Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vaktet: Vetëm sa për të ngrënë?

Vaktet: Vetëm sa për të ngrënë?

Vaktet: Vetëm sa për të ngrënë?

ÇDO NJERI e ka qejf një vakt të mirë. E kur ushqimit i shtojmë ca biseda të mira dhe shoqërinë e përzemërt të njerëzve që duam, atëherë vakti bëhet një rast i mrekullueshëm, që nuk na shuan vetëm urinë për bukë. Shumë familje e kanë zakon të mblidhen të paktën një herë në ditë për të ngrënë së bashku. Këto vakte i krijojnë familjes mundësinë për të folur rreth ngjarjeve të ditës ose rreth planeve që kanë. Prindërit dëgjojnë komentet dhe fjalët e fëmijëve, e kështu krijojnë një ide për mendimet dhe ndjenjat e vogëlushëve të tyre. Me kalimin e kohës, shoqëria e këndshme dhe e çlirët që gëzon familja gjatë një vakti, farkëton brenda saj një ndjenjë sigurie, besimi dhe dashurie. Këto ndjenja i japin qëndrueshmëri vatrës familjare.

Sot, ngaqë shumë pjesëtarë të familjes janë gjithnjë të ngarkuar dhe të zënë, e kanë të vështirë të mblidhen së bashku për të ngrënë një vakt. Në disa pjesë të botës, sipas zakoneve të vendit, nuk është mirë që familjarët të hanë së bashku, e madje as të flasin gjatë kohës së ngrënies. Disa familje e kanë zakon që ndezin televizorin kur ulen për të ngrënë, dhe kështu privohen nga çdo lloj komunikimi domethënës.

Sidoqoftë, prindërit e krishterë janë gjithnjë syçelë për t’i shfrytëzuar rastet që mund ta ndërtojnë ose forcojnë shtëpinë e tyre. (Fjalët e urta 24:27) Para shumë kohësh, prindërve iu tha se mundësia më e mirë për t’u folur fëmijëve për fjalën e Perëndisë, ishte ‘kur rrinin ulur në shtëpinë e tyre’. (Ligji i përtërirë 6:7) Kur ulen rregullisht me fëmijët për të ngrënë një vakt, kjo u jep prindërve mundësinë e pashoqe që të ngulitin te të vegjlit dashurinë e thellë për Jehovain dhe për parimet e tij të drejta. Duke krijuar një atmosferë të gëzuar dhe të çlirët, edhe ju mund ta ktheni vaktin në një përvojë të kënaqshme dhe ndërtuese për familjen. Po, bëni çmos që për ju vaktet të mos jenë vetëm sa për të ngrënë!