Jeta: E çmuar apo pa vlerë?
Jeta: E çmuar apo pa vlerë?
«Meqenëse njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, atëherë kur vret dikë, ke shkatërruar gjënë më të çmuar dhe më të shenjtë në botë.»—The Plain Man’s Guide to Ethics, nga Uilliam Barkli.
‘GJËJA më e çmuar në botë.’ A ke edhe ti të njëjtën pikëpamje për jetën? Nga mënyra se si sillen njerëzit, është e qartë se shumë nuk janë dakord me pohimin e këtij shkrimtari. Miliona jetë janë shuar për shkak të mizorisë së njerëzve të dhunshëm, të cilët rendin pas qëllimeve të tyre egoiste, pa marrë parasysh fare mirëqenien e të tjerëve.—Predikuesi 8:9.
Shfrytëzohen dhe flaken tej
Lufta I Botërore ishte një shembull tipik. Nga sa thotë historiani A. J. P. Tejlor, gjatë atij konflikti të tmerrshëm, herë pas here «jeta e njerëzve sakrifikohej për hiç gjë». Duke rendur pas prestigjit dhe lavdisë, komandantët ushtarakë i përdornin ushtarët sikur të ishin sende pa vlerë që mund t’i shfrytëzonin sa të donin. Në betejën e Verdenit në Francë, numri i atyre që humbën jetën arriti më shumë se gjysmë milioni. «Nuk kishte trofe [të një vlere strategjike] për t’u fituar apo për t’u humbur,—shkruan Tejlori,—vetëm duhej të vritnin sa më shumë njerëz për të fituar lavdi.»—Lufta e Parë Botërore (anglisht).
Një përbuzje e tillë për vlerën që ka jeta vazhdon të jetë po kaq e përhapur. Studiuesi Kevin Bejls komenton se kohët e fundit, «për shkak të rritjes së madhe të popullsisë, tregjet e punës në botë [janë] mbushur plot me miliona njerëz të varfër dhe të mjerë». Gjatë gjithë jetës, këta luftojnë për të mbijetuar në sistemin tregtar shtypës, ku «jeta zhvlerësohet». Bejlsi thotë se ata që i shfrytëzojnë këta njerëz, i trajtojnë
tamam si skllevër, «si sende që i përdorin për të nxjerrë para dhe i flakin tej».—Njerëz që flaken tej (anglisht).«Përpjekje për të kapur erën»
Ka shumë arsye të tjera se përse miliona njerëz ndihen si të pavlerë dhe të dëshpëruar e mendojnë që askujt nuk i bëhet vonë nëse ata jetojnë apo jo. Sot, përveç luftës dhe padrejtësive, janë edhe thatësirat, zia e bukës, sëmundjet, humbja e një të afërmi dhe shumë e shumë katastrofa të tjera shkretuese që e mundojnë gjithë njerëzimin, prandaj njerëzit pyesin veten nëse ia vlen të jetosh apo jo.—Predikuesi 1:8, 14.
Sigurisht që jo çdokush përballet me një jetë të tillë, me kaq shumë humbje dhe hidhërim. Por, edhe ata që nuk kanë vuajtur ndonjëherë nga shtypja e tmerrshme, shpesh janë shprehur ngjashëm mbretit Solomon të Izraelit të lashtë, që pyeti: «Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell?» Pasi mendohen, shumë veta e kuptojnë se shumë nga ato që kanë bërë në jetë, kanë qenë «kotësi dhe përpjekje për të kapur erën».—Predikuesi 2:22, 26.
«Kjo është e gjitha?»—pyesin disa kur mendojnë për të kaluarën e tyre. Sa njerëz ka që në fund të jetës së tyre ndihen ‘të ngopur me ditë’, ashtu si patriarku Abraham? (Zanafilla 25:8) Ka shumë njerëz që e ndiejnë vazhdimisht kotësinë e jetës. Por, jeta nuk ka pse të jetë kotësi. Perëndia e konsideron të çmuar çdo jetë njerëzore dhe dëshiron që secili prej nesh të ketë një jetë domethënëse dhe të mirë. Si do të arrihet kjo? Lexo se çfarë thotë artikulli vijues për këtë çështje.