Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndonëse i dobët, jam i fuqishëm

Ndonëse i dobët, jam i fuqishëm

Jetëshkrim

Ndonëse i dobët, jam i fuqishëm

TREGUAR NGA LEOPOLD ENGLAJTNERI

Oficeri nazist nxori pistoletën, ma vuri te koka dhe më pyeti: «Gati je për të vdekur? Do ta shkrep pistoletën, se je fare i pandreqshëm!» «Gati jam!»​—iu përgjigja, duke u përpjekur të mos më dridhej zëri. Mora zemër, mbylla sytë dhe prita që ta shkrepte pistoletën, por nuk ndodhi gjë. «Nuk meriton as të vdesësh, kaq budalla je!»​—bërtiti, duke ma hequr pistoletën nga koka. Si përfundova në këtë situatë të rrezikshme?

LINDA më 23 korrik 1905, në qytetin Ajgen-Foglhub, që ndodhet midis Alpeve austriake. Isha fëmija i madh i familjes. Babai punonte në një punishte sharre, kurse mamaja ishte bijë e një fermeri. Prindërit ishin të varfër, por shumë punëtorë. Vitet e fëmijërisë i kalova në Bad-Ishl, pranë Salcburgut, në mes të një natyre me liqene përrallore dhe male të larta hijerënda.

Që kur isha fëmijë, më ndodhte shpesh të mendoja sa e padrejtë është jeta, jo vetëm sepse ishim familje e varfër, por edhe për shkak të një sëmundjeje të lindur të shtyllës kurrizore. Nga dhembjet e forta të kurrizit, e kisha pothuajse të pamundur të qëndroja drejt. Në shkollë më nxorën raport që të mos bëja fizkulturë, por kjo më bëri shënjestër të talljeve të shokëve të shkollës.

Kur mbaroi Lufta I Botërore (atëherë s’kisha mbushur ende 14 vjeç), mendova se duhej të filloja të kërkoja punë, për t’i shpëtuar varfërisë. Vazhdimisht më gërryente uria dhe s’kisha shumë fuqi, se herë pas here më kapte temperatura e lartë, si pasojë e gripit spanjoll që u kishte marrë jetën miliona vetave. «E ç’ta duam një punëtor kockë e lëkurë si ti?»​—më përgjigjeshin shumë fermerë, kur shkoja të kërkoja punë. Po shyqyr që, më në fund, një fermer zemërmirë më mori të punoja tek ai.

Më bën për vete dashuria e Perëndisë

Ndonëse mamaja ishte katolike e devotshme, unë shkoja rrallë në kishë, kryesisht sepse babai ishte më liberal për këtë çështje. Mua për vete s’më pëlqente fare adhurimi i shëmbëlltyrave, që në Kishën Katolike ishte kaq i përhapur.

Një ditë, në tetor të vitit 1931, një shoku im më kërkoi ta shoqëroja në një mbledhje fetare që mbanin Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Atje mora përgjigje nga Bibla për pyetje të rëndësishme, si për shembull: a i pëlqen Perëndisë adhurimi i shëmbëlltyrave? (Eksodi 20:4, 5) A ekziston ferri i zjarrtë? (Predikuesi 9:5) A do të ringjallen të vdekurit?​—Gjoni 5:28, 29.

Ajo që më la më shumë mbresa, ishte kur kuptova se Perëndia nuk i miraton luftërat gjakatare që bëjnë njerëzit, edhe sikur këta të thonë se luftojnë në emër të Tij. Mësova se «Perëndia është dashuri» dhe se ka një emër të lavdishëm, Jehova. (1 Gjonit 4:8; Psalmi 83:18) U emocionova kur kuptova se, me anë të Mbretërisë së Jehovait, njerëzit do të mund të jetojnë përgjithmonë të lumtur në një parajsë mbarëtokësore. Mësova edhe për shpresën e mrekullueshme që kanë disa njerëz të papërsosur, të cilët janë thirrur nga Perëndia për të shërbyer me Jezuin në Mbretërinë qiellore të Tij. Isha gati të jepja gjithçka për këtë Mbretëri. Kështu, në maj të vitit 1932 u pagëzova dhe u bëra Dëshmitar i Jehovait. Kjo kërkonte guxim, duke pasur parasysh paragjykimet fetare që ekzistonin në Austrinë katolike e fanatike të asaj kohe.

Ndeshem me përbuzje dhe kundërshtime

Prindërit u tronditën kur dhashë dorëheqjen nga kisha, gjë që prifti e njoftoi menjëherë nga podiumi ku predikonte. Fqinjët pështynin përtokë kur kaloja unë, për të treguar përbuzjen e tyre. Megjithatë, isha i vendosur të hyja në radhët e shërbëtorëve të plotkohorë, e kështu fillova si pionier në janar të vitit 1934.

Gjendja politike u bë gjithnjë e më e nderë, për shkak të ndikimit të fuqishëm që kishte partia naziste në provincën tonë. Gjatë kohës kur shërbeva si pionier në luginën stiriane të Ensit, policët më ndiqnin këmba-këmbës, prandaj duhej të isha ‘i kujdesshëm si gjarpërinjtë’. (Mateu 10:16) Nga viti 1934 deri në vitin 1938, përndjekjen e kisha pjesë të pandarë të jetës së përditshme. Ndonëse i papunë, nuk më jepnin asistencë, dhe më dënuan disa herë me burgim me afat të shkurtër e katër herë me burgim me afat të gjatë, ngaqë vazhdoja predikimin.

Trupat e Hitlerit pushtojnë Austrinë

Në mars të vitit 1938, trupat e Hitlerit marshuan në Austri. S’kaluan veçse pak ditë dhe më shumë se 90.000 veta (rreth 2 për qind e popullsisë së rritur), u arrestuan dhe u dërguan në burgje e në kampe përqendrimi, nën akuzën se ishin kundër regjimit nazist. Dëshmitarët e Jehovait ishin pak a shumë të përgatitur për atë që do të ndodhte. Në verën e vitit 1937, disa nga kongregacioni i vendlindjes sime shkuan deri në Pragë, duke bërë 350 kilometra me biçikletë, për të ndjekur një kongres ndërkombëtar. Atje dëgjuan për mizoritë që u ishin bërë vëllezërve tanë në Gjermani. E pra, tani ishte radha jonë.

Që nga dita kur trupat e Hitlerit vunë këmbë në Austri, Dëshmitarët e Jehovait u detyruan t’i mbanin fshehurazi mbledhjet dhe predikimin. Ndonëse arrinin të futnin literaturë biblike nëpërmjet kufirit me Zvicrën, prapëseprapë, ajo nuk mjaftonte për të gjithë. Prandaj, vëllezërit në Vjenë prodhonin literaturë fshehurazi. Shpesh shërbeja si korrier, duke ua shpërndarë literaturën Dëshmitarëve.

Në kamp përqendrimi

Më 4 prill 1939, isha me tre vëllezër të tjerë në Bad-Ishl dhe po mbanim Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, kur erdhi Gestapoja dhe na arrestoi. Na çuan me makinë në rajonin qendror të policisë në Linc. Kjo ishte hera e parë që hipja në një makinë, po s’isha në terezi për ta shijuar, se isha shumë i shqetësuar. Në Linc, më morën në pyetje disa herë, duke më torturuar, por nuk e mohova besimin tim. Pesë muaj më vonë, më nxorën para gjykatësit të hetuesisë për Austrinë e Sipërme. Papritur, akuzat kundër meje i tërhoqën, por hallet e mia nuk mbaruan me kaq. Ndërkohë, tre të tjerët i dërguan në kampe përqendrimi, ku vdiqën duke i qëndruar besnikë Perëndisë deri në fund.

Më mbajtën në gjendje arresti dhe, më 5 tetor 1939, më njoftuan se do të më çonin në kampin e përqendrimit të Bukenvaldit, në Gjermani. Në stacionin hekurudhor të Lincit, ne të burgosurve na priste një tren i posaçëm. Vagonët ishin ndarë në qeli, ku mund të rrinin nga dy veta. U habita kur pashë se shoku im i qelisë ishte ish-guvernatori i Austrisë së Sipërme, dr. Hajnrih Glajsneri.

Dr. Glajsneri dhe unë filluam një bisedë interesante. Atij i vinte sinqerisht keq për gjendjen time të mjeruar, por i vinte keq edhe që, gjatë kohës kur kishte qenë ai në detyrë, Dëshmitarët e Jehovait kishin ndeshur probleme ligjore të panumërta në provincën e tij. Me keqardhje, më tha: «Zoti Englajtner, ç’u bë u bë, por të paktën dua t’ju kërkoj falje. Nga sa kuptoj, qeveria jonë ka bërë një gabim të madh për sa i përket drejtësisë. Nëse ndonjëherë do të keni nevojë për ndihmën time, me kënaqësi do të bëj ç’të kem në dorë.» Pas luftës, u takuam përsëri. Ai më ndihmoi të merrja pensionin që u jep qeveria viktimave të nazizmit.

«Do të të vras!»

Më 9 tetor 1939, mbërrita në kampin e përqendrimit të Bukenvaldit. Jo shumë kohë më pas, oficeri i bunkerit (burgut të kampit) mori vesh se ndër të sapoardhurit ishte edhe një Dëshmitar, kështu që u bëra shënjestra e tij. Më rrahu pa mëshirë. Pastaj, kur e kuptoi se kështu nuk do të më bënte ta mohoja besimin, më tha: «Do të të vras, Englajtner! Por më përpara, po të lë t’u shkruash një letër lamtumire prindërve.» Mendova t’u shkruaja nja dy fjalë ngushëlluese, por sa herë që bëhesha gati, ai ma lëvizte bërrylin, kështu që më ikte dora shtrembër. Pastaj tallej: «Sa idiot! Nuk shkruan dot as edhe dy rreshta siç duhet. Por ama, kjo s’e ndalon të lexojë Biblën, hë?!»

Më tej, nxori pistoletën, ma vuri te koka dhe më bëri të besoja se do ta shkrepte, siç tregova edhe në fillim. Por pastaj, më futi në një qeli të vogël që tashmë ishte plot e përplot me të burgosur. M’u desh ta kaloja natën në këmbë. Po edhe sikur të doja, nuk do të kisha fjetur dot, se më dhembte i gjithë trupi. I vetmi «ngushëllim» që më dhanë të burgosurit e tjerë ishte: «Të vdesësh për një fe koti nuk ia vlen fare!» Dr. Glajsneri ishte në qelinë ngjitur me timen. Ai e dëgjoi se çfarë kishte ndodhur dhe tha mendueshëm: «Përndjekja ndaj të krishterëve po ngre përsëri kokën e saj të shëmtuar!»

Në verën e vitit 1940, një të diel, të gjithë të burgosurve iu dha urdhri të dilnin për të punuar në gurore, edhe pse zakonisht të dielave e kishim pushim. Ky ishte ndëshkim për «sjelljen e keqe» të disa të burgosurve. Na urdhëruan të mbanim gurë të mëdhenj e t’i çonim nga gurorja në kamp. Dy të burgosur po përpiqeshin të më vinin në kurriz një gur të stërmadh, por gati sa s’u palosa më dysh nga pesha. Në atë çast, papritur më erdhi në ndihmë Artur Rëdli, famëkeqi Lagerfyrer (mbikëqyrësi i kampit). Duke parë se po mundohesha me shpirt ndër dhëmbë ta mbaja atë gur, më tha: «S’do të arrish dot kurrë gjallë në kamp me atë gur në kurriz! Lëshoje menjëherë!» Patjetër që iu binda me kënaqësi këtij urdhri. Pastaj, Rëdli më tregoi një gur që ishte shumë më i vogël e më tha: «Merr atë gur dhe sille në kamp. Është më i lehtë.» Pastaj, u kthye nga përgjegjësi ynë dhe e urdhëroi: «Lëri Studentët e Biblës të kthehen në barakat e tyre! Boll kanë punuar për sot!»

Kur mbaronte dita e punës, mezi prisja të takohesha me familjen time frymore. Kishim marrë masa për të shpërndarë ushqimin frymor. Një vëlla shkruante në një copë letër një shkrim biblik dhe ua kalonte të tjerëve. Kishim arritur të futnim edhe një Bibël në kamp. E ndamë në libra më të vegjël. Për tre muaj, më lanë në dorëzim librin e Jobit, që e fsheha te çorapet. Tregimi i Jobit më ndihmoi të qëndroja i fortë në besim.

Së fundi, më 7 mars 1941, bashkë me shumë të burgosur të tjerë, na transferuan në kampin e përqendrimit të Niderhagenit. Gjendja ime shëndetësore keqësohej dita-ditës. Një ditë, bashkë me dy vëllezër na urdhëruan të paketonim disa vegla nëpër kuti. Pas kësaj, shkuam bashkë me një grup tjetër të burgosurish te barakat. Një agjent SS vuri re se kisha mbetur pak prapa. U inatos kaq shumë, saqë papritur më dha një shkelm, duke më dëmtuar shumë rëndë. Më dhembi në shpirt, po, pavarësisht nga dhembjet, shkova në punë ditën tjetër.

Çlirim i papritur

Në prill të vitit 1943, kampi i Niderhagenit u boshatis. Kështu që më transferuan në kampin e Ravensbrukut, i cili quhej ndryshe edhe kampi i vdekjes. Por, papritur, në qershor të 1943-shit, më ofruan mundësinë e lirimit nga kampi i përqendrimit. Kësaj here, nuk më vunë si kusht që të hiqja dorë nga besimi. Thjesht duhej të thosha se do të bëja punë të detyruar në një fermë për gjithë jetën. Isha gati ta bëja këtë, veç t’u shpëtoja tmerreve të kampit. Më çuan te doktori i kampit për një kontroll. Ky u habit kur më pa. «Pa shih, qenke akoma Dëshmitar i Jehovait!»​—tha. «Keni të drejtë, zoti doktor»,​—iu përgjigja. «Kur është kështu, s’e kuptoj pse duhet të të nxjerrim nga kampi! Nga ana tjetër, do ishte lehtësim i madh për ne të hiqnim qafe një krijesë të mbaruar siç je ti.»

Nuk po e tepronte me këtë përshkrim. Gjendja ime shëndetësore ishte vërtet e mbaruar. Lëkurën ma kishin copëtuar vende-vende pleshtat; nga rrahjet kisha mbetur pjesërisht i shurdhër dhe të gjithë trupin e kisha të mbushur me plagë që qelbeshin. Pasi kisha kaluar 46 muaj me vështirësi ekstreme, gjithnjë i uritur dhe me punë të detyruar, peshoja vetëm 28 kilogramë. Në ato kushte, më 15 korrik 1943, më liruan nga Ravensbruku.

Më dërguan me tren në qytetin e lindjes, pa më shoqëruar me ndonjë rojë, dhe u paraqita në zyrat e Gestapos në Linc. Oficeri i Gestapos më dha letrat e lirimit dhe më paralajmëroi: «Mos të të gënjejë mendja se po të lirojmë që të vazhdosh punën tënde ilegale! Po të zumë prapë duke predikuar, një Zot e di ç’do të të ndodhë!»

Më në fund, isha në shtëpi! Mamaja e kishte lënë dhomën siç e kisha pasur kur më arrestuan më 4 prill 1939. Madje, edhe Biblën e kisha lënë të hapur në tryezën pranë krevatit. Rashë në gjunjë dhe bëra një lutje falënderimi me gjithë zemër.

Pas pak kohësh, më caktuan të punoja në një fermë malore. Fermeri, që e kisha pasur shok fëmijërie, më jepte edhe një rrogë të vogël, ndonëse nuk ishte i detyruar. Para luftës, ky shok më kishte dhënë leje të fshihja ca literaturë biblike në pronën e tij. Isha i kënaqur që mund të përdorja atë depo të vogël me literaturë, për të marrë forca frymësisht. Të gjitha nevojat i kisha plotësuar, prandaj vendosa ta prisja mbarimin e luftës atje lart në fermë.

Fshihem nëpër male

Por, ato ditë të qeta lirie nuk zgjatën shumë. Aty nga mesi i gushtit të vitit 1943, më dhanë urdhër të shkoja te një mjek ushtarak për një kontroll mjekësor. Fillimisht, ai deklaroi se nuk isha i aftë për shërbim ushtarak, për shkak të problemeve me shpinën. Por, një javë më vonë, po ky mjek e ndryshoi deklaratën dhe shkroi: «I aftë për shërbim ushtarak në front.» Për ca kohë ushtria nuk arriti të më gjente, por më 17 prill 1945, pak para se të mbaronte lufta, më gjetën. Më dërguan fletëthirrjen për ushtar në front.

Duke marrë me vete ca ushqime dhe Biblën, ia mbatha në malet aty afër, për t’u fshehur. Në fillim flija përjashta, por pastaj moti u keqësua dhe ra shumë dëborë, gati gjysmë metri. U laga e u bëra qull. Por arrita të gjeja një barakë në mal, në lartësinë 1.200 metra. Duke u dridhur, bëra një zjarr në oxhak dhe arrita të ngrohesha e të thaja rrobat. Mirëpo, i këputur siç isha, më zuri gjumi në një stol përballë oxhakut. S’kaloi shumë dhe u zgjova papritur, nga një dhembje e fortë. Kisha marrë zjarr! U rrotullova përtokë që të fikja flakët në trup. Të gjithë kurrizin e kisha plot me flluska.

Edhe pse rrezikoja shumë, arrita të shkoja në fermën malore para se të agonte, por e shoqja e fermerit ishte kaq e frikësuar, saqë më dëboi, duke më thënë se kishin vënë një shpërblim për të më kapur. Atëherë, shkova te prindërit. Në fillim, edhe ata nuk donin të më futnin në shtëpi, por pastaj më lanë të flija në hambar, dhe mamaja më mjekoi plagët. Pas dy ditësh, kur pashë se prindërit nuk ndiheshin rehat që isha aty, mendova se do të ishte më mirë të shkoja të fshihesha prapë në male.

Më 5 maj 1945, u zgjova nga një zhurmë e fortë. Pashë në qiell avionë të aleatëve, që fluturonin në kuotë të ulët. Atëherë e kuptova se regjimi i Hitlerit ishte rrëzuar. Fryma e Jehovait më kishte forcuar që të përballoja situata të pabesueshme. Kisha provuar sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 55:22, që më kishin ngushëlluar kaq shumë kur më kishin filluar sprovat. E kisha ‘hedhur barrën time’ mbi Jehovain dhe, ndonëse isha i dobët fizikisht, ai më kishte mbështetur, ndërkohë që ecja «në luginën e hijes së vdekjes».​—Psalmi 23:4.

Fuqia e Jehovait «përsoset në dobësi»

Pas luftës, jeta dalëngadalë u kthye në normalitet. Në fillim punova si argat në fermën malore të shokut tim. Vetëm pas ndërhyrjes së trupave amerikane në prill të vitit 1946, më hoqën dënimin për të bërë punë bujqësore të detyruar për gjithë jetën.

Në fund të luftës, vëllezërit në Bad-Ishl e në krahinën përreth filluan të mbanin rregullisht mbledhje. Nisën të predikonin me forca të reja. Mua më ofruan punë si roje nate në një fabrikë, kështu që munda të vazhdoja si pionier. Së fundi, u vendosa me banim në zonën e Shën Volfgangut dhe, në vitin 1949, u martova me Tereza Kurcin, e cila kishte një vajzë nga martesa e parë. Ishim përkrah njëri-tjetrit për 32 vjet, derisa gruaja ime e dashur vdiq në vitin 1981. Isha kujdesur më shumë se shtatë vjet për të.

Pas vdekjes së Terezës, rifillova shërbimin si pionier dhe kjo më ndihmoi të kapërceja ndjenjën e madhe të boshllëkut që më krijoi humbja e saj. Aktualisht shërbej si pionier dhe plak në kongregacionin tim, në Bad-Ishl. Meqë jam në karrocë invalidësh, ofroj literaturë biblike dhe u flas njerëzve për shpresën e Mbretërisë, në parkun e Bad-Ishlit ose para shtëpisë sime. Bisedat e bukura rreth Biblës më sjellin shumë gëzim.

Kur mendoj për të kaluarën, e them me plot gojën se përvojat e frikshme që u detyrova të kaloja, nuk më hidhëruan. Sigurisht, kishte raste kur ndihesha i shkurajuar, për shkak të sprovave. Por, lidhja e ngushtë me Perëndinë Jehova më ndihmoi t’i kapërceja periudhat e vështira. Edhe për mua kanë dalë të vërteta fjalët që Zotëria i tha Pavlit: «Fuqia ime përsoset në dobësi.» Tani që jam gati 100 vjeç, bashkohem me apostullin Pavël, duke thënë: «Gjej ëndje në dobësi, në fyerje, në raste nevoje, në persekutime dhe vështirësi për Krishtin. Sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»​—2 Korintasve 12:9, 10.

[Figurat në faqen 25]

Gestapoja më arreston në prill të 1939-ës

Dokument i Gestapos me akuza, maj 1939

[Burimi]

Të dyja fotografitë: Privatarchiv; B. Rammerstorfer

[Figura në faqen 26]

Gjeta strehë në malet përreth

[Burimi i figurës në faqen 23]

Foto Hofer, Bad-Ishl, Austri