‘Kërkoni atë që e meriton’
‘Kërkoni atë që e meriton’
NË SHEKULLIN e parë të e.s., Damasku ishte një qytet i begatë. Me kopshtet që e rrethonin, ishte si një oazë për karvanët që vinin nga vendet në lindje të tij. Jo shumë kohë pas vdekjes së Jezu Krishtit, në Damask u formua një kongregacion i krishterë. Në atë kongregacion kishte edhe judenj që ndoshta ishin bërë ithtarë të Jezuit gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë, të mbajtur në Jerusalem në vitin 33 të erës sonë. (Veprat 2:5, 41) Disa dishepuj nga Judea mund të kenë shkuar në Damask kur lindi përndjekja pas vrasjes me gurë të Stefanit.—Veprat 8:1.
Ndoshta aty rreth vitit 34 të erës sonë, një i krishterë nga Damasku me emrin Anania mori një caktim të pazakontë. Zotëria i tha: «Ngrihu, shko në rrugën që quhet e Drejtë dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi që quhet Saul. Sepse ja, ai po lutet.»—Veprat 9:11.
Rruga që quhej e Drejtë ishte rreth një kilometër e gjysmë e gjatë dhe kalonte nga qendra e Damaskut. Nga kjo gdhendje e shekullit të 19-të që kemi në këtë faqe, mund të përfytyrojmë se si ishte kjo rrugë në kohët e lashta. Për shkak të mënyrës si ishte ndërtuar ajo, Ananisë mund t’i jetë dashur të kërkojë njëfarë kohe derisa të gjente shtëpinë e Judës. Por në fund e gjeti shtëpinë dhe nga kjo vizitë e tij, Sauli u bë apostulli Pavël, një lajmëtar i zellshëm i lajmit të mirë.—Veprat 9:12-19.
Kur i kishte dërguar dishepujt, Jezui u kishte thënë ‘të kërkonin ata që e meritonin’ lajmin e mirë. (Mateu 10:11) Nga sa duket, që të gjente Saulin, Anania kërkoi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ashtu si Anania, Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi kërkojnë ata që e meritojnë lajmin e mirë të Mbretërisë dhe gëzohen kur njerëzit e pranojnë atë. Çdo përpjekje që bëhet për t’i gjetur këta njerëz ia vlen vërtet.—1 Korintasve 15:58.
[Figura në faqen 32]
‘Rruga e quajtur e Drejtë’, në ditët tona
[Burimi i figurës në faqen 32]
Nga libri La Tierra Santa, Vëllimi II, 1830