Një vështrim thesareve të Çestër Bitit
Një vështrim thesareve të Çestër Bitit
«PLOT me thesare nga kaq shumë qytetërime të harruara, . . . me bukurinë marramendëse të portreteve në miniaturë dhe të pikturave.» Kështu e përshkroi me pak fjalë ish-kujdestari R. Xh. Hejzi bibliotekën «Çestër Biti» në Dublin, Irlandë. Kjo bibliotekë ka një koleksion shumë të madh me relikte të çmuara, me vepra arti të mrekullueshme dhe me libra e dorëshkrime të rralla, që kanë një vlerë pothuajse të pallogaritshme. Po kush ishte Çestër Biti? Çfarë thesaresh mblodhi?
Alfred Çestër Biti, lindur në Nju-Jork të SHBA-së në vitin 1875, kishte prejardhje skoceze, irlandeze dhe angleze. Në moshën 32-vjeçare kishte grumbulluar një pasuri të madhe duke punuar si inxhinier minierash dhe këshilltar. Gjatë gjithë jetës së tij, këto pasuri të mëdha i përdori për të mbledhur sende të bukura dhe elegante. Kur vdiq në vitin 1968, në moshën 92-vjeçare, Biti ia la popullit të Irlandës gjithë koleksionin që kishte mbledhur.
Çfarë mblodhi?
Koleksionet e Bitit janë të mëdha e të ndryshme. Vetëm rreth 1 për qind e tyre ekspozohen njëherësh. Biti mblodhi sende të rralla e të çmuara nga shumë epoka dhe kultura të ndryshme, që kapin me mijëra vjet, që nga Evropa Mesjetare dhe e Rilindjes e deri te vendet e shumta aziatike dhe afrikane. Për shembull, koleksioni i tij me tablo elegante japoneze të stampuara nga blloqe druri të gdhendura konsiderohet një ndër më të mirët në botë.
Një koleksion krejt i ndryshëm nga veprat e arteve të bukura është koleksioni interesant me më shumë se njëqind pllaka argjile babilonase dhe sumeriane, me shkrim të lashtë kuneiform. Njerëzit që jetonin në Mesopotami më shumë se 4.000 vjet më parë i shkruanin ngjarjet e jetës së tyre të përditshme në pllaka të njoma argjile që pastaj i piqnin. Shumë nga këto pllaka kanë mbijetuar deri në ditët tona, duke na dhënë dëshmi të qarta se arti i të shkruarit është vërtet i lashtë.
I magjepsur pas librave
Me sa duket, Çestër Bitin e tërhiqte shumë mjeshtëria që përdorej për të bërë libra të bukur. Mblodhi mijëra libra fetarë dhe jofetarë, duke përfshirë edhe disa kopje të Kuranit, plot me zbukurime të ndërlikuara. Siç thotë një shkrimtar, ai ishte «i magjepsur nga simetria matematikore e shkronjave të alfabetit arab, . . . dhe, ngaqë i pëlqenin ngjyrat, kënaqej kur shihte zbukurimet që i bëheshin kaligrafisë me një shtresë të hollë ari dhe argjendi, si edhe me minerale të tjera të shndritshme».
Guri i nefritit e magjepste Çestër Bitin, siç kishte magjepsur edhe disa perandorë të Kinës në shekujt e mëparshëm. Për këta perandorë, guri i pastër i nefritit ishte më i çmuari nga gjithë mineralet, shumë më i çmuar se ari. Këta sundimtarë ngarkonin mjeshtra të zotë që t’i kthenin blloqet e nefritit në fletë të holla e të sheshta. Pastaj artistë të talentuar i mbushnin këto fletë nefriti me një kaligrafi delikate dhe me ilustrime të skalitura në ar, duke nxjerrë kështu disa nga librat më mahnitës që janë prodhuar ndonjëherë. Koleksioni i Bitit që përmban këta libra është i famshëm në mbarë botën.
Dorëshkrime të vyera të Biblës
Për ata që e çmojnë Biblën, thesaret më të mëdha të Çestër Bitit gjenden në koleksionin e tij të madh me dorëshkrime biblike të lashta dhe mesjetare.
Dorëshkrimet e bukura me ilustrime miniaturash na përcjellin durimin dhe mjeshtërinë e shkruesve që i kopjuan ato me dorë. Librat e shtypur shfaqin mjeshtërinë dhe zotësinë e libralidhësve dhe të punonjësve të hershëm të shtypshkronjës. Për shembull, Biblia Latina u shtyp në vitin 1479 në Nuremberg nga Anton Kybergeri, i cili jetoi pak a shumë në kohën e Johanes Gutenbergut dhe përshkruhet si «një nga shtypshkruesit e hershëm më të rëndësishëm dhe më aktivë».Një objekt i veçantë i ekspozuar në bibliotekën «Çestër Biti» është një dorëshkrim në pergamenë që i përket fillimit të shekullit të katërt, me autor Efraemin, një dijetar sirian. Efraemi citon kryesisht nga një vepër e shekullit të dytë që quhet Diatesaron. Në këtë vepër, shkrimtari Tacian shkriu në një tregim të vetëm të harmonishëm të katër ungjijtë që tregojnë jetën e Jezu Krishtit. Shkrimtarë të mëvonshëm e përmendën Diatesaronin, por te ne s’ka arritur asnjë kopje e tij. Madje disa dijetarë të shekullit të 19-të vunë në diskutim edhe ekzistencën e kësaj vepre. Por në vitin 1956, Biti zbuloi librin komentues të Efraemit për Diatesaronin e Tacianit. Ky zbulim iu shtua provave ekzistuese për vërtetësinë dhe autenticitetin e Biblës.
Një koleksion i çmuar dorëshkrimesh në papirus
Biti mblodhi edhe një numër shumë të madh dorëshkrimesh fetare dhe jofetare të shkruara në papirus. Ndër to ka më shumë se 50 kodikë papirusi që janë më të hershëm se shekulli i katërt i erës sonë. Disa nga këto papiruse u shpëtuan nga pirgje të mëdha me letra të hedhura papirusi, të cilat mbetën të pazbuluara për shekuj të tërë në shkretëtirën egjiptiane. Shumë dokumente papirusi, kur i nxorën në shitje, ishin në një gjendje shumë të keqe, copë-copë. Tregtarët vinin me kuti kartoni plot me copa papirusi. «Ata që ishin të interesuar për t’i blerë thjesht futnin dorën në kuti dhe kapnin copën më të madhe që kishte pjesën më të madhe të tekstit»,—thotë Çarls Hortoni, kujdestar i Koleksioneve Perëndimore të bibliotekës «Çestër Biti».
Hortoni thotë se «zbulimi më i bujshëm» i Bitit ishin kodikët e çmuar të Biblës, që «përfshinin disa nga kopjet më të hershme të Besëlidhjes së Vjetër e të Re të Krishterë». Tregtarët që ua dinin vlerën kodikëve mund t’i kenë grisur vetë, që t’ua shitnin pjesë-pjesë disa blerësve. Por Biti arriti të blinte shumicën e kodikëve. Sa të rëndësishëm janë këta kodikë? Sër Frederik Kenioni e përshkruan zbulimin e tyre si «zbulimin më të rëndësishëm deri tani», që nga koha kur Tishendorfi zbuloi Kodikun Sinaitik në vitin 1844.
Këta kodikë datojnë ndërmjet shekullit të dytë e të katërt të erës sonë. Midis librave të Shkrimeve Hebraike të përkthyera në versionin grek të Septuagintës janë edhe dy kopje të librit të Zanafillës. Sipas Kenionit, këta kanë vlerë të veçantë, «sepse libri [i Zanafillës] mungon pothuajse plotësisht në Kodikun e Vatikanit dhe në Kodikun Sinaitik», të cilat janë dorëshkrime në pergamenë që i përkasin shekullit të katërt. Tre kodikë përmbajnë libra të Shkrimeve të Krishtere Greke. Njëri ka pothuajse të katër Ungjijtë dhe pjesën më të madhe të librit të Veprave. Kodiku i dytë, me fletë të tjera që Biti i bleu më vonë, ka pothuajse një kopje të plotë të letrave të apostullit Pavël, përfshirë edhe letrën drejtuar hebrenjve. Kodiku i tretë përmban rreth një të tretën e librit të Zbulesës. Sipas Kenionit, këto papiruse «e kanë forcuar me dëshmi vërtet materiale bazën, që tashmë ishte e fortë, për të besuar në tekstin
e Besëlidhjes së Re, siç na ka ardhur deri në ditët tona».Dorëshkrimet biblike prej papirusi të bibliotekës «Çestër Biti» tregojnë se të krishterët filluan ta përdornin kodikun (libër me fletë) shumë herët, ndoshta para fundit të shekullit të parë të erës sonë. Kjo u lehtësonte punë, sepse nuk u duhej më të përdornin rrotullat që mezi mbaheshin. Papiruset tregojnë edhe se me mungesën e materialeve për të shkruar, kopjuesit shpesh i përdornin përsëri fletët e vjetra të papirusit. Për shembull, një dorëshkrim në gjuhën koptike i një pjese të Ungjillit sipas Gjonit është shkruar «në një papirus që duket se është libër ushtrimesh shkollore me numra grekë».
Këto dokumente papirusi nuk të mahnitin nga bukuria, po gjithsesi janë tepër të çmuara. Ato janë një lidhje e dukshme dhe e prekshme me fillimet e krishterimit. Çarls Hortoni thotë: «Këtu, pikërisht përpara syve të tu, mund të shohësh librat që përdorën disa nga komunitetet më të hershme të krishtere, libra që ata i ruanin si thesar.» (Fjalët e urta 2:4, 5) Në qoftë se do të të jepet rasti të shohësh disa nga këto thesare në bibliotekën «Çestër Biti», nuk do të zhgënjehesh.
[Figura në faqen 31]
Tablo japoneze e stampuar, nga Katsushika Hokusai
[Figura në faqen 31]
«Biblia Latina» ishte ndër kopjet më të hershme të shtypura të Biblës
[Figura në faqen 31]
Libri komentues i Efraemit për «Diatesaronin» e Tacianit e përforcon autenticitetin e Biblës
[Figura në faqen 31]
Çestër Biti P45, kodiku më i lashtë në botë, përmban pothuajse të katër Ungjijtë dhe pjesën më të madhe të librit të Veprave në një vëllim të vetëm
[Burimi i figurës në faqen 29]
Riprodhuar me lejen mirëdashëse të Trustees of the Chester Beatty Library, Dublin
[Burimi i figurave në faqen 31]
Të gjitha fotografitë: Riprodhuar me lejen mirëdashëse të Trustees of the Chester Beatty Library, Dublin