Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbëtorë të lumtur të Jehovait

Shërbëtorë të lumtur të Jehovait

Shërbëtorë të lumtur të Jehovait

«Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.»​—MATEU 5:3.

1. Çfarë është lumturia e vërtetë dhe çfarë tregon?

LUMTURIA është një karakteristikë e shërbëtorëve të Jehovait, të cilën ata e çmojnë shumë. Psalmisti David tha: «Lum populli që ka Perëndi Jehovain!» (Psalmi 144:15, BR) Lumturia është një ndjenjë kënaqësie të thellë. Për ne lumturia më e madhe, që arrin deri thellë në shpirt, është kur e dimë se kemi miratimin e Jehovait. (Fjalët e urta [Proverbat] 10:22) Kjo lumturi tregon se kemi një marrëdhënie të ngushtë me Atin tonë qiellor dhe se e dimë që po bëjmë vullnetin e tij. (Psalmi 112:1; 119:1, 2) Është interesante se Jezui radhiti nëntë arsye pse mund të jemi të lumtur. Shqyrtimi i këtyre arsyeve në këtë artikull dhe në artikullin vijues, do të na ndihmojë të kuptojmë sa të lumtur mund të jemi në qoftë se i shërbejmë me besnikëri «Perëndisë së lumtur», Jehovait.​—1 Timoteut 1:11.

Të vetëdijshëm për nevojën tonë frymore

2. Në cilin rast foli Jezui për lumturinë? Cila ishte shprehja e parë që tha?

2 Në vitin 31 të e.s., Jezui mbajti një nga fjalimet më të famshme të të gjitha kohëve. Ky fjalim është quajtur Predikimi në Mal, sepse Jezui e mbajti në një shpat mali me pamje nga Deti i Galilesë. Në Ungjillin sipas Mateut lexojmë: «Kur pa turmat, [Jezui] u ngjit në mal; dhe pasi u ul dishepujt e tij i erdhën pranë; dhe ai hapi gojën e nisi t’i mësonte, duke thënë: ‘Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, pasi atyre u përket mbretëria e qiejve!’» Po të përkthehet fjalë për fjalë, shprehja e parë që tha Jezui do të ishte: «Lum të varfrit në frymë» ose «Lum lypësit për frymën.»​—Mateu 5:1-3; Kingdom Interlinear; shënimi.

3. Pse do të kemi më shumë lumturi, në qoftë se jemi të përulur?

3 Në këtë predikim që mbajti, Jezui theksoi se një njeri do të jetë shumë më i lumtur po të jetë i vetëdijshëm për nevojën e tij frymore. Të krishterët e përulur, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen e tyre mëkatare, i luten Jehovait që t’i falë në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit. (1 Gjonit 1:9) Si rrjedhim, gjejnë paqe mendore dhe lumturi të vërtetë. «Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!»​—Psalmi 32:1; 119:165.

4. (a) Si mund ta tregojmë se jemi të vetëdijshëm për nevojën tonë frymore, si edhe për nevojën frymore të të tjerëve? (b) Pse jemi më të lumtur, kur jemi të vetëdijshëm për nevojën tonë frymore?

4 Ngaqë jemi të vetëdijshëm për nevojën tonë frymore, nxitemi ta lexojmë përditë Biblën, të përfitojmë plotësisht nga ushqimi frymor, që «skllavi i besueshëm dhe i matur» na jep «në kohën e duhur», dhe të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere. (Mateu 24:45; Psalmi 1:1, 2; 119:111; Hebrenjve 10:25) Ngaqë i duam të tjerët, kuptojmë se edhe ata kanë nevoja frymore, dhe kjo na nxit të jemi të zellshëm për t’u predikuar e për t’u mësuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Marku 13:10; Romakëve 1:14-16) Provojmë lumturi kur u flasim të tjerëve për të vërtetat e Biblës. (Veprat 20:20, 35) Lumturia jonë bëhet edhe më e madhe kur meditojmë për shpresën e mrekullueshme të Mbretërisë dhe për bekimet që do të sjellë kjo Mbretëri. Për ‘kopenë e vogël’ të të krishterëve të mirosur, shpresa është të marrin jetën e pavdekshme në qiell, si pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Krishtit. (Luka 12:32; 1 Korintasve 15:50, 54) Për ‘delet e tjera’ shpresa është jeta e përhershme në një tokë parajsore, nën drejtimin e kësaj Mbretërie.​—Gjoni 10:16; Psalmi 37:11; Mateu 25:34, 46.

Si mund të jenë të lumtur ata që vajtojnë?

5. (a) Çfarë nënkupton shprehja «ata që vajtojnë»? (b) Si ngushëllohen ata që vajtojnë?

5 Fjalët që tha Jezui kur përmendi arsyen tjetër për të qenë të lumtur duken kontradiktore. Ai tha: «Lum ata që vajtojnë, pasi ata do të ngushëllohen!» (Mateu 5:4) Si mund të vajtojë një njeri, e në të njëjtën kohë të jetë i lumtur? Për të kuptuar çfarë donte të thoshte Jezui me këto fjalë, duhet të dimë se për ç’lloj vajtimi po fliste. Dishepulli Jakov shpjegon se gjendja jonë mëkatare duhet të jetë për ne shkak vajtimi. Ja çfarë shkroi: «Pastroni duart tuaja, o mëkatarë, dhe dëlirni zemrat tuaja, o të pavendosur. Bëjini vend mjerimit, vajtoni dhe qani. E qeshura juaj le të kthehet në vajtim dhe gëzimi juaj në brengosje. Përuluni në sytë e Jehovait dhe ai do t’ju lartësojë.» (Jakovi 4:8-10) Ata që trishtohen vërtet për gjendjen e tyre mëkatare, ngushëllohen kur mësojnë se mund t’u falen mëkatet, në qoftë se tregojnë besim në flijimin shpërblyes të Krishtit dhe shfaqin pendim të vërtetë duke bërë vullnetin e Jehovait. (Gjoni 3:16; 2 Korintasve 7:9, 10) Kështu mund të ndërtojnë një marrëdhënie të çmuar me Jehovain dhe të kenë shpresën për të jetuar përgjithmonë, që t’i shërbejnë e t’i japin lavdi atij. Kjo u sjell lumturi të thellë në zemër.​—Romakëve 4:7, 8.

6. Në cilin kuptim vajtojnë disa, por si ngushëllohen?

6 Fjalët e Jezuit përfshijnë edhe ata që vajtojnë për shkak të kushteve të neveritshme që janë sot në tokë. Profecinë që gjejmë tek Isaia 61:1, 2 Jezui e zbatoi për veten e tij: «Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, . . . për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen.» Kjo vlen edhe për ata të krishterë të mirosur që janë ende në tokë, të cilët e përmbushin këtë detyrë me ndihmën e shokëve të tyre, ‘deleve të tjera’. Të dyja grupet marrin pjesë në veprën e shënimit në ballë, në mënyrë simbolike, të «njerëzve që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat [e neveritshme, BR] që kryen në mes tij [Jerusalemit apostat, që paraqet të ashtuquajturin krishterim]». (Ezekieli 9:4) ‘Lajmi i mirë i mbretërisë’ i ngushëllon këta njerëz që vajtojnë. (Mateu 24:14) Ata gëzohen kur mësojnë se sistemi i lig i Satanait pas pak do të zëvendësohet me botën e re dhe të drejtë të Jehovait.

Lum njerëzit me natyrë të butë!

7. Çfarë nuk nënkupton shprehja «me natyrë të butë»?

7 Jezui e vazhdoi Predikimin në Mal me fjalët: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Nganjëherë njerëzit mendojnë se të jesh me natyrë të butë do të thotë të kesh karakter të dobët. Por nuk është kështu. Një studiues biblik e shpjegoi kështu domethënien e fjalës së përkthyer «me natyrë të butë»: «Tipari më fisnik i njeriut [me natyrë të butë] është se ai i ka nën kontroll të plotë ndjenjat e tij. Kjo cilësi nuk është një butësi e tepruar, një përzemërsi sentimentale, një qetësi indiferente. Është një pikë e fortë, që ai njeri e mban nën kontroll.» Jezui tha për veten e tij: «Unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.» (Mateu 11:29) E megjithatë, Jezui ishte shumë i guximshëm për t’i mbrojtur parimet e drejta.​—Mateu 21:12, 13; 23:13-33.

8. Me çfarë lidhet ngushtë butësia? Pse na nevojitet kjo cilësi në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë?

8 Pra, natyra e butë lidhet ngushtësisht me vetëkontrollin. Madje apostulli Pavël, kur renditi ‘frytin e frymës’, i vendosi njërën pas tjetrës butësinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Butësia duhet zhvilluar me ndihmën e frymës së shenjtë. Është një cilësi që i ndihmon të krishterët të kenë paqe me jobesimtarët dhe me pjesëtarët e kongregacionit. Pavli shkroi: «Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.»​—Kolosianëve 3:12, 13.

9. (a) Pse butësia nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë? (b) Si «do ta trashëgojnë tokën» ata që janë me natyrë të butë?

9 Megjithatë, butësia nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Duke iu nënshtruar vullnetarisht sovranitetit të Jehovait, tregojmë se kemi natyrë të butë. Shembulli kryesor në lidhje me këtë është Jezu Krishti, i cili, kur ishte këtu në tokë, shfaqi butësi dhe nënshtrim të plotë ndaj vullnetit të Atit të tij. (Gjoni 5:19, 30) I pari fare që trashëgon tokën është Jezui, sepse ai është Sundimtari i caktuar për të. (Psalmi 2:6-8; Danieli 7:13, 14) Këtë trashëgimi ai e ndan me 144.000 «bashkëtrashëgimtarë», që janë zgjedhur «nga mesi i njerëzimit» «për të sunduar si mbretër mbi tokën». (Romakëve 8:17; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3, 4; Danieli 7:27) Krishti dhe bashkësundimtarët e tij do të qeverisin mbi miliona burra e gra ngjashëm deleve, për të cilët do të përmbushet psalmi profetik: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»​—Psalmi 37:11; Mateu 25:33, 34, 46.

Lum ata që kanë uri për drejtësi!

10. Cila është një mënyrë se si mund të ngopen «ata që kanë uri dhe etje për drejtësi»?

10 Arsyeja tjetër që radhiti Jezui për lumturinë, kur po fliste në atë shpat mali të Galilesë, ishte: «Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, pasi ata do të jenë të ngopur!» (Mateu 5:6) Normën e drejtësisë për të krishterët e vendos Jehovai. Prandaj, ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, në të vërtetë kanë uri dhe etje për udhëheqjen e Perëndisë. Këta janë shumë të vetëdijshëm për mëkatin e për papërsosmërinë e tyre dhe dëshirojnë me zjarr të kenë një qëndrim të miratuar para Jehovait. Sa lumturohen kur mësojnë nga Fjala e Perëndisë se, po të pendohen e të kërkojnë falje në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit, do të mund të fitojnë një qëndrim të drejtë para Perëndisë!​—Veprat 2:38; 10:43; 13:38, 39; Romakëve 5:19.

11, 12. (a) Si e fitojnë drejtësinë të krishterët e mirosur? (b) Si u plotësohet etja për drejtësi shokëve të të mirosurve?

11 Jezui tha se këta do të ishin të lumtur, pasi do të ‘ngopeshin’ ose do të kënaqeshin. (Mateu 5:6) Të krishterët e mirosur që janë thirrur ‘për të sunduar si mbretër’ me Krishtin në qiell, shpallen «të drejtë për jetën». (Romakëve 5:1, 9, 16-18) Jehovai i adopton si bij frymorë dhe ata bëhen bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, e janë të thirrur për të qenë mbretër e priftërinj në Mbretërinë e tij qiellore.​—Gjoni 3:3; 1 Pjetrit 2:9.

12 Shokët e të mirosurve ende nuk janë shpallur të drejtë për jetën. Por megjithatë, Jehovai u llogarit një masë drejtësie në bazë të besimit të tyre në gjakun e derdhur të Krishtit. (Jakovi 2:22-25; Zbulesa 7:9, 10) Ata llogariten të drejtë si miq të Jehovait që presin çlirimin kur të vijë «shtrëngimi i madh». (Zbulesa 7:14) Etja që kanë për drejtësi do t’u përmbushet më tej kur, nën drejtimin e ‘qiejve të rinj’, do të bëhen pjesë e tokës së re, në të cilën «ka për të banuar drejtësia».​—2 Pjetrit 3:13; Psalmi 37:29.

Lum të mëshirshmit!

13, 14. Në cilat mënyra praktike duhet të tregohemi të mëshirshëm, dhe çfarë dobish do të kemi?

13 Në vazhdim të Predikimit në Mal Jezui tha: «Lum të mëshirshmit, pasi atyre do t’u tregohet mëshirë!» (Mateu 5:7) Në kuptimin ligjor, mëshira u referohet lëshimeve që bën gjykatësi, i cili nuk i jep fajtorit dënimin e plotë që parashikon ligji. Mirëpo në Bibël, fjalët origjinale të përkthyera «mëshirë» i referohen kryesisht shprehjes së dhembshurisë ose të keqardhjes në atë mënyrë që u sjell lehtësim atyre që janë në rrethana të pafavorshme. Kështu, të mëshirshmit janë të dhembshur dhe e tregojnë këtë me vepra. Ilustrimi i Jezuit për samaritanin e mirë është një shembull i shkëlqyer i njeriut që «veproi në mënyrë të mëshirshme» me dikë që ishte në nevojë.​—Luka 10:29-37.

14 Për të provuar lumturinë që vjen kur jemi të mëshirshëm, duhet të bëjmë vepra dashamirëse ndaj atyre që janë në nevojë. (Galatasve 6:10) Jezui ndiente dhembshuri për njerëzit që shihte. «[Ai] u shty nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari. Dhe filloi t’u mësonte shumë gjëra.» (Marku 6:34) Jezui e kuptonte se nevoja më e madhe e njerëzve ishte ajo frymore. Edhe ne mund të tregojmë se jemi të dhembshur e të mëshirshëm duke u dhënë të tjerëve atë për të cilën kanë më shumë nevojë, domethënë ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Mund t’u ofrojmë edhe ndihmë praktike të krishterëve që janë të moshuar, vejushave dhe jetimëve, si edhe ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’. (1 Selanikasve 5:14; Fjalët e urta 12:25; Jakovi 1:27) Kjo jo vetëm që do të na sjellë lumturi, por do të bëjë që edhe Jehovai të na tregojë mëshirë.​—Veprat 20:35; Jakovi 2:13.

Me zemër të kulluar dhe paqebërës

15. Si mund të jemi me zemër të kulluar dhe paqebërës?

15 Si arsye të gjashtë dhe të shtatë për të qenë të lumtur Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar, pasi ata do ta shohin Perëndinë! Lum paqebërësit, pasi ata do të quhen ‘bij të Perëndisë’!» (Mateu 5:8, 9) Një zemër e kulluar jo vetëm që është e pastër nga ana morale, por është e panjollosur frymësisht dhe i është kushtuar tërësisht Jehovait, pra nuk është e ndarë. (1 Kronikave 28:9; Psalmi 86:11) Njerëzit paqebërës jetojnë në paqe me vëllezërit e tyre të krishterë dhe, për aq sa varet prej tyre, edhe me fqinjët. (Romakëve 12:17-21) Ata ‘e kërkojnë paqen dhe e ndjekin’.​—1 Pjetrit 3:11.

16, 17. (a) Pse të mirosurit quhen «bij të Perëndisë» dhe si ‘e shohin Perëndinë’? (b) Si ‘e shohin Perëndinë’ ‘delet e tjera’? (c) Si dhe kur do të bëhen plotësisht «bij të Perëndisë» ‘delet e tjera’?

16 Premtimi që u jepet atyre që janë me zemër të kulluar dhe paqebërës është se «do të quhen ‘bij të Perëndisë’» dhe «do ta shohin Perëndinë». Të krishterët e mirosur lindin nga fryma dhe Jehovai i adopton si «bij» kur janë ende në tokë. (Romakëve 8:14-17) Kur ringjallen për të qenë me Krishtin në qiell, shërbejnë në prani të Jehovait dhe faktikisht e shohin Atë.​—1 Gjonit 3:1, 2; Zbulesa 4:9-11.

17 ‘Delet e tjera’, individë që janë po ashtu paqebërës, i shërbejnë Jehovait nën drejtimin e Bariut të Shkëlqyer, Krishtit Jezu, i cili bëhet «Atë i përjetshëm» për ta. (Gjoni 10:14, 16; Isaia 9:5) Ata që e kalojnë me sukses provën përfundimtare pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, do të adoptohen si bij tokësorë të Jehovait dhe ‘do të kenë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’. (Romakëve 8:21; Zbulesa 20:7, 9) Ndërsa presin këtë, ata i drejtohen Jehovait si Atit të tyre, sepse ia kushtojnë atij jetën, duke e pranuar si Jetëdhënës. (Isaia 64:8) Ashtu si Jobi e si Moisiu në kohët e lashta, ata ‘e shohin Perëndinë’ me sytë e besimit. (Jobi 42:5; Hebrenjve 11:27) Me «sytë e zemrës» dhe me anë të njohurisë së saktë për Perëndinë Jehova, ata dallojnë cilësitë e mrekullueshme që ka ai dhe përpiqen ta imitojnë, duke bërë vullnetin e tij.​—Efesianëve 1:18; Romakëve 1:19, 20; 3 Gjonit 11.

18. Cilët gjejnë lumturi të vërtetë sot, në përputhje me shtatë arsyet e para që dha Jezui për të qenë të lumtur?

18 Kemi kuptuar se ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, ata që vajtojnë, ata që janë me natyrë të butë, ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë, të mëshirshmit, ata me zemër të kulluar dhe paqebërësit gjejnë lumturi të vërtetë duke i shërbyer Jehovait. Megjithatë, këta lloj njerëzish gjithnjë kanë hasur kundërshtim, e madje edhe përndjekje. A ua ka hequr kjo gjë lumturinë? Këtë pyetje do ta shqyrtojmë në artikullin vijues .

Pyetje për rishikim

• Pse janë të lumtur ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore?

• Si ngushëllohen ata që vajtojnë?

• Si tregojmë se jemi me natyrë të butë?

• Pse duhet të jemi të mëshirshëm, me zemër të kulluar dhe paqebërës?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

«Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!»

[Figurat në faqen 10]

«Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi!»

[Figura në faqen 10]

«Lum të mëshirshmit!»