Të kemi besim te fjala e Jehovait
Të kemi besim te fjala e Jehovait
«Kam besuar në fjalën tënde.»—Psalmi 119:42.
1. Cili mund të ketë qenë kompozitori i Psalmit 119 dhe ç’mund të themi për natyrën e tij?
FJALA e Jehovait ishte shumë e shtrenjtë për kompozitorin e Psalmit 119. Këtë psalm mund ta ketë kompozuar princi Hezekia i Judës. Ndjenjat e shprehura në këtë këngë të frymëzuar përkojnë me natyrën e Hezekisë, i cili «mbeti i lidhur me» Jehovain gjatë gjithë kohës që shërbeu si mbret i Judës. (2 Mbretërve 18:3-7) Por një gjë është e sigurt: kompozitori i këtij psalmi ishte i vetëdijshëm për nevojën e tij frymore.—Mateu 5:3.
2. Cila është pika kryesore e Psalmit 119, e si është ndërtuar kjo këngë?
2 Një pikë kryesore që del në pah te Psalmi 119 është vlera e fjalës ose e informacionit që komunikon Perëndia. * Ndoshta që të ishte më e thjeshtë për t’u kujtuar, ai që shkroi e kompozoi këtë këngë e renditi sipas alfabetit. Gjithsej ka 176 vargje, të cilat janë bazuar në shkronjat e njëpasnjëshme të alfabetit hebraik. Në hebraishten e lashtë, çdonjëra nga 22 strofat e psalmit ka 8 rreshta që fillojnë me të njëjtën shkronjë. Ky psalm i referohet fjalës, ligjit, përkujtuesve, udhëve, urdhrave, rregullave, urdhërimeve, vendimeve gjyqësore, thënieve dhe statuteve të Perëndisë. Në këtë artikull, si edhe në artikullin vijues, do ta analizojmë Psalmin 119 sipas një përkthimi të saktë të tekstit biblik nga hebraishtja (Përkthimi Bota e Re). Meditimi rreth përvojave që kanë të bëjnë me shërbëtorët e Jehovait, në të kaluarën e tani, duhet të na e shtojë çmueshmërinë për këtë këngë të frymëzuar nga Perëndia dhe për Fjalën e Tij të shkruar, Biblën.
Po t’i bindemi fjalës së Perëndisë, do të jemi të lumtur
3. Shpjegoni dhe ilustroni çfarë do të thotë të jesh i patëmetë.
3 Vetëm po të ecim sipas ligjit të Perëndisë, do të kemi lumturi të vërtetë. (Psalmi 119:1-8) Nëse veprojmë kështu, Jehovai do të na konsiderojë ‘të patëmetë në udhën tonë’. (Psalmi 119:1) Të jemi të patëmetë nuk nënkupton se jemi të përsosur, por ama tregon se përpiqemi fort që të bëjmë vullnetin e Perëndisë Jehova. Noeja ishte «i patëmetë midis bashkëkohësve të tij», sepse «eci me Perëndinë». Ky patriark besnik dhe familja e tij mbijetuan nga Përmbytja, ngaqë ai ndoqi rrugën që i tregoi Jehovai. (Zanafilla 6:9; 1 Pjetrit 3:20) Edhe mbijetesa jonë kur të vijë fundi i kësaj bote varet nga ‘zbatimi me kujdes i urdhrave të Perëndisë’, duke bërë kështu vullnetin e tij.—Psalmi 119:4.
4. Vetëm kur mund të kemi lumturi e sukses?
4 Jehovai nuk do të na braktisë kurrë, nëse ‘e përlëvdojmë me drejtësinë e zemrës sonë dhe i zbatojmë gjithnjë rregullat e tij’. (Psalmi ) Perëndia nuk e braktisi Josiun, udhëheqësin izraelit, i cili e zbatoi këshillën ‘për të menduar ditë e natë për librin e ligjit, që të vepronte sipas gjithë atyre që ishin shkruar aty’. Kjo e bëri të suksesshëm dhe i dha mundësi të vepronte me mençuri. ( 119:7, 8Jozueu 1:8) Aty nga fundi i jetës së tij, Josiu ende lëvdonte Perëndinë dhe mund t’u thoshte me plot gojën izraelitëve: «Pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë.» (Jozueu 23:14) Njësoj si Josiu dhe shkrimtari i Psalmit 119, edhe ne do të kemi lumturi e sukses po t’i japim lavdi Jehovait dhe të kemi besim te fjala e tij.
Fjala e Jehovait na mban të pastër
5. (a) Tregoni si mund të qëndrojmë të pastër frymësisht. (b) Çfarë mund ta ndihmojë një të ri që ka mëkatuar rëndë?
5 Mund të jemi të pastër frymësisht, në qoftë se e ruajmë shtegun tonë me fjalën e Perëndisë. (Psalmi 119:9-16) Kjo vlen edhe kur prindërit tanë nuk na kanë lënë një shembull të mirë. Edhe pse të atin e kishte idhujtar, Hezekia ‘e pastroi shtegun e tij’, ndoshta nga ndikimet pagane. Po nëse sot një i ri që i shërben Perëndisë mëkaton rëndë? Pendimi, lutja, ndihma e prindërve dhe mbështetja e dashur nga pleqtë e krishterë mund ta ndihmojnë të jetë si Hezekia dhe ‘ta pastrojë e ta ruajë shtegun e tij’.—Jakovi 5:13-15.
6. Cilat gra ‘e pastruan dhe e ruajtën shtegun e tyre me fjalën e Perëndisë’?
6 Edhe pse jetuan shumë kohë para se të kompozohej Psalmi 119, Rahaba dhe Rutha ‘e pastruan shtegun e tyre’. Rahaba ishte një prostitutë kananite, por pastaj u bë e njohur për besimin e saj si adhuruese e Jehovait. (Hebrenjve 11:30, 31) Rutha, një moabite, i la perënditë e saj, i shërbeu Jehovait dhe iu bind Ligjit që ai i kishte dhënë Izraelit. (Rutha 1:14-17; 4:9-13) Që të dyja këto gra joizraelite, ‘e ruajtën shtegun e tyre me fjalën e Perëndisë’ dhe patën privilegjin e mrekullueshëm të bëheshin paraardhëse të Jezu Krishtit.—Mateu 1:1, 4-6.
7. Çfarë shembulli të shkëlqyer lanë Danieli dhe tre të rinjtë e tjerë hebrenj duke qëndruar të pastër frymësisht?
7 «Synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij», por, gjithsesi, të rinjtë mund të ndjekin një shteg të pastër, edhe në këtë botë të korruptuar që është nën kontrollin e Satanait. (Zanafilla 8:21; 1 Gjonit 5:19) Danieli dhe tre të rinjtë e tjerë hebrenj që ishin robër në Babiloni, ‘e ruajtën shtegun e tyre me fjalën e Perëndisë’. Për shembull, ata nuk donin të ndoteshin «me ushqimet e shijshme të mbretit». (Danieli 1:6-10) Babilonasit hanin kafshë të papastra, që në Ligjin e Moisiut ishin të ndaluara. (Levitiku 11:1-31; 20:24-26) Veç kësaj, nuk e kishin zakon t’ua hiqnin gjakun kafshëve të therura, kështu që e hanin mishin me gjithë të, e kjo përbënte shkelje të ligjit të Perëndisë për gjakun. (Zanafilla ) Ja pse katër të rinjtë hebrenj nuk donin të hanin nga ushqimet e shijshme të mbretit! Këta të rinj të përkushtuar qëndruan të pastër frymësisht, duke lënë një shembull të shkëlqyer. 9:3, 4
Fjala e Perëndisë na ndihmon të qëndrojmë besnikë
8. Cilin qëndrim e cilën njohuri duhet të kemi, për të kuptuar e për të zbatuar ligjin e Perëndisë?
8 Një faktor i rëndësishëm që ne t’i qëndrojmë besnikë Jehovait është të kemi në zemër fjalën e tij. (Psalmi 119:17-24) Po të jemi si ky psalmist, do të dëshirojmë shumë që të kuptojmë «mrekullitë» e ligjit të Perëndisë. Do të kemi vazhdimisht ‘dëshirë të zjarrtë për vendimet gjyqësore të Jehovait’ dhe ‘do t’i kemi në zemër përkujtuesit e tij’. (Psalmi 119:18, 20, 24) Edhe po të kemi pak kohë që i jemi kushtuar Jehovait, a kemi krijuar ‘një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës’? (1 Pjetrit 2:1, 2) Duhet t’i kuptojmë mësimet themelore të Biblës, që të jemi më të aftë për të kuptuar e për të zbatuar ligjin e Perëndisë.
9. Si duhet të veprojmë kur kërkesat e njerëzve bien ndesh me vullnetin e Perëndisë?
9 Ndoshta ne i kemi në zemër përkujtuesit e Perëndisë, por, çfarë duhet të bëjmë nëse «princat», për ndonjë arsye, flasin kundër nesh? (Psalmi 119:23, 24) Sot, njerëzit që janë në pushtet shpesh përpiqen të na detyrojnë që t’i vendosim ligjet njerëzore mbi ligjin e Perëndisë. Çfarë do të bëjmë kur kërkesat e njerëzve bien ndesh me vullnetin e Perëndisë? Dashuria që kemi për fjalën e Perëndisë do të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë atij. Ashtu siç u shprehën apostujt e Jezu Krishtit kur i përndoqën, edhe ne do të themi: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»—Veprat 5:29.
10, 11. Ilustroni se si mund ta mbajmë integritetin ndaj Jehovait, edhe në rrethanat më të vështira.
10 Mund t’i qëndrojmë besnikë Jehovait edhe në rrethanat më të vështira. (Psalmi 119:25-32) Në qoftë se duam t’ia dalim mbanë të ruajmë integritetin ndaj Perëndisë, duhet të jemi të gatshëm për t’u mësuar prej tij dhe t’i lutemi me zjarr që të na mësojë. Gjithashtu, duhet të zgjedhim «udhën e besnikërisë».—Psalmi 119:26, 30.
11 Hezekia, që mund të ketë qenë shkrimtari i Psalmit 119, zgjodhi «udhën e besnikërisë». Veproi kështu edhe pse ishte i rrethuar nga adhurues të rremë, e madje mund ta kenë tallur anëtarët e tjerë të oborrit mbretëror. Me siguri ‘shpirti i tij s’kishte gjumë nga hidhërimi’ që i shkaktonin situata të tilla. (Psalmi 119:28) Por Hezekia kishte besim te Perëndia, ishte një mbret i mirë dhe bëri «atë që ishte e drejtë në sytë» e Jehovait. (2 Mbretërve 18:1-5) Nëse mbështetemi te Perëndia, edhe ne mund t’i përballojmë sprovat duke mbajtur integritetin.—Jakovi 1:5-8.
Fjala e Jehovait na jep guxim
12. Si mund ta zbatojë secili prej nesh Psalmin 119:36, 37?
12 Kur ndjekim udhëheqjen e fjalës së Perëndisë, kjo na jep guximin e nevojshëm për të përballuar sprovat e jetës. (Psalmi 119:33-40) Kërkojmë me përulësi që Jehovai të na mësojë, me qëllim që ta zbatojmë ligjin e tij «me gjithë zemër». (Psalmi 119:33, 34) Ashtu si psalmisti, i kërkojmë Perëndisë: «Prire zemrën time drejt përkujtuesve të tu dhe jo drejt përfitimit», domethënë përfitimit të padrejtë. (Psalmi 119:36) Ashtu si apostulli Pavël, ne «sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18) Nëse një punëdhënës na kërkon të bëjmë diçka të pandershme, duhet të marrim guxim e t’u përmbahemi ligjeve të Perëndisë. Jehovai gjithnjë e bekon këtë mënyrë të vepruari. Në fakt, ai na ndihmon t’i mbajmë nën kontroll të gjitha prirjet e këqija që mund të kemi. Prandaj, le të lutemi: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.» (Psalmi 119:37) Nuk duam t’i shohim kurrë si të dëshirueshme gjërat e kota që Perëndia i urren. (Psalmi 97:10) Ndër të tjera, kjo na shtyn të shmangim pornografinë dhe praktikat spiritiste.—1 Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8.
13. Si e morën dishepujt e Jezuit guximin e nevojshëm për të predikuar, kur po i përndiqnin?
13 Njohuria e saktë e fjalës së Perëndisë na jep siguri te vetja, kështu që predikojmë me guxim. (Psalmi 119:41-48) Ky guxim na duhet vërtet, ‘për t’iu përgjigjur atij që na poshtëron’. (Psalmi 119:42) Nganjëherë mund të jemi si dishepujt e Jezuit kur i përndoqën, të cilët u lutën: «Jehova, . . . lejoju skllevërve të tu të vazhdojnë ta thonë fjalën tënde me plot guxim.» Cili ishte rezultati? «Të gjithë ata u mbushën me frymën e shenjtë dhe po e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim.» Edhe neve Zotëria Sovran do të na japë forcën për ta thënë fjalën e tij me guxim.—Veprat 4:24-31.
14. Çfarë na ndihmon që të japim dëshmi me guxim, siç bëri Pavli?
14 Nëse i çmojmë «fjalët e së vërtetës» dhe ‘e respektojmë vazhdimisht ligjin e Perëndisë’ do të kemi guximin e nevojshëm për të dhënë dëshmi, pa frikën se mos turpërohemi. (Psalmi 119:43, 44) Studimi i zellshëm i Fjalës së shkruar të Perëndisë na përgatit që ‘të flasim për përkujtuesit e tij para mbretërve’. (Psalmi 119:46) Edhe lutjet dhe fryma e Jehovait do të na ndihmojnë të themi gjërat e duhura në mënyrën e duhur. (Mateu 10:16-20; Kolosianëve 4:6) Pavli u foli me guxim sundimtarëve të shekullit të parë për përkujtuesit e Perëndisë. Për shembull, ai i predikoi guvernatorit romak Feliksit, i cili «e dëgjoi rreth besimit në Krishtin Jezu». (Veprat 24:24, 25) Gjithashtu, Pavli dha dëshmi para guvernatorit Fest dhe para mbretit Agripa. (Veprat 25:22–26:32) Me mbështetjen e Jehovait, edhe ne mund të jemi dëshmitarë të guximshëm e të mos na vijë kurrë «turp për lajmin e mirë».—Romakëve 1:16.
Fjala e Perëndisë na ngushëllon
15. Si mund të na sjellë ngushëllim Fjala e Perëndisë kur të tjerët na tallin?
15 Fjala e shkruar e Jehovait siguron ngushëllim të vazhdueshëm. (Psalmi 119:49-56) Ka disa periudha kur kemi veçanërisht nevojë për të marrë ngushëllim. Ndonëse flasim me guxim si Dëshmitarë të Jehovait, nganjëherë «arrogantët», domethënë ata që sillen me arrogancë ndaj Perëndisë, ‘na përqeshin sa s’ka ku të vejë’ më. (Psalmi 119:51) Megjithatë, ndërsa lutemi, mund të na vijnë ndër mend gjëra pozitive që gjenden në Fjalën e shkruar të Perëndisë, kështu që ‘gjejmë ngushëllim’ për veten tonë. (Psalmi 119:52) Gjatë përgjërimeve që bëjmë, mund të na vijë në mendje një ligj ose një parim nga Bibla, që na jep ngushëllimin dhe guximin e duhur në një situatë të vështirë.
16. Çfarë nuk kanë pranuar të bëjnë shërbëtorët e Perëndisë, pavarësisht nga përndjekja?
16 Arrogantët që talleshin me psalmistin, ishin izraelitë, pra pjesëtarë të një kombi që i ishte kushtuar Perëndisë. Sa turp! Ndryshe nga ata, ne le të jemi të vendosur që të mos shmangemi kurrë nga ligji i Perëndisë. (Psalmi 119:51) Mijëra shërbëtorë të Perëndisë nuk kanë pranuar të shmangen nga ligjet dhe parimet e Fjalës së tij të shkruar, edhe përballë përndjekjes naziste dhe një keqtrajtimi të ngjashëm që mund t’u jetë bërë gjatë viteve. (Gjoni 15:18-21) Dhe vërtet, nuk është një barrë t’i bindemi Jehovait, sepse rregullat e tij janë për ne si melodi ngushëlluese.—Psalmi 119:54; 1 Gjonit 5:3.
Të jemi mirënjohës për fjalën e Jehovait
17. Çfarë na shtyn të bëjmë çmueshmëria për fjalën e Perëndisë?
17 Mirënjohjen që ndiejmë për fjalën e Perëndisë e tregojmë duke jetuar sipas asaj që thotë ai. (Psalmi 119:57-64) Psalmisti ‘premtoi t’i zbatonte fjalët e Jehovait’, e madje edhe ‘në mes të natës e falënderonte Perëndinë për vendimet e Tij të drejta gjyqësore’. Nëse na ndodh të zgjohemi natën, mund ta shfrytëzojmë fare mirë këtë mundësi për t’i shprehur mirënjohjen Perëndisë në lutje. (Psalmi 119:57, 62) Çmueshmëria që kemi për fjalën e Perëndisë na shtyn t’i kërkojmë mësimet e tij dhe na bën ‘shokë me ata që i frikësohen Jehovait’, individë që kanë nderim të thellë për Perëndinë. (Psalmi 119:63, 64) A ka ndonjë shoqëri më të mirë se kjo në tokë?
18. Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona, kur ‘na rrethojnë litarët e të ligjve’?
18 Kur lutemi me gjithë zemër dhe i kërkojmë me përulësi Jehovait që të na mësojë, ‘po kërkojmë pëlqimin e tij’. Duhet të lutemi sidomos atëherë kur ‘na rrethojnë litarët e të ligjve’. (Psalmi 119:58, 61) Jehovai mund t’i këputë litarët kufizues të armiqve dhe të na çlirojë, me qëllim që të vazhdojmë veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Kjo është vërejtur vazhdimisht në vendet ku vepra jonë është ndaluar.
Të kemi besim te fjala e Perëndisë
19, 20. Në ç’kuptim mund të na bëjë mirë të vuajmë?
19 Besimi te Perëndia dhe te fjala e tij na ndihmon të durojmë vuajtjet dhe të bëjmë vullnetin e tij. (Psalmi 119:65-72) Ndonëse arrogantët ‘e kishin përlyer me gënjeshtra’, psalmisti këndoi: «Më bën mirë të vuaj.» (Psalmi 119:66, 69, 71) Si mund t’i bëjë mirë vuajtja një shërbëtori të Jehovait?
20 Kur vuajmë, me siguri që i përgjërohemi me zjarr Jehovait, e kjo na afron më shumë me të. Ndoshta kalojmë më shumë kohë duke studiuar Fjalën e shkruar të Perëndisë, e mund të bëjmë më shumë përpjekje për ta zbatuar atë. Kjo sjell si rrjedhojë një jetë më të lumtur. Por, ç’ndodh nëse reagojmë ndaj vuajtjeve në një mënyrë që tregon se kemi disa tipare të padëshirueshme, si padurimi dhe krenaria? Me lutje të zjarrta e me ndihmën e Fjalës dhe të frymës së Perëndisë, mund t’i kapërcejmë këto të meta dhe ‘të vishemi me personalitetin e ri’ në mënyrë më të plotë. (Kolosianëve 3:9-14) Për më tepër, kur durojmë vështirësi na forcohet besimi. (1 Pjetrit 1:6, 7) Pavli nxori dobi nga shtrëngimet që pati, sepse e bënë të mbështetej më shumë te Jehovai. (2 Korintasve 1:8-10) A lejojmë që vuajtjet të kenë një efekt të mirë te ne?
T’i besojmë gjithnjë Jehovait
21. Çfarë ndodh kur Perëndia i turpëron arrogantët?
21 Fjala e Perëndisë na jep një bazë të fortë për t’i besuar Jehovait. (Psalmi 119:73-80) Nëse i besojmë vërtet Krijuesit tonë, s’do të kemi arsye të ndihemi të turpëruar. Mirëpo, për shkak të asaj që bëjnë të tjerët, kemi nevojë për ngushëllim dhe ndoshta ndiejmë dëshirën të lutemi: «Arrogantët u turpërofshin!» (Psalmi 119:76-78) Kur Jehovai i bën këta lloj njerëzish me turp, kjo sjell si rrjedhojë demaskimin e rrugëve të tyre të liga dhe shenjtërimin e emrit të tij të shenjtë. Mund të jemi të sigurt se ata që përndjekin popullin e Perëndisë, në të vërtetë s’fitojnë gjë. Për shembull, kurrë nuk kanë arritur —e kurrë nuk do të arrijnë—të shfarosin Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i besojnë Perëndisë me gjithë zemër.—Fjalët e urta (Proverbat) 3:5, 6.
22. Në ç’kuptim psalmisti ishte «si caliku që e rreh tymi»?
22 Fjala e Perëndisë na e forcon besimin tek ai kur kemi përndjekje. (Psalmi 119:81-88) Ngaqë arrogantët po e përndiqnin, psalmisti ndihej «si caliku që e rreh tymi». (Psalmi 119:83, 86) Në kohët biblike, calikët, që ishin enë prej lëkure kafshësh, përdoreshin për të mbajtur ujë, verë e lëngje të tjera. Kur nuk përdoreshin, këta calikë tkurreshin nëse i varnin pranë zjarrit, në një dhomë pa oxhak. A ndihesh ndonjëherë «si caliku që e rreh tymi» për shkak të vështirësive ose të përndjekjeve? Nëse po, ki besim te Jehovai dhe lutu: «Me dashamirësinë tënde më mbaj gjallë, që të zbatoj përkujtuesit që dalin nga goja jote.»—Psalmi 119:88.
23. Çfarë kemi shqyrtuar gjatë rishikimit të Psalmit 119:1-88, e cilën pyetje mund t’i bëjmë vetes ndërsa presim të studiojmë Psalmin 119:89-176?
23 Ajo që kemi shqyrtuar në gjysmën e parë të Psalmit 119 tregon se Jehovai ushtron dashamirësi ndaj shërbëtorëve të tij, sepse këta i besojnë fjalës së tij dhe i kanë në zemër përkujtuesit, urdhërimet, rregullat dhe ligjet që jep ai. (Psalmi 119:16, 47, 64, 70, 77, 88) Ai është i kënaqur kur sheh se ata që i janë kushtuar, e ruajnë shtegun e tyre me anë të fjalës së tij. (Psalmi 119:9, 17, 41, 42) Në pritje për të studiuar pjesën tjetër të këtij psalmi të bukur, mund të pyesësh veten: ‘A e lejoj vërtet fjalën e Jehovait që të më ndriçojë shtegun ku eci?’
[Shënimi]
^ par. 2 Këtu është fjala për informacionin që komunikon Jehovai, jo për gjithë përmbajtjen e Biblës, Fjalës së Perëndisë.
Si do të përgjigjeshit?
• Nga se varet lumturia e vërtetë?
• Si na mban të pastër frymësisht fjala e Jehovait?
• Si na jep guxim e ngushëllim fjala e Perëndisë?
• Pse duhet të kemi besim te Jehovai dhe te fjala e tij?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 11]
Rutha, Rahaba dhe të rinjtë hebrenj që ishin robër në Babiloni ‘e ruajtën shtegun e tyre me anë të fjalës së Perëndisë’
[Figura në faqen 12]
Me guxim, Pavli ‘foli para mbretërve për përkujtuesit e Perëndisë’