Bëje Jehovain Perëndinë tënd
Bëje Jehovain Perëndinë tënd
NË KOHËT biblike, disa njerëz gëzonin një marrëdhënie kaq të ngushtë me Jehovain, sa identifikohej si Perëndia i tyre. Për shembull, Bibla i referohet Jehovait si «Perëndia i Abrahamit», «Perëndia i Davidit» dhe «Perëndia i Elias».—Zanafilla 31:42; 2 Mbretërve 2:14; 20:5.
Si arritën këta burra të kishin një lidhje kaq të ngushtë me Perëndinë? Çfarë mund të mësojmë prej tyre që të zhvillojmë dhe të mbajmë një marrëdhënie të fortë me Krijuesin tonë?
Abrahami tregoi «besim te Jehovai»
Abrahami është i pari për të cilin Bibla thotë se tregoi besim te Jehovai. Besimi ishte cilësia parësore që e bëri Abrahamin të fitonte miratimin e Perëndisë. Në fakt, Abrahami e gëzonte aq shumë miratimin e Jehovait, sa Krijuesi më vonë u prezantua para Moisiut si «Perëndia i Abrahamit» dhe i të birit e i nipit të tij, që ishin Isaku dhe Jakobi.—Zanafilla 15:6 BR; Eksodi 3:6.
Si arriti Abrahami të kishte një besim kaq të madh te Perëndia? Së pari, Abrahami e bazoi besimin e tij mbi themele të forta. Ndoshta djali i Noesë, Semi, mund t’i kishte mësuar atij rrugët e Jehovait, pasi ai i kishte parë me sytë e tij veprat e shpëtimit të Perëndisë. Semi ishte dëshmitar okular se ‘Noenë, një predikues të drejtësisë, [Jehovai] e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë të paperëndishmish’. (2 Pjetrit 2:5) Abrahami mund të kishte mësuar nga Semi se, kur Jehovai bënte një premtim, ishte e sigurt se do ta plotësonte. Sidoqoftë, kur mori një premtim nga Perëndia, Abrahami u gëzua dhe e bazoi gjithë jetën e tij në dijeninë se këtë premtim Perëndia do ta plotësonte me siguri.
Duke pasur një bazë të fortë, besimi i Abrahamit u forcua më tej nga veprat. Apostulli Pavël shkroi: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u thirr, u bind të dilte për në një vend që kishte për ta marrë si trashëgimi; dhe doli, megjithëse nuk e dinte se ku po shkonte.» (Hebrenjve 11:8) Veprimi i tij që tregonte bindje, e rriti besimin e Abrahamit, për të cilin dishepulli Jakov tha: «Ti e sheh që besimi i tij vepronte bashkë me veprat e tij dhe me anë të veprave të tij, besimi iu përsos.»—Jakovi 2:22.
Për më tepër, Jehovai lejoi që besimi i Abrahamit të vihej në provë, për ta bërë edhe më të fortë këtë besim. Pavli tha: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, pothuaj e ofroi Isakun.» Sprovat e rafinojnë dhe e Hebrenjve 11:17; 1 Pjetrit 1:7.
forcojnë besimin, duke i dhënë «një vlerë shumë më të madhe sesa ari».—Megjithëse Abrahami nuk jetoi aq gjatë sa të shihte plotësimin e të gjitha premtimeve që kishte bërë Perëndia, ai pati kënaqësinë të shihte të tjerët që ndiqnin shembullin e tij. Gruaja e tij Sara dhe tre anëtarë të tjerë të familjes së tij, Isaku, Jakobi dhe Jozefi, përmenden në Bibël si shembuj për besimin e tyre të jashtëzakonshëm.—Hebrenjve 11:11, 20-22.
Besim si ai i Abrahamit në ditët e sotme
Besimi është diçka thelbësore për këdo që dëshiron ta bëjë Jehovain Perëndinë e tij. Apostulli Pavël shkroi se «pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij [Perëndisë]». (Hebrenjve 11:6) Si mund të krijojë në ditët e sotme një shërbëtor i Perëndisë besim të fortë si ai i Abrahamit?
Ashtu si me Abrahamin, besimi ynë duhet të bazohet mbi një themel të fortë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke studiuar rregullisht Biblën dhe botimet biblike. Kur lexojmë Biblën dhe meditojmë për atë që lexojmë, na forcohet siguria se premtimet e Perëndisë do të realizohen. Pastaj nxitemi që ta modelojmë jetën tonë sipas kësaj pritjeje të sigurt. Besimi ynë forcohet edhe nga veprat e bindjes, ku përfshihet pjesëmarrja në shërbim dhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere.—Mateu 24:14; 28:19, 20; Hebrenjve 10:24, 25.
Me siguri besimi ynë do të sprovohet, ndoshta nga kundërshtimi, sëmundjet e rënda, vdekja e një të afërmi ose nga diçka tjetër. Po t’i qëndrojmë besnikë Jehovait kur jemi nën sprova, besimi ynë do të rritet, duke u bërë më i vlefshëm se ari. Pavarësisht nëse jetojmë apo jo derisa të shohim plotësimin e të gjitha premtimeve të Perëndisë, besimi do të na afrojë më tepër me Jehovain. Për më tepër, shembulli ynë do t’i forcojë të tjerët që të imitojnë besimin tonë. (Hebrenjve 13:7) Kështu ndodhi me Ralfin, që shikonte dhe imitonte besimin e prindërve. Ai shprehet:
«Kur jetoja në shtëpi, prindërit na inkurajonin të gjithëve si familje të çoheshim herët në mëngjes që të lexonim Biblën së bashku. Kështu arritëm ta lexonim të gjithë Biblën.» Ralfi e lexon ende Biblën çdo mëngjes, dhe kjo është për të një mënyrë e mirë për ta filluar ditën. Ai dilte në shërbim me babanë çdo javë. «Në atë kohë mësova se si të bëja rivizita dhe të drejtoja studime biblike.» Ralfi tani shërben si vullnetar në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropë. Sa shpërblim i mrekullueshëm për besimin e prindërve!
Një njeri sipas zemrës së Jehovait
Davidi, i cili lindi rreth 900 vjet pas Abrahamit, është një figurë e shquar ndër shërbëtorët e Jehovait që përmenden në Shkrime. Kur Jehovai zgjodhi Davidin si mbret të ardhshëm, Samueli tha: «Zoti ka kërkuar një njeri sipas zemrës së tij.» Lidhja midis Jehovait dhe Davidit ishte kaq e ngushtë, sa më vonë, kur profeti Isaia iu drejtua mbretit Hezekia, iu referua Perëndisë si «Perëndia i Davidit, atit tënd».—1 Samuelit 13:14; 2 Mbretërve 20:5; Isaia 38:5.
Megjithëse Davidi ishte ashtu siç ia donte zemra Jehovait, kishte raste kur ai lejonte që ta rrëmbenin dëshirat e veta. Tri herë bëri gabime serioze: lejoi që arka e besëlidhjes të transportohej në mënyrën e gabuar për në Jerusalem; kreu kurorëshkelje me Betshebën dhe komplotoi për vrasjen e Uriahut, burrit të saj; dhe urdhëroi regjistrimin e popullsisë së Izraelit 2 Samuelit 6:2-10; 11:2-27; 24:1-9.
dhe të Judës, gjë që Jehovai nuk e kishte urdhëruar. Në të tria rastet, Davidi shkeli Ligjin e Perëndisë.—Megjithatë, kur Davidin e ballafaquan me mëkatet e tij, ai e pranoi që ishte përgjegjës për to dhe nuk ia hodhi fajin ndonjë tjetri. Ai pranoi se transportimi i Arkës nuk ishte bërë siç duhej, duke thënë «nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara [të Jehovait]». Kur profeti Natan demaskoi kurorëshkeljen e Davidit, Davidi u përgjigj duke thënë: «Kam mëkatuar kundër Zotit.» Dhe kur Davidi e kuptoi se kishte bërë gabim duke urdhëruar regjistrimin e popullsisë, pranoi: «Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë.» Davidi u pendua për mëkatet e tij dhe nuk u largua nga Jehovai.—1 Kronikave 15:13; 2 Samuelit 12:13; 24:10.
Kur gabojmë
Shembulli i Davidit është inkurajues kur përpiqemi ta bëjmë Jehovain Perëndinë tonë. Nëse një njeri që ishte sipas zemrës së Jehovait, arriti në mëkate kaq serioze, atëherë nuk duhet të dëshpërohemi nëse, pavarësisht nga përpjekjet e mëdha, ndonjëherë gabojmë ose bëjmë gabime serioze. (Predikuesi 7:20) Mund të marrim zemër nga fakti që, kur Davidi u pendua, mëkatet e tij u falën. Ja çfarë i ndodhi Uves * para disa vitesh.
Uve shërbente si plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Një herë, ai u dorëzua para dëshirave të papërshtatshme dhe ra në imoralitet. Në fillim, ashtu si mbreti David, Uve u përpoq të mos tregonte për atë që kishte bërë, duke shpresuar që Jehovai do të mbyllte një sy ndaj shkeljes së tij. Por ndërgjegjja e tij ishte aq e trazuar, sa ai vetë iu rrëfye një plaku tjetër të kongregacionit dhe u bënë hapa konkretë për ta ndihmuar Uven që ta kapërcente këtë katastrofë frymore.
Uve u pendua për mëkatet e tij e nuk u largua nga Jehovai dhe nga kongregacioni. Ai ishte kaq mirënjohës për ndihmën që iu dha, sa disa javë më vonë u shkroi një letër pleqve të kongregacionit, ku shprehte mirënjohjen e tij të thellë dhe të sinqertë për mbështetjen. Ai shkruante: «Më ndihmuat që gabimet e mia të mos sillnin më sharje mbi emrin e Jehovait.» Në këtë mënyrë, Uve arriti të ruante marrëdhënien e tij me Jehovain dhe pas ca kohësh u emërua përsëri si shërbëtor në të njëjtin kongregacion.
«Një njeri me ndjenja si tonat»
Elija, që jetoi në shekullin vijues, pas Davidit, ishte një nga profetët kryesorë të Izraelit. Elija ishte mbrojtës i flaktë i adhurimit të vërtetë në një kohë kur korrupsioni dhe imoraliteti ishin mjaft të përhapur, dhe nuk u lëkund kurrë në përkushtimin e tij ndaj Jehovait. Ja pse Eliseu, pasardhësi i tij, një herë e quajti Jehovain «Perëndia i Elias».—2 Mbretërve 2:14.
Por, Elija nuk ishte i mbinatyrshëm. Jakovi shkroi: «Elija ishte një njeri me ndjenja si tonat.» (Jakovi 5:17) Për shembull, pasi i kishte shkaktuar një humbje të thellë adhuruesve të Baalit në Izrael, mbretëresha Jezebelë e kërcënoi se do ta vriste. Si reagoi ai? U frikësua dhe ia mbathi në shkretëtirë. Atje, ulur nën një gjineshtër, Elija po ankohej: «Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi.» Elija nuk donte të ishte më një profet, por donte më mirë të vdiste.—1 Mbretërve 19:4.
Megjithatë, Jehovai tregoi mirëkuptim ndaj ndjenjave të Elijas. Ai e forcoi duke e siguruar se nuk ishte vetëm, pasi kishte edhe të tjerë që po qëndronin besnikë në adhurimin e pastër. E për më tepër, Jehovai kishte ende besim tek Elija dhe do t’i jepte caktime të tjera.—1 Mbretërve 19:5-18.
Kjo turbullirë emocionale që pati Elija nuk tregonte se ai kishte humbur miratimin e Perëndisë. Cilin zgjodhi Jehovai për t’u shfaqur në vegim përkrah Jezuit rreth 1.000 vjet më vonë, kur Krishti Jezu u shpërfytyrua para Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit? Moisiun dhe Elijan. Mateu 17:1-9) Qartë, Jehovai e konsideronte profetin Elija një shembull. Megjithëse Elija ishte vetëm «një njeri me ndjenjat si tonat», Perëndia e çmoi punën e tij të zellshme për rivendosjen e adhurimit të pastër dhe për shenjtërimin e emrit të Tij.
(Lufta jonë emocionale
Sot, mund të ndodhë që shërbëtorët e Jehovait të ndihen të shkurajuar ose të frikësuar. Ç’ngushëllim që marrim kur mësojmë se Elija kishte të njëjtat ndjenja! Dhe na forcon vërtet fakti që, ashtu si kuptoi ndjenjat e Elijas, Jehovai kupton edhe luftën tonë emocionale.—Psalmi 103:14.
Nga ana tjetër, ne e duam Perëndinë dhe të afërmin tonë, dhe dëshirojmë të bëjmë punën që na ka caktuar Jehovai për shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Por, mund të zhgënjehemi kur njerëzit janë indiferentë ndaj predikimit tonë, ose mund të frikësohemi nga kërcënimet e armiqve të adhurimit të vërtetë. Megjithatë, pikërisht ashtu si Jehovai e forcoi Elijan që të mos dorëzohej, Ai forcon edhe shërbëtorët e tij në ditët e sotme. Mendoni për shembull për rastin e Herbertit dhe Gertrudës.
Në vitin 1952, Herberti dhe Gertruda u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait në Lajpcig, në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Në atë kohë jeta ishte e vështirë për shërbëtorët e Perëndisë, pasi shteti e kishte ndaluar predikimin e lajmit të mirë. Po çfarë mendonte Herberti për predikimin nga shtëpia në shtëpi?
«Ndonjëherë kishim vërtet frikë. Kur shkonim nga shtëpia në shtëpi, kishim frikë se mos vinte papritur policia e na arrestonte.» Çfarë e ndihmoi Herbertin dhe të tjerët që ta mposhtnin frikën? «Bënim shumë studim personal. Dhe Jehovai na dha forcën për të vazhduar veprën e predikimit.» Në shërbim Herberti kishte shumë përvoja që e forconin, madje edhe e argëtonin.
Herberti takoi një mesogrua që tregoi interes për Biblën. Kur pas disa ditësh Herberti u kthye për ta rivizituar, aty rastisi edhe një djalë i ri që po dëgjonte bisedën. Pas disa minutash Herberti pa diçka që e bëri të dridhej nga frika. Në cepin e dhomës, mbi një karrige, ndodhej një kapelë polici. Ishte e djalit që po dëgjonte, i cili dukej qartë se ishte polic dhe se kishte vendosur ta arrestonte Herbertin.
«Ti je një Dëshmitar i Jehovait!—bërtiti ai.—Pa ta shoh pak kartën e identitetit!» Herberti i dha kartën e identitetit. Pastaj ndodhi diçka që nuk e priste. Gruaja u kthye nga polici dhe e paralajmëroi: «Nëse i ndodh ndonjë gjë këtij njeriu të Perëndisë, mos shkel më në këtë shtëpi.»
Polici u mendua një çast, i ktheu Herbertit kartën e identitetit dhe e la të shkonte. Më vonë Herberti mësoi se polici ishte lidhur me të bijën e asaj gruas. Me sa duket mendoi që më mirë do të ishte të vazhdonte lidhjen me vajzën e saj, sesa të arrestonte Herbertin.
Ta bëjmë Jehovain Perëndinë tonë
Çfarë mund të mësojmë nga këto ngjarje? Ashtu si Abrahami, duhet të kemi një besim të patundur te premtimet e Jehovait. Ashtu si Davidi, duhet të pendohemi vërtet kur gabojmë dhe t’i drejtohemi për ndihmë Jehovait. Dhe si Elija, duhet të mbështetemi te Jehovai për të na dhënë forcë sa herë frikësohemi. Në këtë mënyrë mund ta bëjmë Jehovain Perëndinë tonë tani dhe në përjetësi, sepse ai është «një Perëndi i gjallë, i cili është Shpëtimtar i njerëzve të çdo lloji, sidomos i atyre që janë të besueshëm».—1 Timoteut 4:10.
[Shënimi]
^ par. 20 Emri është ndryshuar.
[Figurat në faqen 25]
Veprat e bindjes e forcuan besimin e Abrahamit
[Figura në faqen 26]
Ashtu si Davidi, duhet të pendohemi kur mëkatojmë
[Figura në faqen 28]
Jehovai i kupton ndjenjat tona, ashtu siç kuptoi ndjenjat e Elijas