Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i japim lavdi Perëndisë «me një gojë»

T’i japim lavdi Perëndisë «me një gojë»

T’i japim lavdi Perëndisë «me një gojë»

«T’i jepni lavdi me një gojë Perëndisë dhe Atit të Zotërisë tonë Jezu Krisht.»​—ROMAKËVE 15:6.

1. Cilin mësim u shpjegoi Pavli bashkëbesimtarëve në lidhje me mospërputhjet në pikëpamje?

JO TË gjithë të krishterët zgjedhin të njëjtat gjëra ose kanë të njëjtat shije. Megjithatë, që të gjithë të krishterët duhet të ecin krah për krah në rrugën drejt jetës. A mund të arrihet një gjë e tillë? Po, në qoftë se nuk e bëjmë problem të madh një mospërputhje të vogël. Kjo është diçka që apostulli Pavël ua mësoi bashkëbesimtarëve në shekullin e parë. Si e shpjegoi këtë pikë të rëndësishme? E si ta zbatojmë sot këshillën e tij të frymëzuar?

Rëndësia e unitetit të krishterë

2. Si e theksoi Pavli nevojën për të pasur unitet?

2 Pavli e dinte se uniteti i krishterë është thelbësor, prandaj u dha të krishterëve këshilla shumë të mira se si të durojnë me dashuri njëri-tjetrin. (Efesianëve 4:1-3; Kolosianëve 3:12-14) Megjithatë, pasi kishte kaluar më shumë se 20 vjet duke formuar shumë kongregacione e duke vizituar të tjera, e dinte se mund të ishte e vështirë të mbahej uniteti. (1 Korintasve 1:11-13; Galatasve 2:11-14) Prandaj i nxiti bashkëbesimtarët që jetonin në Romë: «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë . . . që në një mendje të vetme t’i jepni lavdi me një gojë Perëndisë dhe Atit të Zotërisë tonë Jezu Krisht.» (Romakëve 15:5, 6) Edhe ne sot duhet t’i japim lavdi «me një gojë» Perëndisë Jehova, si një grup i bashkuar shërbëtorësh të tij. Si po veprojmë në këtë drejtim?

3, 4. (a) Çfarë prejardhjeje kishin të krishterët që jetonin në Romë? (b) Si mund t’i shërbenin «me një gojë» Jehovait të krishterët në Romë?

3 Shumë të krishterë në Romë ishin miq të Pavlit. (Romakëve 16:3-16) Edhe pse kishin prejardhje të ndryshme, Pavli i pranonte të gjithë vëllezërit e tij si ‘të dashur për Perëndinë’. Ja çfarë shkroi: «I jap falënderime Perëndisë tim nëpërmjet Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj flitet në gjithë botën.» Qartë, të krishterët në Romë ishin shembullorë në shumë drejtime. (Romakëve 1:7, 8; 15:14) Por, ndërkohë, disa pjesëtarë të kongregacionit kishin pikëpamje të ndryshme për disa çështje. Meqë të krishterët sot kanë prejardhje e kultura të ndryshme, shqyrtimi i këshillës së frymëzuar të Pavlit se si t’i trajtojmë mospërputhjet mund t’i ndihmojë që të flasin «me një gojë».

4 Besimtarët në Romë ishin edhe me prejardhje hebraike, edhe johebraike. (Romakëve 4:1; 11:13) Disa të krishterë hebrenj, me sa duket, nuk arrinin të hiqnin dorë nga disa zakone që kishin ndjekur kur kishin qenë nën Ligjin e Moisiut, ndonëse duhej ta kishin kuptuar se këto zakone nuk ishin të domosdoshme për të marrë shpëtimin. Në anën tjetër, disa të krishterë hebrenj e pranonin se flijimi i Krishtit i çlironte nga kufizimet që kishin pasur para se të bëheshin të krishterë. Prandaj i kishin ndryshuar disa zakone dhe praktika që bënin individualisht. (Galatasve 4:8-11) Gjithsesi, siç e theksoi Pavli, që të gjithë ishin ‘të dashur për Perëndinë’. Që të gjithë mund t’i jepnin lavdi Perëndisë «me një gojë», në qoftë se do të mbanin qëndrimin e duhur mendor ndaj njëri-tjetrit. Ndoshta edhe ne sot kemi pikëpamje të ndryshme për disa çështje, prandaj duhet të shqyrtojmë me kujdes se si e shpjegon Pavli këtë parim të rëndësishëm.​—Romakëve 15:4.

«Mirëpritni njëri-tjetrin»

5, 6. Pse në kongregacionin e Romës kishte mospërputhje në pikëpamje?

5 Në letrën drejtuar romakëve, Pavli përmend një situatë për të cilën kishte mendime të ndryshme. Ai shkruan: «Dikush ka besim për të ngrënë çdo gjë, por kush është i dobët ha barishte.» Pse ndodhte kështu? Po ja, në Ligjin e Moisiut mishi i derrit nuk pranohej si ushqim. (Romakëve 14:2; Levitiku 11:7) Por, pas vdekjes së Jezuit, Ligji nuk ishte më i detyrueshëm. (Efesianëve 2:15) Gjithashtu, tre vjet e gjysmë pas vdekjes së Jezuit, një engjëll i tha apostullit Pjetër se, sipas pikëpamjes së Perëndisë, asnjë ushqim s’duhej parë si i papastër. (Veprat 11:7-12) Duke pasur parasysh këto fakte, disa të krishterë hebrenj mendonin se mund ta hanin mishin e derrit ose ndonjë ushqim tjetër që kishte qenë i ndaluar nën Ligj.

6 Mirëpo, për disa të krishterë të tjerë hebrenj, edhe vetë mendimi që të hanin ushqime të cilat më parë i konsideronin të papastra do të kishte qenë i neveritshëm. Këta individë të ndjeshëm mund të jenë ndier të fyer kur kanë parë vëllezërit e tyre të krishterë me prejardhje hebraike që hanin ushqime të tilla. Për më tepër, disa të krishterë johebrenj, të cilët vinin nga fe që ndoshta s’u kishin ndaluar kurrë asnjë lloj ushqimi, mund të jenë ndier të pështjelluar se pse duhej të bëhej problem puna e ushqimit. Sigurisht, nuk ishte gabim që një njeri të mos hante ndonjë lloj ushqimi, për aq kohë sa nuk ngulte këmbë se ky kufizim ishte i domosdoshëm për të marrë shpëtimin. Gjithsesi, këto pikëpamje të ndryshme mund të kishin shkaktuar fare lehtë mosmarrëveshje në kongregacion. Të krishterët në Romë duhej të tregonin kujdes që mospërputhje të tilla të mos bëheshin pengesë për t’i dhënë lavdi Perëndisë «me një gojë».

7. Çfarë pikëpamjesh kishte për sa i përket mbajtjes së një dite të veçantë çdo javë?

7 Pavli jep një shembull të dytë: «Dikush e gjykon një ditë si më të mirë se një tjetër; dikush tjetër e gjykon një ditë si gjithë të tjerat.» (Romakëve 14:5a) Në Ligjin e Moisiut, ditën e sabatit s’duhej bërë asnjë punë. Madje atë ditë edhe udhëtimi ishte mjaft i kufizuar. (Eksodi [Dalja] 20:8-10; Mateu 24:20; Veprat 1:12) Por, kur u shfuqizua Ligji, këto ndalime s’kishin më vlerë. Gjithsesi, disa të krishterë hebrenj mund ta kenë pasur të vështirë të bënin ndonjë punë a ndonjë udhëtim të largët gjatë një dite që më parë e kishin konsideruar të shenjtë. Edhe pasi ishin bërë të krishterë, mund ta kishin lënë mënjanë ditën e shtatë vetëm për gjëra frymore, ndonëse, nga pikëpamja e Perëndisë, ligji për sabatin s’ishte më në fuqi. A po bënin ndonjë gabim? Jo, nëse nuk ngulnin këmbë se Perëndia tani kërkonte mbajtjen e sabatit. Prandaj, duke treguar konsideratë për ndërgjegjen e vëllezërve të tij të krishterë, Pavli shkroi: «Gjithkush le të jetë plotësisht i bindur në mendjen e vet.»​—Romakëve 14:5b.

8. Çfarë nuk duhej të bënin të krishterët në Romë, edhe pse mund të tregonin konsideratë për ndërgjegjen e të tjerëve?

8 Por, edhe pse i inkurajoi me përzemërsi vëllezërit që të kishin durim me ata që po luftonin me çështjet e ndërgjegjes, Pavli i dënoi ashpër ata që përpiqeshin t’i detyronin bashkëbesimtarët t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut si kusht për të marrë shpëtimin. Për shembull, rreth vitit 61 të e.s., Pavli shkroi letrën drejtuar të krishterëve hebrenj, një letër e fuqishme ku shpjegohej shumë qartë se mbajtja e Ligjit të Moisiut nuk kishte vlerë, sepse të krishterët kishin një shpresë më të lartë, të bazuar në flijimin shpërblyes të Jezuit.​—Galatasve 5:1-12; Titit 1:10, 11; Hebrenjve 10:1-17.

9, 10. Çfarë nuk duhet të bëjnë të krishterët? Shpjegoni.

9 Siç e pamë, Pavli arsyeton se zgjedhjet e ndryshme nuk kanë pse ta kërcënojnë unitetin, për sa kohë që s’ka ndonjë shkelje të qartë të parimeve të krishtere. Kështu, Pavli i pyet të krishterët me ndërgjegje më të dobët: «Përse e gjykon vëllanë tënd?» Kurse ata me ndërgjegje më të fortë (ndoshta ata që ndërgjegjja ua lejonte të hanin disa ushqime që ishin ndaluar nën Ligj ose të bënin punë ditën e sabatit) i pyet: «Përse edhe e përçmon vëllanë tënd?» (Romakëve 14:10) Sipas Pavlit, të krishterët me ndërgjegje më të dobët s’duhet t’i dënojnë vëllezërit e tyre që kanë një mendje më të hapur. Në të njëjtën kohë, të krishterët që janë të fortë s’duhet t’i shohin me përçmim ata njerëz ndërgjegjja e të cilëve është ende e dobët në disa aspekte. Të gjithë duhet të respektojnë motivet e mira të të tjerëve dhe ‘të mos mendojnë për veten më shumë sesa duhet të mendojnë’.​—Romakëve 12:3, 18.

10 Pavli e shpjegoi kështu pikëpamjen e ekuilibruar që duhet të kemi: «Kush ha, le të mos e përçmojë atë që nuk ha dhe kush nuk ha, le të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka mirëpritur.» Më tej tha: «Edhe Krishti na mirëpriti, për lavdi të Perëndisë.» Meqë Perëndia dhe Krishti pranojnë qoftë të fortët, qoftë të dobëtit në çështjet e ndërgjegjes, edhe ne duhet të kemi një qëndrim të tillë zemërgjerë dhe ‘të mirëpresim njëri-tjetrin’. (Romakëve 14:3; 15:7) Kush mund ta hedhë poshtë me të drejtë këtë pikëpamje?

Dashuria vëllazërore sjell unitet sot

11. Cila situatë e veçantë ishte në ditët e Pavlit?

11 Në letrën drejtuar romakëve Pavli po fliste për një situatë të veçantë. Jehovai sapo kishte shfuqizuar një besëlidhje dhe kishte lidhur një tjetër. Disa e kishin të vështirë të bënin ndryshimet e duhura sipas kësaj besëlidhjeje të re. Sot nuk ekziston e njëjta situatë, por hera-herës mund të lindin çështje të ngjashme.

12, 13. Në cilat situata sot të krishterët mund të tregojnë konsideratë për ndërgjegjen e vëllezërve të tyre?

12 Për shembull, më parë një grua e krishterë mund të ketë qenë në një fe ku theksohej thjeshtësia e plotë në rroba dhe në pamjen e jashtme. Kur pranon të vërtetën, kjo grua mund ta ketë të vështirë të pranojë idenë se nuk është e ndaluar të vishesh me rroba modeste me ngjyra në rastet e duhura ose nuk është e ndaluar të lyhesh me karar. Meqë këtu nuk përfshihet ndonjë parim biblik, nuk do të ishte e përshtatshme që dikush të përpiqej ta bindte këtë grua të krishterë që të shkelë ndërgjegjen e saj. Në të njëjtën kohë, kjo grua e kupton se nuk duhet t’i kritikojë gratë e krishtere të cilave ua lejon ndërgjegjja t’i përdorin gjëra të tilla.

13 Të mendojmë për një shembull tjetër. Një burrë i krishterë mund të jetë rritur në një mjedis ku nuk shihej me sy të mirë përdorimi i pijeve alkoolike. Kur merr njohuri për të vërtetën, mëson pikëpamjen e Biblës se vera është dhuratë nga Perëndia dhe mund të përdoret me masë. (Psalmi 104:15) E pranon këtë pikëpamje, mirëpo, për shkak të mënyrës si është rritur, për vete zgjedh të mos pijë fare pije alkoolike. Por nuk i kritikon ata që pijnë me masë. Në këtë mënyrë po zbaton fjalët e Pavlit: «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe gjërat që janë ndërtuese për njëri-tjetrin.»​—Romakëve 14:19.

14. Në cilat situata e zbatojnë të krishterët thelbin e këshillës që u dha Pavli romakëve?

14 Mund të lindin edhe situata të tjera që kërkojnë të zbatohet thelbi i këshillës që u dha Pavli romakëve. Kongregacioni i krishterë përbëhet nga shumë individë që kanë shije të ndryshme. Prandaj mund të bëjnë zgjedhje të ndryshme, si për shembull në çështjet e veshjes e të rregullimit. Sigurisht, Bibla ka parime të qarta që i zbatojnë të gjithë të krishterët e vërtetë. Asnjë prej nesh nuk duhet të mbajë modele rrobash ose flokësh që janë të çuditshme, jomodeste ose që na identifikojnë me elementë të padëshirueshëm të botës. (1 Gjonit 2:15-17) Të krishterët e mbajnë parasysh se janë shërbëtorë që përfaqësojnë Sovranin Universal në çdo kohë, edhe kur janë duke u çlodhur. (Isaia 43:10; Gjoni 17:16; 1 Timoteut 2:9, 10) Por, pastaj, në shumë fusha ka një shumëllojshmëri zgjedhjesh të pranueshme për të krishterët. *

Mos pengoni të tjerët

15. Kur mund të ndodhë që një i krishterë, për hir të vëllezërve të tij, të mos ngulë këmbë në të drejtat e veta?

15 Ka edhe një parim tjetër të rëndësishëm që Pavli e thekson në këshillën që u jep të krishterëve në Romë. Nganjëherë, një i krishterë që e ka ndërgjegjen të stërvitur mirë mund të zgjedhë të mos e bëjë diçka që në vetvete s’është e gabuar. Pse? Sepse e kupton që kjo zgjedhje mund të dëmtonte të tjerët. Po ne, ç’duhet të bëjmë në një rast të tillë? Pavli thotë: «Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh asgjë, në të cilën yt vëlla pengohet.» (Romakëve 14:14, 20, 21) Kështu, «ne . . . që jemi të fortë duhet të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë e jo të kënaqim veten. Secili prej nesh le të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ndërtimin e tij.» (Romakëve 15:1, 2) Nëse ndërgjegjja e një të bashkëkrishteri mund të preket nga ajo që bëjmë, dashuria vëllazërore do të na shtyjë të tregojmë konsideratë dhe të jemi më të kufizuar në zgjedhjet tona. Si një shembull, mund të përmendim përdorimin e pijeve alkoolike. Të krishterëve u lejohet të pijnë verë me masë. Por nëse kjo mund ta pengonte shokun e tij, një i krishterë nuk ngul këmbë në të drejtat e veta.

16. Si mund të tregojmë konsideratë për njerëzit në territorin tonë?

16 Ky parim mund të zbatohet edhe në marrëdhëniet tona me njerëzit që s’janë pjesë e kongregacionit të krishterë. Për shembull, disa prej nesh jetojnë në një zonë ku feja kryesore u mëson besimtarëve të saj që një ditë të javës ta shohin si ditë pushimi. Prandaj, që të mos i pengojmë fqinjët tanë e të mos krijojmë pengesa për veprën e predikimit, për sa të jetë e mundur, atë ditë do të mundohemi të mos bëjmë ndonjë gjë që do t’i fyente fqinjët tanë. Në një situatë tjetër, një i krishterë i pasur mund të shkojë për të shërbyer aty ku ka më shumë nevojë, te njerëz që s’kanë shumë gjëra materialisht. Këtu mund të vendosë të tregojë konsideratë për fqinjët e tij të rinj duke u veshur shumë thjesht ose duke jetuar më thjesht sesa ia lejon xhepi.

17. Pse është e arsyeshme të mbajmë parasysh të tjerët në zgjedhjet që bëjmë?

17 A është e arsyeshme të presim që ‘ata që janë të fortë’ të bëjnë rregullime të tilla? Mendoni për këtë ilustrim: jemi duke ecur me makinë në autostradë dhe shohim para nesh disa fëmijë që po ecin afër rrugës duke e vënë veten në rrezik. A vazhdojmë të ecim me shpejtësinë maksimale të lejueshme vetëm sepse e kemi të drejtën ligjore për ta bërë këtë? Jo, e ngadalësojmë shpejtësinë që të mos rrezikojmë pa dashje fëmijët. Nganjëherë, në marrëdhëniet me bashkëbesimtarët ose me të tjerët, kërkohet nga ana jonë një gatishmëri e ngjashme për të ngadalësuar ose për të toleruar. Ndoshta po bëjmë diçka për të cilën kemi plotësisht të drejtë. Nuk po shkelim asnjë parim biblik. Megjithatë, në qoftë se kjo ndoshta do të fyente ose do të dëmtonte ata që kanë ndërgjegje më të dobët, dashuria e krishterë do të na shtyjë të veprojmë me maturi. (Romakëve 14:13, 15) Mbajtja e unitetit dhe përkrahja e interesave të Mbretërisë janë më të rëndësishme sesa të drejtat tona si njerëz.

18, 19. (a) Si e ndjekim shembullin e Jezuit kur tregojmë konsideratë për të tjerët? (b) Në cilën çështje veprojmë në unitet të plotë? Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

18 Kur veprojmë kështu, po ndjekim shembullin më të përsosur. Pavli thotë: «Edhe Krishti nuk kënaqi veten; por ashtu sikurse është shkruar: ‘Poshtërimet e atyre që më poshtëronin, kanë rënë mbi mua.’» Jezui ishte gati të sakrifikonte jetën e tij për ne. Patjetër që edhe ne jemi gati të sakrifikojmë disa nga të drejtat tona, nëse kjo do t’u japë mundësi atyre ‘që s’janë të fortë’ t’i japin lavdi Perëndisë bashkë me ne. Vërtet, kur shfaqim një prirje toleruese dhe zemërgjerë ndaj të krishterëve që kanë ndërgjegje më të dobët ose kur me dëshirë kufizohemi në zgjedhjet tona e nuk ngulim këmbë për të drejtat që kemi, kjo tregon «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu».​—Romakëve 15:1-5.

19 Ndonëse pikëpamjet tona për çështje ku nuk përfshihen parime biblike mund të ndryshojnë disi, për sa u përket çështjeve të adhurimit veprojmë në unitet të plotë. (1 Korintasve 1:10) Ky unitet duket për shembull në reagimin tonë ndaj atyre që i kundërvihen adhurimit të vërtetë. Fjala e Perëndisë i quan të panjohur këta kundërshtarë dhe na paralajmëron të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’. (Gjoni 10:5) Si t’i dallojmë këta të panjohur? Si duhet të reagojmë ndaj tyre? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 14 Fëmijët e mitur udhëhiqen nga dëshirat e prindërve në çështjet e veshjes.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse pasja e pikëpamjeve të ndryshme për çështjet personale s’duhet të jetë kërcënim për unitetin?

• Pse si të krishterë duhet të tregojmë konsideratë të dashur për njëri-tjetrin?

• Në cilat mënyra mund ta zbatojmë sot këshillën e Pavlit për unitetin? Çfarë do të na motivojë të veprojmë kështu?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Këshilla e Pavlit për unitetin ishte thelbësore për kongregacionin

[Figura në faqen 10]

Të krishterët janë të bashkuar, pavarësisht se kanë prejardhje të ndryshme

[Figura në faqen 12]

Çfarë duhet të bëjë tani kjo grua?