Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krishti​—Qendra e profecive

Krishti​—Qendra e profecive

Krishti​—Qendra e profecive

«Dhënia e dëshmisë për Jezuin është ajo që frymëzon profetizimin.»​—Zbulesa 19:10.

1, 2. (a) Përballë cilit vendim u gjend Izraeli, duke filluar nga viti 29 i e.s.? (b) Çfarë do të shqyrtohet në këtë artikull?

ËSHTË viti 29 i erës sonë. Izraeli zien nga bisedat për Mesinë e premtuar. Shërbimi i Gjon Pagëzorit ua ka shtuar edhe më shumë ndjenjën e pritjes. (Luka 3:15) Gjoni u thotë se nuk është Krishti, por u tregon Jezuin e Nazaretit dhe pohon: «Kam dhënë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:20, 34) S’kalon shumë kohë dhe turma të tëra njerëzish i shkojnë pas Jezuit që ta dëgjojnë kur mëson dhe të shërohen prej tij.

2 Në muajt që vijojnë, Jehovai u jep njerëzve një mal me dëshmi për Birin e tij. Ata që i kanë studiuar Shkrimet dhe që shohin veprat e Jezuit, kanë baza të forta për të besuar tek ai. Mirëpo, në përgjithësi populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje tregon mungesë besimi. Ata që pranojnë se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë, janë të paktë. (Gjoni 6:60-69) Ç’do të kishe bërë ti, po të jetoje në atë kohë? A do të ishe nxitur ta pranoje Jezuin si Mesia dhe të bëheshe ithtar besnik i tij? Shqyrto dëshmitë që dha vetë Jezui për identitetin e tij, kur e akuzuan se po shkelte sabatin, dhe vër re provat e mëtejshme që paraqiti, për t’u forcuar besimin dishepujve të tij besnikë.

Vetë Jezui jep dëshmi

3. Cilat rrethana e detyruan Jezuin të jepte dëshmi për identitetin e tij?

3 Është Pashka e vitit 31 të erës sonë. Jezui ndodhet në Jerusalem, dhe sapo ka shëruar një njeri që ishte i sëmurë prej 38 vjetësh. Mirëpo, judenjtë s’e lënë të qetë, ngaqë këtë gjë e ka bërë në sabat. Veç kësaj, e akuzojnë për blasfemi dhe duan ta vrasin, sepse Perëndinë e quan Atin e tij. (Gjoni 5:1-9, 16-18) Për ta mbrojtur veten, Jezui paraqet tri argumente të fuqishme, të cilat do ta kishin bindur çdo jude të sinqertë se cili ishte identiteti i tij i vërtetë.

4, 5. Cili ishte qëllimi i shërbimit të Gjonit, dhe si e përmbushi ai këtë?

4 Së pari, Jezui paraqet dëshminë e pararendësit të tij, Gjon Pagëzorit. Ai thotë: «Ju keni dërguar njerëz te Gjoni dhe ai ka dhënë dëshmi për të vërtetën. Ai njeri ishte një llambë që digjet e ndriçon dhe për pak kohë ju patët dëshirë të gëzonit shumë nën dritën e tij.»​—Gjoni 5:33, 35.

5 Gjon Pagëzori ishte ‘një llambë që digjej e ndriçonte’ në kuptimin që, para se të burgosej padrejtësisht nga Herodi, kishte përmbushur detyrën që i kishte ngarkuar Perëndia, të përgatiste rrugën për Mesinë. Gjoni tha: «Arsyeja përse erdha për të pagëzuar në ujë, ishte që [Mesia] t’i shfaqej Izraelit. . . . E pashë frymën të zbriste nga qielli porsi një pëllumb dhe qëndroi mbi të. As unë nuk e njihja, por pikërisht Ai që më dërgoi për të pagëzuar në ujë, më tha: ‘Ai mbi të cilin sheh të zbresë e të qëndrojë fryma, ky është ai që pagëzon me frymë të shenjtë.’ Dhe unë e kam parë atë dhe kam dhënë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.» * (Gjoni 1:26-37) Gjoni e identifikoi Jezuin në mënyrë specifike si Birin e Perëndisë, Mesinë e premtuar. Dëshmia e Gjonit ishte kaq e qartë, saqë edhe tetë muaj pasi ai kishte vdekur, shumë judenj të sinqertë pranuan: «Gjithë sa tha Gjoni për këtë njeri, ishin të gjitha të vërteta.»​—Gjoni 10:41, 42.

6. Pse veprat që bëri Jezui duhej t’i kishin bindur njerëzit se ai kishte mbështetjen e Perëndisë?

6 Së dyti, Jezui përdor një argument tjetër për të vërtetuar identitetin e tij si Mesia. Si provë se ka mbështetjen e Perëndisë, ai tregon veprat e mira që ka bërë. «Unë e kam dëshminë më të madhe se ajo e Gjonit, sepse vetë veprat që Ati im më caktoi për të kryer, pikërisht ato vepra që po bëj, japin dëshmi për mua se Ati më dërgoi»,​—thotë ai. (Gjoni 5:36) As armiqtë e Jezuit nuk e mohonin dot këtë dëshmi që përfshinte shumë mrekulli. «Ç’duhet të bëjmë, se ky njeri kryen shumë shenja?»​—pyesin më vonë disa prej tyre. (Gjoni 11:47) Megjithatë, disa judenj reagojnë mirë dhe thonë: «Kur të mbërrijë Krishti, mos do të kryejë më shumë shenja nga sa ka kryer ky njeri?» (Gjoni 7:31) Dëgjuesit e Jezuit ishin në situatën më të favorshme për të dalluar cilësitë e Atit që pasqyroheshin te Biri i tij.​—Gjoni 14:9.

7. Si japin dëshmi për Jezuin Shkrimet Hebraike?

7 Së fundi, Jezui e drejton vëmendjen te një dëshmi e pakundërshtueshme. Ai thotë: «Shkrimet . . . janë pikërisht ato që japin dëshmi për mua.» Pastaj shton: «Po të besonit Moisiun, do të më besonit mua, sepse ai shkroi për mua.» (Gjoni 5:39, 46) Natyrisht, Moisiu ishte vetëm një nga dëshmitarët e shumtë të epokës para krishterimit që shkruan për Krishtin. Në shkrimet e tyre ka me qindra profeci dhe përshkrime të hollësishme gjenealogjike, e që të gjitha ndihmojnë për të identifikuar Mesinë. (Luka 3:23-38; 24:44-46; Veprat 10:43) Po Ligji i Moisiut? «Ligji është bërë tutori ynë që çon te Krishti»,​—shkroi apostulli Pavël. (Galatasve 3:24) Po, «dhënia e dëshmisë për Jezuin është ajo që frymëzon [ose, është gjithë prirja, qëllimi dhe synimi i] profetizimin».​—Zbulesa 19:10.

8. Pse shumë judenj nuk e besuan Mesinë?

8 A nuk do të të kishin bindur gjithë këto dëshmi, pra dëshmia e qartë e Gjonit, veprat e fuqishme dhe cilësitë e perëndishme të Jezuit, si dhe provat e panumërta të Shkrimeve, se Jezui ishte Mesia? Kushdo që kishte vërtet dashuri për Perëndinë dhe për Fjalën e tij do ta kuptonte menjëherë këtë dhe do të tregonte besim se Jezui ishte Mesia i premtuar. Por në përgjithësi, në Izrael, kjo dashuri mungonte. Jezui u tha kundërshtarëve të tij: «E di mirë se dashurinë e Perëndisë nuk e keni brenda jush.» (Gjoni 5:42) Ata ‘s’po kërkonin lavdinë që është nga i vetmi Perëndi’, por ‘pranonin lavdi prej njëri-tjetrit’. Kuptohet pse nuk ishin dakord me Jezuin, i cili, ashtu si Ati i tij, ndiente neveri për këtë mënyrë të menduari!​—Gjoni 5:43, 44; Veprat 12:21-23.

Të forcuar nga një vegim profetik

9, 10. (a) Pse shenja që dha Jezui ishte tamam në kohën e duhur për dishepujt? (b) Cilin premtim të veçantë u bëri Jezui dishepujve të tij?

9 Ka kaluar më shumë se një vit që kur Jezui dha dëshmitë e mësipërme, të cilat tregonin se ishte Mesia. Ka kaluar edhe Pashka e vitit 32 të e.s. Shumë veta që më parë besonin te Jezui, nuk po e ndjekin më, ndoshta për shkak të përndjekjes, të materializmit ose të anktheve të jetës. Të tjerë mund të jenë hutuar ose të jenë zhgënjyer, sepse Jezui nuk pranoi që njerëzit ta bënin mbret. Kur udhëheqësit fetarë judenj e sfiduan, ai nuk pranoi t’u jepte një shenjë nga qielli që të lartësonte veten. (Mateu 12:38, 39) Kjo mund t’i ketë lënë disa të paqartë. Për më tepër, Jezui ka filluar t’u zbulojë dishepujve diçka që e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë. ‘Ai duhet të shkojë në Jerusalem dhe të vuajë shumë gjëra nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët, e të vritet.’​—Mateu 16:21-23.

10 Pas nëntë a dhjetë muajsh, do të vinte koha që «[Jezui] të largohej nga kjo botë për tek Ati». (Gjoni 13:1) Ngaqë është shumë i merakosur për dishepujt e tij besnikë, Jezui u premton disave prej tyre të njëjtën gjë që nuk pranoi ta bënte për judenjtë e pabesë, pra një shenjë nga qielli. «Vërtet po ju them se ka disa nga ata që po qëndrojnë këtu që nuk do të shijojnë fare vdekje para se të shohin më parë Birin e njeriut, duke ardhur në mbretërinë e tij»,​—thotë Jezui. (Mateu 16:28) Sigurisht, ai nuk po thotë se disa nga dishepujt e tij do të jetojnë derisa të vendoset Mbretëria Mesianike në vitin 1914. Por, ka ndër mend që t’u japë tre dishepujve të tij më të afërt një vegim profetik madhështor të lavdisë së tij, kur merr pushtetin e Mbretërisë. Ky vegim profetik quhet shpërfytyrimi.

11. Përshkruani vegimin e shpërfytyrimit.

11 Gjashtë ditë më vonë, Jezui merr Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin e shkon në një mal të lartë, ndoshta në një nga kreshtat e malit Hermon. Atje, Jezui ‘shpërfytyrohet para tyre dhe fytyra i shkëlqen si dielli dhe rrobat i bëhen të ndritshme si drita’. Bashkë me Jezuin shfaqen edhe dy profetë, Moisiu dhe Elija, që po bisedojnë me të. Ka mundësi që kjo ngjarje mahnitëse ndodh natën, dhe kjo e bën edhe më mbresëlënëse. Në fakt, është kaq e gjallë, saqë Pjetri propozon të ngrejë tri tenda, një për Jezuin, një për Moisiun dhe një për Elijan. Ndërkohë që Pjetri është ende duke folur, një re e shndritshme i mbulon, dhe një zë nga reja thotë: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar; dëgjojeni.»​—Mateu 17:1-6.

12, 13. Çfarë ndikimi pati shpërfytyrimi te dishepujt e Jezuit dhe përse?

12 Vërtet që pak kohë më parë Pjetri kishte pohuar se Jezui është «Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». (Mateu 16:16) Por, mendo pak se ç’do të thotë të dëgjosh vetë Perëndinë që jep dëshmi, duke vërtetuar identitetin dhe rolin e Birit të tij të mirosur! Sa shumë ia forcon besimin Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit ky vegim i shpërfytyrimit! Tani që besimi i tyre është shumë më i fortë, janë më të përgatitur për atë që i pret dhe për rolin e rëndësishëm që do të kenë në kongregacionin e ardhshëm.

13 Shpërfytyrimi u ngulitet thellë në mendje dishepujve. Më shumë se 30 vjet më vonë, Pjetri shkruan: «[Jezui] mori prej Perëndisë, Atit, nder dhe lavdi, kur prej lavdisë madhështore iu drejtuan fjalë të tilla si këto: ‘Ky është biri im, i dashuri im, të cilin unë vetë e kam miratuar.’ Po, këto fjalë i dëgjuam kur u drejtuan nga qielli, tek ishim bashkë me të në malin e shenjtë.» (2 Pjetrit 1:17, 18) Edhe Gjonit i lë po kaq mbresa kjo ngjarje. Më shumë se 60 vjet pasi ka ndodhur, Gjoni me sa duket i referohet kësaj ngjarjeje kur thotë: «Na u dha një pamje e lavdisë së tij, një lavdi si ajo që i përket një biri të vetëmlindur nga një atë.» (Gjoni 1:14) E megjithatë, shpërfytyrimi nuk ishte vegimi i fundit që iu dha ithtarëve të Jezuit.

Kuptueshmëri e mëtejshme për besnikët e Perëndisë

14, 15. Në ç’kuptim Gjoni do të mbetej derisa të vinte Jezui?

14 Pas ringjalljes, Jezui u shfaqet dishepujve të tij pranë Detit të Galilesë. Atje i thotë Pjetrit: «Nëse është vullneti im që [Gjoni] të mbetet derisa të vij unë, ç’punë ke ti?» (Gjoni 21:1, 20-22, 24) A tregojnë këto fjalë se apostulli Gjon do të jetonte më tepër se apostujt e tjerë? Me sa duket po, sepse vazhdon t’i shërbejë Jehovait me besnikëri edhe për nja 70 vjet të tjerë. Megjithatë, fjalët e Jezuit nuk tregonin vetëm këtë.

15 Shprehja «derisa të vij» na sjell ndër mend fjalët e Jezuit kur tha se ‘Biri i njeriut do të vijë në mbretërinë e tij’. (Mateu 16:28) Gjoni mbetet derisa vjen Jezui në kuptimin që, më vonë, sheh një vegim profetik me Jezuin që merr pushtetin e Mbretërisë. Aty nga fundi i jetës së Gjonit, kur është i syrgjynosur në ishullin e Patmosit, atij i jepet Zbulesa dhe gjithë shenjat profetike mahnitëse të ngjarjeve që do të ndodhin gjatë ‘ditës së Zotërisë’. Gjoni preket kaq shumë nga këto vegime të jashtëzakonshme, saqë kur Jezui thotë: «Po; unë po vij me të shpejtë», ai i përgjigjet: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»​—Zbulesa 1:1, 10; 22:20.

16. Pse është e rëndësishme që të vazhdojmë ta forcojmë besimin tonë?

16 Njerëzit me zemër të sinqertë që jetojnë në shekullin e parë, e pranojnë Jezuin si Mesia dhe tregojnë besim tek ai. Ata që bëhen besimtarë kanë nevojë të forcohen, duke pasur parasysh mungesën e besimit përreth tyre, veprën që duhet të kryejnë dhe sprovat që i presin. Jezui ka dhënë prova të bollshme se është Mesia dhe ka dhënë vegime profetike që japin kuptueshmëri​—të gjitha këto për të inkurajuar ithtarët e tij besnikë. Tani ne kemi hyrë thellë në «ditën e Zotërisë». Së shpejti, Krishti do të shkatërrojë gjithë sistemin e lig të Satanait dhe do të çlirojë popullin e Perëndisë. Edhe ne duhet ta forcojmë besimin, duke përfituar plotësisht nga të gjitha masat që ka marrë Jehovai për mirëqenien tonë frymore.

Të mbrojtur në mes të errësirës dhe shtrëngimit

17, 18. Cili dallim i dukshëm ekzistonte në shekullin e parë mes ithtarëve të Jezuit dhe atyre që i kundërviheshin qëllimit të Perëndisë? Si shkuan gjërat për secilin grup?

17 Pas vdekjes së Jezuit, dishepujt i binden me guxim urdhrit të tij që të japin dëshmi për të «si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Me gjithë përndjekjet që lindin herë pas here, Jehovai e bekon kongregacionin e krishterë të sapoformuar, duke i dhënë kuptueshmëri frymore dhe duke shtuar shumë dishepuj të rinj.​—Veprat 2:47; 4:1-31; 8:1-8.

18 Nga ana tjetër, shpresat e atyre që i kundërvihen lajmit të mirë sa vijnë dhe bëhen më të zymta. «Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë»,​—thuhet te Fjalët e urta (Proverbat) 4:19. «Terri» bëhet edhe më i dendur në vitin 66 të e.s., kur ushtritë romake rrethojnë Jerusalemin. Pasi tërhiqen përkohësisht pa ndonjë arsye të dukshme, romakët rikthehen në vitin 70 të e.s., por kësaj radhe e rrafshojnë qytetin. Sipas Jozefit, një historiani jude, vdesin më shumë se një milion judenj. Kurse të krishterët besnikë shpëtojnë. Pse? Sepse kur hiqet rrethimi i parë, ata i binden urdhrit të Jezuit dhe ikin nga ajo zonë.​—Luka 21:20-22.

19, 20. (a) Pse populli i Perëndisë s’ka arsye t’i frikësohet fundit që po i afrohet këtij sistemi? (b) Ç’kuptueshmëri të veçantë i dha Jehovai popullit të tij në dhjetëvjeçarët para vitit 1914?

19 Situata jonë është e ngjashme me atë në shekullin e parë. Shtrëngimi i madh që po vjen do të sjellë fundin e gjithë sistemit të lig të Satanait. Kurse populli i Perëndisë s’ka pse të frikësohet, sepse Jezui premtoi: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20) Që t’u forconte besimin dishepujve të hershëm dhe t’i përgatiste për atë që i priste, Jezui u dha një vegim profetik të lavdisë së tij qiellore si Mbret Mesianik. Po sot? Në vitin 1914 ky vegim profetik u bë realitet. Ky realitet ia ka forcuar shumë besimin popullit të Perëndisë, pasi përmban premtimin për një të ardhme të mrekullueshme. Shërbëtorëve të Jehovait u është dhënë gjithnjë e më shumë kuptueshmëri për këtë. Në mes të botës së sotme që sa vjen e zhytet në errësirë, «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë».​—Fjalët e urta 4:18.

20 Që para vitit 1914, një grup i vogël të krishterësh të mirosur filloi të kuptonte disa të vërteta të rëndësishme për kthimin e Zotërisë. Për shembull, ata kuptuan se ky kthim do të ishte i padukshëm, siç u nënkuptua edhe nga fjalët e dy engjëjve që iu shfaqën dishepujve në vitin 33 të e.s., kur Jezui po ngjitej në qiell. Pasi Jezuin e mbuloi një re, dhe ua fshehu nga sytë dishepujve, engjëjt thanë: «Ky Jezu që u mor nga ju lart në qiell, kështu do të vijë në të njëjtën mënyrë, siç e keni parë të shkojë në qiell.»​—Veprat 1:9-11.

21. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

21 Ikjen e Jezuit e panë vetëm ithtarët e tij besnikë. Ashtu si edhe në rastin e shpërfytyrimit, nuk pati ndonjë shfaqje publike, pra bota në përgjithësi as që e dinte se ç’kishte ndodhur. E njëjta gjë do të ishte edhe kur Krishti të kthehej, në pushtetin e Mbretërisë. (Gjoni 14:19) Vetëm dishepujt e mirosur besnikë do ta kuptonin praninë e tij si Mbret. Në artikullin vijues, do të shohim se si kjo kuptueshmëri do të ndikonte thellë tek ata, e kështu do të sillte si rezultat mbledhjen e miliona vetave, që do të bëheshin nënshtetas tokësorë të Jezuit.​—Zbulesa 7:9, 14.

[Shënimi]

^ par. 5 Me sa duket, kur Jezui u pagëzua, zërin e Perëndisë e dëgjoi vetëm Gjoni. Judenjtë, të cilëve po u drejtohet tani Jezui, ‘nuk e kanë dëgjuar asnjëherë zërin e Perëndisë dhe as nuk e kanë parë pamjen e tij’.​—Gjoni 5:37.

A ju kujtohet?

• Çfarë provash dha Jezui për të treguar se ishte Mesia, kur e akuzuan se shkelte sabatin dhe blasfemonte?

• Si nxorën dobi dishepujt e hershëm të Jezuit nga shpërfytyrimi?

• Ç’kishte ndër mend Jezui kur tha se Gjoni do të mbetej derisa ai të vinte?

• Cili vegim profetik u bë realitet në vitin 1914?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Jezui dha dëshmi për të treguar se ishte Mesia

[Figura në faqen 12]

Vegimi i shpërfytyrimit ua forcoi besimin dishepujve

[Figura në faqen 13]

Gjoni do të mbetej derisa ‘të vinte’ Jezui