17 Kuptohet, sa më mirë ta njohim zërin ose mesazhin e Jehovait, aq më mirë do ta dallojmë zërin e një të panjohuri. Bibla tregon si mund ta zhvillojmë këtë njohuri. Aty thuhet: «Veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’» (Isaia 30:21) Kjo «fjalë» prapa nesh vjen nga Fjala e Perëndisë. Sa herë që lexojmë Fjalën e Perëndisë, si të thuash, po dëgjojmë zërin e Bariut tonë të Madh, Jehovait. (Psalmi 23:1) Prandaj, sa më shumë ta studiojmë Biblën, aq më i njohur do të na bëhet zëri i Perëndisë. Nga ana e vet, kjo njohuri e thellë na jep mundësi ta dallojmë menjëherë zërin e të panjohurve.​—Galatasve 1:8.

18. (a) Çfarë përfshin ta njohim zërin e Jehovait? (b) Pse duhet t’i bindemi zërit të Jezuit, sipas Mateut 17:5?

18 Çfarë përfshin tjetër të njohim zërin e Jehovait? Përveçse ta dëgjojmë, përfshin edhe t’i bindemi. Le ta shqyrtojmë përsëri Isainë 30:21. Fjala e Perëndisë thotë: «Kjo është rruga.» Po, me anë të studimit të Biblës dëgjojmë udhëzimet që na jep Jehovai. Pastaj, ai urdhëron: «Ecni në të.» Jehovai dëshiron që ne të veprojmë sipas asaj që dëgjojmë. Kështu, duke e zbatuar atë që mësojmë, tregojmë se jo vetëm që e kemi dëgjuar me vesh zërin e Jehovait, por i jemi bindur. (Ligji i përtërirë 28:1) T’i bindemi zërit të Jehovait përfshin edhe t’i bindemi zërit të Jezuit, sepse vetë Jehovai na thotë të veprojmë kështu. (Mateu 17:5) Për çfarë na nxit Jezui, Bariu i Shkëlqyer? Ai na mëson të bëjmë dishepuj dhe t’i besojmë ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mateu 24:45; 28:18-20) Po t’i bindemi zërit të tij, do të kemi jetë të përhershme.​—Veprat 3:23.

«Do të ikin prej tij»

19. Cili duhet të jetë reagimi ynë ndaj zërit të të panjohurve?

19 Atëherë, si duhet të reagojmë ndaj zërit të të panjohurve? Njësoj siç bëjnë delet. Jezui thotë: «Një të panjohur nuk do ta ndjekin kurrsesi, por do të ikin prej tij.» (Gjoni 10:5) Reagimi ynë është i dyfishtë. Së pari, ‘nuk e ndjekim kurrsesi’ një të panjohur. Po, me vendosmëri nuk i pranojmë të panjohurit. Në fakt, në greqishten biblike, fjala «kurrsesi» përcjell në atë gjuhë mënyrën më të fuqishme për të shprehur mospranimin. (Mateu 24:35; Hebrenjve 13:5) Së dyti, ‘do të ikim prej tij’ ose do të largohemi. Vetëm kjo është mënyra e duhur për të reaguar ndaj atyre që nuk i kanë mësimet në harmoni me zërin e Bariut të Shkëlqyer.

20. Si do të reagojmë kur jemi përballë me: (a) apostatët mashtrues, (b) shoqëritë e dëmshme, (c) lajmet tendencioze në mjetet e informacionit?

20 Prandaj, kur ndodhemi përballë atyre që shprehin ide apostate, do të veprojmë siç thotë Fjala e Perëndisë: «Të jeni vigjilentë ndaj atyre që shkaktojnë përçarje dhe raste për pengesë në kundërshtim me mësimin që keni marrë dhe shmangini ata.» (Romakëve 16:17; Titit 3:10) Po kështu, të rinjtë e krishterë që hasin rreziqet e shoqërive të dëmshme do të zbatojnë këshillën që i dha Pavli Timoteut të ri: «Ik . . . nga dëshirat karakteristike rinore.» E kur gjendemi përballë akuzave të rreme në mjetet e informacionit, do të kujtojmë këshillën tjetër që Pavli i dha Timoteut: «[Ata që dëgjojnë zërin e të panjohurve] do t’u kthehen tregimeve të rreme. Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka.» (2 Timoteut 2:22; 4:3-5) Pavarësisht sa i ëmbël mund të duket zëri i të panjohurve, ne ikim nga gjithçka që do të na e dobësonte besimin.​—Psalmi 26:5; Fjalët e urta 7:5, 21; Zbulesa 18:2, 4.

21. Çfarë shpërblimi i pret ata që hedhin poshtë zërin e të panjohurve?

21 Duke hedhur poshtë zërin e të panjohurve, të krishterët e mirosur nga fryma i përgjigjen fjalëve të Bariut të Shkëlqyer, që i gjejmë te Luka 12:32. Aty Jezui u thotë: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Ati juaj ka miratuar t’ju japë mbretërinë.» Po kështu, ‘delet e tjera’ presin me padurim të dëgjojnë fjalët e Jezuit: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.» (Gjoni 10:16; Mateu 25:34) Sa shpërblim i mrekullueshëm na pret, në qoftë se hedhim poshtë «zërin e të panjohurve»!

A ju kujtohet?

• Si përkon Satanai me përshkrimin e të panjohurit që përmendet në ilustrimin e Jezuit për vathën e deleve?

• Si dëgjohet sot zëri i të panjohurve?

• Si mund ta dallojmë zërin e të panjohurve?

• Cili duhet të jetë reagimi ynë ndaj zërit të të panjohurve?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Maria e njohu Krishtin

[Figura në faqen 16]

I panjohuri nuk u afrohet drejtpërdrejt deleve

[Figura në faqen 18]

Si reagojmë ndaj zërit të të panjohurve?