Besnikë e të palëkundur: Në të kaluarën dhe tani
Besnikë e të palëkundur: Në të kaluarën dhe tani
Në pjesën jugore të Polonisë, pranë kufirit me Sllovakinë dhe me Republikën Çeke, gjendet një qytet i vogël, Visla. Ndoshta s’ke dëgjuar ndonjëherë për Vislën, por ky qytet ka një histori që do t’u duket mahnitëse të krishterëve të vërtetë. Është një histori e karakterizuar nga integriteti dhe nga zelli për shërbimin e Jehovait. Cila është kjo histori?
VISLA ndodhet në një rajon të bukur malor, ku natyra ka shpalosur një pamje mbresëlënëse. Rrëke të rrëmbyeshme dhe dy përrenj bashkohen me lumin Vistula, i cili gjarpëron përmes luginave dhe maleve me pyje. Banorët miqësorë dhe klima e veçantë e bëjnë Vislën një qendër terapeutike të preferuar, një pikë turistike verore dhe dimërore.
Me sa duket, vendbanimi i parë me këtë emër u ngrit rreth viteve 90 të shekullit të 16-të. U hap një punishte sharre dhe, pas pak, livadhet malore u mbushën me banorë, që merreshin me blegtori e me bujqësi. Por këta njerëz të thjeshtë do të përfshiheshin në një ndryshim shumë të shpejtë fetar. Rajoni u prek thellë nga reformat fetare që filloi Martin Luteri, kështu që luteranizmi u bë «feja shtetërore në vitin 1545», sipas studiuesit Andrzhej Otçiku. Megjithatë, Lufta Tridhjetëvjeçare dhe Kundërreforma që erdhi më pas, e ndryshuan kryekëput situatën. «Në vitin 1654 protestantëve ua morën të gjitha kishat, shërbimet e tyre u ndaluan dhe Biblat e librat e tjerë fetarë u konfiskuan»,—vazhdon Otçiku. Gjithsesi, shumica e popullsisë vendëse mbeti luterane.
Farërat e para të së vërtetës biblike
Lumturisht, në këtë vend do të ndodhte një tjetër reformë më e rëndësishme fetare. Në vitin 1928 aty u mbollën farërat e para të së vërtetës biblike nga dy Studentë të zellshëm të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e
Jehovait. Vitin tjetër, në Visla erdhi Jan Gomola me një gramafon, në të cilin vuri fjalime biblike të regjistruara. Pastaj shkoi në një luginë aty afër, ku gjeti një dëgjues të vëmendshëm, Andrzhej Rashkën, një burrë me trup të shkurtër e të ngjeshur dhe me një zemër të butë. Menjëherë Rashka mori Biblën e tij për të vërtetuar atë që po thuhej në fjalimet që dëgjoi në gramafon. Më pas tha: «Vëlla, më në fund gjeta të vërtetën! Që kur isha nëpër llogore gjatë Luftës I Botërore po i kërkoja këto përgjigje.»Tërë entuziazëm Rashka e çoi Gomolën te shokët e tij, Jerzhi dhe Andrzhej Pilhu, të cilët e pranuan me zell mesazhin e Mbretërisë. Andrzhej Tirna, i cili e kishte mësuar të vërtetën biblike në Francë, i ndihmoi këta burra që ta thellonin njohurinë për mesazhin e Perëndisë. S’kaloi shumë dhe u pagëzuan. Për të ndihmuar grupin e vogël të Studentëve të Biblës që ishin në Visla, vëllezërit nga qytetet fqinje i vizituan gjatë viteve 30 të shekullit të kaluar. Rezultatet ishin të mahnitshme.
Pati një vërshim të jashtëzakonshëm njerëzish të interesuar. Familjet luterane në atë zonë e kishin zakon që të lexonin Biblën në shtëpi. Prandaj, kur panë prova bindëse biblike lidhur me doktrinën e ferrit dhe të Trinitetit, shumë prej tyre e dalluan të vërtetën dhe atë që ishte e rreme. Shumë familje vendosën të çliroheshin nga mësimet e rreme fetare. Prandaj, kongregacioni në Visla u rrit dhe në vitin 1939 kishte arritur rreth 140 pjesëtarë. Por çuditërisht shumica e të rriturve në këtë kongregacion nuk ishin pagëzuar. Helena, një nga ato Dëshmitare të hershme thotë: «Kjo nuk do të thoshte se këta lajmëtarë të papagëzuar nuk ishin në gjendje të mbanin qëndrim të patundur në anën e Jehovait. Ata e provuan integritetin e tyre në sprovat e besimit që hasën shumë shpejt.»
Po për fëmijët, ç’të themi? Ata e kuptuan se prindërit e tyre kishin gjetur të vërtetën. Françishek Branci tregon: «Kur babai e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën, filloi të na e nguliste në mendje mua dhe vëllait tim këtë të vërtetë. Në atë kohë unë isha tetë vjeç dhe vëllai dhjetë. Babai na bënte pyetje të thjeshta, si për shembull: ‘Kush është Perëndia dhe si e ka emrin? Çfarë dini për Jezu Krishtin?’ Përgjigjet duhej t’i shkruanim në fletë dhe t’i mbështetnim me shkrime nga Bibla.» Një Dëshmitar tjetër thotë: «Ngaqë prindërit iu përgjigjën me zell mesazhit të Mbretërisë dhe e lanë kishën luterane në vitin 1940, unë pata shumë kundërshtime në shkollë, madje më rrahën. U jam mirënjohës prindërve që më ngulitën në mendje parimet e Biblës. Kjo ishte e domosdoshme, sepse më ndihmoi të qëndroja i fortë në ato kohë të vështira.»
Besim nën sprova
Kur shpërtheu Lufta II Botërore, zonën e pushtuan nazistët që ishin të vendosur t’i shfarosnin Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim u propozuan të rriturve, e sidomos baballarëve, që të firmosnin një dokument ku thoshin se ishin me kombësi gjermane, me qëllim që të kishin disa përfitime. Dëshmitarët nuk pranuan të deklaronin se mbështetnin nazistët. Shumë vëllezër dhe të interesuar që ishin në moshën e rekrutimit gjendeshin përballë një dileme: të hynin në ushtri apo të mbanin asnjanësi të plotë, por në këtë rast do të ndëshkoheshin rëndë. Andrzhej Shalboti, të cilin Gestapoja e arrestoi në vitin 1943, shpjegon: «Po të refuzoje shërbimin ushtarak, të çonin në një kamp përqendrimi, kryesisht në Aushvic. Unë s’isha pagëzuar ende, por e kisha të qartë në mendje sigurinë që jepte Jezui te Mateu 10:28, 29. E dija se po të vdisja për shkak të besimit te Jehovai, ai do të më rikthente në jetë.»
Në fillim të vitit 1942, nazistët arrestuan 17 vëllezër nga Visla. Brenda tre muajve 15 prej tyre vdiqën në Aushvic. Si ndikoi kjo te Dëshmitarët që ishin ende në Visla? Në vend që t’i shtynte ta braktisnin besimin, kjo i nxiti të qëndronin sa më afër Jehovait, pa bërë asnjë kompromis! Në gjashtë muajt që pasuan, numri i lajmëtarëve në Visla u dyfishua. S’kaloi shumë dhe u bënë arrestime të tjera. Forca shkatërruese e Hitlerit preku gjithsej 83 vëllezër, të interesuar dhe fëmijë. Prej këtyre, 53 u dërguan në kampe përqendrimi (kryesisht në Aushvic) ose në kampe të punës së detyruar nëpër miniera dhe gurore në Poloni, Gjermani dhe Bohemi.
Besnikë e të palëkundur
Në Aushvic, nazistët u përpoqën t’i tundonin Dëshmitarët duke iu paraqitur mundësinë për t’i liruar menjëherë. Një rojë SS i tha një vëllai: «Mjafton të firmosësh letrën e dorëheqjes prej Studentëve të Biblës dhe do të të lëmë të lirë të kthehesh në shtëpi.» Këtë propozim ia përsëritën shumë herë, por vëllai nuk bëri kompromis dhe vazhdoi t’i qëndronte besnik Jehovait. Si pasojë, e rrahën, e tallën dhe i dhanë punë sfilitëse, si në Aushvic, ashtu edhe në Mitelbau-Dora në Gjermani. Pak para se ta lironin, ky vëlla i shpëtoi vdekjes për një qime, sepse kampin në të cilin ishte ai e bombarduan.
Pavel Shalboti, një Dëshmitar që ka vdekur kohët e fundit, një herë tha: «Kur më merrte në pyetje, Gestapoja më pyeste vazhdimisht pse nuk doja të hyja në ushtrinë gjermane ose të bëja përshëndetjen naziste të Hitlerit.» Pasi u shpjegoi bazën biblike për asnjanësinë e krishterë, e dënuan të punonte në një fabrikë armësh. «Sigurisht që ndërgjegjja s’më lejonte ta pranoja këtë punë, prandaj më dërguan të punoja në një minierë.» Megjithatë, ky vëlla qëndroi besnik.
Ata që nuk ishin burgosur, domethënë gratë dhe fëmijët, dërgonin pako me ushqime për vëllezërit në Aushvic. Një vëlla, që në atë kohë ishte fëmijë, tregon: «Gjatë verës mblidhnim fruta pylli dhe pastaj i këmbenim me grurë. Motrat piqnin kuleçë dhe i zhytnin në dhjamë. Pastaj i dërgonim ca nga ca kuleçët te vëllezërit e burgosur.»
Nga Visla u dërguan gjithsej në kampe përqendrimi dhe për punë të detyruar 53 Dëshmitarë të rritur. Tridhjetë e tetë prej tyre vdiqën.
Lind një brez i ri
Edhe fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait u prekën nga masat shtypëse të nazistëve. Disa i dërguan bashkë me mamatë në kampe të përkohshme në Bohemi. Të tjerë i larguan nga prindërit dhe i çuan në kampin famëkeq të Lodzit ku mbaheshin fëmijët.
Tre prej tyre kujtojnë: «Herën e parë gjermanët çuan në Lodz dhjetë prej nesh, me moshë nga pesë deri nëntë vjeç. I jepnim zemër njëri-tjetrit duke u lutur dhe duke folur për gjëra biblike. Nuk ishte e lehtë të qëndronim.» Në vitin 1945 të gjithë këta fëmijë u kthyen në shtëpi. Ishin gjallë, por me vraga dhe trauma emocionale. Megjithatë, asgjë s’arriti t’ua thyente integritetin.
Çfarë ndodhi më pas?
Ndërsa Lufta II Botërore po i afrohej fundit, Dëshmitarët nga Visla ishin ende të fortë në besim dhe gati për të rifilluar predikimin me zell e me vendosmëri. Grupe me vëllezër shkuan të vizitonin njerëzit që jetonin deri në 40 kilometra larg Vislës, duke predikuar e duke shpërndarë literaturë biblike. «S’kaloi shumë dhe në qytetin tonë kishte tri kongregacione aktive»,—thotë Jan Krzhoku. Mirëpo kjo liri fetare nuk zgjati shumë.
Në vitin 1950, qeveria komuniste, që zuri vendin e nazistëve, e ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Poloni. Kështu që vëllezërit vendës duhej të ishin shumë të shkathët në shërbim. Nganjëherë i vizitonin njerëzit në shtëpi me pretekstin për të blerë bagëti ose drithë. Mbledhjet e krishtere zakonisht mbaheshin natën, në grupe të vogla. Megjithatë, agjentët e sigurimit arritën të arrestonin shumë adhurues të Jehovait, duke i akuzuar se punonin për një shërbim sekret të huaj, akuzë kjo krejtësisht pa baza. Disa oficerë e kërcënuan me sarkazëm Pavel Pilhun: «Hitleri s’të theu dot, por ne do t’ia arrijmë.» Gjithsesi, ai i qëndroi besnik Jehovait, edhe pse u burgos për pesë vjet. Kur disa Dëshmitarë të rinj në moshë nuk deshën të firmosnin një dokument politik socialist, i përjashtuan nga shkolla ose i pushuan nga puna.
Jehovai vazhdoi të ishte me ta
Viti 1989 solli ndryshime në sferën politike dhe Dëshmitarët e Jehovait morën njohjen ligjore në Poloni. Adhuruesit e palëkundur të Jehovait në Visla e përshpejtuan veprën, dhe kjo duket nga numri i pionierëve ose i shërbëtorëve në kohë të plotë. Rreth 100 vëllezër e motra nga ajo zonë kanë filluar shërbimin si pionierë. Prandaj s’është çudi që qyteti ka marrë nofkën ‘Fabrika e pionierëve’.
Bibla thotë këto fjalë për mbështetjen që u ka dhënë Perëndia shërbëtorëve të tij në të kaluarën: «Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh, ata do të na kishin përpirë të gjallë.» (Psalmi 124:2, 3) Në kohën tonë, me gjithë apatinë e përhapur dhe prirjet imorale që nxit bota te njerëzit në përgjithësi, adhuruesit e Jehovait në Visla përpiqen të mbajnë integritetin, dhe kanë shumë shpërblime për këtë. Brezat e tjerë të Dëshmitarëve në atë zonë mund ta thonë vetë sa të vërteta janë fjalët e apostullit Pavël: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»—Romakëve 8:31.
[Figura në faqen 26]
Emilja Krzhokun e dërguan në një kamp të përkohshëm në Bohemi bashkë me fëmijët, Helenën, Emiljën dhe Janin
[Figura në faqen 26]
Kur nuk pranoi shërbimin ushtarak, Pavel Shalbotin e dërguan të punonte në një minierë
[Figura në faqen 27]
Dërgimi dhe vdekja e disa vëllezërve në Aushvic nuk e ndali rritjen e veprës në Visla
[Figura në faqen 28]
Pavel Pilhun dhe Jan Polokun i çuan në një kamp për fëmijë në Lodz
[Burimi i figurave në faqen 25]
Manaferra dhe lule: © R.M. Kosinscy/www.kosinscy.pl