T’i përmbahemi modelit që dha Jezui
T’i përmbahemi modelit që dha Jezui
«Unë ju dhashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.»—GJONI 13:15.
1. Pse Jezui është një model që të krishterët duhet ta imitojnë?
NË GJITHË historinë njerëzore, vetëm një njeri nuk ka mëkatuar kurrë gjatë gjithë jetës së tij. Ky ishte Jezui. Përveç tij, «nuk ka njeri që nuk mëkaton». (1 Mbretërve 8:46; Romakëve 3:23) Për këtë arsye, të krishterët e vërtetë e shohin Jezuin si një model të përsosur që duhet ta imitojnë. Madje, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., pak para se të vdiste, vetë Jezui u tha ithtarëve të tij që ta imitonin. «Unë ju dhashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju»,—tha ai. (Gjoni 13:15) Gjatë asaj nate të fundit, Jezui përmendi mjaft aspekte në të cilat të krishterët duhet të përpiqen ta imitojnë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa prej tyre.
Nevoja për të qenë të përulur
2, 3. Në ç’aspekte Jezui ishte një model i përsosur përulësie?
2 Kur i nxiti dishepujt që të ndiqnin modelin që u dha, Jezui po fliste pikërisht për përulësinë. Ai i kishte këshilluar disa herë ithtarët e tij që të ishin të përulur, e natën e 14 nisanit tregoi sa i përulur ishte ai vetë, duke u larë këmbët apostujve. Pastaj u tha: «Nëse unë, ndonëse Zotëri dhe Mësues, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njëri-tjetrit.» (Gjoni 13:14) Më pas, u tha apostujve të ndiqnin modelin që dha ai. S’ka dyshim se ai model përulësie ishte i përsosur.
3 Apostulli Pavël na thotë se Jezui, para se të vinte në tokë, «gjendej në formë Perëndie». Megjithatë, e zbrazi veten dhe u bë njeri i thjeshtë. Jo vetëm kaq, por «e përuli veten dhe u bë i bindur deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture». (Filipianëve 2:6-8) Mendo pak. Jezui, i dyti në univers për sa i përket pozitës, pranoi të bëhej më i ulët se engjëjt, të lindte si një foshnjë e pafuqishme, të rritej i nënshtruar ndaj prindërve të papërsosur dhe, së fundi, të vdiste si një kriminel i përbuzur. (Kolosianëve 1:15, 16; Hebrenjve 2:6, 7) Çfarë përulësie! A mund ta imitojmë ne këtë «qëndrim mendor» dhe të zhvillojmë këtë «përulësi mendjeje»? (Filipianëve 2:3-5) Po, por nuk është e lehtë.
4. Çfarë i bën krenarë njerëzit, por përse krenaria është e rrezikshme?
4 E kundërta e përulësisë është krenaria. (Fjalët e urta [Proverbat] 6:16-19) Satanai ra pikërisht për shkak të krenarisë së tij. (1 Timoteut 3:6) Kjo ndjenjë zë rrënjë me lehtësi në zemrat e njerëzve dhe, po zuri rrënjë aty, vështirë të shkulet. Njerëzit mund të jenë krenarë për shkak të vendit ku jetojnë, të racës, të gjërave që zotërojnë, të shkollës që kanë bërë, të arritjeve, të pozitës shoqërore, të pamjes së jashtme, të aftësive sportive e të shumë e shumë gjërave të tjera. Megjithatë, për Jehovain asnjëra nga këto gjëra nuk ka rëndësi. (1 Korintasve 4:7) E nëse ato na bëjnë të ndihemi krenarë, po dëmtojnë marrëdhënien që kemi me të. «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i hedh sytë mbi të përulurit, por fodullët i njeh nga larg.»—Psalmi 138:6, BR; Fjalët e urta 8:13.
Të përulur me vëllezërit tanë
5. Pse është thelbësore që pleqtë të jenë të përulur?
5 Nuk duhet të ndihemi krenarë as për rolin tonë e për arritjet në shërbim të Jehovait dhe as për përgjegjësitë që mund të kemi në kongregacion. (1 Kronikave 29:14; 1 Timoteut 6:17, 18) Po, sa më shumë përgjegjësi të kemi, aq më të përulur duhet të jemi. Apostulli Pjetër i nxiti pleqtë që ‘të mos sillen si padronë me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por të bëhen shembuj për kopenë’. (1 Pjetrit 5:3) Pleqtë emërohen që të jenë shërbëtorë dhe shembuj për kopenë, jo padronë e zotërinj.—Luka 22:24-26; 2 Korintasve 1:24.
6. Në cilat fusha të jetës së krishterë na duhet përulësia?
6 Por nuk janë vetëm pleqtë ata që kanë nevojë për të qenë të përulur. Të rinjtë mund të ndihen krenarë sepse kanë mendje më të mprehtë dhe trup më të fortë se të moshuarit. Prandaj Pjetri u shkroi: «Ngjeshuni . . . me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1 Pjetrit 5:5) Po, është thelbësore që të gjithë të shfaqim një përulësi si ajo e Krishtit. Duhet përulësi për të predikuar lajmin e mirë, sidomos kur hasim indiferencë ose kundërshtim. Duhet përulësi për të pranuar këshillat ose për të thjeshtuar jetën në mënyrë që të bëjmë më shumë në shërbim. Po ashtu, na duhet përulësi, si edhe besim e guxim, për të duruar paraqitjen negative që na bëhet, sulmet ligjore ose përndjekjet e dhunshme.—1 Pjetrit 5:6.
7, 8. Cilat janë disa mënyra se si të zhvillojmë përulësinë?
7 Si ta mposhtë dikush krenarinë dhe të sillet ‘me përulësi mendjeje, duke i menduar të tjerët më të lartë’ se veten? (Filipianëve 2:3) Ai duhet ta shohë veten siç e sheh Jehovai. Jezui shpjegoi qëndrimin e duhur që duhet të kemi ndaj vetes kur tha: «Kështu edhe ju, kur t’i keni bërë të gjitha gjërat e caktuara, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë.’» (Luka 17:10) Mos harro, sado që të bëjmë ne, asgjë s’krahasohet me atë që bëri Jezui. E megjithatë, Jezui ishte i përulur.
8 Gjithashtu mund t’i kërkojmë ndihmë Jehovait për të zhvilluar pikëpamjen e duhur për veten. Mund të lutemi si psalmisti: «Më Psalmi 119:66) Jehovai do të na ndihmojë të zhvillojmë një pikëpamje të arsyeshme dhe të ekuilibruar për veten, e do të na bekojë për qëndrimin e përulur që tregojmë. (Fjalët e urta 18:12) Jezui tha: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»—Mateu 23:12.
mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.» (Pikëpamja e duhur për të drejtën dhe për të gabuarën
9. Ç’pikëpamje kishte Jezui për të drejtën dhe të gabuarën?
9 Edhe pse jetoi 33 vjet mes njerëzve të papërsosur, Jezui mbeti «pa mëkat». (Hebrenjve 4:15) Në fakt, kur po profetizonte për Mesinë, psalmisti tha: «Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë.» (Psalmi 45:7; Hebrenjve 1:9) Edhe këtu të krishterët përpiqen ta imitojnë Jezuin. Ata nuk mjaftohen vetëm duke e dalluar të drejtën nga e gabuara, por e urrejnë të gabuarën dhe e duan të drejtën. (Amosi 5:15) Kjo i ndihmon të luftojnë kundër prirjeve të lindura mëkatare.—Zanafilla 8:21; Romakëve 7:21-25.
10. Çfarë qëndrimi po tregojmë, në qoftë se, pa u penduar, praktikojmë «gjëra të poshtra»?
10 Jezui i tha Nikodemit, një fariseu: «Ai që praktikon gjëra të poshtra, e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që veprat e tij të mos qortohen. Por ai që bën atë që është e vërtetë, vjen te drita, që veprat e tij të shfaqen si të jenë bërë në harmoni me Perëndinë.» (Gjoni 3:20, 21) Mendo pak: Gjoni e identifikoi Jezuin si ‘dritën e vërtetë që i jep dritë çdo lloj njeriu’. (Gjoni 1:9, 10) Por Jezui tha se po të praktikojmë «gjëra të poshtra», domethënë të gabuara, të papranueshme për Perëndinë, e urrejmë dritën. E mendon dot të urresh Jezuin dhe gjithçka që përfaqëson ai? E megjithatë, në këtë gjendje ndodhen ata që praktikojnë mëkatin pa u penduar. Ndoshta ata vetë nuk i shohin kështu gjërat, por Jezui me siguri po.
Si të zhvillojmë pikëpamjen e Jezuit për të drejtën dhe të gabuarën?
11. Çfarë duhet të bëjmë medoemos, që të kemi pikëpamjen e Jezuit për të drejtën dhe të gabuarën?
11 Ajo që na duhet është një kuptueshmëri e qartë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar sipas pikëpamjes së Jehovait. Këtë kuptueshmëri e marrim vetëm duke studiuar Fjalën e Perëndisë, Biblën. Gjatë këtij studimi duhet të lutemi si psalmisti: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.» (Psalmi 25:4) Por mos harro se Satanai është mashtrues. (2 Korintasve 11:14) Ai mund t’i maskojë gjërat e gabuara dhe t’i bëjë të duken të pranueshme në sytë e një të krishteri naiv. Prandaj, duhet të meditojmë thellë për atë që mësojmë dhe t’u vëmë veshin me shumë kujdes këshillave të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Studimi, lutja dhe meditimi për atë që mësojmë, do të na ndihmojë të rritemi drejt pjekurisë dhe të jemi ndër ata që «nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Atëherë do të kemi prirjen që ta urrejmë të gabuarën dhe të duam të drejtën.
12. Cila këshillë biblike na ndihmon që të mos praktikojmë gjëra të gabuara?
12 Nëse e urrejmë të gabuarën, nuk do të lejojmë që të na lindë në zemër dëshira për gjëra të gabuara. Shumë vjet pas vdekjes së Jezuit, 1 Gjonit 2:15, 16.
apostulli Gjon shkroi: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të; sepse gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota.»—13, 14. (a) Pse dashuria për gjërat e botës është e rrezikshme për të krishterët? (b) Çfarë duhet të bëjmë që të mos i duam gjërat në botë?
13 Disa mund të arsyetojnë se jo çdo gjë në botë është e gabuar. Gjithsesi, bota me joshjet e saj mund të na e shpërqendrojë vëmendjen me lehtësi nga shërbimi i Jehovait. Veç kësaj, asgjë nga ato që ofron bota nuk ka si qëllim të na afrojë më shumë me Perëndinë. Prandaj, nëse fillojmë të duam gjërat në botë, qoftë edhe gjërat që në vetvete mund të mos jenë të gabuara, kemi nisur një rrugë të rrezikshme. (1 Timoteut 6:9, 10) Nga ana tjetër, shumica e gjërave në botë janë vërtet të këqija, dhe mund të na prishin. Nëse shohim filma a programe televizive që nxjerrin në pah dhunën, materializmin ose imoralitetin seksual, këto gjëra mund të na bëhen të pranueshme, e më pas tunduese. Po të përzihemi me njerëz, interesi kryesor i të cilëve është të kenë një jetë sa më të mirë ose të shfrytëzojnë çdo mundësi për biznes, këto gjëra mund të marrin rëndësi kryesore edhe për ne.—Mateu 6:24; 1 Korintasve 15:33.
14 Nga ana tjetër, në qoftë se gjejmë kënaqësi në Fjalën e Jehovait, «dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës» nuk do të na duken më edhe aq joshëse. Pastaj, në qoftë se shoqërohemi me ata që vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë së Perëndisë, do të bëhemi si ata, duke dashur çfarë duan ata dhe duke shmangur çfarë shmangin ata.—Psalmi 15:4; Fjalët e urta 13:20.
15. Si do të na forcojë dashuria për drejtësinë dhe urrejtja për paligjshmërinë, siç ndodhi me Jezuin?
15 Urrejtja për paligjshmërinë dhe dashuria për drejtësinë e ndihmoi Jezuin që t’i mbante sytë te ‘gëzimi që iu vu përpara’. (Hebrenjve 12:2) E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ne. E dimë se «bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj». Çfarëdo kënaqësie që ofron kjo botë s’është veçse e përkohshme. Kurse «ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë». (1 Gjonit 2:17) Duke bërë vullnetin e Perëndisë, Jezui u dha mundësinë njerëzve që të fitonin jetën e përhershme. (1 Gjonit 5:13) Le ta imitojmë që të gjithë dhe të nxjerrim dobi nga integriteti i tij!
T’i bëjmë ballë përndjekjes
16. Pse Jezui i nxiti ithtarët e tij që të duan njëri-tjetrin?
16 Jezui tregoi një mënyrë tjetër se si do ta imitonin dishepujt e tij kur tha: «Ky është urdhërimi im: Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» (Gjoni 15:12, 13, 17) Ka shumë arsye pse të krishterët i duan vëllezërit e tyre. Por në këtë rast, Jezui kryesisht kishte në mendje urrejtjen që do të hasnin në botë. Ai u tha: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. . . . Skllavi nuk është më i madh se Zotëria i tij. Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:18, 20) Po, edhe për sa i përket përndjekjes, të krishterët janë si Jezui. Është e domosdoshme që ata të krijojnë një lidhje të fortë dashurie me njëri-tjetrin, që t’i ndihmojë t’i bëjnë ballë kësaj urrejtjeje.
17. Pse bota i urren të krishterët e vërtetë?
17 Pse do t’i urrente bota të krishterët? Sepse, ashtu si Jezui, «nuk janë pjesë e botës». (Gjoni 17:14, 16) Ata janë asnjanës në çështjet ushtarake e politike dhe zbatojnë parimet e Biblës, duke respektuar shenjtërinë e jetës dhe duke mbajtur norma të larta morale. (Veprat 15:28, 29; 1 Korintasve 6:9-11) Synimet kryesore në jetën e tyre janë frymore, jo materiale. Ata jetojnë në botë, por, siç shkroi Pavli, ‘nuk e përdorin plotësisht atë’. (1 Korintasve 7:31) Vërtet, disa janë shprehur se i admirojnë normat e larta që kanë Dëshmitarët e Jehovait. Por ata nuk bëjnë kompromise për të fituar admirimin e të tjerëve ose për t’u pranuar prej tyre. Si pasojë, shumica e njerëzve në botë nuk i kupton dhe shumë i urrejnë.
18, 19. Si i bëjnë ballë të krishterët kundërshtimit dhe përndjekjes, në përputhje me modelin që la Jezui?
18 Apostujt e Jezuit e panë me sytë e tyre urrejtjen e madhe të botës kur vetë Jezuin e arrestuan dhe e ekzekutuan. Panë edhe se si i bëri ballë ai kësaj urrejtjeje. Kur kundërshtarët e Jezuit erdhën ta arrestonin në kopshtin e Getsemanisë, Pjetri u përpoq ta mbronte me shpatë, por Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» (Mateu 26:52; Luka 22:50, 51) Në kohët e mëparshme izraelitët luftonin me shpata kundër armiqve. Por tani gjërat kishin ndryshuar. Mbretëria e Perëndisë ‘nuk ishte pjesë e kësaj bote’ dhe nuk kishte ndonjë kufi kombëtar që duhej mbrojtur. (Gjoni 18:36) Së shpejti Pjetri do të bëhej pjesë e një kombi frymor, pjesëtarët e të cilit do ta kishin qytetarinë e tyre në qiell. (Galatasve 6:16; Filipianëve 3:20, 21) Prandaj, që nga ai çast e më tej, ithtarët e Jezuit do t’i bënin ballë urrejtjes dhe përndjekjes në të njëjtën mënyrë si Jezui: me trimëri, por në mënyrë paqësore. Me siguri të plotë, do t’ia linin në dorë çështjet Jehovait dhe do të mbështeteshin tek ai për të marrë forcë që të qëndronin.—Luka 22:42.
19 Vite më vonë, Pjetri shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. . . . Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjetrit 2:21-23) Ashtu siç kishte paralajmëruar Jezui, gjatë viteve të krishterët kanë hasur përndjekje të ashpër. Si në shekullin e parë, edhe në kohën tonë, ata kanë ndjekur shembullin e Jezuit dhe kanë lënë një shembull të shkëlqyer duke qëndruar me besnikëri, duke treguar se e mbajnë integritetin në mënyrë paqësore. (Zbulesa 2:9, 10) Veproftë kështu secili prej nesh, kur të na e kërkojnë rrethanat!—2 Timoteut 3:12.
«Vishuni me Zotërinë Jezu Krisht»
20-22. Në ç’kuptim të krishterët ‘vishen me Zotërinë Jezu Krisht’?
20 Pavli i shkroi kongregacionit në Romë: «Vishuni me Zotërinë Jezu Krisht dhe mos bëni që më përpara plane për dëshirat e mishit.» (Romakëve 13:14) Në kuptimin e figurshëm të krishterët e veshin Jezuin si një veshje, domethënë përpiqen t’i imitojnë cilësitë dhe veprimet e tij në një masë të tillë, saqë bëhen pasqyrim i Zotërisë së tyre, edhe pse ky pasqyrim është i papërsosur.—1 Selanikasve 1:6.
21 Mund të arrijmë ‘të vishemi me Zotërinë Jezu Krisht’ nëse njohim mirë jetën e tij dhe
përpiqemi të jetojmë siç jetonte ai. Imitojmë përulësinë e tij, dashurinë për drejtësinë, urrejtjen për paligjshmërinë, dashurinë që kishte për vëllezërit, faktin që nuk ishte pjesë e botës, si edhe qëndrueshmërinë me durim gjatë vuajtjeve. Nuk ‘planifikojmë që më përpara për dëshirat e mishit’, domethënë nuk kemi si synim kryesor në jetë arritjen e qëllimeve në botë ose kënaqjen e dëshirave të mishit. Përkundrazi, kur duhet të marrim një vendim ose kur kemi një problem, pyesim: ‘Çfarë do të bënte Jezui në këtë situatë? Çfarë do të donte ai që të bëja unë?’22 Së fundi, e imitojmë Jezuin kur jemi të zënë me ‘predikimin e lajmit të mirë’. (Mateu 4:23; 1 Korintasve 15:58) Edhe në këtë pikë, të krishterët ndjekin modelin që dha Jezui. Artikulli vijues do të tregojë si e bëjnë këtë.
A mund të shpjegoni?
• Pse është thelbësore që të krishterët të jenë të përulur?
• Si të zhvillojmë pikëpamjen e duhur për të drejtën dhe të gabuarën?
• Si e imitojnë të krishterët Jezuin kur hasin kundërshtime dhe përndjekje?
• Si është e mundur ‘të vishemi me Zotërinë Jezu Krisht’?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 7]
Jezui dha modelin e përsosur të përulësisë
[Figura në faqen 8]
Çdo aspekt i jetës së një të krishteri, ku futet edhe predikimi, kërkon përulësi
[Figura në faqen 9]
Satanai mund të bëjë që zbavitjet e gabuara t’i duken të pranueshme një të krishteri
[Figura në faqen 10]
Dashuria e vëllezërve tanë do të na forcojë të durojmë kundërshtimin