Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të krishterë: Jini krenarë për identitetin tuaj!

Të krishterë: Jini krenarë për identitetin tuaj!

Të krishterë: Jini krenarë për identitetin tuaj!

«Ai që mburret, le të mburret në Jehovain.»​—1 KORINTASVE 1:31.

1. Cila prirje po vihet re në qëndrimin e njerëzve ndaj fesë?

«APATEIZËM.» Këtë fjalë e përdori kohët e fundit një komentues i çështjeve fetare, për të përshkruar qëndrimin që kanë shumë njerëz ndaj besimit të tyre. Ky komentues shpjegoi: «Rryma kryesore që ka lindur në fenë moderne nuk është një fe e re, por një qëndrim, që me të drejtë përshkruhet me emrin ‘apateizëm’.» Duke shpjeguar më tej, ai e përkufizoi apateizmin si «mungesën e dëshirës së dikujt për t’u marrë me fenë e vet». Sipas tij, shumë njerëz «besojnë te Perëndia . . . , vetëm se nuk interesohen edhe aq shumë për të».

2. (a) Pse nuk habitemi që njerëzit janë bërë indiferentë për sa i përket fesë? (b) Çfarë rreziku përbën për të krishterët kjo indiferencë?

2 Kjo prirje e njerëzve për të qenë apatikë ose indiferentë nuk i habit studentët e Biblës. (Luka 18:8) Madje një mosinteresim i tillë duhet pritur, kur bëhet fjalë për fenë në përgjithësi. Feja e rreme, për kaq shumë kohë, e ka ngatërruar dhe zhgënjyer njerëzimin. (Zbulesa 17:15, 16) Mirëpo, kjo frymë për t’i bërë gjërat me gjysmë zemre, e cila ka pushtuar botën, si edhe mungesa e zellit, përbën një rrezik për të krishterët e vërtetë. Ne s’mund t’ia lejojmë vetes të bëhemi indiferentë për besimin tonë dhe të humbim zellin për shërbimin ndaj Perëndisë dhe për të vërtetën biblike. Jezui paralajmëroi për një gjendje të tillë të vakët kur këshilloi kongregacionin e të krishterëve të shekullit të parë që jetonte në Laodice: «Nuk je as i ftohtë, as i ngrohtë. Do të doja të ishe ose i ftohtë, ose i ngrohtë. . . . Je i vakët.»​—Zbulesa 3:15-18.

Të kuptojmë identitetin tonë

3. Për cilat veçori të identitetit të tyre mund të jenë krenarë të krishterët?

3 Për të luftuar apatinë frymore, të krishterët duhet ta kenë të qartë në mendje se kush janë dhe të kenë një ndjenjë të ekuilibruar krenarie për identitetin e tyre të veçantë. Në Bibël ka shprehje që përshkruajnë identitetin tonë si shërbëtorë të Jehovait dhe si dishepuj të Krishtit. Ne jemi «dëshmitarët» e Jehovait, «bashkëpunëtorë të Perëndisë», ndërsa u flasim me zell të tjerëve për ‘lajmin e mirë’. (Isaia 43:10; 1 Korintasve 3:9; Mateu 24:14) Jemi njerëz që ‘e duam njëri-tjetrin’. (Gjoni 13:34) Të krishterët e vërtetë janë individë që «nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Jemi «ndriçues në botë». (Filipianëve 2:15) Përpiqemi ‘ta mbajmë të shkëlqyer sjelljen tonë mes kombeve’.​—1 Pjetrit 2:12; 2 Pjetrit 3:11, 14.

4. Si mund ta përcaktojë një adhurues i Jehovait se çfarë nuk është?

4 Adhuruesit e vërtetë të Jehovait e dinë edhe se çfarë nuk janë. «Ata nuk janë pjesë e botës», ashtu siç nuk ishte pjesë e botës Udhëheqësi i tyre, Jezu Krishti. (Gjoni 17:16) Qëndrojnë të ndarë nga «kombet», që «janë në errësirë mendërisht dhe të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë». (Efesianëve 4:17, 18) Si rrjedhojë, ithtarët e Jezuit ‘hedhin poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e jetojnë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devocion hyjnor mes këtij sistemi të tanishëm’.​—Titit 2:12.

5. Çfarë nënkupton këshilla që ‘të mburremi në Jehovain’?

5 Pikëpamja e qartë që kemi për identitetin tonë dhe marrëdhënia që kemi me Sundimtarin Sovran të universit na motivon që ‘të mburremi në Jehovain’. (1 Korintasve 1:31) Në ç’kuptim mburremi? Si të krishterë të vërtetë, jemi krenarë që kemi Jehovain si Perëndi. Ne ndjekim këshillën: «Kush lavdërohet [mburret, BR] të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë.» (Jeremia 9:24) ‘Mburremi’ me privilegjin që njohim Perëndinë dhe që ai po na përdor për të ndihmuar të tjerët.

Vështirësia

6. Pse disa e kanë të vështirë të mbajnë një pikëpamje të qartë për identitetin e tyre si të krishterë?

6 Kuptohet, nuk është gjithnjë e lehtë të mbajmë një pikëpamje të qartë për identitetin tonë si të krishterë. Le të marrim rastin e një të riu, i cili u rrit në një familje të krishterë. Atij i kujtohet se për njëfarë kohe kishte qenë në një gjendje të dobët frymore: «Nganjëherë më dukej se nuk e dija pse isha Dëshmitar i Jehovait. Ma kishin mësuar të vërtetën biblike që kur isha fëmijë. Ndonjëherë më dukej sikur kjo s’ishte veçse një fe tjetër kryesore, e pranuar nga të gjithë.» Të tjerë mund të kenë lejuar që identitetin t’ua modelojë bota e zbavitjes, mjetet e informacionit dhe pikëpamja e sotme për jetën, që është krejt e paperëndishme. (Efesianëve 2:2, 3) Disa të krishterë mund të kalojnë nganjëherë periudha kur dyshojnë te vetja dhe kur duan të rishqyrtojnë vlerat ose synimet e tyre.

7. (a) Cili lloj vetëshqyrtimi është i përshtatshëm për shërbëtorët e Perëndisë? (b) Ku qëndron rreziku?

7 A është e gabuar që herë pas here të bëjmë një vetëshqyrtim të kujdesshëm? Jo. Ndoshta ju kujtohet që apostulli Pavël i nxiti të krishterët që të analizonin vazhdimisht veten: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Këtu apostulli po i inkurajonte të gjithë që të përpiqeshin me sinqeritet të dallonin nëse kishin dobësi frymore, me qëllim që të bënin veprimet e nevojshme për t’i ndrequr këto dobësi. Kur vë në provë veten nëse është në besim, një i krishterë duhet të përcaktojë nëse fjalët dhe veprimet e tij janë në përputhje me ato që pohon se beson. Por, në qoftë se vetëshqyrtimi merr një drejtim të gabuar dhe na nxit të kërkojmë «identitetin» dhe përgjigjet që nuk bazohen në marrëdhënien me Jehovain a me kongregacionin e krishterë, do të jetë i kotë, dhe madje shumë i rrezikshëm frymësisht. * Nuk do të donim kurrë ‘të përjetonim anijethyerje në lidhje me besimin tonë’.​—1 Timoteut 1:19.

Nuk jemi të imunizuar nga vështirësitë

8, 9. (a) Si shprehu Moisiu ndjenja dyshimi për veten? (b) Si reagoi Jehovai ndaj ngurrimit të Moisiut? (c) Si ndikojnë te ti premtimet siguruese që bën Jehovai?

8 A duhet të mendojnë se kanë dështuar të krishterët që nganjëherë dyshojnë te vetja? Sigurisht që jo! Madje, mund të ngushëllohen duke ditur se nuk janë të vetmit me ndjenja të tilla. Edhe në të kaluarën ka pasur dëshmitarë besnikë të Perëndisë që kanë përjetuar probleme të tilla. Le të marrim, për shembull, Moisiun, që ka pasur besim, besnikëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Kur Perëndia i caktoi një detyrë që dukej shumë e rëndë, Moisiu pyeti me ndrojtje: «Kush jam unë?» (Eksodi [Dalja] 3:11) Me sa duket, përgjigjja që kishte në mendje ishte: ‘Unë s’jam askush!’ ose ‘S’jam i aftë!’ Ndoshta këto ndjenja pavlefshmërie Moisiut mund t’ia kenë shkaktuar disa aspekte të së kaluarës, për shembull ai i përkiste një kombi skllevërish. Izraelitët nuk e kishin dashur. Nuk ishte njeri i gojës. (Eksodi 1:13, 14; 2:11-14; 4:10) Ishte bari, një punë që egjiptianët e urrenin. (Zanafilla 46:34) Prandaj, nuk habitemi që s’ndihej i aftë për t’u bërë çliruesi i popullit të skllavëruar të Perëndisë!

9 Jehovai e siguroi Moisiun me dy premtime të fuqishme: «Unë do të jem me ty dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal.» (Eksodi 3:12) Perëndia po e siguronte shërbëtorin e tij të ndrojtur se do të ishte gjithnjë me të. Gjithashtu, Jehovai po i tregonte se do ta çlironte patjetër popullin e tij. Gjatë shekujve, Perëndia ka dhënë premtime të ngjashme se do t’i mbështeste shërbëtorët e tij. Për shembull, në kohën kur izraelitët po bëheshin gati të hynin në Tokën e Premtuar, ai tha nëpërmjet Moisiut: «Tregohuni të fortë dhe trima. . . . Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur.» (Ligji i përtërirë 31:6) Jehovai e siguroi edhe Josiun me këto fjalë: «Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; . . . do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.» (Jozueu 1:5) Po kështu, i premton çdo të krishteri: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5) Kur kemi këtë mbështetje të fortë, duhet të ndihemi krenarë që jemi të krishterë!

10, 11. Çfarë ndihme mori leviti Asaf, që të kishte qëndrimin e duhur për vlerën e shërbimit të tij ndaj Jehovait?

10 Afro pesë shekuj pas Moisiut, një levit besnik me emrin Asaf u tregua i sinqertë kur shkroi për dyshimet e tij se sa vlerë kishte ndjekja e një rruge të ndershme. Ndërkohë që luftonte për t’i shërbyer Perëndisë përmes sprovave e tundimeve, Asafi pa që disa njerëz, të cilët e përbuznin Perëndinë, begatoheshin gjithnjë e më shumë dhe bëheshin më të fuqishëm. Si ndikoi kjo tek Asafi? Ai pranoi: «Sa për mua, gati-gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mi do të shkisnin. Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqenien e njerëzve të këqij.» Pra, Asafi filloi të dyshonte se sa vlerë ka të jesh adhurues i Jehovait. Ai mendoi: «Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. Sepse jam goditur tërë ditën.»​—Psalmi 73:2, 3, 13, 14.

11 Çfarë bëri Asafi kur filloi të kishte këto ndjenja trazuese? I mohoi ato? Jo. Ia shprehu në lutje Perëndisë, siç e shohim në Psalmin 73. Një pikë kthese për Asafin ishte vizita në shenjtëroren e tempullit. Kur ishte atje, arriti të kuptonte se, sido që ta marrësh, përkushtimi ndaj Perëndisë është gjithsesi rruga më e mirë. Me këtë ndjenjë të përtërirë çmueshmërie për gjërat frymore, Asafi e kuptoi se Jehovai e urrente ligësinë dhe se në kohën e duhur të ligjtë do të ndëshkoheshin. (Psalmi 73:17-19) Pasi e ndreqi pikëpamjen, Asafit iu forcua ndjenja e identitetit si një shërbëtor i privilegjuar i Jehovait. Ai i tha Perëndisë: «Unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.» (Psalmi 73:23, 24) Asafi filloi të ndihej përsëri krenar me Perëndinë e tij.​—Psalmi 34:2.

Ata e dinin mirë se kush ishin

12, 13. Jepni shembuj të personazheve biblike që krenoheshin për marrëdhënien e tyre me Perëndinë.

12 Një mënyrë për të forcuar identitetin tonë të krishterë është të shqyrtojmë e të imitojmë besimin e adhuruesve besnikë, të cilët, me gjithë vështirësitë, ishin vërtet krenarë për marrëdhënien që kishin me Perëndinë. Le të marrim si shembull Jozefin, të birin e Jakobit. Që në moshë të njomë, atë e shitën pabesisht si skllav dhe e çuan në Egjipt, qindra kilometra larg babait të tij me frikë Perëndie, si edhe shumë larg atmosferës së ngrohtë e të përzemërt të shtëpisë së tij. Kur ishte në Egjipt, Jozefi s’kishte asnjë njeri tek i cili të shkonte për këshilla të mira. Iu desh të përballonte situata të vështira që i vunë në provë normat morale dhe besimin te Perëndia. Megjithatë, me siguri që bëri shumë përpjekje për ta mbajtur të qartë në mendje identitetin e tij si shërbëtor i Perëndisë, e prandaj i qëndroi besnik asaj që e dinte se ishte e drejtë. Krenohej që ishte adhurues i Jehovait edhe në një mjedis armiqësor, e nuk ngurroi ta shprehte se si ndihej.​—Zanafilla 39:7-10.

13 Tetë shekuj më vonë, një vajzë izraelite që u bë skllave e Naamanit, gjeneralit sirian, nuk e harroi identitetin e saj si adhuruese e Jehovait. Kur lindi mundësia, ajo me guxim dha një dëshmi të mirë për Jehovain, duke e identifikuar Eliseun si profetin e Perëndisë së vërtetë. (2 Mbretërve 5:1-19) Vite më vonë, ndonëse ishte i rrethuar nga një mjedis i korruptuar, mbreti i ri Josia bëri reforma afatgjata, meremetoi tempullin e Perëndisë dhe e ktheu përsëri kombin te Jehovai. Ai ishte krenar për besimin dhe për adhurimin e tij. (2 Kronikave, kapitujt 34, 35) Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj në Babiloni nuk e harruan asnjëherë identitetin e tyre si shërbëtorë të Jehovait, dhe e mbajtën integritetin edhe nën presione e tundime. Duket qartë se ishin krenarë që ishin shërbëtorë të Jehovait.​—Danieli 1:8-20.

Jini krenarë për identitetin tuaj!

14, 15. Çfarë përfshin të mburremi me identitetin tonë të krishterë?

14 Këta shërbëtorë të Perëndisë patën sukses, sepse zhvilluan një ndjenjë të drejtë krenarie për qëndrimin që kishin para Perëndisë. Po ne sot? Çfarë nënkupton për ne të mburremi me identitetin tonë të krishterë?

15 Së pari, kjo përfshin një ndjenjë të thellë çmueshmërie që bëjmë pjesë në popullin që mban emrin e Jehovait, që kemi bekimin dhe miratimin e tij. Perëndia s’ka asnjë dyshim se kush i përket atij. Apostulli Pavël, i cili jetoi në një epokë kur kishte shumë rrëmujë për sa i përket fesë, shkroi: «Jehovai i njeh ata që i përkasin atij.» (2 Timoteut 2:19; Numrat 16:5) Jehovai krenohet me ata «që i përkasin atij». Ai thotë: ‘Ai që ju prek, prek beben e syrit tim.’ (Zakaria 2:8) Pra, është e qartë se Jehovai na do. Edhe për ne, marrëdhënia që kemi me të duhet të jetë e bazuar në dashurinë e thellë që ndiejmë për të. Pavli tha: «Nëse dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.»​—1 Korintasve 8:3.

16, 17. Pse të krishterët, të rinj e të moshuar, mund të mburren me trashëgiminë e tyre frymore?

16 Të rinjtë që janë rritur si Dëshmitarë të Jehovait duhet të analizojnë nëse po u bëhet më i fortë identiteti i krishterë, falë marrëdhënies së ngushtë që po zhvillojnë me Perëndinë. Nuk mund të mbështeten vetëm në besimin e prindërve të tyre. Pavli shkroi për çdo shërbëtor të Perëndisë: «Ai qëndron në këmbë ose bie para zotërisë së vet.» Pastaj, Pavli vazhdoi: «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» (Romakëve 14:4, 12) Është e qartë se për të pasur një marrëdhënie të ngushtë e afatgjatë me Jehovain, nuk mjafton vetëm të vazhdosh me gjysmë zemre traditën e familjes.

17 Gjatë gjithë historisë, ka pasur shumë dëshmitarë të Jehovait. Kjo radhë e gjatë fillon që nga Abeli besnik, rreth 60 shekuj më parë, vazhdon me ‘shumicën e madhe’ të Dëshmitarëve të sotëm e deri te gjithë adhuruesit e Jehovait që do të kenë një të ardhme të pafundme. (Zbulesa 7:9; Hebrenjve 11:4) Në këtë radhë të gjatë të adhuruesve besnikë, ne jemi grupi më i fundit. Sa trashëgimi të çmuar frymore që kemi!

18. Si na veçojnë nga bota vlerat dhe normat që kemi?

18 Identiteti ynë i krishterë përfshin edhe parimet, cilësitë, normat dhe tiparet që na identifikojnë si të krishterë. Kjo është ‘Udha’, e vetmja udhë jete e suksesshme dhe e vetmja mënyrë për t’i pëlqyer Perëndisë. (Veprat 9:2; Efesianëve 4:22-24) Të krishterët ‘sigurohen për të gjitha gjërat’ dhe ‘mbajnë fort atë që është e shkëlqyer’. (1 Selanikasve 5:21) Ne e kuptojmë qartë dallimin e madh që ekziston ndërmjet krishterimit dhe botës që është e ndarë nga Perëndia. Jehovai nuk ka lënë vend për dyshime lidhur me adhurimin e vërtetë dhe atë të rremë. Nëpërmjet Malakisë, profetit të tij, ai shpalli: «Do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.»​—Malakia 3:18.

19. Çfarë nuk do të jenë kurrë të krishterët e vërtetë?

19 Pra, kemi kuptuar se është shumë e rëndësishme të mburremi në Jehovain, në këtë botë të pështjelluar e të çorientuar. Atëherë, çfarë mund të na ndihmojë që të vazhdojmë të jemi krenarë për Perëndinë tonë dhe të mbajmë të qartë identitetin e krishterë? Në artikullin vijues ka disa sugjerime të dobishme. Ndërkohë që shqyrton këto sugjerime, duhet të jesh i sigurt për një gjë: të krishterët e vërtetë nuk do të jenë kurrë viktima të «apateizmit».

[Shënimi]

^ par. 7 Këtu po bëhet fjalë vetëm për identitetin frymor. Për disa që kanë probleme të shëndetit mendor, mund të jetë e nevojshme të kërkojnë trajtim mjekësor.

A ju kujtohet?

• Si mund ‘të mburren në Jehovain’ të krishterët?

• Çfarë keni mësuar nga shembulli i Moisiut dhe i Asafit?

• Cilët personazhe të Biblës krenoheshin me shërbimin e tyre ndaj Perëndisë?

• Çfarë përfshin të mburremi me identitetin tonë të krishterë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 14]

Për njëfarë kohe, Moisiu pati ndjenja dyshimi për veten

[Figurat në faqen 15]

Shumë shërbëtorë të Jehovait në lashtësi krenoheshin me identitetin e tyre të veçantë